PDK, as e dyta në garë për Prishtinën!
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e konsideron rival të denjë Partinë Demokratike të Kosovës në garë për komunën e Prishtinës. Madje, sipas përfaqësuesve të LDK-së, partia e kryeministrit Hashim Thaçi nuk është as partia e dytë pas LDK-zë në zgjedhje.
Kështu u tha të premten në një takim që lideri opozitar Isa Mustafa zhvilloi me kryetarët e degëve dhe kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013.
Megjithatë as pas këtij takimi Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arriti që të tregojë kandidatin e kësaj partie për kryetar të Prishtinës.
Kujtim Shala, anëtar i Kryesisë së LDK-së, u shpreh optimist se partia e tij denjësisht do t’i fitojë zgjedhjet në kryeqytet, ndërsa tha se nuk iu frikësohet kandidaturave të partive tjera, gjegjësisht PDK-së. “PDK-ja nuk është parti konkurrente në Prishtinë, dhe nuk është as parti e dytë, dhe nuk do të ketë garë të madhe për Prishtinën ashtu siç thuhet. LDK-ja do të fitojë zgjedhjet lehtësisht edhe kësaj here”, ka thënë dje Shala.
Sipas tij, LDK do të kërkojë vota në të gjitha komunat e Kosovës dhe se javën e ardhshme do të marrin emrat e të gjithë kandidatëve të mundshëm për kryeqytet nga të gjitha degët.
I pyetur pse LDK nuk ka asnjë femër kandidate për komuna, Shala tha se edhe pse mendojnë për promovimin e tyre, zgjedhjet janë garë politike, dhe llogaritë bëhen ndryshe. “Mund të promovohen më së miri, por këtu është një garë politike ... Nuk është çështje kuotash dhe promovimesh, pasi që ne jemi në garë që të fitojmë zgjedhjet, dhe se do të kemi kryesuese të listave, kryesuese të kuvendeve komunale dhe në asamble do të jenë më shumë se 30 për qind femra”, tha Shala.
Ndërkaq kryetari Mustafa tha se qëllimi themelor i LDK-së është që të bashkëbisedojë me lidershipin e saj lokal, për procesin e organizimit të zgjedhjeve lokale që do të jenë më 3 nëntor të këtij viti. Krejt kjo, u tha se po bëhet për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë fer, demokratike, të rregullta dhe të masivizohet pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje dhe të mundësohet një proces zgjedhor i cili do të vendoset nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Ne dëshirojmë që rezultatet të cilat i arrijmë në zgjedhje të jenë rezultate të premtimeve objektive që do t’i bëjnë kandidatët e LDK-së, sepse nuk dëshirojmë të japim premtime të cilat nuk do të mund t’i realizojmë gjatë periudhës së ardhshme katërvjeçare”, ka thënë kryetari Mustafa, i cili më tutje ka shtuar se LDK synon të marrë plotësisht përgjegjësinë për atë që iu premtohet qytetarëve ashtu siç komunikojnë dhe çfarë do t’i thuhet publikut gjatë kësaj periudhe kohore.
Zëri
Krijoni Kontakt