Një ditë pas shpalljes së fitores së kandidatit radikal serb për Presidencën, Tomisllav Nikoliç, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga kërkoi që ai të vendosë marrëdhënie fqinjësore me Kosovën. “Zgjedhja e një Presidenti të ri në Serbi është zgjedhje e popullit të Republikës së Serbisë, zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore”, tha Jahjaga, duke kërkuar nga Nikoliç që “të bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë; të gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën”. Por deklarata e saj duket se do të bjerë në vesh të shurdhër, pasi një nga deklaratat e para dhe më të forta të Nikoliçit pas fitores ishte: “Serbia nuk do të ndjekë rrugën e Europës dhe nuk do të braktisë vëllezërit e saj në Kosovë e Metohije”, tha ai duke dhënë një sinjal të qartë se është i gatshëm të sakrifikojë anëtarësimin e vendit në BE dhe të vazhdojë betejën e humbur prej vitesh me Kosovën. Ndërkohë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar të hënën se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk do të kenë ndikim te politika e Kosovës dhe te pavarësia e saj. “Zgjedhjet politike në Serbi janë për popullin serb. Ajo çka mund të them, është se Kosova do të prodhojë paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka thënë Kuçi për REL. Me gjithë deklaratën anti-BE, liderët europianë e kanë uruar Nikoliçin për fitoren. Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, dha urimet e veta dhe shprehu besimin për bashkëpunim të fortë mes tyre në të mirë të popujve përkatës. Ndërsa “New York Times” shkroi se fitoja e Nikoliçit ishte për shkak se joshja për anëtarësimin në BE nuk funksionoi, meqë BE për shkak të krizës e ka humbur shkëlqimin. “Tomisllav Nikoliç, një nacionalist dhe ish-roje varrezash, u zgjidh Presidenti i Serbisë, duke ngritur dyshime të forta mbi vazhdimin e rrugës për në BE”. Analiza e NYT përmendi një orientim më lindor, drejt Rusisë, për Serbinë.
Panorama
Krijoni Kontakt