Hetimi, tërhoqi 300-1000 mijë euro për student, diplomat nuk vlejnë.
“Diplomati” Bruno Hamard shpallet fajtor për mashtrim.
Një “diplomat” fra-ncez është dënuar në mungesë me 5 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “mashtrimit”. Duke u hequr si drejtues i një Instituti francez, që nuk ekzistonte dhe zotërues i një urdhri kalorësiak, që nuk njihej në Francë, 41-vjeçari Bruno Hamard ka futur në një grackë mashtrimi dhjetëra shqiptarë. Sipas Gjykatës, kundrejt shumave nga 300 deri në 1000 euro, ai ka pajisur “viktimat” e tij me diploma “Master” dhe “Doktoraturë” në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, që në të vërtetë nuk vlenin dhe nuk njiheshin në asnjë vend. Skemës, thuajse perfekte, të mashtrimit të tij nuk i kishte shpëtuar askush, as profesorët e fakultetit Histori-Filologji e as zyrtarë të lartë të ministrive shqiptare. Vendimi i fajësisë së francezit është shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës nga një treshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha.
MASHTRIMI
Referuar vendimit të gjykatës, fillesa e mashtrimit të francezit ka qenë një njohje e vjetër në vitin 1995 mes tij dhe një profesori të fakultetit Histori-Filologji, Petrit Nathanaili, në kohën kur ky i fundit ndiqte studimet pasuniversitare në Francë.
Më pas, në vitin 2003, Hamard ka kontaktuar profesorin Nathanaili dhe i ka hedhur idenë e krijimit të një dege studimi me studentë frankofonë, për studime të thelluara “Master” dhe “Doktoraturë” ne fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. “Në funksion të qëllimit të tij, i pandehuri fillimisht ka mundur që, me anë të mirëbesimit, të bindë shtetasin Petrit Nathanaili, duke i thënë atij se një degë e tillë ishte hapur prej të pandehurit në Hungari dhe se i pandehuri kishte krijuar për këtë qëllim edhe institutin ‘IRERIE’, të cilin e drejtonte ai vetë. Ky institut, sipas të pandehurit Bruno Hamard, ishte funksional dhe kishte studentë nga shtete, si Rumania, Hungaria, Turqia, Franca etj. I pandehuri Bruno Hamard i ka thënë dëshmitarit Petrit Nathanaili se instituti ‘IRERIE’ është i licencuar dhe i njohur nga autoritetet franceze”, thuhej në vendimin e gjykatës. Sipas Gjykatës, pasi është bindur se Hamard ishte njeri serioz dhe se “IRERIE” ishte i njohur ligjërisht, profesori Nathanaili ka pranuar të bashkëpunojë me të. Në vijim, i pandehuri ka sjellë në Shqipëri programet mësimore që nuk ishin të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe kanë nisur programin, që do të zhvillohej on-line. Sipas Gjykatës, “Ky institut është krijuar dhe drejtuar nga i pandehuri me qëllimin e vetëm të përvetësimit me anë të shpërdorimit të besimit dhe gënjeshtrës të shumave të parave, që studentët shqiptarë kanë arkëtuar në këtë institut. Ky institut nuk ka qenë asnjëherë i licencuar dhe i regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se Shtetit Shqiptar. Për rrjedhojë, diplomat që ky institut lëshonte, nuk kishin asnjë vlerë, pasi ato nuk njihen nga autoritetet shtetërore të shtetit shqiptar”.
TË MASHTRUARIT
Sipas vendimit të gjykatës, instituti fals i ngritur nga francezi Hamard në Tiranë fillimisht ka pasur 17 studentë. Pagesa e brezit të parë ka qenë 300 euro për çdo student. Pagesa kryhej kundrejt një mandatpagese tek drejtori shqiptar i institutit, që më pas i kalonte institutit “IREIRE” në llogarinë e të pandehurit ose vetë i pandehuri, kur ky i fundit vinte në Tiranë dhe i tërhiqte ato nga drejtori shqiptar. Në vijim, një pjesë e pagesave përdorej për lektorët, ndërsa pjesa tjetër i kalonte të pandehurit Hamard. Po sipas Gjykatës, për shkak të publicitetit të madh që i pandehuri i bënte institutit “IREIRE” sa herë vinte në Tiranë, numri i studentëve është rritur nga vit në vit. “Duke qenë se numri i studenteve filloi të rritej, i pandehuri menjëherë e shfrytëzoi këtë mundësi dhe e rriti kuotën e pranimit të tyre në këtë institut nga 300 euro në 1000 mijë euro për çdo student. Në vitin akademik 2006-2007 kanë vijuar studimet në këtë institut 65 studentë”, arsyetohej në vendim.
“PUBLICITETI”
Kur gjithçka i ka shkuar mirë, francezi Hamard ka investuar edhe në imazhin e tij, me qëllim krijimin e besimit tek stafi pedagogjik dhe studentët. Për të rënë akoma më shumë në sy, ai ka organizuar aktivitete të ndryshme qoftë në Ministrinë e Mbrojtjes në prefekturën e Durrësit, si edhe merrte pjesë në ceremonitë e ndarjes së diplomave, duke ftuar me këtë rast edhe personalitete të fushave të ndryshme dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Integrimit etj. Por, në këto dalje publike, ai nuk mund të ishte “njeri i thjeshtë”. “Gjatë gjykimit rezultoi se i pandehuri Bruno Hamard është paraqitur para autoriteteve shqiptare si përfaqësues i urdhrit “Saint quent & de L’Etoile”. Nën këtë paraqitje, i pandehuri ka kryer takime me përfaqësues të lartë të administratës shtetërore, duke u prezantuar me imunitet diplomatik, si dhe ka nënshkruar marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Prefekturën e Qarkut Durrës, ne fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe biznesit. Përdorimi dhe paraqitja e të pandehurit si përfaqësues i këtij urdhri është bërë për të krijuar lehtësira në aktivitetin e tij kriminal”, thuhej në vendimin e gjykatës.
1 mije euro ishte pagesa e një studenti për të ndjekur programet pasuniversitare, që instituti i Bruno Hamard ofronte për shqiptarët. Në vitin e parë, kjo pagesë ishte 300 euro
4 vjet ka zhvilluar program mësimor pasuniversitar instituti fantazmë francez “IREIRE” në Tiranë, ku brezi i parë ishte në vitin 2003 dhe brezi i fundit në vitin 2007
Përgjigjja zyrtare nga Franca nstituti s’ekziston, as urdhri kalorësiak
TIRANE – Gjatë shqyrtimit gjyqësor në dosjen penale ndaj shtetasit ta akuzuar nga Prokuroria për mashtrim, Gjykata e Tiranës ka administruara letërporositë e ardhura nga autoritetet franceze në lidhje me pretendimet e francezit Hamard. “Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar plotësisht se provave shkresore të ardhura nga Ambasada Franceze e akredituar në Tiranë, instituti “IREIRE” është i panjohur në mjediset akademike franceze. Për rrjedhojë, diplomat që shpërndan ky institut, nuk kanë asnjë formë njohjeje ose ekuivalence në shtetin francez. Gjithashtu, urdhri “Saint quent & de L’Etoile”, ku mbështetet ky institut, nuk është i njohur në shtetin francez”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Panorama
Krijoni Kontakt