-
Video e perplases se Berishes me opoziten ne Kuvend:
-
-
Debati në Grupin e PS, Dokle: Bojkot Parlamentit
Deputetët i kërkojnë bojkot, Rama: Nuk penalizojmë shqiptarët.
Rama: Berisha vodhi votën e deputetëve e ministrave të tij.
Deputetët socialistë e kanë konsideruar fitore politike mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas përfundimit të votimit të Elvis Çefës si anëtar i KLD-së, Grupi Parlamentar socialist u mblodh në një mbledhje jashtë radhe në selinë rozë. Jo pa emocionin e një konflikti politik në Parlament, propozimet e disa deputetëve socialistë ishin për të rishikuar pozicionin në Parlament. Por, ishte kryetari socialist në këtë mbledhje, Edi Rama, i cili e ka konsideruar ngjarjen në Kuvend si një fitore politike të opozitës, ndërsa ka kundërshtuar propozimet për një marrëdhënie të re të kushtëzuar me Parlamentin dhe maxhorancën. “Në sy të publikut maxhoranca shkeli Rregulloren dhe tregoi se ishte e pasigurt për shumicën parlamentare. Kjo mund të konsiderohet si një betejë politike e fituar nga opozita. Këto shkelje, që sot, ne do t’ia bëjmë me dije faktorit ndërkombëtar në Tiranë. Por dua të sqaroj se ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Sali Berishën. Ne kemi marrëveshje me popullin shqiptar. Nuk mund t’i penalizojmë shqiptarët nga integrimi i vendit në BE për shkak të sjelljes flagrante të maxhorancës. Por ne duhet të vazhdojmë reformat e nisura dhe s’do t’i lëmë në mes të rrugës”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar. Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, ka kërkuar kushtëzim të marrëdhënies me Kuvendin deri në ribërjen e votimit të djeshëm. “Me atë që ndodhi sot në Kuvend, ku u shkelën të gjitha rregullat e miratuara dhe nga vetë kjo maxhorancë, ne duhet të rishohim qëndrimin tonë. Nuk mundet të shkojmë në Parlament sikur nuk ka ndodhur gjë, ndërkohë që për mua Parlamenti ka rënë. Ne duhet të kthehemi tek ajo sallë vetëm pasi të vendoset ribërja e votimit të sotëm, me kuti dhe votë të fshehtë”, mësohet të jetë shprehur Dokle në mbledhjen e djeshme.
Rama
Në një dalje publike dje në mbrëmje për të shprehur qëndrimin politik të opozitës, kreu socialist Rama e akuzoi Kryeministrin se kërkon vazhdimisht të vjedhë votat, kësaj radhe, sipas tij, për të qëndruar në pushtet duke manipuluar dhe votën e deputetëve apo ministrave. “Ky proces u tregoi të gjithëve se nëse Shqipëria dhe shqiptarët përpiqen me mund të shkojnë drejt Europës, Sali Berisha vazhdon t’i tërheqë mbrapa në rrugën e rrënimit të mëtejshëm. Sot Kryeministri u dha të gjithëve provën më kuptimplotë të nevojës jetike që ka për ta mbajtur pushtetin e lindur nga vjedhja e votave vetëm përmes vjedhjeve të njëpasnjëshme, deri dhe duke vjedhur votën e deputetëve e të vetë ministrave të tij përmes manipulimit të procesit të votimit”, u shpreh Rama. Ai e akuzoi maxhorancën se nuk i ka votat për të qëndruar në pushtet. “Po t’i kishte pasur vërtet ato 71 vota që i mori pasi refuzoi votimin me dy alternativa, por pa shenja kontrolluese në fletën e votimit, Kryeministrit s’do t’i duhej fare të merrte rolin e Arben Ristanit. Por sot ai hyri në sallë pa shumicë, qëndroi në sallë jo më si regjisor i manipulimeve të njohura të zgjedhjeve, po si një vjedhës i rëndomtë votash, dhe doli nga salla i zhveshur edhe prej atij legjitimiteti fals që ia jepnin deri dje vetëm formalisht numrat në Parlament”, u shpreh Rama. Për kryesocialistin, qeveria aktuale dhe Kryeministri i saj nuk e kanë të sigurt qëndrimin në pushtet deri në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. “Sot Saliu tregoi se pa e mbajtur Parlamentin të lidhur me pahir deri në fund, ka shumë të ngjarë të mos jetë në gjendje t’i hipë si Kryeministër as kalit që kemi ndër mend t’i çojmë për të shkuar në Vlorën e lënë pa rrugë, ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Por, një kalë e siguroj se do t’ia bëjmë dhuratë, edhe po s’e mbërriti dot atë ditë si Kryeministër”, u shpreh Rama, por pa thënë se çfarë qëndrimi politik do të mbajë opozita për këtë ngjarje.
