Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 25
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Nusja e vdekur, mes legjendës dhe të vërtetës

    Historia e rrallë e nuses së Shtufit, e cila nuk është regjistruar në folklor por tregohet si histori e vërtetë. Studiuesit e folklorit thonë se daton në 1924, por për herë të parë për të është shkruar në 1943. I janë kushtuar dhjetëra rapsodi dhe balada. Faktet dhe teprimet që e vendosin mes të vërtetës dhe legjendës

    Nusja e vdekur, mes legjendës dhe të vërtetës


    Ndue Dedaj

    Kënga ka shpalosur vdekje nga më të çuditshmet, epike, legjendare, monumentale; nusja që murohet (vetëflijohet) në kala, ura; zanat, që i ngrijnë krushqit e i kthejnë në cungje; vdekja e dhëndrit nga shkelmi i kalit ditën e dasmës, le pastaj vdekjet nga luftërat, epidemitë shfarosëse, ku prapë ka mbetur gjallë vetëm një grua shtatzanë, nga është ringjallur përsëri fisi i shuar. Vdekje kryesisht të pazakonta, gjithnjë me një fill apo element tragjik të evidentuar. Por dhe vdekje të paralajmëruara, të pritshme, si ato për gjakmarrje. Ka vdekur një njeri, por kanë vdekur dhe disa njëherësh, siç ka “vdekur” (në gojëdhënë) dhe një fis apo fshat i tërë. Ky është “bilanci” i baladave tona. Por vdekja e Nuses së vdekur të kësaj eseje është tjetër nga ato. Kënga kushtuar asaj na paralajmëron se ka ndodhur ajo që “Qaf s’ka tjanun kurr në këtë dhe”.
    Cila është, pra kjo vdekje, që nuk ka ndodhur më parë, asnjëherë? Ku ka ndodhur, kur, në ç’rrethana? Eshtë e vërtetë apo legjendë?

