KJ
--------
PYESNI, QE TE MOS BEHENI QESHARAK
Nga Sabri Godo
Z.Brace. Ne gazeten tuaj te 6 marsit 2003, keni botuar artikullin "Plaku Godo merr prona me gjyqe". Ne veshtrim te pare, mendova se mund te kini rene padashur ne nje kurth, duke zene dy faqe te gazetes me nje ceshtje te kote. Mirepo, duke lexuar ato qe shkruani, nuk ishte e veshtire te kuptoja se s'behet fjale per ndonje lajthitje. Ju ndiqni ne kete rast nje qellim te caktuar: qeveria juaj ndodhet nen ortekun e madh te akuzave per korrupsion, nga brenda dhe nga jashte. 6 marsi ishte dita, kur duhej te botonit pjese nga raporti i rende i Departamentit te Shtetit mbi korrupsionin ne Shqiperi. Per t'ju shmangur kesaj, e mbushet faqen e pare dhe te fundit me "plakun Godo". Me kete s'keni bere ndonje novacion, vecse i jeni referuar tradites. Rreth vitit 1968, kur edhe ne Shqiperi duhej te denoncohej kulti i individit, "Zeri" botoi nje kryeartikull ne tri kollona, per te denoncuar pergjegjesin e agjencise se peshkimit ne Lezhe, si personi ku ishte perqendruar ne maksimum kulti i individit. A besoni vertet se, mund ta hidhni hendekun, lidhur me korrupsionin, duke gjurmuar ndonje plak qe e cojne neper gjyqe per ceshtje te rendomta civile?
Para se t'i pergjigjem shkrimit tuaj, dua t'ju bej tri pyetje te thjeshta: E para, a duhet te marre nje organ i shtypit pergjegjesine e mbrojtjes se njeres pale, ne kohen kur ceshtja eshte ende ne gjykim? Une mendoj qe jo, sepse ky do te ishte nje presion i hapet dhe i palejuar mbi gjykatesin. E dyta, thoni ne kryeartikull se une "po i marr pronat me gjyqe". E po, duhet te kuptoni se, ne moshen time, dhe, sipas botekuptimit tim mbi shtetin, s'mund te perdor hurin ose ca marifete te tjera, qe ju i njihni mire. Per mua si plak e qytetar i urte, i pagjykuar ndonjehere per asnje lloj sherri, s'ka rruge tjeter, vec t'i drejtohem gjyqit, kur me behet ndonje padrejtesi. Pyetja eshte, a mendoni ju se, njeriu ben gabim t'i drejtohet gjyqit? Le qe edhe ne kete pike keni rene ne boshllek, se, ne rastin e dhene, nuk jam une qe kam bere padi, po jam thirrur si i paditur. Per ta mbyllur kete pike, po ju them se tere jeten time s'kam paditur kurre ndonje njeri ne gjykate. Ndoshta do ta shkel kete rregull tani, per here te pare, se me duket qe do te coj te gjykatesi gazeten tuaj. E treta, a ju duket brenda etikes se nje gazetari, sado provincial te jete, te akuzoje nje qytetar, pa e pyetur fare si qendron puna?
Mbase kjo lajthitje e trete vjen ngaqe kishit ngut te botonit dicka, per te larguar vemendjen e lexuesit nga akuza e korrupsionit qe po shtrengon ne fyt qeverine tuaj, po si dreqin e gjetet ta benit kete ne kurrizin tim, duke perdorur nje lende qe nuk qendron ne asnje ane Mbase, ne radhet e mijera qytetareve qe zvarriten me vite neper gjyqe, fale ligjeve e gjykatave tuaja, me zgjodhet mua si emer i njohur, per te rritur efektin.
Nuk vete me shprese se, ju do t'i shqyrtoni me seriozitet e ndershmeri pyetjet qe ju bera me lart, se nga kjo ane ju s'doni t'ia dini fare, prandaj po hyj drejt e ne teme.
Historia e pese dyqaneve ne Fier, per te cilat kane paditur ne gjyq gruan time, eshte si vijon: Ndertesa eshte prone e vellezerve Qemal e Yzedin Vrioni, te ngritura ne vitin 1934, e vertetuar kjo me dokumente te arkivit. Pra, s'mund te kete qene banke italiane ne vitin 1920, sikunder ju paskan thene juve ca qytetare te besuar te Fierit. Qemalin e mbyten, duke e mbajtur ne uje deri ne gryke, ne burgun e Burrelit, ku kryente denimin, ne vitin 1947. Yzedini, babai i gruas sime, humbi ne birucat e sigurimit ne Berat, me 1946. Vdiq ne pak dite, megjithese ishte i shendetshem dhe ende nuk i gjendet varri.
