
Postuar më parë nga
OPARI
Mars 24th, 2012
“Tutorin e liroi xhaxhai i tij gjyqtar, bleu vilë trekatëshe në fshat”
Roza u mashtrua nga i dashuri, njerku e përdhunonte.
“Trafikantët kërkonin kokën time”. Kështu është shprehur në një intervistë për CNN, Mimi Charakova, autore e një dokumentari që trajton historinë e trafikimit të prostitucion të një 12-vjeçareje shqiptare. Dokumentari i saj shfaqet për herë të parë për publikun e Londrës, ndërsa në fund të vitit të kaluar, në dhjetor 2011, u nderua me çmimin për kurajën në Festivalin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Nju Jork. Historia tashmë ndërkombëtare është fati i keq i Rozës, vajzës nga Shqipëria, e cila pas një fëmijërie të ndrydhur, pas përdhunimit nga njerku i saj, trafikohet jashtë Shqipërisë duke u bërë pjesë e botës së dhunshme të industrisë së mishit të bardhë. “Ajo kishte veshur këmishën e saj rozë dhe sandalet e preferuara ditën kur u largua nga fshati i saj në Shqipëri. Nëna i thirri me zë të lartë përpara se të futej në makinën e kuqe ‘Mitsubishi’ të të dashurit të saj. Por ajo nuk e ktheu kokën për t’i thënë ‘mirupafshim’. Ishte 12 vjeçe dhe e nevrikosur”. Kështu shkruhet në skenarin e dokumentarit që ka për autore Mimi Charakova-n, regjisore amerikane. Dokumentari është titulluar “Çmimi i seksit”. Skenari ngërthen një histori tërësisht shqiptare, një vajzë nga fshati në adoleshencë, e cila njihet me një mashkull më të madh se veten dhe bie në dashuri. Më pas ëndrrat për një jetë të re e deri tek udhëtimi me skaf drejt Italisë dhe të papriturat e fatit atje.
Vajza shqiptare
“Quhej Roza, prej vitesh përdhunohej nga njerku. Nuk mund t’i tregonte gjë nënës, sepse e dinte që do ta largonin nga shtëpia dhe do ta shanin. Kur mbërritën në Itali, i dashuri i kërkoi që të punonte për të si prostitutë. Në fillim ajo mendoi se bënte shaka: la shtëpinë, braktisi familjen për të qenë me njeriun që donte, me të cilin ëndërronte se një ditë do të martohej. Ai ishte i rritur dhe ajo e dashuruar. Por njeriu që donte e ktheu atë në realitet. I tha sa shumë para u harxhuan për rrugën, për dokumentet false, për rrobat dhe gjithçka tjetër që e bënin atë të dukej e bukur. Ajo qau, ndërsa ai i preu gjurin me thikë në mënyrë që ajo të pushonte. Për 7 vitet që do të pasonin shenja ishte një kujtesë se ajo s’kishte njeri tjetër veç tij”. Historia e dhunshme dhe kriminale rrëfehet nga vetë protagonistja e ngjarjes, e cila tashmë ndodhet diku në një strehë ndihme për viktimat e trafikut. Vajza dëshmon se sapo i është dhënë mundësia e ka denoncuar trafikantin dhe shfrytëzuesin e saj. “Por xhaxhai i tij ishte gjyqtar”, tregon vajza shqiptare. Sipas saj, tutori i dhunshëm i saj u la krejtësisht i lirë. Ai që e kishte shfrytëzuar atë në mënyrë të dhunshme me rrahje e kërcënime në Itali dhe Belgjikë, u largua për pak kohë nga Shqipëria derisa “gjërat” u ftohën. Pas denoncimit në polici dhe tashmë kur ndodhet nën ndihmë sociale, Roza thotë se ka mësuar për tutorin e saj. Ai është i lirë, i padënuar dhe i kthyer në Shqipëri. Sipas Rozës, ky person ka blerë një vilë trekatëshe në fshatin e saj në Veri të Shqipërisë.
Braktisja
Ajo që ka ndodhur me Rozën është më se e rëndë. Familja e saj e mohoi atë, të afërmit e quajtën lavire dhe nëna e saj, ende e zhgënjyer, nuk e di se i pari që abuzoi me Rozën ishte në fakt njeriu që i kishte rrëmbyer asaj ndjenjat në një kohë. Dokumentari ilustron gjendjen aktuale të Rozës, protagonistes së historisë. Vajza mbahet e mbyllur në një qendër rehabilitimi të viktimave, ndërsa tutori i saj i pasuruar dhe i pandëshkuar endet i lirë. Autorja e dokumentarit, e shquar edhe në fushën e fotografisë, shpjegon se ka investuar histori të tilla edhe përtej Shqipërisë, megjithatë, subjekti i Rozës është i veçantë. Për realizimin e dokumentarit autorja kishte mbledhur dëshmi dhe materiale për shtatë vite me radhë deri në kompletimin e historisë.
Krimet e Rënda: Vajza u çua në Itali
Trafikoi të dashurën e vëllait, në gjyq 22-vjeçari tiranas
Krijoni Kontakt