    Trualli ku u ngjiz balada. Gjeografia e tragjikes

    Balada është e mbështetur në fakte reale. Zezona ka ndodhur jo dikur larg në mugujt e shekujve, por pasi kanë kaluar dy dhjetëvjeçarë të këtij shekulli (XX), pikërisht në vitin 1924, në lagjen Shtuf të Kaçinarit të Mirditës. Për Shtufin gojëdhëna thotë se “qe më të dalmit fare”, nga një epidemi, dhe ringjallja e fisit ndodhi vetëm pse një grua me barrë në bark, në kohën e kataklizmës, kishte qëlluar tek prindërit e saj... dhe ajo kishte lindur djalë! Një fshat që kishte rilindur nga barku i një gruaje. Sigurisht një mrekulli folklorike më vete. Unikale dhe kjo. Ndoshta Dila e Nikollë Gjok Brungës, burrë i përmendur i maleve dhe i Kanunit, do ta kishte dëgjuar gojëdhënën për fshatin e saj. Ishte një vajzë e urtë mirditore, 17 apo 18 vjeçe, që do të martohej atë verë, në Livadhëz të Oroshit. Tregon plaku i Mnelës, Llesh Marka Lleshi 81 vjeç, i cili kishte marrë pjesë vetë në atë dasmë, ndonëse i vogël:
    Nusja do të martohej te Nikoll Gjin Gjoka. Krushk i parë ishte Prend Ndue Koka, i përmendun i bajrakut të Oroshit, krahas Çup Kol Skanës. E ama e cucës (nuses), Cena, mendoi se cuca-nuse asht t’u ba “sutzën” (ritin e të qarit), megjithëse kishte qenë e sëmurë ato ditë, por nuk kishte qenë ashtu. Në kullë flisnin peshëm. Pala e nuses ngulte këmbë se ajo nuk mund të dilte nuse atë ditë, ashtu e sëmurë rëndë, kurse krushqit (pala e mikut) ngulte në të vetën “se nuk dalim gjallë prej këndej pa nuse”. Sherrin (dilemën) e zgjidhi i ati i Dilës, i cili tha: “Nuk mund t’i ndalet nusja mikut”. Kishte parasysh kanunin, që në paragrafin 44 sanksiononte prerë “Krushqit e marrin nusen me qenë t’u dekë”. Dhe kështu Nusja do të vihej përudhë, për në shtëpinë e dhëndrit të ri, disa male përtej, por jo sa në legjendë “plot nëntë male a nëntë zalle”, madje do të kapërcehej vetëm një zall, ai i Kalorit, nëse do të arrinte ta kapëcente dhe atë e gjallë. Gjithnjë duke udhëtuar mbi Kalin e Vdekjes, që ishte krejt një kalë i zakonshëm. Do të përshkoheshin leqe, monopate, qafa, gryka, ura, tempuj të shenjtë, një reliev i ashpër, shkëmbor, një dekor gri, në sfond bjeshkët e epërme të Kaçinarit.
    Rrëfimtari ynë i moshuar dëshmon: “Krushqit u nisën herët. Thanë: “Në qoftë se nusja na vdes (ishin të vetëdijshëm për gjëmën, por të pafuqishëm ta ndalonin) pa shkue të kisha e Shëngjergjit (Gjunalë), do të kthejmë e ta varrosim në fshatin e vet. Në të kundërt do të varroset në fshatin ku do të nusëronte”. Kjo qe marrëveshja e parë. Por pa shkue të kryqja e Gjakonit në Shëngjergj, Dila-nuse, gjysmë e gjallë gjysmë vdekur, gjeti forcë dhe iu drejtua krushkut të parë: “N’oret tane Preng Ndue Koka”. Kjo do të thoshte se ajo nuk mund të qëndronte më mbi kalë. E qetësuan me fjalë, i freskuan ballin, që i digjej nga të nxehtit, por nuk u ndalën. “Zbritën Pallënës së Kalorit, nusja e hipur mbi kalë, nën duvakun mbytës e ata krushqit, më këmbë. Shtëpia e Pal Ndocit dhe pak metra më poshtë Zalli i Kalorit. Nusja sapo kishte dhënë shpirt. E bekoi Mrika, krushka që e shoqëronte, duke i bërë kryq me qiri. Mrika ishte e motra e Dom Prend Brungës, i afërt i Nuses…”
    Tani fillonte udhëtimi më tragjik i bërë ndonjëherë. Një karvan krushqish, që ngjitej tërmales së Livadhezit me një nuse të vdekur në shalë të kalit. Dhe jo pak, por plot dy orë ashtu. Ishte kapëcyer legjenda dhe gjithçka. Ata njerëz, që deri dje kishin qenë pa andralla kësisoj, krejt të zakonshëm nëpër punët e tyre të bujqësisë në katund, befas ishin kthyer në personazhe të çuditshëm të një drame të paimagjinueshme, që as mund ta kishin përfytyruar. Ata tashmë nuk i besonin as vetes, hapave që hidhnin, këngëve. Kush i kishte nisur nëpër atë shkreti dhe ku po shkonin ashtu pa krye? Kujtonin fatin e krushqve të vrarë, po ajo s’kishte qenë asgjë para gjendjes së tyre. Shumica ishin burra të moshuar dhe kishin fëmijë, mbi atë kalë përfytyronin vajzat e tyre, që mund të kishin dasmë pas një jave a pas një muaji. Jo, ata nuk ishin të zotët ta ndalnin as fatin e zi të vajzave të tyre, nëse ai ishte i parathënë. Mund të shqiptonin vetëm se “kështu paska qenë shkrue”.

    “Ndaleni kangën, kthejeni në vaje…”

    Kush qe ai që dha këtë urdhër të papritur? A mund të urdhërohet një dasmë të kthehet në mort? Ç’po ngjiste në Livadhëz të Oroshit atë ditë? Mos ishte çmendur ajo, që i printe korit të grave? Por kishte qenë “sihariqi”, ai që kishte komunikuar të pabesueshmen-vdekjen e nusës në rrugë, ai sihariq që zakonisht krushqit e dërgonin sipas zakonit për të njoftuar ardhjen e tyre të gëzueshme. Sakaq u shfaqen siluetat e krushqeve kryeulur. Prena e Çup Prengës nga Kalori ia mori e para këngavajit; nusja prapë ishte nuse dhe në vdekje, siç kishte qenë në jetë. Kënga ishte fine, humane e ndjerë, ndryshe nga zakoni që kishte qenë i pamëshirshëm. Njëherë kënga kishte qenë djepi i Dilës, tash po bëhej dhe varri i saj. Sigurisht dekori tani ishte krejt i zi, dhe simboli i tij ishte padyshim “duvaku i zi”, që kishte zëvendësuar të kuqin, që nga ai çast fatal pa mbërritur në Zall të Kalorit.
    “…Dasma u kthye në mort dhe dasmorët në mortaxhinj. Të nesërmen e kanë varrosur te Kisha e Shmetrit në Bukmirë. Ka ardhur dhe Dom Prend Brunga e ka salikue vorrin. Erdhën dhe njerëzit e shtëpisë së saj. I ati deshi që të futej në dhe “nuse” me sringla, xhup, kryq, i “vjehrri” jo . Por ditën fitoi urdhri i heshtur i të atit, natën thuhet se nusja nuk do të mund t’i shpëtonte një fati dhe më të keq… (Zhvarroset nga vjehërria për ta rivarrosur pa teshat e nusërisë!) Kjo si për ta bërë me një përmasë legjendare.

