Pronat, Kryegjyqtari: U kërcënova me jetën e fëmijëve
Nga: TRËNDAFILE VISHA
VLORË- Një SMS në celular ka tronditur kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Artur Malaj. Nuk bëhej thjesht fjalë për jetën e tij, por për familjen, bashkëshorten dhe dy vajzat që jetojnë në Tiranë. Autorët e SMS-së ishin të qartë: Do të të vrasim familjen dhe ty! Katër jetë nën “satër”, për dy çështje pronash. Por Malaj nuk është frikësuar nga dy agresorët, nuk është tërhequr apo lëkundur për asnjë moment. Ka kërkuar ndihmën e policisë, dhe ndërkohë ka vijuar punën. Përgjatë 10 ditëve ai ka lëvizur nga Vlora në Tiranë i shoqëruar nga policia. Gjithë makthin e ka mbajtur përbrenda, dhe nuk u ka treguar asgjë gruas dhe fëmijëve. Pas arrestimit të njërit prej autorëve të krimit, kreu i Gjykatës së Vlorës deklaroi se nuk ndihet i frikësuar. Ai falenderoi policinë për punën profesionale e të shkëlqyer, pasi mbrojti atë dhe familjen e tij. Malaj, duke sjellë ndërmend vrasjen makabre të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, pohoi se “njerëzit që duan të realizojnë një vepër penale e bëjnë pa paralajmërim”. Ndërkohë, kryegjyqtari rrëfen me detaje ngjarjen, përjetimin e tij, durimin e gjakftohtësinë përballë elementit kriminal.
Z. Malaj, kur jeni kërcënuar për shkak të detyrës?
Para 10 ditësh mora kërcënimin e parë përmes telefonit. Ishte një mesazh i bërë nga një person, i cili më kërcënonte me jetë, mua dhe familjen time.
Si reaguat pas SMS-së në celularin tuaj?
Kërkova menjëherë ndihmën e policisë, pasi nuk është rasti i parë që unë kërcënohem për shkak të detyrës që bëj. Policia veproi menjëherë dhe nisi hetimet për identifikimin e personit që më bënte presion dhe më kërcënonte. Bëhej fjalë për një person shumë profesionist, që kishte njohuri në përdorimin e celularëve. Nga hetimet e kryera, rezultoi se ai kishte ndërruar mbi 20 numra, dhe kishte blerë disa aparate celularësh, për të shmangur survejimin nga policia.
Ishte në dijeni familja juaj për presionet dhe kërcënimet që iu bëheshin?
Në fakt, ky ishte sikleti im më i madh. Kurrsesi nuk doja që familja ime të ishte në dijeni të situatës në të cilën ndodhesha. Bashkëshortja ime dhe dy vajzat banojnë në Tiranë, ndaj u kujdesa që ato t’i mbaja larg kësaj gjëje. Ndërkohë që, policia u tregua jashtëzakonisht korrekte, duke më mbrojtur njëkohësisht mua dhe familjen time, pa rënë në sy.
Gjatë këtyre 10 ditëve, ju qëndruat në Vlorë apo në Tiranë?
Vijova punën normalisht. Shkoja dhe vija nga Vlora në Tiranë. Policia më ka shoqëruar në të gjitha lëvizjet që kam bërë.
Po familja juaj, kur e mësoi të vërtetën e kërcënimeve që ju merrnit nëpërmjet telefonit?
Mëngjesin e djeshëm mësuan të vërtetën. Gjatë ditëve të tjera, policia u tregua e kujdesshme që të mos binte në sy. Ndërkohë, dje, bashkëshortja ime pikasi prezencën e bluve.
Policia ka prangosur 58-vjeçarin Mentor Mustafaraj nga Vlora, i cili dyshohet të jetë personi që ju ka kërcënuar. Jeni i sigurtë që është ai autori?
Jam shumë i sigurtë. Policia e ka vërtetuar këtë nga përgjimet. Pastaj, para më shumë se një viti, Mustafaraj ka humbur një gjyq pronësie me mua. Në këtë ngjarje, është përfshirë dhe një person tjetër. Unë kam një tjetër dosje për pronat, dhe ky tjetri është bërë bashkë me Mustafarajn, duke më kërcënuar me jetë.
Si reagoi familja juaj?
Puna jonë kështu e ka, me kërcënime dhe presione. Gruaja ime është notere dhe e di natyrën e punës që bëjmë. Rëndësi ka që ajo dhe dy vajzat e mia, njëra është në shkollë dhe tjetra në kopsht, janë mirë.
Prej sa kohësh punoni dhe a jeni kërcënuar herë tjetër?
Kam 8 vjet që punoj në Vlorë. Ky është rasti i dytë që kërcënohem për shkak të detyrës.
Më 10 shtator të vitit të kaluar, u vra në mënyrë makabre gjyqtari Skerdilajd Konomi. Sa ndjeheni i rrezikuar në punën tuaj si gjyqtar?
Personalisht nuk ndjehem i rrezikuar. Pastaj njerëzit që duan të realizojnë një vepër penale e bëjnë pa paralajmërim. Gjej rastin të falenderoj policinë, pasi ka bërë një punë profesionale të shkëlqyer. Them të shkëlqyer, pasi jo vetëm më mbrojti mua dhe familjen time, por brenda pak ditëve vuri në pranga autorin e krimit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt