Spiro Maraçi ishte ndër të parët që mbërriti në vendin ku kishte rënë autobuzi me studentë. Ishte ndër të parët gjithashtu që mori një nga vajzat e plagosura për ta transportuar me autoveturën e tij drejt Qendrës Shëndetësore në Himarë.
Për gati dy orë, krahas dhjetra banorëve të tjerë himariotë, Spiroja u përfshi në operacionin e shpëtimit të atyre jetëve njerëzore. E, ndërsa komunikonim në celular në ato minuta të para të aksidentit, kur lajmi nuk kishte marrë ende "dhenë", i riu himariot më kërkonte, më lutej me zërin e vet të rënduar nga dhimbja, të bëja “të pabërën" që kjo ngjarje të përcillej tek opinioni publik.
"Këtu është katastrofë, është një tragjedi e vërtetë, u thoni ju lutem të gjithëve të vijnë. Janë vajza të reja të vdekura, të plagosura….”, më përsëriste vazhdimisht me atë zërin e rënduar nga ngashërimi që i mbështillej në fyt dhe që unë ja ndjeja, megjithëse përmes celularit. Me atë autoveturën e tij “Benz”, ai nuk rreshti së transpotuari trupat e përgjakur të vajzave që kishin mbërritur në jetën e përjetshme, apo të atyre që luftonin mes jetës e vdekjes.
Spiroja, vetëm 23 vjeç, punonjës i Bashkisë së Himarës, që vetë kishte qenë deri një vit më parë student në degën e Administrim Biznesit, ishte një nga ata dhjetra banorë, një nga ata qindra qytetarë, udhëtarë të rastit që, pa u thënë askush, u përpoqën të zvogëlonin dimensionet e kësaj tragjedie.
Dhe vetëm atëhere kur askush nuk mund të bënte dot më asgjë, i lodhur dhe i prekur nga gjithçka që përjetoi, 23 vjeçari u drejtua për në banesën e vet, për t’ju larguar sadopak asaj dhimbjeje njerëzore, që nuk kishte ngjashmëri me asgjë tjetër. E, ndërsa 2 orë më pas kërkoja ta takoja aty në qytetin e vet, Spiroja u mjaftua vetëm me pak fjalë, përmes celularit të tij: “shkruani për popullin e Himarës, për bashkëqytetarët e mij që shfaqën ndjenja njerëzore të pakrahasueshme, për ato nëna që qanë jetët e humbura njësoj si vajzat e tyre”.
Këto fjalë të thëna nga një i ri himariot, që e kisha njohur vetëm një muaj më parë, ndërkohë që tisi i dhimbjes pafund ishte në kulmin e vet, shprehin soldaritet njerëzor.
Atë solidaritet që u shfaq i pangjashëm në pasditen tragjike të 21 majit, kur himariotët u bënë njësh me dhimbjen, triumfuan mbi të dhe shpëtuan jetë vajzash të reja. Ky solidaritet u shfaq me dimensione pafund, aty në sheshin përpara Qendrës Shëndetësore të Himarës, kur nënat shamizeza lëshuan lotët për jetët e fikura në lulen e rinisë.
"Të shkretat vajza, të shkretat nëna…", qante me dhimbjen e vet nënë Kasiania, ndërsa ndiqte me sy dhe me zemër, atë që ndodhte brenda mureve të asaj qendre të vogël shëndetësore, por të stërmadhe nga humanizmi i treguar nga punonjësit e saj.
Dhjetra qytetarë të Himarës sollën nga shtëpitë e tyre, gjithçka që mund të nevojitej, ndërkohë që treguan një respekt të pakrahasueshëm ndaj dhimbjes, ashtu siç dinë të tregojnë vetëm himariotët.
“Do të jemi pranë të plagosurve, pranë familjeve të tyre dhe të viktimave…”, deklaronte kryetari i Bashkisë, Gjergji Goro, që, njësoj si bashkëqytetarët e tij, u përfshi në këtë operacion shpëtimi, krahas strukturave të posaçme që mbërritën në vendin e ngjarjes në një kohë rekord
Krijoni Kontakt