    Përsëri rreshta për “gjeografinë” e tragjikes

    “Cucën vashë”, siç do ta cilësonte më vonë balada, nuk do ta ketë qetësuar atë natë as shushurima e ëmbël e përroit, që rridhte përvajshëm aty ndanë shtëpisë së saj. Dita e nesërme, që ishte ditëdasma e saj, i vinte turbull parasysh, ndoshta dhe si një ditëvdekje. Mëngjesi, që e kishte bërë nuse, do ta përcillte me disa “vaje” të pazakonta, pra, po qahej (ishte zakoni) dhe pse ajo po bëhej nuse. Sigurisht burrat në kullë këndonin kur martohej vajza (në rastin e saj nuk do të shkonte çiftelia në sofër dorë më dorë sa të ngjiste diku, tek ndonjëri që ia thoshte “grykëhollës” me dy tela.) Ishte vajzë e padalë nga katundi i saj, kështu që nuk do të njihte mirë dhe viset e afërme. Ajo do të ngjitej mes krushqve të panjohur termales thikë të Shkallës së Keqe, që të nxirrte paksa nën Shterë, ndërsa motivet e pazakonta do të ishin në “përtej” udhë. Eshtë falur ngrykaz me njerëzit e shtëpisë, pa mundur të hedhë sytë nga babazoti i moçëm, Rrapi në qendër të Kaçinarit, ku ishte dhe kisha me varret, as nga Ura Nredi. Një forcë mbinjerëzore e ka mbajtur shtatin e saj drejt në këmbë, pastaj mbi shpinën e kalit, pa u rrëzuar si një shtatore e bardhë në këmbët e tij. Ajo e dinte se do të vinte një çast që do të rrëzohej përdhe (si një kauzë pa adresë), por le ta shtynte sa më shumë atë. Kushedi ç’ka menduar vetimthi asaj copë udhe kaluar mbi Kalin e Vdekjes. Përrallat e fëmijërisë tashmë nuk ishin krejt përralla, as gojëdhanat. Aty poshtë ishte Laku i Kuq (në Qafë-Shpardh). Po përse i kuq? Nga gjaku i një nuseje. Kishte qenë dimër larg. Nusja kishte dalë mes suferinës, kishte mbledhur drutë dhe ishte nisur për në shtëpi, por i kishte rrëshqitur këmba e kishte shkarë në humnerë megjithë barrën e druve në kurriz. Laku ishte skuqur nga gjaku i saj dhe më vonë qe thirrur “Laku i Kuq”. Kishte mbetur si një monument i atij rasti tragjik. Erërat e largëta të Munellës, që kryqëzoheshin aty me simotrat e tyre të bjeshkëve të tjera kanë vënë kujen për një çast, sepse në atë vetmi nuk kishte gra për vaje... Ashtu erërat, që kishin dhe një qafë të tyre (Qafë-Erzën) kishin qenë vajtojcat e para dhe të Nuses së Gurit të Nuses (Fan) e të nuseve të tjera të legjendave.
    Nusja ka vazhduar udhën, por flijimi ka qenë ndoshta kryemotivi i asaj dite. Nuk e kuptonte se pse duhej që të flijohej njeriu ashtu? Përse kishte aq shumë flijime? Qafë-Vorrëz (përsëri aty) gojëdhëna thoshte se qenë vrarë mes tyre dy lagje krushq, ngaqë nuk kishin pranuar t’i lëshonin rrugën njëra-tjetrës. Kanë mbetur si degë të thara lisi vetëm dy nuset qyqe të shkreta. Ndoshta ishin 22, ndoshta 26 varre në atë qafë, pasi krushqit shkonin 11 a 13. E pra nuk dihej koha e legjendës, më e vonë se koha e zanave, sigurisht. Asnjë sherr nuk kishin bërë në atë gjysmëbjeshkë e gjysmëvarri ata burra, që të dilnin zanat e trazuara e t’i kthenin në gurë ata, e kuajt e tyre në cungje. Të kishin qenë punëtorë guroreje ato dy lagje burra nuk do të kishte ndodhur asgjë, por tragjedia kishte ndodhur, pikërisht, për faktin se atë ditë nuk kishin qenë njerëz të zakonshëm, por krushq...
    Pak pa mbërritur në Zall të Kalorit ka besuar se nuk do të vdiste pa freskuar ballin me ujë të ftohtë, e ka dëshiruar fort mbërritjen sa më parë në breg, por nuk ka qenë e thënë. Ato njëqind metra befas i janë bërë një mijë... Nuk ka patur forcë të ulej nga kali, duke shpërfillur atë udhëtim ceremonial pa fund, të flakte duvakun e rëndë dhe stringlat e të vraponte për një çast si në fëmijërinë e saj krejt e lirë dhe e shpenguar. Ndoshta ashtu, do të kishte mundur t’i shpëtonte vdekjes, pasi fëmijëria mund të ruante ende një magji të rrallë, që njeriu e humbiste në moshë të madhe. Duhej të ktheheshe prapa teje me një fuqi hyjnore që të mund ta zije atë magji. Por i gjithi ky ndoshta ishte thjesht një iluzion... Duke u ulur Kodrës Short e ka vështruar rrjedhjen e kaltër të lumit, por dhe rrugën që vinte nga Shkodra për në Orosh. Njëri nga krushqit ka treguar sërish një nga ato baladat për Qafat e Vorreve, kësaj here në Fregën. Sikur e sillte lumi frushullimën e legjendave... Kështu ka ardhur çasti kur ajo nuk ka menduar më dhe ata nuk kanë folur. Dita ishte thyer në mes si të ishte lis e ta kishin gjuajtur rrufetë papritur.

