Shqiptarët kanë përjetuar tepër shumë urrejtje, prandaj e duan paqen
Publikuar: 29.05.2012 - 14:21
Prishtinë, 29 maj – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr Hajredin Kuçi, ka marrë sot pjesë në konferencën evropiane të lidershipit “Parimet dhe praktikat për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan”, e organizuar nga Federata e paqes universale dhe Federata e grave për paqe botërore dhe e mbështetur nga Ministria e Drejtësisë.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Kuçi, fillimisht rikujtoi se promovimi i paqes dhe konsolidimit të saj është beteja kryesore e tërë civilizimit botëror, fakt i cili kryesisht arrihet përmes dy premisave themelore të saj: demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të cilat siç u shpreh ai populli i Kosovës ka denjuar t’i ketë këto përgjatë një shekulli.
Si shoqëri, shtoi ai, kemi kaluar nëpër një të histori aspak të drejtë dhe shumë të hidhur. Jemi me shumë fat që ajo ka përfunduar dhe tash e shumë vite ecim të lirë në vendin tonë. Por, Kosova aktualisht po përballet me një fazë kalimtare, e cila do të çojë tek një shtet plotësisht sovran.
Në këtë proces, Kosova ka nevojë për mbështetjen e miqve të saj, si të fuqive të mëdha të tilla si SHBA dhe vendet e Unionit Evropian. Por, siç u shpreh ai, Kosova ka nevojë për mbështetjen e njëjtë edhe nga brenda. Shtetndërtimi dhe fryma e demokracisë së vendit, nuk është një detyrë e lehtë, kështu që pjesëmarrja e gjithë popullit të Kosovës është një domosdoshmëri.
Ministri Kuçi ua rikujtoi të pranishmëve se Qeveria e Kosovës, së fundi, ka vendosur ta themelojë Këshillin për drejtësi tranzicionale dhe pajtim, e cila për më tepër synon që ta rrisë nivelin e kujdesit institucional për pajtim dhe promovim të paqes ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Më këtë dhe me ligjet e tjera, që shteti ynë nxjerrë çdo ditë, si dhe zbatimin e tyre në praktikë -- institucionet shtetërore sot janë të gatshme për të marrë primatin për të hapur kapitujt e promovimit të paqes së përhershme dhe të konsoliduar.
Kjo gjeneratë e shqiptarëve të Kosovës ka pasur mjaft - më shumë sesa e mjaftueshme - luftë, urrejtje dhe shtypje. Prandaj, nëpërmjet promovimit të idesë për instalimin e një paqeje të përhershme, ne do të konsolidojmë demokracinë tonë, derisa të drejtat e njeriut do t’i promovojmë si virtytin kryesor të shoqërisë dhe vlerave tona, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Konferenca ka nxjerrë disa ide, se si kosovarët dhe komuniteti ndërkombëtar të mbështesin ndërtimin e paqes në Ballkan përmes edukimit, rëndësisë së faljes, pajtimit dhe përfshirjes sociale në vend.
Për të kontribuar rreth ideve pwr tolerancën dhe paqen, në konferencë prezantoi edhe Maja Micic – drejtoreshë e Iniciativës Rinore për të drejtat e njeriut në Serbi.
“Ka njerëz dhe grupe që urrejnë shqiptarët boshnjakët apo kroatët, është detyrë e jona që si brezë i ri ti riformësojmë apo ti edukojmë dhe të vendosim komunikim dhe marrëdhënie me grupe etnike dhe të formojmë bazën për bashkim në të ardhmen”, tha ajo.
Pjesëmarrës të tjerë në konferencë folën edhe për tema të tjera, ndër të cilat mbrojtja e të drejtave të njeriut, integrimi, mirëkuptimin reciprok etj.
Krijoni Kontakt