Po le ta leme anen sentimentale, se keto s'kane efekt ndaj ligjit e gjykatesit, dhe te ecim me tej me faktet.
Keto pese dyqane u jane konfiskuar dy vellezerve Vrioni me vendim te gjykates,ne vitin 1945. Kjo vertetohet me dokumentin e arkivit te shtetit ne Berat, dokument qe eshte depozituar ne dosjen e gjykates. Vendimi i sekuestrimit eshte botuar edhe ne gazeten zyrtare, duke treguar me emer edhe qytetaret qe i kishin dyqanet me qira, deri ne vitin 1945. Ne lojen me "gazeten zyrtare" rane padashur edhe ata aktoret e kendshem te emisionit "Fiks fare", te televizionit "Top Chanel", kur ngriten lart nje gazete, duke thirrur se aty s'kishte ndonje konfiskim te Vrionasve. Sigurisht qe s'kishte, sepse nga 56 gazeta te tilla, te vitit 1945, vetem ne njeren eshte botuar vendimi, dhe kjo eshte "Gazeta Zyrtare Nr.34, e 27 gushtit 1945". Te ngresh lart nje gazete zyrtare ndermjet 56 gazetave te atij viti, s'mund te shihet as si loje prestidigjiatori, qe shfaq e zhduk gazetat, marifet qe e kane perdorur edhe gjetke ata qe perpiqen te mbrojne padine, duke shtuar edhe falsifikime te tjera.
Ju, zoti Brace, thoni ne shkrimin tuaj se nuk eshte paraqitur asnje dokument shpronesimi. Sado te zellshem te jeni ne shpifje dhe i ngushte ne gjykim, s'keni c't'u beni dokumenteve te shpronesimit qe permenda me lart dhe qe mund t'i shihni fare lehte ne dosjen prane Gjykates se Fierit, e cila s'mund te bente ndryshe, vec t'i regjistronte si dokumente ligjore te plota.
Eshte e vertete se, ndertesa e shtetezuar ne vitin 1945, u be per ca kohe dege e Bankes se Shtetit ne Fier. Eshte e vertete se, me pas, keto pese dyqane u kthyen ne nje fare mapo-je te vogel. Eshte e vertete se, ne vitin 1991, shteti demokratik ua shiti gjithe dyqanet shitesve qe u gjenden brenda. Po eshte, gjithashtu, po aq e vertete se, shteti demokratik e anulloi kete ligj dhe vuri ne fuqi nje ligj tjeter, sipas te cilit, dyqanet u ktheheshin pronareve te ligjshem, duke u kthyer ne te njejten kohe shitesve, qe iu ishin dhene ne pronesi, vleften qe i kishin paguar shtetit. Ne zbatim te ketij ligji, Komisioni i Kthimit te Pronave, ne rrethin e Fierit, mori vendimin t'u kthente dy vellezerve Vrionas pese dyqanet e permendura. A mund te behej ndryshe?
Ne kete pike hyjne ne loje dy elemente te tjera: E para, ne shkrimin tuaj ju akuzoni nepunesen e hipotekes se Fierit, se ka leshuar dy nota pronesie per te njejtat objekte. Prap- kemi te bejme me nje tentative mashtrimi. Nepunesja u ka leshuar vertetim pronesie pese shitesve, ne baze te ligjit te pare, te cilet njiheshin si te tille deri ne vitin 1993, dhe i leshoi vertetim gruas sime, sipas ligjit te ri. A ka vend ketu per t'i rene ne qafe nje nepuneseje, qe kryen detyren, duke iu permbajtur ligjit? E dyta, pretendohet se ne noten e transkriptimit te vitit 1938 ka falsifikim. Kjo eshte e vertete lidhur me nje kopje te notes se transkriptimit, qe nuk dihet se ku e kishin gjetur paditesit. Aty jane rrahur me makine shkrimi dy radhe dhe eshte vene nje vule false e Komisionit te Kthimit te Pronave. Po te behej ky gjyq si duhet, paditesit, qe paraqiten kete dokument, duhej te ndiqeshin penalisht per falsifikim. Ata u kapen pas ketij dokumenti, duke u perpjekur ta zhvleresojne me nderhyrje ne dy rreshta, mbas djegies se arkivave te Fierit, me 1997. Por, ne shtepine tone kishte mbetur rastesisht origjinali. Laboratori i Ministrise se Brendshme ka deponuar me betim para gjykates ne Fier se dokumenti ka vlefshmeri te plote ligjore. Tani, z. Brace, veri veshin edhe nje gjeje tjeter, nese do te kuptosh se deri ku ke rrahur uje ne havan: Gjykatesi thote se, edhe po te mos ekzistonte fare nota e transkriptimit, provohet teresisht nga gjithe dokumentacioni tjeter, se ndertesa e permendur eshte prone e Vrionasve.