    Kënga e Cucës Vashë, një nga motërzimet e baladës

    Ngjarja e ndodhur ka bërë bujë të madhe. Rapsodët kudo kanë shpejtuar të skicojnë relievin e ngjarjes. Arkitektura e tragjikes është ndërtuar thjesht në vargje. Eshtë shkruar e kënduar një baladë e thekur. Rapsodët sikur janë vënë në garë. Thuhet se të parin variant të “Këngës së Nusës së Vdekur në Udhë” e ka shkruar prifti dijetar dhe poet Dom Prend Suli, mik i priftit të Brungës. Por dhe ai ka nënshkruar “Populli”. Pas disa vjetësh kënga është kënduar gjer në 4 variante në një shtrat kohor prej mëse 70 vjetësh, në një gjeografi që rrok të paktën krejt Mirditën e vjetër e vendet me mirditas të ramë në Shkodër, Lezhë etj. Eshtë dëgjuar në Kaçinar, Orosh, Kthellë, Gojan, Gomsiqe, qindra kilometera larg.
    Në vitet ‘80 një bard i folklorit të ri (Ndue Lleshi) nga Kaçinari e ka përpunuar këngën dhe dy nuse nga këto anë e kanë kënduar me madhështi në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1988. Dhe më pas nuk ka pushuar balada. Një grup folklorik i Lezhës ka ngritur tani në skenë një nga variantet e hershme të baladës, dhe tash ajo është kënduar dhe përtej kufijve, në Kosovë, Gjermani, Ulqin etj. Po mbushet shekulli e balada e Nuses së Vdekur nuk ka shterruar. Përherë në një shtrat të ri, ku është dhe ai i vjetri. E ka kënduar gjyshi në vitet ‘30, i biri në vitet ‘60 dhe nipi në vitet ‘90. Zakonisht e kanë kënduar vajza dhe gra. Balada pra është duke “ecur” për t’u bërë njëshekullore. Sigurisht është interesant ky fakt, në kohët moderne, kur folklori shpesh është disi i braktisur...
    Mësuesi dhe folkloristi Gjergj Shabani në rubrikën “Prej folklores së Mirditës” të revistës “Kumbona e së Diellës”, të marsit 1943, boton një variant të baladës nën titullin “Kenka e cucës vashë” me shënimin “Ndodhje e vjetit 1924”, por që nuk duhet të jetë varianti më i mirë artistikisht. Sidoqoftë mbledhësi i saj ka meritë, pasi ka lënë të botuar një relike të rrallë folklorike, që prej 60 e ca vjetësh. Ai nuk na thotë se ku e ka mbledhur, nga kush e hollësira të tjera, ç’ka tani do të ishin me interes. Të gjitha motërzimet e kësaj balade nisin me vargun “ I tan Shtufi ashtë mbledh në kuvend”. Edhe kënga e mbledhur nga Shabani nis: “Na u mblodh Shtufi, bajn kuven”. Vargu i dytë vazhdon me qortimin e vetvetes “si me ba këte punë pa mend”.

    “Thue se viti s’kish tjetër ditë”?!

