Le të shesin pronat e tyre private, jo pronën tonë publike
27 GUSHT 2012 - E Hënë 07:05
Fjala e Dardan Sejdiut
Ekonomia e Republikës së Kosovës ka 12 vite që është duke u rrënuar nga një model ekonomik i cili sillet rreth dy të pavërtetave të mëdha. E pavërteta e parë, është që fjala infrastrukturë është e njëjtë me fjalën asfalt. E pavërteta e dytë, është që privatizimi i pronës publike sjell deri te zhvillimi ekonomik. Që të dyja janë asgjë më shumë se retorikë e pavërtetë por e domosdoshme për të padijshmit e qeverive të deritanishme.
Pra, të padijshmit, mjetet që duhet të jenë në funksion të pasurimit, zhvillimit dhe punësimit për qytetarët e kësaj republike, janë shndërruar në mjet për pasurimin e vetës së tyre, në mjet për të mbushur xhepat e këshilltare të cilët në fund na tregojnë se si shpronësohet publiku, si varfërohet vendi, dhe si shiten pasuritë.
Shtatori i vitit 2012 do të mbahet në mend. Do të mbahet në mend për shkak se kjo qeveri e ka finalizuar planin e shitjes së Kosovës, shitjes së Distribucionit të Kosovës, shitjes së Telekomit, dhe likuidimit të Trepçës. Ndërsa, nëse organizmi qytetar, sindikal, opozitar, edhe ai i shoqërisë civile së bashku me mediat është i fuqishëm atëherë do të mbahet në mend për faktin se ky organizim arriti të ndalë këtë plaçkitje të kamufluar me emrin privatizim.
Secili shtet që synon zhvillimin dhe rritjen ekonomike e kupton që pronësia mbi asetet strategjike, e sidomos pronësia mbi shumicën e aksioneve në këto asete, është e domosdoshme për orientimin dhe zhvillimin ekonomik të një vendi.
Republika e Kosovës ka shumë asete të këtilla, PTK, Trepça, KEK (KEDS) janë të tilla. Që të tre këto asete janë strategjike dhe si të tilla janë edhe të pazëvendësueshme në çfarëdo modeli të mirëfilltë zhvillimi. Pra, kushdo që ia dëshiron të mirën Kosovës nuk do i privatizonte këto ndërmarrje, e sidomos jo në formën, mënyrën dhe çmimet me të cilat këta e bëjnë.
PTK i sjell buxhetit të Kosovës në formë dividendash, taksash dhe shpenzimesh rreth EUR 60 mln në vjet. Këto të hyra hyjnë në buxhet me gjithë keq-menaxhimin që kjo Qeveri prej vitit 2008 i bënë kësaj ndërmarrje. Pra, Qeveria me borde, drejtor, punësim partiak e para-partiak, me ndalimin e investimeve në PTK dhe me punësimin e proponenteve partiak, ka tentuar dhe në masë të madhe edhe zhvlerësuar PTK-në, por prapë se prapë të hyrat janë mbi EUR 60 mln në vit. Thënë shkurt, zhvlerësimi është metoda, shpronësimi është qëllimi, dhe privatizimi është emri prapa të cilit fshihen këta qeveritar.
Po të ishte qëllimi të zhvillohej tregu i telekomunikacionit, do kishte liberalizim të rregulluar. Ose që me shitje të Telekomit të financonim ndonjë projekt zhvillimor, ndoshta edhe do kishte hapësirë që kjo qeveri edhe të argumentonte disi për këtë shitje. Por ja që kjo qeveri, vazhdon të financon shpenzime miliardëshe për autoudhë rreth 80 kilometershe që kërkon mirëmbajtje të përhershme, me shitje të njëhershme të aseteve strategjike. Pra, gënjeshtra e parë e madhe financohet nga gënjeshtra e dytë e madhe, ose në përkthim shesim asete për asfalt.
Është e qartë që mund të ketë dallime rreth modelit ekonomik, rreth konceptit zhvillimor, por gjithsesi nuk duhet të ketë dallime në ndaljen e këtij procesi që shet 100% të aseteve strategjike me model që sjell varfërim, papunësi, më pak para buxhetit, e përfundimisht edhe më pak potencial për zhvillim e punësim aq të domosdoshëm për shoqërinë tonë.