Diskutimet dje në Grupin e PS
Edi Rama: Dua të falënderoj të gjithë deputetët për solidaritetin dhe qëndrimin që mbajtët në sallën e Kuvendit, në një maskaradë të turpshme nga ana e kryetares së Kuvendit dhe maxhorancës aktuale.
Gramoz Ruçi: Edhe unë, nga ana ime, dua të shpreh përgëzimet e mia për qëndrimin tuaj, edhe pse gjatë mbledhjeve të mëparshme ka pasur edhe ndonjë rezervë për kandidaturën e paraqitur prej nesh. Sot ne treguam se veprojmë si një trupë kompakte brenda një vendimi politik. Ajo që ndodhi sot në Parlament tregoi edhe një herë se cili është dallimi mes nesh dhe palës tjetër, që tregoi në sy të shqiptarëve se nuk dëshiron të bëjë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të pastra. Dua që secili të shprehë mendimin e tij rreth asaj që ndodhi në Parlament.
Namik Dokle: Me atë që ndodhi sot në Kuvend, ku u shkelën të gjitha rregullat e miratuara dhe nga vetë kjo maxhorancë, ne duhet të rishohim qëndrimin tonë. Nuk mundet të shkojmë në Parlament sikur nuk ka ndodhur gjë, ndërkohë që për mua Parlamenti ka rënë. Ne duhet të kthehemi tek ajo sallë vetëm pasi të vendoset ribërja e votimit të sotëm, me kuti dhe votë të fshehtë. Ndryshe do të legjitimojmë shkeljen e Rregullores nga ana e maxhorancës sot.
Ilir Bejtja: Jam plotësisht dakord me shokun Namik dhe mendoj se ne s’duhet të merremi më me reforma me këtë maxhorancë. Çfarë kuptimi ka vazhdimi i reformës zgjedhore dhe parlamentare kur maxhoranca jo vetëm zvarrit, por dhe shkel në mënyrë të dhunshme Rregulloren e Kuvendit, duke e kthyer votimin me vetëm një kandidat?
Gjovalin Kadeli: Ne duhet të rishikojmë pozicionin tonë në Parlament. votimi i sotëm tregoi se maxhoranca aktuale nuk garanton të zbatojë ato që ka miratuar me votat e saj, e jo më të garantojë zbatimin e reformave për të cilat ka muaj që zvarrit.
Arben Çuko: S’kemi pse shkojmë në Parlament. Duhet të vendosim marrëdhënie me kusht me maxhorancën, që të rikthehet votimi i fshehtë me kuti. Votimi i sotëm ishte një provë gjenerale për zgjedhjen e Presidentit.