    “Na erdhën krushqit natën e Sh’Mris/Fli po i çoishin Perëndisë...”, vazhdon kronika e dhimbshme. Pastaj protesta kanunore e tyre: “E duam cucen në ditë të caktueme/ Asht bi rodi, s’asht e lshueme!” Po vajza ndërkohë në kthinën e saj i lutej të atit me lotët që i rridhnin “palë e palë”, duke i thënë se shtati i saj ishte bërë si qiriri në “atë lumterë” (shandan). Burrat e fisit ishin “vra” në fytyrë por nuk mund të vendosnin asgjë pa fjalën e të zotit të shtëpisë. Po të urdhëronte ai do të bëhej luftë”. Por “lalë Nikolli” lëshon fjalët “Gja me zort krushkut s’i nalet”... duke nënkuptuar se mes tyre si fis dhe miqve do të mbretëronte paqja. “Po i përcjellim pa farë fjalët”. Poeti popullor vazhdon me përshkrimin e gjendjes së nuses tek ngrihej nga shtrati për të kërcyer mbi kalin e nusërisë:
    “Më kamë s’qëndrojte, i dridhej shtati”
    ...
    “Vesh e mbath për bukuri
    Ja dha zoti një hijeshi
    Xhup e strengla e xhurdi pushi
    Vathë e pare sa kërkushi...
    E shtrëngoinë, i venë duvakun,
    sa memze e kcejka pragun.
    Kur ka dalë Dila prej shpis
    Lamtumirë i thotë shoqnis.
    Kur u fal me rob e shokë:
    “ma nuk shihna na në këtë tokë...”
    Dhe krushqit u nisën, duke lënë pas vajin e brimën që kishin marrë fëmijët... “A thue s’kishte viti tjetër ditë” duhet të ketë qenë vargu i parë qortues i grave tek po përcillnin nusen, “nji lule të re”. Por dhe mallkimi i pashprehur për diçka të papërcaktuar që kishte “urdhëruar” fatin tragjik të bijës së tyre. Më pas ky varg famoz do të ishte pjesë e çdo kënge për nusen, pasi Nusja e Shtufit ka tashmë një “antologji” të sajën.

    “Sa shum” krushku shkoka Zallit”

    Ata ishin 11 a 13 krushq, por poeti, në stilin e baladave legjendare, i zmadhon me qëllim përmasat brenda hapësirës të së madhërishmes.
    “Sa shumë krushku shkoka zallit,
    Nusja fshinte gjersën e ballit
    Nuk janë gjersë që vijnë prej së xeti...”
    Pikërisht në këtë ecje të hutuar, Nusja thërret:
    “Ndalu i herë ti krushku i parë!”
    Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që nusja të flasë me krushqit, aq më tepër të urdhërojë të parin e tyre. Ajo kërkon që ai t’i “dëgjojë një fjalë”:
    “Dhanrrit gjall s’ia shkel oborrin
    Në lterë të Shën Metrit e due vorrin!”
    Krushku i parë e ka pritur gjatë gjithë rrugës këtë “fjalë” amanet, por tani nuk u ka besuar veshëve. Ka shpresuar se mos ajo “histori” do të mbyllej disi në paqe e jo ashtu. Por tashmë nusja, që i ka “ardh shpirti me dalë” nuk e pushon ligjërimin, duke dhënë amanete, të paktën vdekjen ta kishte të “bukur”, nga që jetën nuk e pati të tillë.
    “Prap po flet e mjera vashë”
    Lalë më ban kryq se jam tuj dekë
    E të mos dhemet deka eme,
    M’i len strenglat pa m’i hjekë,
    se unë do të jes për emën të motit...”
    Pas kësaj gjithçka ka marrë fund tragjikisht. Vdekja e kobshme nuk është ndalur dot nga ata burra të sertë.
    …Karvani i krushqve ka ecur e ecur, udhë pa fund. Vetëm zogj vajtimtarë që ikin e vijnë furishëm. Ata krushq, në të vërtetë, tashmë po ngjiteshin, por u ngjante se po fundoseshin e fundoseshin thellë e më thellë, në një si gropë, që u përhihej si një varr i stërmadh. Deri pak më parë shtatorja e bardhë që tash qëndronte mbi vigj ishte një krijesë e gjallë si ata. Sigurisht shumë gjëra i kishin shkuar asaj nëpër mend ato ditë. Zhaurima e dasmës, nata e parë e martesës, vështrimi disi i papërcaktuar i dhëndrit të ri, pastaj foshnja që do të lindnin, që nuk guxonte ta ledhatonte. “Paç fat, bija ime”, dukej se kishte shqiptuar ajo, pastaj i kishte ardhur për të qeshur me atë fjalë që i kishte shqiptuar si pavetëdije. Kur kishte hipur mbi kalë, ai i qe dukur një kalë fluturues, që nuk shkonte për tokë, por që shpejtonte të fshihej mes reve. Ka psherëtirë thellë dhe ka dashur të pështyjë neverinë; nga pamundësia për të pështyrë përtokë, ka “stërpikur” me psherëtimën e saj kurrizin e djersitur të kalit, shamitë e mëndafshta, tepër të shtrenjta të blera ndo në Pazar të Shkodrës, e ndo në atë të Gjakovës…
    Në fillim karvani i krushqve të saj kishte qenë gjysmë i dehur, gjysmë i qeshur, gjysmë i trishtuar, thjesht nga misioni i asaj dite, i të qënit krushq. Më pas krushqit kanë harruar të qeshin, të flisnin, fjalët iu ishin lidhur fort pas gjuhës. Pushkët në krah e në brez nuk i ndienin, e shumta si një mish i huaj, i stërgjatur pakuptim. Ç’kishin xhanëm ato armë kur nuk mund të vrisnin vdekjen e një vashe nuse? Ç’kuptim kishte më tej burrëria, nderi, trimëria? Kështu mes përsiatjesh kanë mbërritur tek Guri i Nuses nga vështrohet kulla që i kishte nisur krushqit një natë më parë.

