Agjensia e Lajmeve SOT - 26 May 2012
Fenomeni Xhuveli në politikën shqiptare dhe Ilir Meta si sozia e tij
Ilir Bushi
Lufter Xhuveli ishte i pari që provoi të merrte votat e majta dhe të qeveriste për llogari të pushtetit të djathtë. Në këtë mënyrë ai shpalosi për herë të parë një fenomen të panjohur në tradicionin e qeverisjes, duke marrë vota me ndihmën e Nanos dhe duke qeverisur me pushtetin e Berishës. Natyrisht për këtë iniciativë, ndaj tij u adresuan një sërë sulmesh të alternuara nga politikanë të majtë por edhe nga shoqëria civile. Madje edhe veteranët e luftës u vunë në lëvizje duke thënë se edhe babai i Lufter Xhuvelit i kishte tradhtuar dikur në mes të luftës duke u bashkuar me gjermanët.
Dhe për këtë tradhëti, bejtexhinjtë e asaj kohe i kishin ngritur një këngë babait të Lufterit, e cila kishte si refren këto vargje: “Kur gjermani tokën shkeli/ Vajti i ndihmoi Xhuveli”.
Fenomeni “Xhuveli”
Në fakt Lufter Xhuveli ndodhet në moshën e tretë, por 12 vjet nga jeta e tij, ai i ka kaluar në karrigen ministrore. Sepse ai për një farë kohe u klasifikua si ministri më jetëgjatë i politikës shqiptare pas viteve ‘90. Në fillim, profesori i Universitetit Bujqësor krijoi një parti me karakter bujqësor, që në fillimet e demokracisë. Atëherë kur po përmbysej një sistem komunist e flitej vetëm për të drejtat e të përndjekurve, për rikthimin e pronave tek pronarët e ngritjen e një pluralizmi politik, shumëkujt kjo parti mund t’i dukej e çuditshme e pa lidhje me realitetin. Por Xhuveli vazhdoi pasionin e tij për politikën, të gërshetuar me eksperiencën profesionale. U bë deputet për herë të parë në vitin 1991, por vetëm në vitin 1997, me ardhjen e socialistëve në pushtet, ai do të bëhej ministër dhe do të vazhdonte ta mbante këtë detyrë deri në 2009, vetëm me një ndërprerje të shkurtër kohore 1 vit e gjysmë.
I pyetur për këtë tradhëti Xhuveli tha: “Është një fakt i njohur tashmë që Partia Agrare Ambientaliste është në koalicion me Partinë Demokratike. Do të përmendja aspektin e programit. Pjesa më e madhe, për të mos thënë e tërë, e PAA-së u bë pjesë e programit të qeverisë, për mjedisin, bujqësinë e elementë të tjerë. Përveç korrektesës bilaterale që kemi pasur në marrëdhëniet tona, bashkëpunimi ka qenë shumë i frytshëm dhe në të gjitha fushat që administrohen nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe administrimit të Ujërave, rezultatet janë konkrete dhe të dukshme. Duke dalë në konkluzionet në realizimet e programit të qeverisë ka rezultate në bazë të bashkëpunimit 4-vjeçar. Duke pasur parasysh kodin e miratuar elektoral, i cili i favorizon në një farë mënyrë koalicionet, nuk shikoj ndonjë arsye për të mos e vazhduar këtë bashkëpunim me PD-në”. Dhe më tej Xhuveli ka sqaruar: “Unë e kam shprehur disa herë se fakti që kemi qenë pjesë e një koalicioni të majtë, nuk do të thotë që ne si parti jemi të majtë. Nëse jemi tani pjesë e një koalicioni të djathtë, nuk do të thotë që ne jemi bërë të djathtë. Ne vazhdojmë të jemi një parti e qendrës dhe po kontribuojmë me programin tonë, me potencialet tona, që janë kryesisht potenciale profesionale dhe të bëjmë atë “krushqinë” që mundëson qeverisjen. Ka vite që asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk kanë më mundësi të qeverisin vetëm, janë të destinuara të qeverisin me koalicion dhe kur qeveris në koalicion, je i detyruar të bësh bisedime dhe të bësh pjesë të programit qeverisës programet e partive aleate dhe sigurisht ka ndodhur”.
