Rreth 60% e shqiptarëve me dhëmbë të prishur
2011-09-23
Gazeta Shqip
Kultura orale është një nga pikat e dobëta të shoqërisë shqiptare. Kjo për shkak se kujdesi që tregohet ndaj dhëmbëve është shumë i vogël, për të mos thënë që në më të shumtën e rasteve neglizhohet plotësisht. Autoriteti Shëndetësor Rajonal, nëpërmjet një raporti bën me dije se 60 për qind e shqiptarëve i kanë dhëmbët aq të prishur sa është e pamundur t’u ndreqen më.
Ky raportim vjen në kuadër të javës ndërkombëtare të sensibilizimit për dhëmbë të shëndetshëm. Shefja e promocionit pranë Shëndetit Publik, Vojsava Sulçe, tha se pas një studimi mbi shëndetin oral në rang vendi, ka rezultuar se të rriturit kanë më shumë probleme, pasi neglizhojnë të kujdesen për dhëmbët.
“60% e popullsisë kanë dhëmbë të dëmtuar. Nuk është treguar kujdes, nuk është bërë kontroll i rregullt kur dhëmbët janë të shëndetshëm dhe paraqiten kur dhëmbi është i prishur. Te fëmijët është diçka më mirë se te të rriturit. Te fëmijët, duke pasur edhe personelin shëndetësor në shkolla, bëhet florizimi në shkollë, bëhet edhe kontrolli, depistimi”, tha Sulçe.
Meqenëse në javën ndërkombëtare të sensibilizimit për dhëmbë të shëndetshëm, dje nxënës të shkollave të ndryshme prezantuan njohuritë e tyre mbi parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve nëpërmjet pikturave. Madje, ata u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre, që të tregojnë kujdes të veçantë për dhëmbët, me qëllim që më pas të mos kenë probleme serioze.
Specialistët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal pohuan se janë zhvilluar fushata për parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve. Ata bënë me dije se gjatë këtij viti shkollor nxënësit mund ta marrin shërbimin dentar nëpër shkolla, pa kurrfarë hezitimi, pasi janë të garantuara të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme.
Krijoni Kontakt