Homofobia si konstrukt propagandistik
Nga : Ergys MERTIRI
Homoseksualiteti është parë në të gjitha kulturat, që prej thellësive më të largëta të kujtesës njerëzore, si një ves i keq, që e shëmton qenien njerëzore. Ndonëse shumë njerëz sot argumentojnë se ka ekzistuar në të gjitha shoqëritë, ai gjithashtu ka qenë kudo një sjellje e dënuar ashpërsisht. Disa përjashtime të vogla në fise të largëta primitive, por dhe në thellësi të historisë, në antikitet, nuk e thyejnë rregullin. Megjithatë, të paktën në antikitet nuk mund të themi se homoseksualiteti nuk ka qenë i dënueshëm. Jo më kot filozofët grekë e romakë ia kanë kushtuar pjesën më të madhe të veprave të tyre etikës, duke i dhënë filozofisë një natyrë thellësisht moraliste. Vetë antikiteti ka kaluar nëpër disa faza, të cilat kanë sjellë qëndrime të ndryshme të shoqërive ndaj moralit. Autorë të shumtë pohojnë se duhet bërë dallim midis antikitetit të periudhës liberale, të përfaqësuar nga mbretërimi i Perikliut, e cila pasoi me degradimin e Greqisë së lashtë, nga ajo para tij, që përbën periudhën ku zë rrënjë filozofia. Jo më kotë filozofia etike fillon të rritet gjatë dhe pas periudhës së Perikliut. Kjo vjen për shkak se nevoja për artikulimin e mendimit etik kushtëzohet prej problemeve të përhapura në shoqërinë greke prej relativizmit moral. Sokrati, Platoni e Aristoteli, që konstruktuan themelet e mendimit botëror, në thelbin e tyre janë ngritur për t’i bërë barrierë sofizmit liberal e skeptik.Më pas, me degradimin shoqëror të Greqisë, dy shkolla të mëdha do të dilnin si reagim, duke prodhuar: e para një filozofi të distancimit prej një bote të prishur, e dyta një filozofi të qëndresës ndaj saj. Megjithatë, oratorët e sotëm të lirisë dhe të të drejtave të njeriut i referohen homoseksualitetit grek si një burim legjitimiteti, a thua jemi qytetërim greko-romak vetëm për shkak se kemi përvetësuar veset e antikitetit apo për vijimësinë e mendimtarëve që i luftuan këto dukuri
Robërimi i fjalës
Me gjithë faktin se njerëzimi gjithmonë e ka dënuar homoseksualitetin, vjen një ditë kur njeriu fillon e beson se gjërat duhet të përmbysen, se ai ka zbuluar “botën e re” me vlera krejt të tjera nga ato të deritanishmet dhe se për mijëra vjet njerëzimi ka jetuar në mashtrim. Homoseksualiteti nuk qenka më i keq, nuk qenka më denatyrim, sëmundje apo ves, por thjesht një orientim alternativ në ushtrimin e seksualitetit. Jo vetëm kaq, por homoseksualët paskan pasur të drejta legjitime që këtë sjellje ta shfaqin dhe promovojnë hapur, madje të krijojnë edhe familje e të adoptojnë fëmijë. Kjo do të thotë se historia njerëzore paska qenë kriminale, pasi ua mohuar këto të drejta që prej zanafillës së saj njerëzve që kanë dëshiruar të kenë këtë prirje. Pra, vjen një ditë që besojmë se homoseksualiteti jo vetëm është diçka krejt normale, e natyrshme dhe legjitime, por e gjithë bota ka qenë anormale, e panatyrshme dhe ilegjitime. Si pasojë e lobingjeve dhe një aktivizimi të fuqishëm, lëvizjet gej kanë arritur t’u imponohen organizatave kryesore ndërkombëtare mbi shëndetin psikik për të hequr homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve psikologjike. Dhe jo vetëm kaq, por tashmë ata kanë hedhur hapa më tej, duke gjetur edhe një diagnozë për të gjithë ata që vazhdojnë të mendojnë me të vjetrën e që nuk pranojnë të ndryshojnë bindjen ndaj kësaj sjelljeje. E gjithë kjo tashmë ka një emër që e liston si çrregullim: homofobi. Tashmë nuk është më homoseksualiteti një çrregullim, por e kundërta, çrregullim është mospranimi i tij. Pra, të sëmurë tashmë janë të gjithë ata që nuk e duan përhapjen e tij.Megjithatë, gjërat nuk mbarojnë këtu. Lëvizjet gej reagojnë kudo me të gjitha mjetet: protestojnë, kërcënojnë, fyejnë publikisht këdo që nuk pranon verdiktin e tyre, e madje imponojn edhe hartimin e ligjeve kundër homofobisë, nëpërmjet të cilave kërcënojnë me burg këdo që shprehet ndryshe nga standardet e tyre etike mbi homoseksualitetin. Një prej drejtuesve të shoqatave të komunitetit gej në Shqipëri kërcënoi këto ditë me padi penale zëvendësministrin e Mbrojtjes për një fjalë goje të thënë në mënyrë frazeologjike: “Këta duan dru”, duke kërkuar deri në 5 vjet burg. Një fjalë goje e tillë ndezi një maratonë debati në opinionin publik shqiptar, ku natyrisht zërat “homofobë” ishin shumë pak, ndërsa korit të mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve iu bashkua një armatë e tërë institucionesh e individësh publikë, që nga Kryeministri, Avokati i Popullit, disa ambasada, organizata të shumta kombëtare e ndërkombëtare, e deri te një mori opinionistësh, gazetarësh, intelektualësh etj. Ndërkohë lëvizja gej kërkoi ngritjen e flamurit të saj përkrah atij kombëtar në institucionet shtetërore më 17 maj, kërkoi gjithashtu që në universitetet shqiptare të futet një lëndë më vete informative për komunitetin LGBT dhe të drejtat e homoseksualëve, si dhe mbështetjen e shoqërisë civile për një protestë në shesh, pa harruar këtu të përmendim një fushatë të tërë në funskion të promovimit të lëvizjes së tyre të mbështetur nga media, intelektualë e OJQ të shumta. Është e trishtë të vëresh se në një vend me mijëra probleme si Shqipëria kjo është kauza më e paguar dhe mbështetur. Në një vend ku të drejtat dhe dinjiteti i njeriut shkelen kaq kollaj me këmbë nga të katër anët, është një shtet i tërë që tregon dhëmbët kaq fuqishëm për të drejtat dhe dinjitetin e një komuniteti të tillë, që as nuk shfaqet që ta dimë se ku dhe sa është. Kjo është një nga paradokset e mëdha, që dëshmon shumë për atë çfarë po ndodh me shoqërinë civile si dhe themelet kulturore të këtij vendi.
Diktatura e termave
Në një realitet si ky i shoqërisë shqiptare, ku homoseksualiteti nuk përbën kurrfarë shqetësimi të përditshëm, shumëkush ka mësuar tashmë se bota paska një ditë të veçantë të rezervuar për të kujtuar se disa njerëz, me qejfe seksuale të ndryshme nga ato të të gjithë njerëzisë, paskan të drejtë të mos paragjykohen për këto qejfe të tyre. Dhe për pasojë, kjo ditë qenka rezervuar në funksion të një kauze që synon të na çlirojë të gjithëve nga një sëmundje psikike që na bën të mos pranojmë homoseksualitetin, e cila u quaka “homofobi” (!). Konfuzioni që shkaktohet nga e gjithë kjo, nëse përpiqemi t’i hyjmë një reflektimi më në brendësi perceptimit të të drejtave dhe lirive, është mjaft i madh. Por në fakt sheshazi duket se ajo çka me ngulm kërkon të shmangë kjo kauzë është pikërisht reflektimi shoqëror mbi tërësinë kuptimore të kësaj dukurie. Ajo që synojnë fushatat në mbrojtje të homoseksualitetit (ashtu si në përgjithësi të gjitha fushatat) reduktohet te përftimi i sensibilitetit dhe jo te qartësia intelektuale mbi dukuri të tilla, të cilat e kanë turbulluar dhe komplikuar skajshmërisht jetën shoqërore dhe aftësinë e mendjes njerëzore për t’u dhënë gjërave vendin e duhur. Ajo kërkon të rekrutojë njerëz në hutim e sipër për t’i radhitur në mënyrë të pavetëdijshme në mbrojtje të kauzës së tyre, të prodhuar jo nga rigoroziteti racional, por nga fuqia përthithëse e klisheve. Homofobia nuk është gjë tjetër veçse një konstruksion konceptual, që shërben si bosht lëvizës për makinerinë propagandistike të kësaj kauze. Ky konstruksion synon ta zgjidhë situatën në dy drejtime: së pari, duke prekur ndjeshmërinë shoqërore në lidhje me të drejtat që i shkelen këtij komuniteti (!), së dyti synon të pengojë çdo gjykim që i kundërvihet nëpërmjet delegjitimimit të akuzave për homofobisë. Nëse nuk mendon se homoseksualiteti është njësoj si heteroseksualiteti, atëherë je homofob dhe rrjedhimisht ti kategorizohesh tek armiqtë e lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Në këtë mënyrë homofobia është damka propagandistike e prodhuar nga lëvizja gej, që shërben si tel me gjemba përballë çdo gjykimi ndaj homoseksualitetit. Kjo strategji nuk është gjë tjetër veçse një mjet censure duke përdorur klishetë si mjeti i vetëm për të mbyllur gojët e kundërshtarëve. Rrjedhimisht liria e të shprehurit në lidhje me këtë temë ndrydhet plotësisht, duke penguar çdo ide normale dhe të natyrshme nën pretekstin se ajo fyen një komunitet me sjellje në fakt aspak të normale dhe të natyrshme. Kjo është saktësisht ajo çfarë synon të sjellë lëvizja gej në Shqipëri (ashtu si kudo tjetër) dhe që falë investimit dhe lobimit të fuqishëm ia ka dalë të arrijë fitore të mëdha. Mos po e ekzagjeroj? Absolutisht jo. Ligji antidiskriminim, i miratuar në unanimitet (në një vend që presupozohet të jetë ende shumë patriarkal) nga parlamenti shqiptar, bën që liria e fjalës në këtë drejtim të jetë seriozisht e kërcënuar. Në emër të këtij ligji zëvendësministri Spahia u kërcënua me 5 vjet burg.
Fobi virtuale
Sipas përkufizimeve terminologjike, fobia është një frikë anormale, ngulmuese dhe ankthndjellëse, që lidhet me objekte apo veprime të caktuara, të cilat shkaktojnë çrregullime dhe anomali në sjellje. Në një mënyrë të ngjashme, homofobia synon të na tregojë se mospranimi i homoseksualitetit përbën një dukuri jonormale, që krijon anomali në jetën shoqërore dhe që ka nevojë për ndërhyrje terapeutike. Natyrisht, termi është ideologjik dhe nuk mund të merret në mënyrë të fjalëpërfjalshme, por në një nivel analogjie mesazhi që synon të na përcjellë është pikërisht ky: çdo manifestim kundër gejve ka burim patologjik, qoftë ky psikologjik, ideologjik apo kulturor. Në të njëjtën linjë analogjie duhet shpjeguar se fobitë janë reagime instiktive, të pakontrolluara të individit në rrethana të caktuara përballë objektit që i shkakton, ndërkohë që realisht mospranimi i homoseksualitetit nuk është diçka që buron thjesht nga reagime instiktive. Përkundrazi, është një mori intelektualësh, studiuesish kudo në botë që shprehin mospranimet e tyre ndaj kësaj sjelljeje, të mbështetur në arsyetimeve dhe reflektime rigoroze racionale dhe mbi të gjitha të mbështetur në studime të thelluara. Pra, reagimi kundër gejve nuk është irracional, siç përpiqet të na e paraqesë lëvizja gej. Në këtë mënyrë, termi “homofobi” përbën një sajesë, e cila synon të delegjitimojë dhe kriminalizojë kundërshtarët. Ai nuk synon të luftojë diskriminimin në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjë që mund të bëhej duke promovuar tolerancën, si një term që godet vërtet në shenjë, duke targetuar kategoritë shoqërore diskriminuese ndaj homoseksualëve. Përkundrazi, ai ka në shënjestër pikërisht alternativën kundërshtare, të cilën në një luftë të tillë propagandistike synon ta damkosë ideologjikisht. Ky ligjërim ka për qëllim të promovojë alternativë duke eliminuar një tjetër dhe nuk synon thjesht të mbrojë një shtresë të dhunuar apo të diskriminuar. Pra, lëvizja nuk synon thjesht të mbrojë homoseksualët nga diskriminimi, por të mbrojë homoseksualitetin nga delegjitimimi moral dhe kulturor. Diskriminimi është vetëm një mjet për të justifikuar dhe legjitimuar alternativën e tyre. Lëvizja gej e kërkon diskriminimin si një mjet justifikues për legjitimitetin e alternativës së tyre. Ata përpiqen të kërkojnë diskriminues edhe aty ku nuk ka, dhe kjo vjen sepse vetëm nëpërmjet kazuseve merr jetë kauza e tyre, e cila në tërësi has në indiferencën e njerëzve.Homofobia përbën një element retorik, që synon t’i japë një ekzistencë të përcaktuar kundërshtarit. Nisur nga pikëpamjet e shumë autorëve modernë, ligjërimi krijon realitet dhe lufta mediatike për t’u dhënë jetë termave nuk është gjë tjetër veçse një luftë për t’u dhënë identitetin e dëshiruar objekteve konkrete. Në një realitet të mediatizuar çdo objekt ekziston vetëm nëpërmjet të shfaqurit. Në këtë mënyrë lobi gej e prodhon realitetin antigej duke e paraqitur ashtu siç i vjen atij për shtat, për sa kohë që ky lob sundon hapësirën mediatike shqiptare. Në rastin konkret termi “homofobi” synon të përcaktojë identitetin e kundërshtarëve, në mënyrë të atillë që beteja e tij të jetë e humbur që në fillim. Gjuha e debatit mbetet për pasojë peng i termave të tillë që në vetvete përjashtojnë debatin. Debati mbetet të zhvillohet në fushën e kundërshtarit, duke qenë i detyruar të përdorësh armët e tij. Betejat ideologjike janë të tilla ku të duhet ta krijosh kundërshtarin që duhet të mundësh. Lëvizja gej krijon homofobin si kundërshtar artificial për të fituar betejën me konservatorizmin. Ndeshja është e trukuar e për rrjedhojë rezultati është fals. Nga e gjithë kjo mund të themi se homofobia nuk është gjë tjetër veçse fjala kyç, që shërben për të kyçur lirinë e fjalës kundër homoseksualitetit. Është termi efikas, që shërben si kurth për të ngatërruar mendimin nëpër labirintet tautologjike të shpikura për t’i dhënë anormalitetit një status të mbrojtur, madje edhe të privilegjuar, kulturor, shoqëror e juridik.
huazuar nga Lajmi Shqip
Krijoni Kontakt