Në atë kohë, Nikoll Lesi kreu i PDK-së ka qenë i vetmi që kundërshtoi pjesëmarrjen e Xhuvelit në qeverisjen e djathtë duke thënë: “Mafia e peshkut e ish- ministrit të Xhuvelit po rrezikon të qelbë detin blu të ndryshimit të pas 3 korrikut dhe ta ktheje qeverinë e re të Berishës në një varkë shpëtimi të kësaj mafie. Ndaj qëndrimi i demokristianëve është që ne duhet dhe kërkojmë të jemi vetëm roje të premtimeve elektorale të para 3 korrikut që kemi bërë me Berishën, Mediun, Pollon, dhe Starovën”, është shprehur Lesi. Por më vonë pas ngjitjes në krye të partisë së Nard Ndokës, kjo forcë politike mori 9 deputetë, kryesisht nga e majta dhe shërbeu kështu në qeverinë e djathtë të Berishës. Pastaj partia u nda në katër copra të tjera.
Ilir Meta me Berishën
Guximi i madh i Ilir Metës për të imituar Xhuvelin i dha fund debateve për tradhëtitë dhe për sensibilitetet ndaj atyre liderëve që merrnin vota nga e majta dhe bënin koalicion qeverisës me partitë e djathta. Kështu kreu i LSI-së e trajtoi këtë problem si një ngjarje fare të zakonshme, por as ai nuk shpëtoi nga sulmet e militantëve të majtë të cilët i kishin besuar votën e tyre, duke menduar se ai ishte aleat i Edi Ramës. Për këtë arsye në këngën ndaj Xhuvelit ata shtuan edhe strofë të re ku thuhej: “Me mashtrime iku jeta/ Nga Xhuveli gjer te Meta”. Pas Metës por në mënyrë të heshtur Berisha ka bashkëpunuar edhe me Hysni Milloshin për zgjedhjen e kryebashkiakut. Por këtë e ka bërë pa dalë në skenë roli i tij. Ndërsa PS ka bërë koalicion me partinë e Nard Ndokës apo Spartak Ngjelës, bile edhe me Kurt Kolën. Pra e majta dhe djathta kanë ndërruar krahët dhe ngjyra e kuqe apo blu e dy partive kryesore është ngatërruar nga ngjyra e dollarit apo të kartëmonedhave të euros.
Tani secili mund të bashkëpunojë me këdo dhe pa iu skuqur faqja fare, përderisa këto kalkulime i pranon edhe sistemi zgjedhor, apo ai ligjor i qeverisjes. Këtu akuzat vijnë gjithmonë nga shkelja e kodit moral, por kjo me sa duket nuk ka asnjë rëndësi për Ilir Metën dhe për të tjerët. Aq e vërtetë është kjo saqë Dritan Prifti pasi akuzoi Ramën se harxhonte nga 3 mijë euro në ditë për të blerë drogë, një ditë pikërisht pas sherrit me Metën për çështje dollarësh, u ribashkua me Ramën, duke bërë një tërheqje të lehtë nga sharjet e dikurshme.
Qeveria e Berishës
Berisha bëri koalicion me shumë parti të majta e të qendrës për fitoren e zgjedhjeve, ose për ndërtimin kabinetit qeveritar. Kështu ai i dha PBDNJ që të drejtojë Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale, Në krye të Ministrisë së Mjedisit pas Lufter Xhuvelit u vu Fatmir Mediu, ndërsa partitë e tjera aleate si PBL-ja e drejtuar nga Starova dhe PDK-ja e drejtuar nga Lesi u përfaqësuan në rangje zëvendësministrash. Por këtu patëm shumë ngatërresa sepse PBDNJ-ja u nda në dy parti, ndërkohë që PDK-ja u nda në katër parti. Kështu ndodhi edhe me disa parti të tjera, ndërkohë që PDIU e shmangu ndarjen. Por ngjarjet dhe presionet vazhdojnë edhe sot, kur Meta po rikthehet me Ramën, dhe kur Ndoka po tenton të bashkohet me Berishën. Kështu Paskal Milo ka kërcënuar disa herë se mund të largohet nga PS-ja për t’u bashkuar me PD-në, ndërsa dy partitë greke janë të ndara në dy grupimet kundërshtare.
