Martesat mes njerëzve të etnive dhe prejardhjeve fetare të ndryshme në Maqedoni mbeten të rralla, por janë rritur që nga 2003. Sandra Gjorgevska, një banore e Shkupit që pritet të martohet me një maqedonas në fundjave, tha se dalja në takime përtej vijave etnike është një gjë, por është e dukshme se kur bëhet fjalë për martesë, secili zog shkon drejt tufës së tij. Sipas një raporti të UNDP më 2006, 78% e maqedonasve dhe 86% e shqiptarëve (pakicat më të mëdha të Maqedonisë) kundërshtojnë martesat ndër-etnike.
Sociologu Ilija Açevski tha se qëndrimet ndaj martesës ndër-etnike janë krejtësisht paragjykuese. Kërkimet e Açevskit sugjerojnë se shumë njerëz miratojnë marrëdhëniet ndër-etnike -- përsa kohë që nuk janë brenda familjeve të tyre.
Feja duket të jetë një pengesë më e madhe sesa origjina etnike. Maqedonasit, që janë kryesisht të krishterë ortodokse, martohen më shumë me arumunët (vllahë) dhe serbë. Shqiptarët etnikë (kryesisht muslimanë) ka më shumë të ngjarë të martohen me turq dhe boshnjakë. Në të gjitha anët, ka vetëm shumë pak raste të martesave me romët.
Mesa duket, politikanët kanë rritur rëndësinë e pengesave etnike ndaj martesës për përfitime personale. Pas një rebelimi më 2001 të shqiptarëve të pakicës, politikanët besohet se luajnë kartën etnike për zgjedhje pa mbajtur parasysh pasojat shoqërore më të mëdha. Analisti politik dhe shqiptari etnik Albert Musliu thotë se politika e përditshme dhe prania në rritje e institucioneve fetare kontriubon mjaft ndaj ndarjes martesore.
"Njoh shumë çifte që nuk mund të kapërcejnë atë pengesë dhe marrëdhënia e dashuria e tyre nuk mund të përfundojë në martesë për shkak të frikës së stigmatizimit dhe sesi do të përballen me të afërmit e tyre," thotë Musliu.
Në një vend me 2.1 milionë shtetas, viti 2008 pa 137 martesa me një dhëndër maqedonas dhe nuse shqiptare. Kjo përgjithësisht i atriubohet një rritje të numrit të burrave nga Maqedonia rurale që martohen me gra nga Shqipëria, të cilat janë të gatshme të jetojnë në fshatra. Bashkëshortët shpesh e konsiderojnë vendimin e tyre si një veprim kurajo. Banorja e Shkupit Tanja shpjegon se ajo pati një marrëdhënie dy-vjeçare me një burrë shqiptar, por e fshehu etninë e tij nga prindërit e saj derisa çifti u fejua. "Kur mblodha kurajon për t'u thënë atyre, u tronditën dhe nuk më lejuan të martohem. Kështu që u largova nga shtëpia dhe u martova me të pa pëlqimin e familjes time", thekson Tanja.
Gruaja e re, që nuk shpreh keqardhje për vendimin e saj, ishte larg prej prindërve të saj për katër vjet. Marrëdhëniet filluan të përmirësohen kur Tanja lindi një vajzë. (SET/INA)
Krijoni Kontakt