Në Drenas u mbajt ” Sofra poetike - Ymer Elshani” 2012

Poezia “ Natë pa emër “ e autorit Izet Abdyli u shpërblye me vendin e parë

Drenas, më 17 prill 2012: Në organizim të Drejtorisë komunale të Kulturës, në Shtëpinë e Kulturës në Drenas u mbajt manifestimi kulturor tradicional “Sofra poetike - Ymer Elshani” 2012.

I filluar me 1994 si nje manifestim kulturor ,,Sofra Poetike e Drenicës” di një aktivitet me përmasa mbarëkombëtare, ky manifestim vijoi traditën e vet edhe paslufte duke u riemërtuar si ,,Sofra poetike - Ymr Elshani”, në kujtim të veprës intelektuale e patriotike të - njërit prej bashkorganizatorëve e bashkëthemeluesve të këtij manifestimi para lufte - shkrimtarit Ymer Elshani, i cili para trembëdhjetë vitesh u sakrifikua së bashku me familjen e tij për lirinë që e gëzojmë sot.

Pjesa e parë e manifestimit, ”Sofrës…” filloi me një tryezë tematike mbi jetën dhe veprën e Ymer Elshanit, të paraqitura nga dr. Hysen Matoshi, me titullin “Feniksi kulturor shqiptar” dhe, e dyta, nga prof. Rifat Ismajli, me titull “Mbi veprën tregimore të Ymer Elshanit”.

Në vazhdim u lexuan poezi të përzgjedhura nga juria e konkursit letrar në përbërje: dr. Sadri Fetiu, kryetar; dr Adem Zejnullahu dhe Shaqir Hasi, anëtarë.

Pas vlerësimit të jurisë u shpallën edhe rezultatet e konkursit me autorë anonimë për poezi, ku:
- vendin e parë e mori poezia ,,Natë pa emër” me shifrën ,,Zezona e Drenicës” e autorit Izet Abdyli,
- vendin e dytë poezia ,,Kujtimet e verdha “ te autorit Rrahim Sadikut, dhe
- vendin e tretë poezia ,,Dorëshkrim” e shifrës ,,100 lule”.
Çmimin special të ”Sofrës…” e fitoi poezia ,,Jeta kallëzon përralla” e Rizah Greiçevcit.


NATË PA EMËR


Ishte natë
Më shumë se natë

Ishte natë pa jetë
Mes-jetë

Natë me frikë-tut
E zezë fut

Natë pa emër
Pa shenjë e nishan

Ku njeriu tretet papritur
Orë e çast

Natë shtrigë
E teatrit të zi

Natë kobzezë
Ku qentë cijaten
Ujqit ulërijnë

Natë kusare, tinëzare
Natë lojërash të pista
makabre

Natë me hiena, fantazma
Natë ëndrrash të vrara
Natë e pafund

Natë që rëndon si plumbi
Natë që mbyll dritare
Natë që hap varre

Natë që ndryn të vërteten
Natë që mbyll shpresën
Natë që s’ka mbarim
natë që s’ka agim

Kjo poezi u nderua me Çmimin e parë në manifestimi ,,Sofra Poetike Ymer Elshani” e autorit Izet Abdyli