Partitë e reja
Midis shumë partive të reja që janë krijuar kohët fundit dy prej tyre janë më kryesoret: Partia e Topit dhe partia e Spahiut. Këto dy parti kanë deklaruar paraprakisht se nuk do të bëjnë koalicion me PS-në dhe as me PD-në. Por zhvillimet e mëvonshme do të tregojnë projektin e ardhshëm të tyre, si edhe faktin nëse ato të dyja do të bashkëpunojnë apo jo me njera tjetrën.
Tenderi i deputetëve
Në prag të zgjedhjeve të presidentit të ri duket qartë se është hapur tenderi i shitblerjes së deputetëve. Aq e vërtetë është kjo saqë Rama e ka akuzuar Berishën se po tenton të blejë deputetë të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Berisha kërkon të shfaqet i sigurtë duke u shprehur se i ka votat e nevojshme për presidentin. Por në fakt siguria e tij është vetëm një çështje vizioni ose vërtet ai i ka garantuar dy tre blerje deputetësh me anë të ankandit apo tenderit tradicional. Dikush mund të pyesë sa vlen aktualisht një deputet? Dhe përgjigja është e thjeshtë: “Ai që blihet dhe shitet në ankandin e politikës nuk ka asnjë vlerë”. Sepse koha ka treguar që 95 për qind e këtyre politikanëve e kanë mbyllur ciklin e tyre pas shitblerjes, ndërkohë që pjesa tjetër ka humbur besueshmërinë e elektoratit të vet.
Akuzat dhe kundërpërgjigjet për shitblerjen e 11 deputetëve gjatë 10 vjetëve
Votat e deputetëve, pazare nga qeveria Nano deri te qeveria Berisha, politika moral prostitutash
Fenomeni përbën një mundësi për çdo kohë, por sot ai duket si një mision i pamundur, Fjala është për shitblerjen e votave, nga blutë apo nga të kuqtë. Sepse thuhet se paratë nuk kanë ngjyrë, por akuzat për shitblerjen janë të vështira të vërtetohen. Kështu në tetorin e vitit 2003 qeveria e Fatos Nanos u vu në pozitë të vështirë sidomos pasi ish ministri Luan Rama rrahu Ilir Babaramon, tek “Rozafa”. Menjëherë Berisha, në krye të opozitës së asaj kohe kërkoi votëbesimin e qeverisë, duke qenë i bindur se në bazë të llogarive, kjo qeveri nuk i kishte votat e duhura për të qëndruar në pushtet. Por në atë kohë Berisha nuk i kishte bërë llogaritë mirë, sepse nuk e kishte menduar atë që ndodhi të nesërmen në Parlament me deputetët e opozitës. Disa prej këtyre deputetëve munguan, duke i dhënë mundësi qeverisë së majtë të Nanos të vazhdonte drejtimin e pushtetit. Por këtë rradhë me kontributin e deputetëve të djathtë.
Kështu në seancën e tetorit të vitit 2003, munguan deputetët Dashamir Shehi, Sadedin Balla, Bahri Kollçaku, Et’hem Fejzollari dhe Shpëtim Rroqi. Njëri prej tyre ishte deputet i Ballit Kombëtar, tre ishin të Lëvizjes së Legalitetit dhe Shehi ishte deputet i PDR-së. Nga ana tjetër, gjatë orëve të mëngjesit të seancës së votimit, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia ka nxituar në rajonin e policisë për të denoncuar zhdukjen, ose rrëmbimin e mundshëm të deputetëve Kollçaku e Balla, para seancës për miratimin e dekretit të presidentit. "Kam ardhur të bëj kallëzimin penal sepse deputetët Kollçaku e Balla janë zhdukur qysh prej 32 orësh dhe nuk përgjigjen as në telefonin e shtëpisë dhe as në numrin e celularit", është shprehur Spahia, pranë strukturave të rendit. Ndërsa Ethem Fejzullari gjendej i dëmtuar në shtëpinë e tij në Pogradec, pas aksidentit të së enjtes. U tha se ky aksident ishte bërë me porosi dhe inskenimi ishte ideuar nga vetë deputeti në fjalë. Sidoqoftë në gjirin e legalistëve u paralajmërua një furtunë e ashpër ndaj deputetëve të humbur. "Nëse janë zhdukur, shteti duhet të përgjigjet dhe nëse janë në shtëpitë e tyre, atëherë ditën e hënë do ta merrni vesh se ç'do të bëhet", tha Spahia.