Keto jane hollesi lodhese, si per lexuesin, edhe per ate qe i shkruan. Por kjo ngjet, kur nje organ shtypi merr persiper te beje gjyqe jashte gjykates dhe, sidomos, kur ka prirjen e qarte te sulmoje me cdo mjet njeren nga palet. Tani, z. Brace, duhet te korrni ate qe mbollet. Ne shkrimin tuaj cdo gje eshte se prapthi, me shpifje e falsitete ne cdo paragraf. Kurse ajo qe ju shkruaj une, eshte vetem e verteta. Nese doni nje konfirmim te kesaj, mjafton te beni nje vizite dhjeteminuteshe ne Gjykaten e Fierit dhe ne Laboratorin Kriminalistik te Ministrise se Brendshme. Ndoshta e verteta nuk ju hyn fare ne pune, por, dicka duhet te beni, nese ju kerkohet te vazhdoni me shkrime te tilla. Duhet te njihni ligjet, qofte edhe perciptas, per te mos perseritur disa gabime qe ju bejne qesharak. Me ne fund, po te pyesni te parin gjykates, me nje fare pervoje, qe do te ndeshni ne rruge, me siguri do t'ju thote se ky gjyq nuk duhej bere fare, sepse i mungon baza ligjore. Kur konteston pronen e dikujt, duhet te praqesesh nje prove cfaredo, se prona te takon ty, ndryshe, padia nuk pranohet. Por ja qe ky gabim u be fillimisht nga Gjykata e Fierit, dhe po mbahet ne kembe me gjithfare mjetesh, per te provuar se prona nuk i takon zonjes Godo, pa thene se kujt i takon. Kjo perben tere boshtin fals te lojes.
Sa per dy "badigardet", njeri prej tyre eshte nje qytetar i Fierit, i interesuar per ceshtjen, ndersa tjetri i mban dosjen avokatit. Pala tjeter vjen aty kallaballek, murmurit, e dikur leshon ndonje thirrje kercenuese. E kane nisur me kercenime qe me 1994, kur ne i pyetem njerezisht, nese donin t'i blinin dyqanet, me nje cmim te arsyeshem, ose t'i mbanin me qira. Tani u erdhen mendte dhe na kane cuar dy here ndermjetes per t'ua shitur dyqanet, gje qe s'mund ta bejme, se nuk jane me prona jone, i ka blere nje qytetar nga Fieri, qe ne vitin 1995. Tani kercenojne edhe gjykatesin, sic mund te deshmoje edhe policia e Fierit, megjithese ky gjykates ka pranuar cdo loje te tyren, duke e zgjatur kete fare procesi petej cdo gjyqi te zhvilluar ndonjehere ne Fier. Ne seancat e ketij gjyqi ose, edhe me pas, mund te ndodhin gjera te papelqyera, dhe, per kete do te mbani pergjegjesi morale edhe ju z. Brace, duke marre nen mbrojtje publikisht ca shamataxhinj, qe s'duan te njohin ligjin.
Eshte e qarte se juve ju thartohet gjaku, kur ju del perpara cfaredo ceshtje lidhur me pronen private ligjore, por nuk duhet t'ju erresohet mendja deri ne ate pike, sa te botoni falsitete krejt banale dhe te nxisni haptas anarkine dhe antiligjin.
Ju, zoti Brace, vijuat me kete ceshtje edhe ne numrin e 7 marsit, duke premtuar vazhdimin e metejshem. Me mbetet te besoj se, vec qellimit per te shmangur vemendjen e lexuesit nga problemi theres i korrupsionit, ndiqni edhe nje drejtim tjeter: T'u thoni 70 per qind te shqiptareve qe jetojne ne varferi dhe atyre dhjetera mijera familjeve, qe marrin buken me liste, se jane njerezit me pasuri "te pafund",si "plaku Godo", qe ju grabisin. Ju lumte, ky eshte stili i vertete bolshevik, eshte kulmi i mjerimit mendor. Vertet besoni se njerezit jane aq budallenj, sa te ushqehen me brockulla te tilla? Me zuri halli, duhet ta shpjegoj edhe kete pike.