Fjala e Visar Ymerit
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është përshpejtuar e veçanërisht pritet të përshpejtohet në fazën e dytë të vitit. Arsyeja kryesore për këtë edhe pse natyrisht Qeveria kur nuk e thotë, është ngecjet financiare e fiskale që i ka shteti i Kosovës. Menaxhimi i buxhetit që po e bën Qeveria e Kosovës, po e sjell domosdoshmërisht shtetin e Kosovës në një krizë financiare, ku Kosova po detyrohet që t’i shesë asetet e veta shumë të çmuara me një përshpejtim të shitjes, me një çmim shumë të lirë, vetëm e vetëm për t’i mbuluar zbrazëtirat buxhetore që po i shkaktojnë projektet infrastrukturore të asfaltit e veçanërisht kjo kontrata shumë e dyshimtë me konsorciumin Bechtel-Enka. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës është duke marrë masa edhe duke u përgatitur që ta përmbyllë procesin e privatizimit të rrjetit dhe të distribucionit të energjisë elektrike, kontratën me konsorciumin Limak-Çalik në muajin shtator. Po ashtu në muajin shtator po flitet se do të shpallet edhe fituesi i tenderit për privatizimin e PTK-së, njëkohësisht pritet të finalizohet këshilli i kreditorëve për likuidimin e Trepçës, të cilët pastaj do ta marrin vendimmarrjen kryesore për mënyrën se si do të organizohet Trepça. Janë këto tri procese që do të ndodhin në shtator, të cilat do ta rrezikojnë përfundimisht mundësinë që Kosova të ngjallet ekonomikisht pastaj. Me shitjen e këtyre ndërmarrjeve strategjike publike, Kosova si shtet e humb një mundësi shumë të vlefshme për të intervenuar në sistemin ekonomik, për ta zhvilluar atë dhe për të ndikuar në rritjen e mirëqenies qytetare.
Lëvizja VETËVENDOSJE e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë privatizimin e kompanive publike. Së pari duhet ta kemi parasysh të gjithë ne që kompanitë publike nuk janë pronë e qeverisë e as e ministrave që janë aktualisht në qeveri. Me ligjet në Kosovë, Qeveria është e obliguar që për privatizimin e një pjese të aksioneve apo të gjithë kompanisë ta marrë miratimin nga Kuvendi, gjë që Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë as në rastin e kompanisë për distribuim e furnizim e as në rastin e PTK-së.
Për sa i përket legjitimiteti politik duhet ta kemi parasysh është që çfarëdo forme e organizimit të qytetarëve, qoftë OJQ-të,sindikatat, subjektet politike, apo grupacione tjera politike ,kanë dalë kundër privatizimit edhe të PTK-së edhe të distribucionit. Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovë nuk janë duke u pajtuar me privatizimin e këtyre kompanive publike. Vendimi për privatizimin e kompanive publike do duhej të ishte i qytetarëve, meqenëse kompanitë publike janë pronë e publikut dhe si të tillë janë pronë e të gjithë neve, të atyre që vijnë pas nesh dhe të atyre që kanë qenë para nesh. Kuptimi i publikes është diçka që nuk bëhet private. Kompanitë publike do duhej të ishin kompanitë që janë të paprivatizushme. Janë në interes kombëtar, në interes strategjik, në interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike.
Kompanitë publike funksionojnë në bazë të nevojave që kanë qytetarët. Nëse e marrim rastin e distribucionit i bie që pas privatizimit rrjeti për energji elektrike do të shkojë vetëm në ato pjesë të Kosovës ku ka leverdi investuese. Kjo nënkupton se fshatrat e thella në Kosovës mund të mbesin pa energji elektrike për shkak se kompania nuk ka interes të investojë në atë pjesë.
Janë disa momente ku nevoja dhe interesat e shtetit dhe nevojat e kapitalit privat nuk përputhen me njëra tjetrën. Për këtë kompanitë duhet të mbesin publike dhe t’i plotësojnë nevojat dhe kërkesat e shtetit. Ne konsiderojmë që këto kompani janë të domosdoshme të mbesin publike, ku publiku ta ketë pronën e vet dhe qasjen në pronën e vet.
Në anën tjetër kompanitë për të cilat po flasim kanë potencial shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sepse këto kompani konsiderohen makina të kesh-it. PTK sjell shumë para të gatshme për çdo vit. E njëjta gjë është edhe me energjetikën. Po të menaxhohej si duhet KEK-u, do të ishte kompani profitabile. Këto dy kompani janë shumë të rëndësishme për shkak se gjenerojnë të hyra të mëdha që po të përdoreshin për zhvillimin ekonomik (e jo të vidhen nga pushtetarët), atëherë do ta ndihmonin dhe përmirësonin tej mase qasjen në kapital për ndërmarrësit e tjerë që kanë vullnet ta zhvillojnë ekonominë e Kosovës, të ndërtojnë fabrikë, të hapin vende pune e të gjenerojnë prodhim. Në vend se këto para të përdoren për ta zhvilluar ekonominë, i gjithë ky profit po kalon në duar të kapitalit privat, ndërkohë që Kosova po përfundon duke i mbajtur në pronësi shtetërore ato kompani që janë në humbje.
Nëse kjo qeveri e ka për obligim për çfarëdo arsye, ose ka ndonjë borxh pa paguar e rrjedhimisht duhet të privatizojë pronë, atëherë le ta privatizojë pronën e vet private kryeministri e ministrat e tjerë që pajtohen me privatizimin, por jo ta privatizojë pronën tonë të përbashkët e të mirën tonë të përgjithshme, për shkak se e mira jonë e përgjithshme, hapësira jonë publike dhe kompanitë tona publike nuk duhet të jenë pre e një qeverie e cila as legjitimitetin më të vogël politik nuk e ka për të qenë aty e lëre më një kredibilitet tjetër demokratik.
Lëvizja VETËVNDOSJE!
Krijoni Kontakt