Edi Rama: Ajo që ndodhi sot në Kuvend kaloi çdo cak. Në sy të publikut maxhoranca shkeli Rregulloren dhe tregoi se ishte e pasigurt për shumicën parlamentare. Kjo mund të konsiderohet si një betejë politike e fituar nga opozita. Këto shkelje, që sot, ne do t’ia bëjmë me dije faktorit ndërkombëtar në Tiranë. Por dua të sqaroj se ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Sali Berishën. Ne kemi marrëveshje me popullin shqiptar. Nuk mund t’i penalizojmë shqiptarët nga integrimi i vendit në BE për shkak të sjelljes flagrante të maxhorancës. Ne duhet të vazhdojmë reformat e nisura dhe s’do t’i lëmë në mes të rrugës. Ato janë në përfundim dhe do të tentojnë të përmirësojnë boshllëqet dhe hapësirat e deritanishme.
Braçe: Berisha “vdiq”, tani duhet rrëzuar
Deputeti i PS: S’ka më numra
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, tha dje pas votimit në Kuvend se maxhoranca ka rënë dhe Berisha nuk i ka më numrat. “Sot në Kuvend Sali Berisha ‘vdiq’! ‘Vdiq’ politikisht, ‘vdiq’ demokratikisht, ‘vdiq’ numerikisht! Ai nuk është më! Por mban pushtetin”, shkruante Braçe në rrjetin social “Facebook”. Sipas tij, “duhet ta çojmë në fund, si ata që rrezuan sivëllezërit e tij në pushtet, duhet t’i japim fundin që meriton një politikani që vret, vjedh e rrënon popullin dhe vendin e tij! Ai duhet luftuar! Me një fjalë, me shumë fjalë! Me vullnetin individual, por edhe me shumësinë e vullneteve që duan të rrojnë të lirë! Me një veprim, me një shumësi veprimesh demokratike që e godasin fort dhe e dëmtojnë rëndë. E rrëzojnë”. Pas procesit të djeshëm, ku me 71 vota pro, PD-ja dhe aleatët zgjodhën Elvis Çefën anëtar të KLD-së, Braçe tha se “Parlamenti nuk voton më fshehtas gjykatësit më të lartë, kushtetues, penalë apo civilë! Parlamenti nuk voton më fshehtas prokurorin e Republikës, kur e emëron apo kur e shkarkon. Parlamenti nuk voton më fshehtas as anëtarët e KLD! Pra Drejtësia nuk është më”.
ARISTIR LUMEZI
Panorama
-
-
“Pretendimi i PS, jashtëtokësor”
Kryetari i Grupit të PD sqaron procedurën e votimit në Kuvend pas akuzave nga PS.
Patozi: Po zgjidhnim anëtarin e KLD, jo Papën e Romës.
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, reagoi dje pas deklaratës së Gramoz Ruçit, se PD-ja u shfaq me dy qëndrime gjatë momentit të votimit të anëtarit të KLD-së. Në një konferencë për shtyp rreth tri orë pas mbylljes së seancës parlamentare, Patozi iu përgjigj kreut të Grupit socialist duke thënë se “vetëm një fjali lidhur me diversionin e zotit Ruçi për gjoja dy qëndrimet brenda maxhorancës në seancën e sotme. Unë e kam kaluar shumë herët, ose ndoshta nuk ka qenë nevoja kurrë, për provën e besimit politik. Do të më vinte vërtet keq për ty që edhe pas 22 vjetësh të jesh në siklet për të dhënë prova të reja. Kaq”. Duke sqaruar komunikimin me homologun e tij në PS, përpara se të niste procesi i votimit me kuti, Patozi tha se kishin rënë dakord paraprakisht për kohën dhe mënyrën e votimit. Ka qenë pikërisht Ruçi që ka kërkuar votimin me kuti, gjë që është pranuar nga maxhoranca. Por, sipas kreut të Grupit demokrat, socialistët fillimisht kërkuan që fleta e votimit të përmbante vetëm vulën. “Situata nisi të komplikohej kur kryetarja e Kuvendit deklaroi nisjen e votimit dhe ftoi komisionin që të administronte procesin. Jam njohur