Se pari, ju duhet te ndreqni konceptin tuaj mbi "pafundesine", sepse e tille eshte vetem gjithesia, kurse permasa te caktuara ka edhe rruzulli tokesor ku jetojme, ashtu sic ka permasa edhe pasuria e Vrionasve. Enver Hoxha i ka cilesuar Vrionasit si nje nder shtate familjet e medha latifondiste. Ketu ka pjesen e vet edhe gruaja ime, qe ndoshta trashegon 500 ose 700 ha toka bujqesore, pyje e kullota. E keqja eshte se nga keto s'kemi marre qofte edhe nje pellembe, kurse nga shume ha troje kemi marre 0,7 ha,kryesisht per fajin tim, sepse mendoja qe, cdo levizje e imja, ne kete drejtim, do t'i hapte telashe Partise Republikane. Ju keni te drejte te mos e besoni nje budallallek te tille, po ja qe keshtu eshte. Per te njejten aresye, ose per paaftesine time, gjate dymbedhjete vjeteve te shkuara, nuk jam marre me asnje lloj biznesi, sado te vogel. Si perfundim, te ardhurat e mia jane, fiks fare, te barabarta me rrogen tuaj si deputet. Nuk ankohem, jam shume mire, duke pare se c'ndodh me njerezit rreth e rrotull. Duke u marre me mua e me familjen time, me te gjalle e me te vdekur, ju i thuret vetes nje kurth, ku cdo njeri me ndershmeri sado te paket nuk do te ndihej mire, po ne kete nuk ju thirra une.
I dashur z. Brace
Ju me qani hallin, se po i shtyj ditet me gjyqe. Une nuk i shtyj ditet, po i jetoj ende te plota. Vezhgoj politiken, duke nderhyre, kur me jepet rasti, dhe merrem me letersi e pune te tjera te shoqerise. Dhe pres te shoh shume shpejt renien e pushtetit tuaj te vjedhjes, shpifjes dhe demagogjise se neveritshme, murtaje e vertete ngjyre roze. Pra, kam me se t'i mbush ditet e mia. Dhe nuk ju lejoj te me quani plaku Godo, sepse s'kam asnje afinitet me ju dhe racen tuaj. Nipat dhe disa nga miqte e mi te rinj me therrasin gjysh, duke me dhene kenaqesi, qe arrita kete moshe te nderuar, te cilen mund ta arrini edhe ju, Erjonka fare i vockel. Per hir te rregullave me fillestare te miresjelljes, ju mund te me therrisni vetem z. Godo. Nuk eshte ne nivelin tim, t'ju shkruaj juve kete leter, po ja qe u detyrova ta bej, sepse, per fat te keq, keni lexonjesit tuaj, dhe jane ata qe me interesojne, ciletdoqofshin.
Kodi universal i gazetarise ju detyron ta botoni kete leter menjehere, ne faqen e pare, pa i hequr asgje, e duke kerkuar ndjese. Kam dyshimin se nuk do te beni asgje nga keto, prandaj po e coj shkrimin edhe ne ndonje gazete tjeter. Sikur per cudi ta botoni sic thashe, do te jete radha ime t'ju kerkoj ndjese, se nuk e pres koken e falur. E mbaj veten per njeri te drejte, qe nuk te godet me pabesi, prandaj po ju them se, po te mos e botoni sipas kerkesave te mia, do t'ju coj para gjykatesit, duke kerkuar demshperblim te barabarte me fyerjen dhe diskreditimin publik, qe po perpiqeni te me beni. Sigurisht, tani ju po vini buzen ne gaz, se per ju pabesia s'ka kuptimin e duhur ne gjuhen shqipe, dhe sepse e dini qe zor te gjendet ndonje gjykates, qe te penalizoje organin e partise ne pushtet. Por do ta ndjek kete padi edhe pasi te merrni rrokullimen, sepse, sic thashe edhe ne fillim te letres, kjo do te jete padia e pare ne jeten time, ndaj duhet ta fitoj patjeter.
-----------
Krijoni Kontakt