    “Lajmi korb qenka tuj ardhë
    Dekun nusja n’kalë të bardhë...”

    Lajmi i “sihariqit” ishte i zi si korbi. Të parin atë e nuhati gjyshja e dhëndrit, nënë Prena, që urdhëroi kthimin e dasmës në mort:
    “Ndalnje kangën, kthejeni në vaj”!
    Kishte ndodhur në Mirditë, ajo që nuk qe dëgjuar kurrë mbi dhe, vdekja e nuses ditën e dasmës së saj.
    “Në mort kthehet dasma e nuses së re
    Qaf s’ka kurrë në këtë dhe”.
    Kronikat e kuvendit në oda, a në hijen e Lisave të Shpalit, në rrugët e Shkodrës a Gjakovës, mes princëve e konsujve të huaj, udhëtarëve nga Europa që vinin me laps në dorë të shkruanin “gjëmat” dhe burrënitë e maleve, nuk kanë reshtur për disa kohë. Pikërisht, për atë që kishte ndodhur ajo e padëshiruara, e panjohura, unikalja. Lajmi pra, nuk kishte mbaruar atë ditë në shtëpinë e dhëndrit, por fill kishte shpejtuar të trondiste malet, kullat, kreshtat, njerëzit, që të habitur pyesnin: “Çfarë? Ka ndodhur, çfarë nuk ka ndodhur kurrë mbi dhe? Po si? Po pse? Po ku?
    Ishte viti 1924...

    Në Qafë-Vorrëz të Kaçinarit gjenden Gurët Rreshet, si një karvan krushqish të ngrirë... a të vrarë, në krye dallohet Guri – Krushk pak më i madh, pastaj të tjerët ashtu si i ka zënë afshi i zanave a “pushka” a stuhia e papritur e dimrit. Nusja mbi Kalin e Vdekjes ndoshta i ka parë ata gurë – varre, ata gurë – krushq, apo thjesht gurë – gurë, pa u përpjekur të gjejë aty simbolikën e tragjikes, që në rastin e tyre mund të ishte thjesht një përqasje formale...

    Varianti i baladës së mbledhur e botuar nga Gj. Shabani ka 63 vargje dhe të tjerët afërsisht kaq. Asnjeri prej tyre në librin e folklorit. Si është e mundur? ...

    Ndue Dedaj, studiues, Mirditë





    31/01/2005
    KATEGORIA: Dossier
    www.shekulli.com

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të huajt e magjepsur nga historia e nuses me duvak

