
Postuar më parë nga
seleukeia
Studentët: E duam si UP, jo UPDK
Publikuar: 09.05.2012 - 14:06
Prishtinë, 9 maj – Aktivistë të organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim” kanë zhvilluar sot një performansë para Universitetit të Prishtinës, me moton “E duam si UP, jo UPDK”. Në komunikatë ata theksojnë se Universiteti i Prishtinës është kapur nga pushteti. Përmes kontrollit të shtruar nga mekanizmat e vëna si Këshilli Drejtues politik, që zgjedh rektorin politik e i cili shtrinë ndikimin e interesave politike të pushtetit të cilit i takon, UP po mbushet edhe në strukturën e vet akademike me njerëz të pushtetit.
Tashmë u bë e dukshme që edhe agjentët e shërbimeve sekrete po futen si personel akademik në UP. Ish agjenti i SHIK-ut dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu – Kamishi po futet si profesor asistent në Universitet, duke mos e plotësuar asnjë kriter statutor të UP-së, por duke plotësuar kushtin kryesor të mekanizmave që e kontrollojnë UP-në, atë të të qenit njeri i pushtetit. Po shkelen Statuti dhe Ligji për Arsimin e Lartë me të dyja këmbët, vetëm që pushteti ta laramanizojë pak përbërjen e vet në UP, duke futur tash edhe ish agjentë shërbimesh.
Ne i tërheqim vërejtjen Senatit të UP-së dhe secilit institucion relevant, që të mos gabojnë duke pranuar të futen në skemat e pushtetit, jashtë skemave të akademisë. Nga këtu, ne i bëjmë thirrje Senatit, të gjithë profesorëve të UP-së që ta mbrojnë Universitetin nga pushteti i korruptuar, t’ia kthejnë Universitetit akademinë dhe metodat shkencore.
Intelektualët e këtij vendi, s’janë intelektual nëse heshtin përballë kësaj katastrofe sociale. Është detyrë e secilit qytetar, aq më shumë përgjegjësi e secilit intelektual, ta mbrojë publiken dhe publikun nga pushteti i korruptuar.
Me Këshillin Drejtues të PDK-së, me rektorin e PDK-së, me profesorë si ministra e deputetë të PDK-së, tash, me simbolin qesharak të SHIK-ut të PDK-së – Kamishin, UP është bërë UPDK.
Rruga që keni zgjedhur për në UPDK është rrugë që kalon mbi Statutin, Ligjin, dhe normat shoqërore të Republikës, prandaj ne do t’ju ndalojmë me të gjitha format e organizimit studentor. Studentët e UP-së, bashkë me shumë profesorë të vullnetshëm për universitet të mirëfilltë do ta mbrojnë UP-në.
Ne aktivistët e “Studim Kritikë Veprim”, angazhohemi që të hiqet Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, që kompetencat e tij t’u kalojnë Senatit dhe këshillave të fakulteteve, që Universiteti ta ushtrojë autonominë e tij dhe që bartësit kryesor të Arsimit të Lartë – Universitetit të Prishtinës, t’i rritet buxheti.
Studentët e duan UP-në. Nuk e duan UPDK-në. UPDK është e paligjshme. E vetmja mënyrë për të mbërritur te UPDK është duke shkelur në Statutin e UP-së dhe ligjet e Republikës. Kjo rrugë çon në shkatërrimin e sigurtë të shoqërisë sonë. Ne, do ta ndalojmë këtë shkatërrim.
Koha ditore
Krijoni Kontakt