Ku ishin deputetët
Ata shfaqeshin gjithmonë para kamerave dhe para gazetarëve atëherë kur nuk duheshin, por pikërisht atë ditë ishin zhdukur fare nga qarkullimi. Dhe përveç kësaj kishin mbyllur edhe telefonët. Akuza e parë që i bëri Berisha atyre ishte se ata ishin blerë nga Fatos Nanua, ndërkohë që vetë kryedemokrati deklaroi se “këta deputetë e kishin djegur përfundimisht karrierën e tyre politike”. Megjithatë akuza se ata kishin marrë nga 200 mijë euro në dorë, nuk u vërtetua asnjëherë dhe mbeti gjithmonë një thashethem gazetaresk, që doli pikërisht nga rradhët e politikanëve të tjerë. Sidoqoftë me këtë manovër Fatos Nano kaloi një prej provimeve më të vështira të qeverisjes së tij, duke i treguar opozitës së asaj kohe se lufta politike nuk bëhet vetëm në skenë, por ajo mund të organizohet edhe në prapaskenë. Ndërsa në pasditen e vonë, deputetët filluan të identifikonin njëri pas tjetrit për vendet ku ishin futur. Kështu të kontaktuar me telefon nga ana jonë, disa prej tyre konfirmuan se ishin në Tiranë, ndërsa disa ndodheshin jashtë shtetit. Atë ditë Sadedin Ballën e gjetëm në shtëpinë e tij tek pallati 10-katësh në hyrje të rrugës "Tefta Tashko". Ai banonte aty prej pak muajsh në katin e katërt: “Isha shëndoshë e mirë dhe kisha arsyet e mia që nuk shkova në seancën e votimit’, tha Balla. Ndërkaq, deputeti Bahri Kollçaku gjithashtu rezultonte i humbur nga strukturat e legalistëve, ndërkohë bashkëshortja e deputetit ndodhej në Itali së bashku me fëmijët. Drejtuesit e PLL-së nuk kishin pasur asnjë kontakt me të gjatë orëve të fundit dhe njëkohësisht ishin shprehur të shqetësuar.
Nga ana tjetër, Ethem Fejzullari gjendej i shtrirë në shtëpinë e tij në Pogradec pas një aksidenti të rëndë, që thuhej se ishte bërë me qëllim që ai të mos vinte në seancë. Atë ditë thuhej se Shpëtim Rroqi ndodhej në Bruksel, ose në Romë për probleme familjare. Krerët e Partisë së Ballit Kombëtar dhanë atë ditë sqarimin se: "Sipas të dhënave që kemi, kryetari Rroqi ka ikur në Itali me urgjencë për një arsye familjare. Ai nuk ka ardhur akoma, por besojmë se do vijë", tha ish- deputeti i kësaj partie Uran Metko. Por mungesa e Rroqit nuk u pëlqye nga Berisha dhe sipas kreut të PD-së, këto mungesa kishin të bënin me ndonjë pazar të mundshëm mes tyre dhe kryeministrit Nano.
Shehi: jam në Beograd
"Jam në Beograd qysh të hënën, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit për NATO-n dhe do të kthehem të shtunën në mesditë". Kështu është shprehur atë ditë deputeti i PDR-së, Dashamir Shehi, i cili deklaroi gjithashtu se po të ishte prezent në sallë, do të votonte kundër dy ministrave të paraqitur nga Nano. "Takimi i Beogradit për NATO-n ishte planifikuar shumë kohë më parë se sa të vendosej data e votimit të dy ministrave", shprehet deputeti Shehi, nga kryeqyteti jugosllav. Sipas tij, data e votimit për ministrin e Jashtëm mund të shtyhej për më vonë, por ky nxitim erdhi si rrjedhojë e incidentit të ministrit Rama me gazetarin Ilir Babaramo. "Ç’faj kam unë për caktimin e datës së votimit kaq shpejt, pse unë i thashë ministrit të Rendit të grindej me Babaramon"?, vijon Shehi.