    Të huajt e magjepsur nga historia e nuses me duvak


    Gjergj Marku

    Prej një viti e gjysmë në Bashkinë e Rrëshenit ka ardhur si vullnetar i Korpusit të Paqes dhe një djalë i ri amerikan nga Karolina e Veriut të SHBA-së, Daniel Adams. Është një djalë tipik amerikan, me flokët bjond, sytë blu, pakëz i gjatë, hollak, me nuhatje intuitive, natyrë sportive, mjeshtër i kompjuterit, por që gjithsesi, bën jetën e thjeshtë të një djaloshi mirditor, nga ata që rrinë shpenguar rrëzë një peme, në një bordurë rruge apo në një kafene. Ai ka ardhur në Mirditë si vullnetar i Korpusit të Paqes falë ngasjes që ka patur dhe i ati që para 40 vitesh si vullnetar i këtij Korpusi në Kolumbi. Dhe i ati ka ndenjur atëhere rreth dy vite dhe po kaq po bën dhe i biri. Që kur ka ardhur, është përshtatur në mënyrë të përkryer në Rrëshen, aq sa nuk dallon nga një djalosh qytetas këtu.
    Këto ditë erdhën që nga Karolina për ta parë birin e tyre dhe prindërit e tij, babai Jerry Adams, një burrë rreth të 66-ve, Jan, nëna e Danielit e cila është pedagoge në një prej universiteteve të Karolinës së Veriut. Adams-ët thonë se kanë patur interes prej kohësh për t’u njohur me vendet e Europës Lindore dhe se, më së shumti, kanë rënë në kontakt me Moldavinë, sepse vetë shteti i Karolinës së Veriut ka lidhje me këtë shtet. Jerry ka punuar me biznesmenët moldavë për t’i binjakëzuar me ata amerikanë dhe ka patur eksperienca interesante me ta. Prindërit e Danielit vizituan gjithandej Mirditën, dhe disa vise të vendit, për t’u njohur me historinë e këtij vendi, doket dhe zakonet, por ajo që i ka prekur më shumë ata është historia e Nuses së Shtufit këtu në Mirditë, vdekur nën duvakun e kuq, si veshje e moçme e nuseve të këtyre anëve. Pyetja që ata i bënin vazhdimisht piktorit Pjetër Marku ishte: a është e vërtetë vallë kjo histori?!...
    Ndërsa dëgjon historinë e kësaj nuseje-legjendë, Rebekës 20 -vjeçare, që studion në një universitet të Karolinës së Veriut, i shkojnë lotët çurk, dhe më pas duket shumë “e dashuruar” me këtë portret dhe historinë që mbart. Nuk mund të rezistojë pa përjetësuar një foto me portretin interesant të nuses, që plot 80 vite më parë, falë një zakoni absurd, nuk mundi t’i vidhej sëmundjes, edhe pse po e shihte se po vdiste nën duvakun e kuq. “Kam studiuar shumë për artin, - thotë ajo,- por piktura këtu më pëlqeka më tepër, sidomos peisazhi. Pashë këtu kishën e Rubikut, udhët këndej, por ja që janë si atje, tamam, edhe këtu në pikture, ndërsa këtë nusen kam dëshirë ta marr me vete…”




    31/01/2005
    KATEGORIA: Dossier

  3. #3
    i/e larguar Maska e Tirana
    Anëtarësuar
    29-06-2004
    Postime
    211

    Pershendetje

    Shume interesante , e lexova me shume interes . Jasht mase e dhimshme . Une besoj se nuk jane legjenda por jane ndodhi te verteta . Grate dhe vajzat mirditore gjithmon kan vuajtur ne jete , por cilesia qe ato dallohen jane fisnikeria dhe guzimi . Jan vertet burrnesha , puntore , dhe besnike . kam shume respekt per gjithe popullin e Mirdites
    Ju falenderoj qe e sollet ne forum .

    Tirana

  4. #4
    Ere... Maska e bluemoon
    Anëtarësuar
    17-11-2005
    Vendndodhja
    Ne nje pike te vockel vese mbi nje fije bari...
    Postime
    228
    Xhuxhumak, mbeta pa fjale para kesaj...

    Faleminderit qe e postove...

    Tejet interesante...

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-04-2007
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    154
    e trishtueshme dhe magjepese ne te njejten kohe.

  6. #6
    Pasioni për shkencën Maska e Nolird
    Anëtarësuar
    19-04-2007
    Vendndodhja
    Tetove
    Postime
    466
    Citim Postuar më parë nga ina_31
    e trishtueshme dhe magjepese ne te njejten kohe.
    Ashtu eshte ina e trishtueshme dhe magjepese............

  7. #7
    kill your idol Maska e Pedro
    Anëtarësuar
    15-01-2003
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    410
    po cfare magjepse e rrenqethese e ja fusni kot.

    Nqs eshte e vertete eshte ngjarje me te vertete makabre, e cila nuk shpreh gje tjeter, vecse barbarizem. Thjesht per nje teke "burrnore" te kanunit merret nje vajze e semure rende dhe hipet mbi kale per ta cuar nuse. E cfare do te kishte ndodhur sikur te kishin pritur disa dite? Ndoshta edhe mund te kishte vdekur perseri, kushedi se c´semundje mund te kishte patur, por edhe mund te kishte jetuar, nuk i dihej, dhe do te kishte gezuar familjen e vet.

