TIRANË-Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës së Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e pavarësisë, në të cilën u prezantuan veprat më të mira të përzgjedhura nga Juria për Monumentin e 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe posterat e 100 vjetorit që do të përdoren në aktivitete të ndryshme artistike, kulturore, me rastin e këtij Jubileu.
Gjithashtu në mbledhje u miratua vendimi për përdorimin e Logos së 100 vjetorit.
Duke vlerësuar punën serioze që është bërë në drejtim të përzgjedhjes, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë artistët, piktorë e skulptorë, vendas e të huaj, që morën pjesë gjerësisht në këtë garë, duke paraqitur vepra të një cilësie të lartë, që përfaqësojnë denjësisht idenë për të cilën janë krijuar.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, bëri një paraqitje të 5 veprave më të mira të përzgjedhura nga Juria e përbërë nga personalitete të shquara të kulturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Zoti Bumçi bëri të ditur se në konkursin për Monumentin e 100 vjetorit morën pjesë 66 artistë nga Shqipëria dhe diaspora si dhe të huaj nga Italia, Gjermania, Spanja, Islanda, Kanadaja dhe u paraqitën 73 projekte. Juria vlerësoi në vendin e parë me 31 pikë veprën e krijuar nga bashkëpunimi i artistit kosovar Visar Obrija dhe atij gjerman Kai Roman Kiklas.
Vepra paraqitet në formën e një kubi, i cili hapet, duke përfaqësuar kështu idenë e një fortifikimi, pra të Shqipërisë si një vend i izoluar dhe i mbyllur, i cili më pas hapet. Monumenti i lartësisë prej 4 metrash krijon një hapësirë brenda të cilit qytetarët do të mund të kalojnë. Gjithashtu, brenda tij është e shkruar me lazer Deklarata e Pavarësisë. Materiali me të cilin do të ndërtohet Monumenti është i tillë që gjatë ditës do të mbledhë energjinë, duke bërë që të ndriçojë në mënyrë të natyrshme natën.
Ministri i Kulturës bëri të ditur se për vlerësimin e punimit më të mirë, përveç jurisë zyrtare të këtij Konkursi, këto 5 bocete iu nënshtruan edhe opinionit të qytetarëve nëpërmjet votimit në mënyrë elektronike në mjediset e Galerisë së Arteve. Në këtë votim morën pjesë 6453 qytetarë, të cilët kanë votuar elektronikisht në faqen e galerisë Kombëtare të Arteve dhe 182 qytetarë që kanë votuar drejtpërsëdrejti, pra fizikisht. Nga këto votime rezultoi se boceti i përzgjedhur në vendin e parë nga Juria përkoi si më i pëlqyeri edhe nga qytetarët me 2210 vota.
Pas paraqitjes së bërë nga zoti Bumçi, Komiteti vijoi me diskutimet lidhur me këtë vepër, duke e miratuar atë si Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke e vlerësuar veprën të denjë dhe të gjetur artistikisht për të përfaqësuar Monumentin e 100 vjetorit të pavarëisë, kryeministri Berisha ndër të tjera komentoi se "në rryma të caktuara besohet se kryqëzimi i linjës vertikale me horizontale jep harmoninë më të përsosur. Këtu ka një zhvendosje nga bijtë e Shqipes tek Bijtë e Librit. Natyrisht, Bijtë e Shqipes do të donin Shqiponjën diku, por le t'ia lemë kryetarit të Bashkisë të hapë një konkurs për të ngritur një Shqiponjë që të bëhet simbol i Tiranës. Qytetet e kanë në tagër këtë punë. Ai kryetar që ishte, nuk ngriti asgjë. Shpërndau në fund një kartolinë të Man Ray-it dhe e shpërndau jo për vlerësimin artistik të tij ose për vlerësimin e njohurive që ka për artin dadaist, aspak, por sepse ai është dadaist në politikë. Idhulli i tij ëshët Karl Liebknecht. Në politikë Liebknecht ka qenë dadaist. Kjo është e vërteta".
Në vijim, Komiteti mori në diskutim dhe miratoi posterat e 100 vjetorit të pavarësisë. Në konkursin ku morën pjesë 23 artistë, u përzgjodhën 5 punime, nga të cilat Komiteti miratoi 3 të parat. Gjithashtu u propozua që vepra në pikturë e artistit të shquar Ibrahim Kodra "Shqipëria fantastike" të përdoret gjerësisht, si dhuratë simbolike në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Ndër të tjera, gjatë kësaj mbledhje, Ministri i Kulturës, zoti Aldo Bumçi informoi se përveç Monumentit kushtuar pavarësisë janë shpallur konkurse për shtatoret kushtuar disa personaliteteve të shquara shqiptare si Ismail Qemali, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, si dhe Monumentit kushtuar Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu janë përfunduar, por nuk janë vendosur ende shtatorja kushtuar Azem Hajdarit, ajo kushtuar Pjetër Arbnorit, shtatorja kushtuar Presidentit Willson dhe busti kushtuar Petro Markos, i cili do të vendoset në qytetin e tij të lindjes.
Në përfundim, Komiteti miratoi vendimin për përdorimin e logos në institucionet dhe vendimet që ajo duhet të shoqërojë . Gjithashtu logo është lënë e lirë që të përdoret nga shoqata të ndryshme nëpër aktivitetet kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë.
![]()
Krijoni Kontakt