Në Samitin e Çikagos, shqiptarët kremtojnë edhe trevjetorin e anëtarësimit në NATO
05-04-2012 / Nga Lavdrim Lita
Tre vjet më parë Shqipëria iu bashkua Aleancës më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave NATO-s. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në vitin 2008, në Samitin e Bukureshtit, ndërsa u ul si vend anëtar me të drejta të plota në takimin e përfaqësuesve të lartë të NATO-s, në samitin e Strasburg-Këlhit, duke u shndërruar në vendin e 27-të anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
NATO i dha shansin Shqipërisë të ishte një vend i sigurt për qytetarët dhe për investitorët e huaj. Mbrojtja kolektive e vendeve të NATO-s siguron një klimë miqësore jo vendet pjesëtare, por edhe vendet fqinje jo të anëtarësuara. Kontinenti europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht janë në paqe dhe kërcënimi për një sulm konvencional është i vogël.
Afërmendsh ka konflikte përtej zonës së ndikimit të drejtpërdrejtë të NATO-s (Libi, Siri, Iran) dhe pajisja e disa shteteve me teknologji të sofistikuar dhe armatim modern mund të përbëjnë një rrezik të ndjeshëm për të ardhmen e sigurisë së NATO-s. Aktualisht kërcënimet e reja për sigurinë e aleancës janë të profilizuara në fushën e terrorizmi ndërkombëtar, përhapjen e armëve atomike dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë, zhvillimi i teknologjive të reja, sulmet kibernetike, sulmet e piraterisë, problemet e burimeve energjetike, etj.
Për t’u dhënë një përgjigje këtyre kërcënimeve NATO pati kërkuar në samitin e Lisbonës të 2010 të investohej direkt në 11 fusha ku aleanca kishte nevojë strategjike si në: Komandim-kontroll, Mbrojtja raketore, Mbrojtja kibernetike, Mbrojtja nga bombat e improvizuara, Mbështetja mjekësore, Kapacitetet e transportit strategjik, Shërbimi informativ dhe policimi ajror etj. Të gjitha këto pikësynime janë sfida serioze, meqenëse, kriza financiare botërore prek shpenzimet për mbrojtjen. Me krizën financiare në Europë, masave të ashpra për reduktimin e deficitit në Shtete e Bashkuara dhe presionit në rritje ndaj buxhetit të mbrojtjes, vlera e veçantë e NATO është të ndihmojë vendet të punojnë së bashku. Sigurisht këtë përparësi të reja përcaktojnë dhe aftësinë për të shpenzuar fonde financiare të peshura dhe në të mënyrë të mençur. Zgjidhja e mençur e problemeve të sigurisë është mbrojtja efiçente, mbrojtja kolektive e mbështetur në ndarjen e barrës mes gjithë anëtarëve të Aleancës.
Kësisoj zgjidhja është “Mbrojtja e Zgjuar” ose siç është pagëzuar tashmë “Smart Defence”, e përcaktuar në dokumentin strategjik të Samitit të Lisbonës. Dy vite më pas, në prag të Samitit të Çikagos (20-22 maj 2012), Aleanca do të synojë jo vetëm përforcimin e lidhjes trans-atlantike (Europë-SHBA), por dhe faktin e pashmangshëm të sigurisë reciproke në dy anët e Atlantikut, si dhe qëllimi i përbashkët e ndarja e përgjegjësisë.
Ndër çështjet akute që do të diskutohen në të këtë samit të rëndësishëm të Çikagos, në të cilën Shqipëria për herë të dytë jep mendimin e saj, do të jenë Pranvera arabe, kriza financiare botërore, e cila ka shkurtuar buxhetet e mbrojtjes së shumë vendeve dhe debati i drejtpeshimit barrës së shpenzimeve të Aleancës. Samiti do të fokusohet kryesisht në tre tema kryesore: angazhimi i Aleancës në Afganistan gjatë periudhës së tranzicionit dhe më tutje, duke siguruar që Aleanca të ketë kapacitetet që i nevojiten për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e saj, si dhe të merret me sfidat e shekullit të XXI, dhe forcimin e rrjetit të partnerëve të NATO kudo në botë.
Kuptohet vetiu tranzicioni i Afganistanit do të jetë në fokus së vendimmarrjes së këtij samiti. Sekretari i Përgjithshëm i NATO Anders Fogh Rassmusen ka theksuar se 52 vendet që kontribuojnë në forcën ISAF dhe NATO, presin që të qëndrojnë në Afganistan edhe pas tërheqjes së planifikuar për 2014 dhe dorëzimit të sigurisë tek forcat Afgane. Në Çikago, udhëheqësit do të japim propozime për ta bërë këtë një realitet, një shenjë e vendosmërisë së tyre për të siguruar që vendi nuk do të kthehet kurrë më në një bazë të terrorizmit global.
Sakaq Shqipëria si një prej 52 vendeve kontribuuese të ISAF, por brenda gjashtëshes së parë për kontributin për frymë, ka në Afganistan 353 ushtarë profesionistë. Aktualisht operojmë me dy kompani në Herat, një togë në Kabul, një kompani speciale në Kandahar, grupin OMLT (trajnues) në Kabul si dhe një numër jo të pakët oficerësh dhe nënoficerësh në shtabet e NATO-s në Afganistan.
Është fakt se me rritjen e performancës sonë operacionale dhe rritjen e angazhimeve karshi aleancës, spektri i kryerjes së operacioneve është zgjeruar. Tashmë me kontingjentet e Batalionit të Forcave Speciale, ne veprojmë denjësisht krah aleatëve tanë amerikanë në operacione të mirëfillta luftarake, me një shkallë të lartë rrezikshmërie. Këtë kontribut e rrit edhe prezenca jonë me efektivat e OMLT-së, të cilat në rolin e ekipeve të patronazhit po ndihmojnë në ngritjen dhe funksionimin e strukturave ushtarake dhe policore afgane. Kjo do të thotë se Forcat e Armatosura Shqiptare e kanë kaluar me kohë fazën trajnimit nga të tjerët dhe jemi të aftë për të trajnuar Forca të tjera të Armatosura, si për shembull Forcat e sigurisë afgane.
Samiti i Çikagos do të ketë detyrën sfiduese të kthejë fjalët në vepra, me pak fjalë, vendimet e Lisbonës në programe dhe iniciativa konkrete. Kjo nënkupton që Aleatët, ku bën pjesë sigurisht dhe Shqipëria, duhet të vazhdojnë të investojnë kapital politik, ushtarak dhe ekonomik për të ruajtur forcën e NATO. Ndërsa në klimën aktuale, kjo do të thotë se Aleatët duhet të mbeten të angazhuar në principet e NATO, të përgatitur për të ruajtur kapacitetet e nevojshme dhe të jenë të hapur ndaj zhvillimit të lidhjeve me vendet partnere.
Krijoni Kontakt