Imami inspekton ndërtimin e anijes së parë shqiptare
VLORE - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami vizitoi dje kantierin e ndërtimit në distriktin ushtarak të Pashalimanit, ku aktualisht është në proces ndërtimi anija e parë shqiptare. “Kjo anije që po ndërtohet, do të përfundojë në fund të vitit dhe se 2 të tjera do të jenë gati në fund të 2013-së. Kjo anije e tonazhit të rëndë do të shërbejë për emergjencat civile dhe po ngrihet në këtë kantier, sipas një kontrate të shtetit shqiptar, Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtetit holandez, nëpërmjet një firme prestigjioze”. Anija patrulluese, që aktualisht po ndërtohet në kantierin e ndërtimit të Pashalimanit, ka një gjatësi prej 42 metrash dhe është e dyta në llojin e vet që po ndërtohet. Ndërtimi i kësaj anijeje është një bashkëpunim i qeverisë shqiptare dhe i kompanisë holandeze “Damen”, në të cilën kanë marrë pjesë 85 punonjës. Kostoja e saj është mjaft e ulët, e krahasuar me anijen e blerë para pak muajsh, e cila ka kushtuar 7.2 milionë euro. Imami u shpreh ndër të tjera dhe për postbllokun ushtarak të bazës së Pashalimanit, i cili nuk lejon turistët të kalojnë në pjesën tjetër të plazhit të Orikumit. Imami theksoi se “në projektet tona afatshkurtra, kemi ngritjen e një muzeu dhe më pas do të lejohet kalimi i turistëve, pasi për ne nuk është problem shtyrja e postbllokut 100 metra afër bazës”. Sipas ministrit, kohët e fundit, banorë të Dukatit janë ankuar se nga kjo bazë nuk mund të kalohet për në Karaburun, atje ku ata pretendojnë se kanë tokat e tyre dhe se ka një projekt për ngritjen e parkut energjetik me erë. Gjithashtu, mjaft shoqata turistike në jug janë ankuar disa herë se postblloku i bazës po pengon turizmin, pasi brenda territorit të tij ndodhet parku arkeologjik i Orikut, aty ku ka dhe një drejtori. Gjithsesi, sipas tij, ky është një problem që do të gjejë zgjidhje, por në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, pasi aty mendohet të ndërtohet dhe një muze i së shkuarës. Ndërsa për kalimin drejt Karaburunit, ku sipas ministrit është një park kombëtar, ka forma të tjera që nëpërmjet investimeve infrastrukturore të krijohen rrugë apo mundësi të tjera për të shkuar në Karaburun, gadishullin me të madh të vendit, totalisht i virgjër. q.b
Panorama
Krijoni Kontakt