Dëshmitari kryesor i rastit të Sopotit Ramadan Bajrami sot para trupit gjykues dëshmoi edhe një herë se si nga ana e pjesëtarëve të policisë ka qenë i keqtrajtuar dhe detyruar që të pranojë se minën në Sopot e kishin vendosur bashkëfshatarët e tij.
“Më 23 maj të vitit 2003 para stacionit policor të Kumanovës kam qenë i kidnapuar dhe dërguar në një shtëpi private rreth dy orë larg Kumanovës. Për disa ditë kam qenë i keqtrajtuar dhe i detyruar që të shkruajë deklaratën dhe të njëjtën ta mësoj përmendësh dhe ta them para gjykatësit hetues dhe prokurorit”, deklaroi Bajrami. Ai tha se inspektorët e policisë e kishin djegur edhe me cigare. Dëshmitari tjetër Viktor Aleksov këshilltar shtetëror tek Avokati i Popullit, tha se në atë janë konstatuar parregullsi në aksionin policor në Sopot. Aleksov gjithashtu vërtetoi edhe pohimet e dëshmitarit Ramadan Bajrami për keqtrajtimin e tij. Pas këtyre deklaratave, avokati i të akuzuarve Vullnet Paçuku tha se me këto dy dëshmi plotësohet mozaiku rreth rastit të Sopotit. Ai tha se kjo vërteton se ky rast është i montuar dhe kjo vepër penale nuk është kryer nga sopotasit e akuzuar.
“Dëshmitari Ramadan Bajrami për të satën herë përsëriti mënyrën se si ka qenë i maltretuar, si ka qenë i detyruar të japë deklaratën, të cilën prokuroria e përdor si provë kyçe për kërkesën e asaj për të shpallë si të fajshëm të akuzuarit. Edhe një herë dëshmoi mënyrën e maltretimit, rrahjet shenjat trupore të cilat kanë qenë të pranishme dhe atë se rreth 8 ditë është mbajtur nga organet e policisë. Të gjitha këto rrethana i vërtetoi edhe këshilltari shtetëror Viktor Aleksov i cili në mënyre të qartë para gjykatës dëshmoi se të gjitha këto janë të vërteta, të gjitha këto janë konstatuar edhe nga ana e avokatit të popullit”, deklaroi Vullnet Paçuku, avokat.
Në seancën e sotme gjyqësore nuk u lejua të dëshmojë edhe Qenan Limani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Sopotit, pasi që policia e gjyqit në momentin e fundit e njoftoi gjykatësin se dëshmitari ka marrë pjesë në seancat gjyqësore dhe se për këtë arsye nuk ka të drejtë të dëshmojë, gjë që u kundërshtua nga avokati dhe vet Limani. Gjykatësi për seancën e ardhshme kërkoi regjistrin e policisë për të vërtetuar prezencën e tij në seancat gjyqësore. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për 2 shtator. Në seancën e ardhshme, me kërkesë të palës mbrojtëse pritet të dëshmojë edhe Suzana Saliu, ish zv/ Avokate e popullit në kohën kur ishin arrestuar banorët e Sopotit, ndërsa tani deputete në kuvendin republikan. 11 persona, të gjithë banorë të fshatit Sopot, akuzohen për shpërthimin e minës në afërsi të fshatit të tyre në maj të vitit 2003, nga e cila mbetën të vrarë dy ushtarë polak dhe një shoqërues civil.
http://alsat-m.tv/lajme/vendi/72299.txt
Krijoni Kontakt