Mik’i vjetër, të solla ndër mend,
K’të natë vjeshta mbi supe më rri.
Vajtim’i erës lugjeve më tremb,
I ngjaj zogut të humbur nën shi.
Më kish mbetur thellë në zemër,
Nga kohë e shkuar që s’kthehet më,
Një nga ato këngët tona, pa emër,
Por s’mund ta këndoj, nuk kam zë.
Më kish mbetur dhe pak klorofilë
Thellë në shpirt, si gjeth’ i parënë.
Ndaj mora penë e ndeza kandilë
Të shkruaj gjithçka s’të kam thënë...
Poshtë mermerit, ku ti fle i qetë,
Erë e vjeshtës dot gjumin s’ta prish.
Streha ime është një varkë në det
Deti vet’ është një lodër stuhish.
Kohë të tjera janë k’to, miku im!
Dallëndyshe më strehëve nuk ka,
Dhe një pendë q’e ruaja kujtim
Bashkë me gjethet e vjeshtës më la.
E kam lënë atje larg Shqipërinë
Si një livadh të gjelbër në hënë.
E braktisa dhe unë strehën, çatinë,
S’di as vetë në ç’ëndërr kam rënë.
S’di në do zgjohem mëngjesin tjetër!
Kohë të këqija janë këto, vëlla.
Në u zgjofsha do të këndoj, patjetër,
Paçka se dhe zëri më la!
Sa shumë gjëra kam për të thënë...
Në mundsh, ti qesh edhe për mua!
Ka kohë, buzëqeshja më ka lënë,
Tani një tjetër kam marrë për grua.
Kështu e paska, o mik, kjo jetë!
Thonë se jam bërë hija e fatit;
Sot më ka hedhur diku në det,
Dje i brodha pas gjatë Eufratit!
Nuk di ku nesër do më zër’ dielli...
Në pastë diell, duhet shpresuar!
Lajme të këqija po vijnë nga qielli,
Dikush -të Madhin*- ka zemëruar.
Më ndje, nuk dua të të shqetësoj!
Ndaj ti mërzitje hiç mos ndje,
Deri sa zemra gjak t’më pompoj
Një strehë shpirtit do mund t’i gjej.
Le të tërbohet Plakushi* lart,
Njëmijë rrebeshe të hedhë mbi mua.
Unë do mbyll sytë, dhe diell’i artë
Do m’jetë varur mbi degë si ftua.
Më duket mik, kam humb dhe ferr’.
Më ka mbetur veç kjo pallto e vjetër,
Që më mbron sadopak kur nata çjerr
Me thonj të mprehtë, si asgjë tjetër.
Të mërzita mik, në një natë si kjo!
Ndoshta s’ia vlen të lexosh Askushin.
Përgjatë rrugës sime unë, domosdo,
Do vazhdoj të tallem me Plakushin*.
Kështu, o mik, në patsh dhe kohë
E mund t’më ndjekësh gjer në fund,
Do të flas për veten se, domosdo,
Për të tjerët unë të flas, nuk mund.
Do të flas për udhën që më dha fati
Dhe për k’të xhaketën time t’vjetër.
Po t’isha lindur pasanik, k’tij shtati
Do t’i kisha veshur një kostum tjetër!
Sa herë kam rënë për tokë, jam vrarë,
Po aq herë jam ngritur i stërmunduar.
Çdo herë më i fortë, më i ri se më parë,
Me zemrën-shkëmb, shpirt-rrebeluar.
Por s’i jam qarë kujt, mik, as Zotit;
Gjithçka kam mundur e kam bërë vetë.
Ç’t’i qahesh vallë kujt që qysh motit
S’është bërë i gjallë, ka dymijë vjet!?
Në mes të territ, mik, kur nata çjerr
Dhe heshtja vdekjes më shumë i ngjan,
Unë hedh një dorë në shpirt dhe nxjerr
Një zjarr mjekërosh-zjarr babaxhan.
Një zjarr që të ngroh jo veten time,
Jo për t’arritur i gjallë mëngjesin tjetër,
Por një zjarr ku të djeg gjith’ jetën time
N’u dashtë për t’ngrohur k’të botë t’vjetër!
Madje dhe shpirtin, mik, kurrë s’e kursej
E prej dhimbjeve nuk e ruaj aspak,
Me ca fat dhe unë një ditë do të gjej
Për gjithçka një ilaç, të hidhur, farmak!
Të shkrova sot, mik, se ndjeva mall.
Për kohën tënde, më nis një letër,
Më thuaj, Tanjusha* është ende gjallë,
Se ende po pret tek shtegu i vjetër.
Në pritje të letrës tënde,
Desha t’i them pak fjalë palltos sime,
Që më mbron nga i ftohti përçdo mbrëmje
Kur shndërrohet në akull kjo rruga ime.
Pak fjalë me zemrën desha t’i shkoqit
Dhe me shpirtin, ku zjarrin e jetës ruaj,
Por fytyrë e Zotit, si për çudi, m’u fanit
E me njëmijë heshtje më dënoi të vuaj!
Kjo isht’e gjitha i dashur miku im
Po e mbyll më në fund, po hesht
Dua ëngjët të dëgjojnë kur të vijnë
Pëshpëritjen e gjetheve në vjeshtë
Unë ëndrrat i humba përgjithmonë
Dhe jeta s’më josh më si më parë
Zemra ime ka marrë ngjyrë limon
Ndërsa shpirti ka kohë m’ësht‘ vrarë
Hëna më vështron me plot ndjenjë
Por unë akull i ftohtë jam, acar
S'ësht' i ngrohtë më gjaku ndër dej
Brënda meje të rindez tjetër zjarr
S'ka mbetur gjë tjetër të shkruaj,
Nga jeta e një poeti skandaloz
Tashmë vdekja s'më duket e huaj,
Por dritare prostitutash ngjyrë rozë!
Mbas xhamit ajo qëndron e më pret,
Buzët akull t’mi puth gjer në gjak,
Ndoshta s’duhet të mërzitem vërtetë,
Një të puthur të gjithë e kanë hak!
Ti shkruan shume bukur ne ose jo ne Forumin Shqiptar.Mendo per ata te cilet te lexojne dhe heshtin se sa per ata qe te shkruajne budallalleqe.Mua me pelqen si shkruan dhe je nga te paktit qe shkruan edhe gjera per te qeshur ose te buzqeshesh.Zakonisht mendohet se duhet shkruar per gjera shume serioze te te marrin seriozisht por mos ki merak,shumica nuk ben per te qeshur sepse,duke qene dhe me e veshtira,normalisht nuk dijne.Nga ata qe ndodhen ne kete forum jane tre ose kater ata te cilet kane haber te shkruajne te tjeret e nisn fjaline me tri pikat dhe e mbyllin me dy saqe dhe analfabetet skandalizohen.nejse e zgjata kot.Per mua edhe mund te ikesh por mos rresht se shkruari.Me respekt Keler Mullaraj.
Krijoni Kontakt