Doko, 80-vjeçari, emigrant për të shkolluar mbesën

TIRANE - Gora është krahina më e vjetër e vendit me 49 fshatra të ngjeshura në gjo-ksin e maleve të larta që shkojnë nga 1000 m deri në 1500 mbi nivelin e detit. Gora shtrihet në trekëndëshin midis Pogradecit–Gramshit dhe Korçës. Krahina përshkohet nga lumi Devoll i cili formon djepin e krahinës ku rriten dhe kultivohen bimësi të ndryshme bujqësore me mollë, dardha, qershi me plantacione të pafund pyjesh dhe xhepa të shumtë luginash ku mbarshtrohet bagëtia. Në të djathtë të lumit Devoll ngrihen madhështore malet e Lenies, Guri i Kamjes një gur madhështor dhe hijerëndë që është si porta hyrëse e krahinës së Gorës. Fjala “Gorë” që ka marrë emrin krahina rrjedh nga sllavishtja që do të thotë mal, malësi. Ne qëndruam në Grunjas një nga fshatrat me emër të Gorës. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte një takim me 90 vjeçarin Hekuran Doko, plakun e urtë dhe të mençur nga Grunjasi i Gorës. Sapo takohemi më thotë; “Kur u zhduka atëherë ju gazetarët shkruat në gazetë se është zhdukur një plak i moshuar. Por ja që atëherë kanë kaluar shumë vite, unë shkova në Greqi emigrant, shkollova mbesën Enkelejdën dhe më pas u bëra stërgjysh. Nipi im në Tiranë sot ka ditëlindjen bëhet dy vjeç.

Xha Hekuran si ju lindi ideja që gati 80 vjeç të shkoni emigrant në Greqi ?
Kam një mbesë që e dua shumë ajo po mbaronte shkollën e mesme me nota 10 ta dhe mundësia eko-nomike për ta shkolluar nuk ekzistonte.
Dhe si e zgjidhët ?
Kanë kaluar 10 vjet dhe unë atëherë isha 80 vjeç dhe më lindi një ide e çmendur pa ja treguar asnjë njeriu, që të shkoja në Greqi dhe të punoja për të mbledhur lekë për të shkolluar mbesën time Enkeledën në Universitetin e Tiranës. Këtë ide nuk ja u tregova asnjë njeriu pasi e dija që do të më pengonin sepse isha plak por, mundësi tjetër nuk kishte pasi të gjithë ishin papunë dhe djali im Nexhua merrej me të shoqen Tatjanën pasi ajo është e sëmurë. Kështu që mbetesha unë dhe plaka ime.
Po në familje si ju thatë?
Ju thashë se do të shkoj tek vajza ime në Sheqeras ku ajo është e martuar, por në të vërtetë me 2 mijë lekë të vjetra u nisa në drejtim të Tresenikut te një miku im, Adil quhet.
Si ju tha Adili?
U habit, por kur pa këmbënguljen time ma mbushi çantën me ushqime dhe më përcolli deri tek vija e gjelbër e kufirit grek. Kam udhëtuar me shkop në dorë tre ditë e tre net dhe më pas mbërrita në një fshat në Kastorja (Kozanë), që quhet Vatero.
Po më pas?
Futem në një kafe dhe meqenëse dija pak greqisht nga koha e luftës greke pasi, në shtëpinë tonë kishim mbajtur disa emigrantë grekë, ju fola në gjuhën e tyre. Aty ishte një pronar grek Jorgos Panajoti quhej. Me buzë në gaz më tha; Po ti o plak ç’kërkon në Greqi? Nepraviat- i thashë unë greqisht, dua të punoj si çoban kam hall më duhen lekë për të shkolluar mbesën është nxënëse e shkëlqyer por s‘kemi asnjë kacidhe.
Jorgo qëndroi një moment dhe më tha; unë kam një stan me 200 dele dhe më duhet një çoban por nuk e di a do ta bësh dot, je plak, nuk e shikon që je për në azil, të ka harruar vdekja more i uruar? Unë i thashë që të më provonte e në qoftë se nuk ia mbaja mirë bagëtitë, mund të më përzinte.
Filluat punë?
Po që të nesërmen. Bëmë pazarin 50 euro në ditë dhe të më jepte edhe ushqimin. Të them të drejtë lodhesha pa masë. Ishte tufë e madhe nga njëri cep tek tjetri. Kur shkoja për të fjetur bija si i vdekur nga lodhja por më pas rezistova.
Po familja?
Nuk dinte gjë fare. Vetëm pas 9 muajsh më kishte parë një bashkëfshatari im Enver Liço dhe ju kishte thënë në shtëpi se më kishte parë në Greqi. Familja ku nuk më kishte kërkuar tek njerëz të humbur nëpër gazeta. Pas dy vjet e gjysmë punë pasi kisha bërë gati lekët për të gjitha vitet e Universitetit, u ktheva në shtëpi. Solla një biçikletë, për Enkeledën rroba dhe lekët që i mbaja të fshehura nëpër çorape. Gruaja ime Mevludja kishte vënë shami të zezë, më dinin të vdekur .
A e justifikoj mbesa sakrificën tënde ?
Po, po. Enkeleda mbaroj Universitetin në Tiranë për gjuhë letërsi dhe tani punon në parlamentin shqiptar. Është martuar në Tiranë dhe pikërisht sot nipçja bëhet dy vjeç. Dëgjo o gazetar, njeriu në jetë edhe mund të humbi por duke lënë një vepër të mirë, por ka raste dhe që mund të fitosh duke vjedhur të tjerët … Shkollimi është baza e jetës, ata me shkollë nga ata pashkollë ndryshojnë si të vdekurit me të gjallit... Dëgjo o gazetar, lekët e xhepit prishen ndërsa ato të mendjes të ngelen. (e shoqja Mevludia thotë; pyete për politikën një çikë se tërë ditën lajme dëgjon (qesh).
Si mendon xha Hekuarn kush duhet të jetë president i Shqipërisë?
Duhet një burrë si Qemal Ataturku në Turqi. Po pastaj ne nuk kemi vetëm një hall këtë të presidentit. Te ne gjykatat i kemi viran, të grijnë nga lekët të kesh një hall, shëndetësia po ashtu, të shtrohesh në spital duhet të marrësh ilaçet me vete …arsimi njësoj. Ja në fshatin tonë ka tërë ata djem që kanë mbetur analfabetë... Jemi si një varkë që ka shumë vrima dhe i hyn uji nga tëra anët.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Neser ekskluzive tek gazetashqiptare.com: Tradhetite e xha Hekuranit ndaj te shoqes me gruan e pronarit grek