http://www.lajmishqip.com/wp-content...istorise12.jpg
Historianë të cilëve po u mbaron vaji i kandilit
Nga : Kostaq XOXA
Jemi në prag të kandidaturës për anëtarësimin në BE. Por, ndërkaq, muajt po zëvendësojnë njëri-tjetrin për ditën e madhërishme të 100-vjetorit të pavarësisë. Tani, janë disa historianë të mendësisë enveriste që po orvaten të shpërthejnë të gjitha shashkat e tyre që të shformojnë historiografinë tonë, siç kanë bërë pa reshtur, gjer tani. Janë dy tema që ata po kërkojnë t’i përdorin, të dëshpëruar meqenëse janë në mbarim të „finishit“ kur duket se po e parandiejnë edhe vetë që karriera e tyre e propagandës së diktaturës që lamë pas, nuk do të vonojë që të bëhet e pamundshme, konkretisht, për këta „historianë“, që pak dallojnë së qeni vetëm propagandistë, se janë duke e mbyllur karrierën e tyre profesionale, – nëse mund të quhet e tillë. Nuk ia vlen të merremi me “historianë” të cilët, në mënyrë vullnetare, hoqën dorë nga ajo historiografi e detyruar, duke e treguar vetveten për mbarë dhe duke na dhënë përshtypjen se “edhe ata po e kuptojnë sot, në rrëzimin faktik të diktaturës, se do të hanin edhe ata një copë bukë, në atë regjim. Së paku i lëshuan armët me dinjitet. Nuk po zgjatemi të bëhemi kureshtarë ndaj atyre, se me ç’punë do të jenë marrë, meqë profesioni i tyre ishte zanat pa zanat. Mund t’i jenë futur ndonjë biznesi të vogël, gjëja më e natyrshme që mund të mendohet. Mundet t’u jenë ofruar si ortak dikujt që i ka ecur në biznes. Demokracia ka shumë objekte pune, përveç ideologëve që dinin vetëm t’i bënin fresk E. Hoxhës, apo të bëjnë politikë staliniste, kur Stalini është “destalinizuar”! Por këta të dy, për të cilët do të flasim, duan të mbajnë gjallë një ideologji të dështuar, sepse janë enveristë fanatikë, që të mos përmendim edhe 9 epitete të tjera. Njëri prej tyre (se s’duam t’u përmendim as emrat) e filloi veprimtarinë politike të tij me një organizatë për të drejtat njerëzore, që është ajo e Helsinkit! Pa më të plasi një kundërveprim njerëzish që kishin vuajtur në mënyrë vetjake nga ky njeri, që i kishte marrë më qafë personalisht, kur i priste shpata në të dy anët. Punoja në gazetën e ish-të përndjekurve politikë, në fillim të herës demokratike, kur secili nga të revoltuarit na binte shkrimin e vet për të argumentuar se ishte gjynah që, qysh pas rrëzimit të shtatores së Enverit, njeriu që bënte propagandën e të rrëzuarit, të vazhdonte tani të merrte përsipër të mbronte të drejtat e të martirizuarve, pa faj, nga statuja e rrëzuar! Por ç’t’i bësh kur një grua që punonte në instanca të larta të kësaj organizate të nderuar (të Helsinkit) na ishte mikeshë e këtij të sulmuari si persekutor, i cili as skuqej, as zverdhej, për t’u afishuar, tashmë, si demokrat. Por demokrat nën thonjëza, amà. Nëse quhen “demokratë” bashkëpunëtorët e Ramiz Alisë dhe të Nexhmijes, që kishin fatin e mirë, tanimë, që të bënin propagandë enveriste jo me okë, por me kuintalë! Dukej se në atë kohë të përdhosjes së demokracisë sonë, asaj zonjës Katerinë la Lymierë, që e përmendëm më sipër dhe, tani, me emër, i ecte llafi si shumë dhe thoshte se historiani nën mbrojtjen e saj, i cili tani merrej me fatet e atyre që kishin vuajtur nga idiolatria (për fuqizím vetjak) e kreut të diktaturës sonë, ky historian, pra, që përkohësisht kishte lënë historinë mënjanë për t’u marrë me viktimat e diktaturës(!) komunikonte shumë mirë me atë zonjën, se njihte gjuhën dhe ishte me kulturë, ndërsa artikujshkuajtësit e gazetës “Liria” të atëhershme ishin injorantë, pa universitet dhe, mbase smirëzinj! Por unë kam edhe një fakt vetjak. Në vitet e para pas mbarimit të luftës, një mori nxënësish të klasave të para të shkollës së mesme u mblodhën në sallën e madhe të laboratorit të kimisë, në katin e sipërm, për një mbledhje me rëndësi. Ishim në fund të bulevardit që kishte emrin e Stalinit të Madh (Sa për “shoqërim idesh”, ky bulevard sot ka emrin e Zogut I. Intelektualë “demokratë” bënë namin kur bulevardi mori këtë emër. Mos donin sërish emrin e Stalinit?). Dhe dalim, tani, jashtë kllapave për të thënë se atje kërkohej nga ne, nxënësit, që të bashkoheshin me peticionet që bëheshin kudo në vendin tonë, e që i drejtoheshin shokut Tito, për të shprehur solidaritetin e Jugosllavisë që të kishte të drejtën të vinte dorë në trojet e Italisë verilindore, Triestes, Istrias, Venecia Xhulias, Polos, me që… E pabesueshme! … Meqë partizanët e Titos i kishin çliruar më parë se partizanët italianë këto toka, kur gjermanët po tërhiqeshin vetiu nga Italia! Né, disa nga nxënësit e vegjël të asaj kohe, si të mitur e pa përvojë, u ngritëm njëri pas tjetrit: – Dakord, por duhet të bëjmë edhe një peticion tjetër: – Atë të premtimit të shokut Tito që, pas luftës, do të bëhej edhe referendumi për Kosovën, që të përcaktohej se kujt do t’i përkiste kjo krahinë, me 92 % shqiptarë. Ky personazhi ynë, që tani është ai historiani në krye të Organizatës shqiptare të Helsinkit, me nervozizëm mbajti tezën e Enverit se kërkimi i Kosovës nuk ishte progresiste! Nuk vonoi edhe një periudhë afërsisht dyvjeçare, dhe në kohën kur u bë përjashtimi i 9 nxënësve për veprimtari “armiqësore”, përmbante edhe të dhënat e kohës kur ai personazhi për të cilin po flasim ishte ndërlidhës i Komitetit të Partisë për Tiranën, me shkollat e kryeqytetit. Kështu u bë ajo ceremonia e përjashtimit të të nëntëve, – ndër të cilët edhe unë, – pas një demaskimi që u pasqyrua edhe në Zërin e Popullit, si edhe në gazetën “Rinia”. Ajo fjala “ceremoni” që sapo e përmendëm, ka kuptimin e një rrahjeje me një egërsi barbare, që i bëri disa nga nëntëshja, për spital (Në krye të xhahilëve ishin ata që kërkonin bursa jashtë shtetit!). Në kohën që erdhi Krushovi në vendin tonë, veprimtari e shoqëruar edhe me një zbutje të luftës së klasave, neve na u dha sërish e drejta e studimit, si të akuzuar për muhabete fëmijësh! Të gjithë né mbaruam studimet në universitetet e mbrëmjes…
***
Tani, këtij historiani të diktaturës, – siç duket me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, – i paska hipur në kokë të denigrojë themeluesin e shtetit të parë ligjor në vendin tonë, Ahmet Zogun I. Por duket se nuk është as në cilësinë e një studiuesi. Sepse i mungon literatura historike e besueshme. Disa herë ky “specialist” i historisë, portretin e të cilit ia bëmë në këtë shkrim, ka shkruar për monarkinë, duke u mbështetur në ditaret e Kontit Çiano. Galeaco Çiano i ka ardhur pas oreksit pseudohistorianit tonë, sepse është një antizogist i thekur. Lesona ka qenë një njerí të cilin Zogu e kishte psikologjisur mirë e bukur. Edhe Jakomoni e mbështeste dëshminë e Aleksandër Lesonës, diplomatit të parë që vuri në marrëdhënie Musolinin me Zogun. Vetë mëkëmbësi i Mbretit (Viktor Emanuelit III), e ka evidentuar qëndrimin armiqësor të Çianos jo vetëm kundër Zogut, por edhe ndaj vetë Shqipërisë. Traktatin e marrëdhënieve ekonomike- politike ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, e ka bërë A. Lesona, jo Çiano. Aleksandër Lesona e përshkruan Zogun si një irredentist që e ka lodhur shumë në përpilimin e këtij traktati. Aq sa Lesona u vu në pozitë të vështirë edhe ndaj Musolinit. Lesona argumenton se Zogu kishte ambicien që të ishte një sovran i lirë, jo një vasal i Musolinit. Përsa i përket Jugosllavisë, Lesona thotë se Zogu nuk mund të bënte kurrsesi një traktat me Jugosllavinë, sepse i qante zemra për shqiptarët e Kosovës. Për Greqinë Lesona është gjithashtu objektiv. Pra, marrëdhënia me Italinë ishte edhe një zgjedhje e Zogut, si kur ishte President, ashtu edhe Mbret. Lesona e vlerëson Zogun duke e përmendur se ishte njëri prej tyre që e nxori Italinë jashtë territoreve shqiptare. Në Kongresin e Lushnjes, e quan si një patriot eksponent të çështjes kombëtare. Sipas këtij historiani, nga më kompetentët për të paraqitur Zogun në një dritë të vërtetë, del se rimarrja e pushtetit legjitim nga Zogu, s’kishte të bënte fare me atë mashtrimin enverist se “Zogu e rrëzoi qeverinë e F. Nolit me anë të Jugosllavisë”. Lidhja e Kombeve e interpretonte qeverinë e Nolit si e ardhur në pushtet nga një veprim revolucionar, Ishte pa parlament, ndërsa Në kohën e Zogut ekzistonte një parlament pluralist, me kritika të forta nga opozita e F. Nolit, S. Vinjaut, A. Rustemit e të tjerëve. Nga ana tjetër F. Noli thuajse i kishte prishur thuajse plotësisht marrëdhëniet me L. e Kombeve, të cilën e kishte quajtur “një flluskë sapuni”. Për më tepër, ai mbante marrëdhënie me B. Sovjetik, kur Stalini ishte i izoluar nga vendet e tjera perëndimore. Noli kishte shkëmbyer ambasadorë edhe me shtetin totalitar të Stalinit. Kësisoj Jugosllavia kishte pranuar vetëm udhëzimin e Lidhjes së Kombeve për të shërbyer vetëm si udhë kalimi të forcave ushtarake të Zogut dhe të vrangelistëve . Përmendet shprehja e famshme e kryeministrit jugosllav, Pashiçit, që përcolli Zogun dhe ushtarakët e tij me shprehjen “ lamtumirë miku im i tanishëm dhe armiku im i nesërm”. Dhe kjo ka kuptimin se Zogu nuk binte në kompromise në dëm të bashkëkombësve të vet. Jo më kot u quajt nga Aleksandër Lesona si “irredentist”. Ai “historiani”, një pjesë të bëmave të të cilit i nxorëm në shesh, kërkon të lajë ustanë e vet për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të pasluftës, me këtë strategji “historike” që e ka përdorur Enveri për të justifikuar vasalitetin e tij ndaj emisarëve të Titos dhe ndaj vetë Titos. Vasalitet gjer në dorëzimin e postit të Sekretarit të parë të P.P. së Shqipërisë, shokut Tito! Ky farë historiani bën sikur nuk e di këtë të vërtetë. Le të lexojë librin e gjeneralit, pastaj kundërshtarit të E.H.-s, Ernest Jakova. Këtë pohim të turpshëm, që tejkalon edhe përmasat e Kuislingut unë e kam parë edhe në burime të tjera. Edhe përmendjen e regjimit të Zogut si regjim tiranik, diktatori shqiptar i komunizmit e përmend si shfajësim për krimet e pambarueshme që ka bërë vetë. Sa gjyqe politike ka bërë A. Zogu I ? Vetëm një. Me çfarë vendimesh gjyqësore ? Tre vjet e më pak! Atje kishte komunistë si Q. Stafa, Z. Mala e të tjerë. Të gjithë u liruan nga burgu me skadim të afatit, para se Italia e Musolinit dhe e Çianos të na pushtonin. Ja, pra ç’ “tiran” ka qenë A. Zogu. (Edhe F. Noli, pas vrasjes tinëzare të M. Gjinishit dhe pas vrasjes barbare të Llazar Fundos – “torturojeni, pastaj e vrisni” – ia ktheu krahët asaj tiranie pa thonjëza, për t’u bashkuar me A. Zogun, në fund të jetës së tij dhe të ish-kundërshtarit politik). A e dinë këta mashtrues, që në kohën e Zogut “Nëna” e Gorkit, e përkthyer nga T. Zavalani, ekspozohet në vitrinat e të gjitha librarive të vendit? Po revistën “Bota e Re” me gazetarë Shefqet Musarain, Aleks Çaçin, Veli Stafën, Dh. Shuteriqin e të tjerë, që u inkuadruan në propagandën komuniste të regjimit të Enverit, a nuk e linte të dilte lirisht Zogu, ndonëse ishte tërësisht me përmbajtje të majtë? Madje linte të dilte edhe “Buletini jeshil” të grupit komunist të Shkodrës. Enveri vetëm për një gabim në interpretim, të internonte apo të vriste fare! Po kufijtë e hapur? Për një dhëmballë përfundoje në Bari të Italisë dhe ktheheshe të nesërmen apo të pasnesërmen. Mund të bëhej edhe krahasimi ndërmjet të dy sistemeve që ishin si nata me ditën. Ku nata nënkupton regjimin e Enverit dhe Dita atë të Zogut Sa për ndërtimet, ajo qendra me ministritë dhe me ndërtime të tjera, janë sërish si nata me ditën, ku e thamë se cila është njëra, cila tjetra! Sipas A. Lesonës, Zogu mori një vend që e dëshpëroi I. Qemalin tonë të paharruar. Kaosi dhe kusaria ishin të papërballueshme. Zogu i asgjësoi anarkistët dhe hajdutët. Dhe fshatarët e vjetër dëshmonin se erdhi një kohë që e linin shtëpinë pa e mbyllur, kur dilnin! Përsa i përket ekonomisë, duhet lexuar libri “15 vjet Mbretni”. Ku tregohet përparimi gjatë dy pesëvjeçarëve e gjysmë, ndërsa Enveri, gjatë të gjithë pesëvjeçarëve të tij, ndërtoi ekonominë e talonave, me dyqanet bosh! Parlamenti i Zogut lejonte debate. Ndërsa parlamentarët e E. H.-s nuk ishin veçse kukulla. Ata që kërkuan një minimum pluralizmi, u varën dhe u ekzekutuan, qoftë edhe me një të kaluar nacionalçlirimtare! Sa për atë historianin e dytë, ai të vetmin argument kishte se “E. Hoxha ishte figurë me vlerë historike”, meqë ishte në krye të shtetit dhe të historisë për 41 vjet rresht. Por historiani Josè Maria López Ruiz vërteton se ka persona që kanë sunduar më tepër, por janë vetëm “protagonistë të së keqes” dhe jo ashtu siç i paraqet “historiani” i dytë, në injorancën e tij enveriste. Në librin e tij, protagonistë të së keqes kapin një numër prej më shumë se 70 vetash.
Krijoni Kontakt