Pjese artikulli e shkeputur nga gazeta Shekulli! :
Një ditë pas publikimit të raportit të Ministrisë së Drejtësisë që akuzonte 59 prokurorë për shkelje të ligjit, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Duke hedhur poshtë konkluzionet e dikasterit të Drejtësisë theksohet se “ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe t’i demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore”.
Shoqata shprehet se “konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk i përgjigjen realitetit dhe janë jo objektive”.
Gjithashtu shoqata e prokurorëve akuzon ministrinë e Drejtësisë se “në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv”. /F.Stafa/
Krijoni Kontakt