Edukata e ditës së Xhuma dhe namazit të Xhumasë

Të pregatitet për të që nga dita e enjte dhe në mbrëmjen e xhumasë duke u pastruar, larë rrobat dhe pregaditjet e tjera të nevojshme për të.

Të lahet ditën e xhuma, siç transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi dhe transmetues të tjerë.
Më e mira është që larja të jetë para se të shkosh në namazin e xhumasë.

Të pastrohet trupi, të priten thonjtë, të përdoret misvaku dhe të parfumoset dhe të veshë rrobat më të mira.

Të bëjë tekbire (Allahu ekber) duke ecur.
Ai që shkon në xhami duhet të ecë i heshtur dhe plotë frikë dhe të synojë "itikafin" në xhami derisa të dalë prej saj.
Të mos futet mes dy vetëve vetëm nëse sheh vend bosh dhe të plotësojë atë.

Të mos kalojë para atij që falet.

Të synojë safin (rreshtin) e parë, veçse nëse sheh ndonjë gjë të keqe dhe këshillon për largimin prej saj dhe të ketë arsye vonesa e tij.

Të ndërpresë namazin nafile dhe dhikrin kur të dalë imami.
T'i përgjigjet muezinit dhe të ndëgjojë hytben.

Të kujdeset që të ndeshë orën në të cilën përgjigjet duaja ditën e xhuma duke përqendruar vëmendjen dhe duke përmendur vazhdimisht Allahun.
Ka mendime të ndryshme lidhur me këtë orë.
Ebi Musa radiallahu anhu, transmeton se: "Ajo është ndërmjet periudhës në të cilën ulet imami dhe derisa të mbarojë namazi."1

Në një hadith tjetër thuhet: "Ajo është periudha ndërmjet mbarimit të hytbes nga imami dhe derisa të mbarojë namazi"2, dhe në hadithin e Xhabirit radiallahu anhu: "Ajo është ora e fundit pas ikindisë."3

Në hadithin e Enesit radiallahu anhu: "Kërkojeni atë mes namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit."4

Ebu Bekr El Ethremi ka thënë: Këto hadithe ose janë disa prej tyre më të saktë se të tjerat ose kjo orë lëviz në orë të ndryshme siç lëviz Nata e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.

Të shtojë salavatet mbi Pejgamberin salallahu alejhi ue selem, në këtë ditë.
Nëse don shton edhe dua për të.
Të shtojë istigfarin pasi është e pëlqyer.

Të lexojë suren Kehf. Është transmetuar nga Aishja radiallahu anha, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Kush e lexon atë ditën e xhuma apo natën e saj ruhet prej fitnes."
Pëlqehet të lexohet sa më shumë Kur'an ditën e xhuma.
Të japë sadaka ditën e xhuma sa të mundet dhe t'a japë atë jashtë xhamisë.
Pëlqehet të bëjë punë të ahiretit ditën e xhuma dhe të mos e teprojë me preokupime dynjaje.

Autor: Ibn Kudame El-Makdisi
Marrë nga libri: ''Muhtesar minhaxh el kasidin.''

1. Transmetojnë Muslimi dhe Ebu Davudi.
2. Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.
3. Transmetojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Hakimi i cili thotë se hadithi është i sakte dhe me këtë mendim pajtohet Dhehebiu.
4. Transmetojnë Tirmidhiu dhe Begaui.