fillimisht me një pretendim, që më është dukur jashtëtokësor, të përfaqësuesit të opozitës në komisionin e procedurave të votimit, sipas të cilit, fleta nuk duhet të firmosej nga anëtarët dhe se ajo duhet të kishte vetëm vulën e Kuvendit”, tha Patozi. Këtë shqetësim më tej e ngriti edhe Ruçi, i cili kërkoi që fletët e votimit të firmoseshin paraprakisht. “I kam thënë zotit Ruçi shprehimisht se nuk jemi duke zgjedhur Papën e Romës, por njërin nga anëtarët e KLD-së dhe se në këto rrethana nuk mund të shpikim procedura të reja të Kuvendit të Shqipërisë. Me të njëjtën mënyrë ky Parlament ka zgjedhur disa presidentë dhe mjaft dinjitarë shumë më të lartë se anëtari i KLD-së, ndaj edhe nuk na shkon që ta prishim atmosferën për kaq gjë”, u shpreh më tej Patozi. Sipas tij, “rreth dy minuta më vonë e kam parë homologun tim në sallë në krye të një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, duke mbajtur me duar Kryeministrin për të mos e lejuar të votonte. Disa sekonda më vonë, i njëjti personazh rrëmbeu një grusht fletësh votimi nga tavolina e komisionit të procedurave të votimit, duke e bërë vijimin e procesit praktikisht të pamundur”.
Strazimiri
Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, tha dje se votimi për zgjedhjen e Elvis Çefës si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Sipas deputetit demokrat, opozita bëri përpjekje për të bllokuar votimin, ndërsa Parlamenti funksionon, pavarësisht deklaratave të Ramës. “Në deklaratat e Ramës nuk ka asgjë thelbësore me të cilën mund të merremi. Ai tha 5-6 batuta në konferencë dhe asgjë politike”, u shpreh Strazimiri, ndërkohë që e quajti kandidaturën e Ardian Vishës të ofruar në mënyrë të paturpshme nga opozita.
ADI SHKEMBI
Panorama
-
-
Votimi i Cefës, Gjinushi: PS po drejtohet gabim
TIRANE- Kreu i PSD-se, Skender Gjinushi duke komentuar votimin e djeshem per vendin vakant ne KLD ka deklaruar se, pas kesaj Kuvendi nuk ekziston me, Presidenti i vendit eshte zhveshur nga kompetencat dhe opozita parlamentare eshte inekzistente.
“Zhvillimet e djeshme politike treguan dhe njëherë se Kuvendi nuk ekziston më si një institucion demokratik në Shqipëri, se Presidenti i Republikës është i zhveshur nga kompetencat e tij kushtetuese dhe se Gjykata Kushtetutese bën vetëgjyqësi me vetë Kushtetutën apo me vendimet e tjera të mëparshme dhe se fatkeqësisht opozita parlamentare është inekzistente. Pas Gërdecit, 21 Janarit, ky nuk është faji i Sali Berishës, por është faji opozitës parlamentare e drejtuar në mënyrë të gabuar. Lidershipi i PS-së dhe disa të prenotuarve të Saliut në PS e kanë kthyer opozitën në një grup me pa të drejta të dhunuar dhe poshtëruar”- tha Gjinushi, duke leshuar keshtu akuza ne drejtim te Rames.
Akuzat e Gjinushit, Rama: Nuk reagojmë si parti e vogël
TIRANE- I menjehershem ka qene reagimi i kreut te socilaisteve ne Twitter, pas akuzave te bera nga aleati Skender Gjinushi.
“Keqardhje per prononcimin e mikut Gjinushi. Aleati yne gabon qe akuzon PS per fajet e Saliut e qe kerkon nga PS te reagoje si parti e vogel”- shkruan Rama.
Sipas tij, PS kerkon njezeri me aleatet ndryshim ne sistemin zgjedhor. “Po kjo s’behet dot as pa konsensusin e pales tjeter, as duke akuzuar kot PS!”- shkruan me tej ai.
Panorama
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt