Numri i të papunëve në vend, vlerësohet të jetë mjaft i lartë dhe, si pasojë e kësaj, Kosova gjendet në një gjendje të rëndë sociale. Rreth 40 për qind llogaritet të jetë numri i të papunëve në Kosovë, ndërkaq si punëkërkues në departamentet përkatëse të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë regjistruar si punëkërkues 325 mijë e 261 persona
Fatos SHALA
Prishtinë - Rreth 40 për qind llogaritet të jetë numri i të papunëve në Kosovë, ndërkaq, si punëkërkues në departamentet përkatëse të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri në fund të vitit që lëmë pas janë regjistruar si punëkërkues 325 mijë e 261 persona.

Numri i të papunëve në vend, vlerësohet të jetë mjaft i lartë dhe, si pasojë e kësaj, Kosova gjendet në një gjendje të rëndë sociale.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se shumica e punëkërkuesve janë të pakualifikuar. Sipas ASK-së, 195 mijë 394 prej tyre janë të pakualifikuar, të kualifikuar 27 mijë e 214, gjysmë të kualifikuar 11 mijë e 831, etj.

Me numrin më të madh të punëkërkuesve prinë Prishtina me 61 mijë e 433, pasuar nga Prizreni 60 mijë e 114, Gjakova me 69 mijë e 398, e kështu me radhë. ASK-ja po ashtu ka njoftuar edhe për numrin e familjeve që marrin ndihmë sociale.

Deri në fund të vitit që lëmë pas, ndihmë sociale kanë përfituar 34 mijë e 867 . Prishtina prinë me numrin më të madh të përfituesve nga kjo ndihmë me 9 mijë e 559, pasuar nga Mitrovica me 8 mijë e 768, Gjilani me 5 mijë e 992, etj.

Në anën tjetër, komuniteti i biznesit fajëson Qeverinë për mosaplikimin e masave lehtësuese ndaj bizneseve që punësojnë numër të caktuar të qytetarëve. Me këto lehtësira sipas tyre, do të rritej numri i të punësuarve dhe njëkohësisht do të ulej informaliteti.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka pohuar se regjistri i punëkërkuesve në Kosovë pothuajse për çdo vit është në rritje. “Qeveria duhet të bëjë një strategji për rritjen e punësimit, duke ofruar një pako lehtësuese për të gjitha bizneset që kanë mbi 5 apo 10 të punësuar, që do të lirohen nga taksat për një kohë të caktuar dhe kjo do të kishte efekt pozitiv në futjen e të gjitha atyre bizneseve që i mbajnë punëtorët pa kontratë, por njëkohësisht edhe zvogëlimin e shifrave, të cilat janë të paraqitura në regjistrin për punësim.

Këto efekte pozitive do të arriheshin me një strategji konkrete që do të shkonte në favor të zhvillimit ekonomik të vendit”, është shprehur Shahini.

Kurse, eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se papunësia e lartë është pasojë e nivelit të dobët të qeverisjes ekonomike. “Papunësia është edhe pasojë e trashëgimisë së rëndë historike lidhur me zhvillimin ekonomik, por ajo sot është edhe pasojë e nivelit të dobët të qeverisjes ekonomike, e jo mjedisit jo të mirë biznesor dhe investues”, deklaroi Mustafa...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën Lajm)