Zgjedhja e Presidentit Topi
Historia u përsërit prapë në vitin 2007. Këtë radhë për zgjedhjen e presidentit Bamir Topi. Në atë kohë dihej qartë se Partia Demokratike së bashku me aleatët e vet nuk i plotësonte dot votat e duhura për votimin e presidentit. Dhe në raundin e pestë e të fundit, filloi marrëveshja e fshehtë ose e hapur më deputetët e Partisë Socialiste. Kështu gjatë këtij raundi ata erdhën një e nga një dhe votuan pro kandidaturës së Bamir Topit. Ishin gjithsej gjashtë deputetë të majtë dhe përkatësisht, Hamit Kosta, Durim Hushi, Paulin Sterkaj, Bukurosh Stafa, Durim Lamaj dhe Taulant Dedja. Pas këtij veprimi ish kreu i grupit parlamentar socialist Ben Blushi i akuzoi për marrje ryshfetesh, por problemi u mbyll menjëherë. Pas disa ditësh ata dolën publikisht dhe sqaruan votat e tyre pro Topit, duke iu kundërvënë Blushit. Më poshtë po japim të plota deklaratat e tyre në daljen e parë mediatike pas votimit.
HAMIT KOSTA
Akuzat e Ben Blushit se ne kemi marrë para për të votuar pro kandidaturës së Bamir Topit si President janë tërësisht të pavërteta dhe të pabaza. Blushi kërkon të jetë i pari në Partinë Socialiste, por kjo ambicie e tij nuk mund të përligjet, kur ai na përflet në mënyrë të padrejtë. Ben Blushi duhet të kuptojë se deputetët nuk arrijnë të shiten për qëllime financiare.
DURIM HUSHI
Unë e kam deklaruar dhe më parë, se me votën pro kandidaturës së Bamir Topit kam respektuar vullnetin e zgjedhësve të mi. Në takimin që kam pasur me zgjedhësit, rreth 8 ditë para seancës së votimit të Presidentit, është shprehur vullneti për të mos qenë pjesë e atyre që kërkonin të çonin vendin në zgjedhje të parakohshme.
PAULIN STERKAJ
Ben Blushi njihet si një politikan, i cili hyn e del në shumë dyer dhe dritare. Për këtë arsye nuk i marr aspak si të mirëqena deklaratat që ai thekson. Nuk mundet ai të më bëj akuza shitblerjesh mbi mua dhe as të mundohet të cenojë integritetin tim moral. Nëse e shqetëson mënyra e zgjedhjes së Bamir Topit si President dhe nëse i ka të faktuara akuzat për ne, ta çoj çështjen në prokurori.
BUKUROSH STAFA
Akuzat e zotit Blushi për shitblerje të votave, i cilësoj aspak të vërteta. Ne duhet të punojmë për një mentalitet të ri në politikë. Për këtë, lëvizja e kryesuar nga zoti Nano ka një mbështetje të gjerë në bazë, por dhe të pothuajse gjysmës së deputetëve socialistë, dhe kjo dëshmohet nga takimet e deritanishme.
DURIM LAMAJ
Me këtë shoë mediatik, zoti Blushi kërkon të justifikojë dështimin e tij si kryetar i Grupit parlamentar në zgjedhjen e Presidentit, duke ndenjur ditën me zotin Nano dhe natën me zotin Rama dhe, me sa duket, dilemat e natës kanë zënë vend më shumë. Zoti Blushi është akoma në dilemë se ndoshta është i besueshëm për kryetarin aktual të PS-se, Edi Rama, dhe kërkon ta bëjë këtë me shoë mediatik për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
TAULAND DEDJA
Me votën pro Bamir Topit President, ne shpëtuam vendin nga zgjedhjet e parakohshme që i kanoseshin. Ne jemi deputetë të zgjedhur nga populli dhe vetëm atij i japim llogari për veprimet dhe vendimet tona. Në këto momente, Partia Socialiste ka probleme të mëdha me vetveten dhe kjo është edhe arsyeja e deklaratave të tilla të pabaza dhe të pavërteta.
Krijoni Kontakt