    Nqs eshte legjende perseri shpreh natyren barbare te shqiptarit dhe propagandimi i kesaj lloj legjende eshte i rrezikshem pasi ndihmon ne rigjenerimin e kanunit. Le te studiohen pasi eshte e nevojshme te kuptohen stadet shoqerore te shoqerise shqiptare, por pa u nisur me nota menlakolike si dikush me lart, qe na pergjerohej dhe kishte respekt per guximin e vajzave burrnesha mirditore, te cilat kane vuajtur ne shekuj, duke harruar qe keto vajza nuk kane shprehur aspak guxim, por ju jane nenshtruar vullnetit te barbarise kanunore, per tu bere mepas personazhe te gojedhenave dhe kengeve te vajit. E ku shprehet guximi i asaj vajze? Mos ishte vullneti i saj, ai qe shtyu ate te merrte rruget e semure dhe te vdiste, apo ai i burrave te fisit te saj dhe i atyre te krushqve?
    Mendoj qe keto lloj legjendash jane te rrezikshme per civilizimin e shoqerise, pasi ne menyre te pavetedijshme te bejne te simpatizosh rite dhe zakone barbare dhe ne melankoli e siper bie ne arsyetimin grotesk: "Humbem nje jete njeriu, por fituam nje hero/-ine", i cili del edhe nga disa poste mesiper.
    Lista nr5

    6 kanatjere
    6 mbathje
    6 shami

    prej kohesh ka vene studjuesit ne mendime,per arsye te mungeses totale te corapeve

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-04-2007
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    154
    Pedro, dhe rrenqethesja ka bukurine e vet.

    Sigurisht jam dakort me ty ne disa gjera, une nuk e konsideroj "heroine" vajzen ne fjale, por nuk mendoj qe gojedhena te tilla ndihmojne ne rigjenerimin e kanunit.
    Ato thjesht tregojne nga kemi ardhur dhe ne fund te fundit se sa pak kemi ecur perpara.
    Mendoj qe kjo e fundit eshte e trishtueshme dhe rrenqethese.

  9. #9
    *~100% Shqiptare~* Maska e Zemrushja
    Anëtarësuar
    19-11-2002
    Vendndodhja
    Larguar!!!!!
    Postime
    2,753
    Shum ngjarje e trishtueshme..

    Te shkretat vajza dhe gra qe duhej ti nenshtroheshin ktij kanuni qe akoma ne ate zone eshte ne zbatim ndonese jemi ne shek XXI. Eshte cmenduri dhe "barbari" te marresh nusen ne prag te vdekjes. Nese ata nuk do e kishin marre nusen ne ate dit por disa dit me vone do te ishte krejt ndryshe. Nusja do ishte sherruar dhe do ishte ne gjendje te gezonte diten e dasmes se saj. Ne fund te fundit dita e dasmes eshte dita me e lumtur, eshte dita qe shumica jone e kane menduar apo e mendojne si diten "e shenjte" te jetes se tyre. Sa keq..
    Jeta eshte labirinth.. nese do ta fitosh.. zbuloje

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e ajzberg
    Anëtarësuar
    22-09-2004
    Postime
    2,214
    Mua nga kjo histori e dhimbeshme me terhoqi dramaciteti.Nga njera ane krushqit qe duan te marin pa tjeter nusen pasi do te turperoheshin po te shkonin pa te dhe nga ana tjeter familja e nuses qe ishin te dyzuar per dhenien e bijes se tyre.Diku me lart eshte permendur zakoni i keq apo keqtrajtimi i gruas etj nder ato kohe dhe gjithashtu qe keto histori jane te rrezikshme se mund te perseriten etj.Une them se ky mendim ne nje fare mase eshte i gabuar.Perse kjo refenje na ben pershtypje ,ne qofte se te jatit te vajzes nuk do ti vinte keq dhe do te ishte mizor ai do ta kishte dhene te bijen menjehere apo do te kishte bere dasem.
    Por semundja qe kishte e bija nga njera ane e mundonte si prind dhe nga ana tjeter do ta turperonte ne krushqi.Te diskutosh ne dymieshtaten per kete vendim te tij eshte e pa mundur por gjithsesi te mos ta gjykojme te jatin per njeri mizor.
    Gjithashtu me ben pershtypje fjala e nuses ,me te vertet me vjen keq,nuk ja prishi te jatit megjithese e dinte se do te vdiste .C fare ka imagjinuar ajo valle per jeten e saj .......

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Bosnja Dhe Serbia (Lufta)
    Nga forum126 në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 10-12-2015, 10:30
  2. Lista e shkrimtarëve të persekutuar nga rregjimi komunist
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 26-02-2007, 23:15
  3. Mjekët e deklarojnë të vdekur, kthehet në jetë 6-vjeçarja
    Nga ALBA në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 29-05-2004, 07:58
  4. Drita Dhe Koha E Pejgamberit Muhammed (s.a.a).
    Nga Mision në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-05-2004, 17:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •