Shkup, 14 prill (E plotësuar) - Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska ka dhënë disa pista dyshimi për vrasjen e pesëfishtë, por, siç tha, “ato nuk do t'i zbardhin deri në përfundimin e tërësishëm të hetimeve”.
Jo zyrtarisht në MPB thuhet se deri më tani në bisedë informative janë marrë rreth 30 persona dhe se MPB ka informacione të para rreth rastit në vrasjen e pesëfishtë.
“Ne kemi disa pista të mundshme dyshimi që flasin për rastin në fjalë, por ato nuk do t’i bëjmë të ditura, sepse nuk duam ta dëmtojmë procesin e zbardhjes së tërësishme të rastit”, tha sot në konferencë me gazetarë ministrja Jankullovska.
Ajo po ashtu njoftoi se kanë informacione për demolimet e shumta të disa veturave në disa lagje të komunës së Butelit, por organet e policisë janë duke punuar në teren dhe, siç tha, “janë mobilizuar të gjitha njësitë policore me qëllim që të ruhet qetësia”.
“Ne bëjmë apel deri tek të gjithë qytetarët që t’i lënë rastin MPB dhe le t’u besojnë institucioneve, sepse të njëjtat janë duke punuar në zbardhjen e saj”, shtoi më tej Jankullovska, transmeton portali Zhurnal.
Banorët e Radishanit kanë djegur vilën e një qytetari shqiptar të locuar në afërsi të kësaj lagje.
Zhurnal ka verifikuar rastin përmes burimeve të saj, të cilat bëjnë të ditur se vila është në pronësi të një shqiptari nga lagjja Gazi Babë e Shkupit. Informacioni vjen nga banorët shqiptarë të fshatit Lubeten, që ndodhet në afërsi të kësaj lagjeje të populluar me maqedonas.
Në MPB thanë se ende nuk janë në dijeni për këtë rast.
09:31 Pesë të rinj maqedonas të vrarë në periferi të Shkupit
Pesë persona të vrarë janë gjetur mbrëmë në afërsi të Liqenit të Hekuranës në periferi të Shkupit, informon agjencia e lajmeve INA.
Sipas informacioneve nga rrjetet sociale dhe portale maqedonase, viktimat janë të moshës rreth 20 vjeç. Ata të gjithë ishin peshkatarë dhe shpeshherë qëndronin për peshkim në këtë zonë. Njëri prej tyre është nga fshati Creshevë, ndërsa të tjerët siç thuhet nga lagjet Butel dhe Radishan, njofton INA.
Të rinjtë e vrarë janë Aleksandar Naçovski, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski dhe Filip Sllavkovski.
Ata rreth orës 18.30 ishin nisur për peshkim pranë liqenit të Smilkovës. Banorët mbrëmë kanë qenë të revoltuar, pasi që sipas tyre, nuk po ndjehen të sigurt.
Banorët e Creshevës kanë theksuar për portalin pres24 se mes të vrarëve është edhe Borçe Qato, një peshkatar i rregullt në këtë liqen, për të cilin thuhet se ka qenë familjar dhe person i qetë. Ata kishin njohur makinën e tij të parkuar në afërsi të liqenit. Banorët e zonës kanë theksuar se në këtë territor shpeshherë janë dëgjuar të shtëna armësh.
MPB-ja e Maqedonisë ka apeluar sot që të mos ndizen tensionet ndëretnike pas kësaj vrasje të pesëfishtë në afërsi të Shkupit.
Krijoni Kontakt