Rama: Kandidatura e Nishanit, e papranueshme. Të mos rrezikojmë statusin
TIRANE – Pas tërheqjes së kandidatit zyrtar të mazhorancës, Artan Hoxha, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nënvizoi gatishmërinë e opozitës për arritjen e një konsensusi për presidentin e ri të vendit, në mënyrë që siç tha ai, vendi të mos rrezikojë statusin kandidat për në BE.
“Ky është një proces që po degradon hap pas hapi dhe po rrënon më shume akoma besimin e qytetarëve tek parlamenti. Nga ana tjetër po godet më shumë akoma besimin e familjes europiane tek Shqipëria. Kandidatura sapo tërhequr ishte një kandidaturë që ne e refuzuam sepse nuk kishte asnjë mundësi, për plot arsye, që ne të jepnin mbështetje. Por kiza po thellohet, unë e përsëris një krizë është edhe një mundësi, një shans për të dalë prej saj përmes një hapi të ri në drejtim të kundërt me inercinë e krizës.”- u shpreh Rama në një konferencë për shtyp nga selia rozë.
Më tej kryesocialisti theksoi se kandidatura tjetër e paraqitur nga mazhoranca, ministri Bujar Nishani, është e papranueshme. Kandidatura e Nishanit pritet të votohet në seancën e parashikuar për në orën 17:00.
“Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe presidenti të kthehet në ministër. Është e papranueshme në kohë normale dhe jo në një kohë si kjo, që dikton domosdoshmërinë që përfaqësuesit e shqiptarëve në parlament të vendosin interesin e vendit mbi interesin e palëve. Është tërësisht misteri i një pale të vetme, si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se PD dhe nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal dhe kjo për konsensusin maksimal që ne vazhdojmë të kërkojmë jo për interesin e PS-së, por për interesin kombëtar dhe publik në këtë moment kaq të rëndësishëm.”- u shpreh Rama.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt