Close
Faqja 14 prej 107 FillimFillim ... 412131415162464 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 131 deri 140 prej 1065
  1. #131
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979



    Rrëzohet Vetëvendosje!



    Nga Express 05 Korrik 2012 14:56

    (E plotësuar) 48 kundër, 31 për dhe 2 abstenime mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka kaluar. Edhe pse ishte i harmonizuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ai nuk ka marr shumicën e votave të deputetëve.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në bisedimet që janë zhvilluar me përfaqësuesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u dakordua që të modifikohet teksti i mocionit dhe të reduktohet nga katër pika vetëm në dy.

    Ai më pas ka lexuar pikat e mocionit që parashiheshin ndërprerjen e privatizimit deri në sjelljen e informatave të procesit të privatizimit.

    “Këto pika siç u morë vesh po i lexoj e pastaj le të deklarohen grupet parlamentare se çka po mendojnë për to. Pika e parë të pezullohet procesi i privatizimit të kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike derisa të dorëzohen informatat e plota në Kuvendin e Kosovës në lidhje me këtë proces dhe pika dy thotë vendimi përfundimtar për privatizimin e merr Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar Ymeri.

    Pas propozimit të mocionit, kryetari i Kuvendit e hodhi në votim, ku me 48 kundër, 31 për dhe 2 abstenime nuk kaloj ky mocion.

    Seanca pritet të vazhdoj me shqyrtimin e disa projektligjeve dhe më pas shqyrtimin e Kodi Penal të Kosovës.

    Kurti e Thaçi “kapen” për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut

    Interpelanca e të enjtes është shndërruar në një debat të ashpër mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi. Kurti i ka quajtur paçavra kryeministrin Thaçi dhe ministrin, Besim Beqaj, duke thënë me këtë lloj të privatizimit ata janë duke bërë krim dhe duhet të shkojnë në burg, ndërsa në një moment i është drejtuar kryeministrit më fjalën “mos u zgërdhini”. Ndërkaq kryeministri ka thënë se nuk do të shpreh mllef ndaj Kurtit, përhirë të babait të tij, duke i rekomanduar atij që politikat elektorale t’i shpalos në Ferizaj e Kaçanik.

    Gjatë interpelancës së sotme, në lidhje me privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, pas shumë kritikave nga opozita në drejtim të Qeverisë, fjalën e ka marrë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

    Ai nuk ka kursyer akuza për kryeministrin Thaçi dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke i quajtur paçavra. Ai ka thënë se konzorciumi ndoshta i ka punët mirë me këtë dy persona, por jo me Lëvizjen Vetëvendosje dhe popullin e Kosovës.

    “Kërkojmë nga konzorciumi ‘Çalik dhe Limak’ që të mos e blejnë Distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën, duke përfituar nga kjo Qeveri e korruptuar. Ata mund të i kenë marrëdhëniet e mira me këto dy paçavra, por jo me Lëvizjen Vetëvendosje, jo me punëtorët e KEK-ut dhe jo me popullin e Kosovës. Këtë privatizim do të luftojmë pa pushim dhe përgjithmonë”, ka theksuar Kurti.

    Ndërkaq ka ardhur replika e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se po dëgjohen disa klithma çoroditëse të viteve të 60-ta dhe të ekspertëve të asaj kompanie.

    Shefi i Qeverisë ka thënë se këta zëra, për të mos ardhur investitorët në Kosovë, nuk janë dëgjuar kurrë nga bota.

    “Për të mos ardhur investitorët në Republikën e Kosovës, klithma se ju mund të bëni marrëveshje me shtetin e Kosovës, por jo me neve katër-pesë vetëve. Është fakt që bota si ka dëgjuar kurrë këto klithma të heshtura, të izoluara dhe me ndikim zero në opinion shqiptar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.

    Për më tepër ai ka shtuar se këta zëra të shterur, e klithma të çoroditura, kanë bërtitur që NATO-ja të mos vijë në Kosovë, po ashtu edhe kundër marrëveshjes në Rambuje.

    Po këta zëra u deklaruan edhe kundër bombardimeve të NATO-s dhe kundër prezencës së SHBA-ve, dhe BE-së në Kosovë. Gjithashtu ai ka thënë se po këta zëra ishin edhe kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve për statusin e Kosovës, për Kosovën e pavarur.

    Thaçi ka thënë se po ky zë pa ndikim dhe i shkëputur nga realiteti i Kosovës demokratike dhe evropiane, u deklarua se 17 shkurti 2008, dita kur Kosova realizoi ëndrrën historike për shtet të pavarur, është një vendim i pavlerë.

    Shefi i ekzekutivit ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë punën e vet, ndërsa Kurtit i ka rekomanduar që politikat elektorale t’i shpalos në Ferizaj e Kaçanik.

    “Po këta zëra vetëm tri ditë më herët u deklaruan me rezerva kur gjithë bota tregoi besim të palëkundur për Kosovën, kur gjithë bota në mënyrë entuziaste u deklarua për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Këta zëra e quajtën të parëndësishme. Ne do të vazhdojmë, ndërsa sa u përket politikave elektorale, shkoni në Ferizaj, në Kaçanik, atje u provuat”, ka deklaruar ai.

    Pas kësaj deklarate ka ardhur replika e Kurtit, i cili ka thënë se çfarëdo konstatimi që do të thotë kurrë nuk mund të ofendojë kryeministrin, pasi që siç ka thënë ai nuk ka identitet.

    Madje ai e ka akuzuar atë që vjedh edhe me tenderët për ngritjen e përmendoreve, duke e quajtur hajn klasik.

    “U tha që po ju ofendoj, por nuk mund t’iu ofendoj juve, përderisa nuk keni dinjitet. Unë çfarëdo konstatimi që bëjë për juve, kurrë nuk mund t’ju ofendojë. Unë s’po ju ofendoj, por po flas çka jeni, paçavër. Ju po vjedhni në emër të kombit, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kombëtaren. Ju ia keni vënë emrin ANP-së “Adem Jashari”, e keni bërë drejtor djalin e Hamzës, për ta shitur më lirë. Ju edhe në tenderët për përmendore të dëshmorëve vjedhni, jeni hajna klasik”, ka thënë Kurti.

    Përderisa ishte duke folur, Kurti, kryeministri qeshte, kjo ka bërë që lideri i Vetëvendosjes ju ka drejtuar atij me fjalën “mos u zgërdhini”.

    “Për këtë ju duhet të shkoni në burg, sepse ky është krim. Të shitet për 26 milionë tërë rrjeti i energjisë elektrike, ky është krim. Prandaj mos u zgërdhini, por bëhuni serioz, nuk jeni as serioz as i sinqertë. Ju nuk mund ta përfaqësoni qytetarin e Kosovës me këtë zgërdhirje”, ka thënë Kurti.

    Pas kësaj edhe njëherë ka replikuar kryeministri, Thaçi, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë mllef ndaj Kurtit dhe duke i thënë se do të kursej përhirë të prindit të tij.

    “Unë nuk kam ndonjë mllef për të shfryer ndaj jush, sepse nuk kam asgjë personale, përkundrazi unë e respektoj prindin tuaj, por ju i keni dalë nga dora”, ka theksuar ai.

    Gjithashtu ai ka thënë se nuk do të lejohet rikthim të mentalitetit monist, komunist dhe pretendimeve diktatoriale, “diktatorët po përfundojnë së shpejti edhe në Siri” ka thënë Thaçi./kosovapress/

    Kryeministër mos u zgërdhi

    Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur hajn tipik kryeministrin Hashim Thaçi.

    Ai këto akuza i ka bërë në seancën e Kuvendit, duke folur për privatizimin e ndërmarrjeve publike.

    Albin Kurti madje i ka thënë kryeministrit Thaçi “mos u zgërdhi”, transmeton Indeksonline.

    Kurse, kryeministri Thaçi e ka kursyer Albin Kurtin nga fjalët fyese, pasi që siç është shprehur ai e respekton babain e tij.

    Thaçi e ka quajtur të pandërgjegjshëm Albin Kurtin dhe ka thënë se tani ka kaluar koha e komunizmit dhe se ai nuk do ta shohë më fytyrën e Hashim Thaçit, pasi nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Kosovës.

    Kamishi dhe Selimi me akuza e kundër-akuza

    Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar të enjten me akuza dhe kundër-akuza nga deputetët që janë përfshirë në përleshjen e 28 qershor në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Përderisa deputeti, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës për atë që ka ndodhur, ai ka thënë kjo është bërë në hakmarrje për atë që ka deklaruar rreth lidhjeve të Albin Kurtit me shërbimin serb. Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se asnjëherë nuk do të durojnë provokimet e njerëzve të SHIK-ut.

    Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar ka kërkuar falje, për të sqaruar siç tha ai para qytetarëve incidentin që ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

    Ai ka thënë se në asnjë moment, me asnjë fjalë, me asnjë veprim, nuk kam qenë pjesëmarrës e as nxitës i asaj që ka ndodhur.

    Haxhiu ka thënë se duke i njohur të dy deputetët, Gashin dhe Selimin, është munduar të parandalojë dhe evitojë më të keqen, duke konsideruar se ajo që ka ndodhur ka qenë turp për Kuvendin.

    Por sipas tij, pas 20 minutave në një pritë të organizuar ka ndodhur sulmi fizikisht, pa paralajmërim nga 8 persona.

    “Jam sulmuar pabesisht nga ish-bashkëluftëtari Rexhep Selimi, nga ai i cili 20 minuta më herët e kam shpëtuar të mos rrahet nga Latif Gashi. Jam sulmuar nga Florin Krasnqi, një bandit i nëntokave të palara të bizneseve në Kosovë, i cili prej momentit të futjes në politikë në Kosovë, ka paralajmëruar vëllavrasjen, duke kërcënuar publikisht edhe kryeministrin e vendit”, ka thënë Haxhiu.

    Gjithashtu ai ka thënë se është sulmuar edhe nga Visar Ymeri, që siç e ka quajtur ai “një milingonë e politikës sekrete të Vetëvendosjes”.

    Haxhiu thotë se kjo ka ardhur në shenjë hakmarrje për atë që ka deklaruar më herët për Albin Kurtin për lidhjet e tij me shërbimin sekret serb.

    “Them se jam sulmuar në shenjë hakmarrje, duke mu përmendur gjatë sulmit edhe deklaratat e mija për Albin Kurtin. Nga Lëvizja Vetëvendosje kam pasur kërcënime nëpërmes letrave, por edhe forma të tjera, të cilat nuk kam dashur t’i bëjë publike, për të mos nxitur konflikt. Nuk kam dashur ta adresojë skenarin e vëllavrasjes që është duke e krijuar Vetëvendosja. E tërë kjo u bë që unë demaskova Albin Kurtin për bashkëpunimin e tij me shërbimin serb”, ka theksuar Haxhiu.

    Gjithashtu ai ka thënë se e mbyll këtë çështje dhe nuk do të merret më me këtë, përhirë të interesave të vendit.

    Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili ka qenë i involvuar në këtë ngjarje, ka thënë se qytetarët e Kosovës presin që të shpreh ndjenjën e keqardhjes, për gjithë atë çfarë ndodhi në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ai ka thënë se do të bëjë, por jo pa i thënë nja dy tri fjalë paraprakisht. Sipas tij me përfundimin e luftës më 1999 gjegjësisht 2000, një grup njerëzish që përgatiteshin për politikë dhe për të përfituar edhe politikisht nga lufta që lamë pas, “duke u thirrur pikërisht në emër dhe në vlerën e kësaj lufte e dhanë UÇK-në”, tha Selimi.

    Për më tepër ai ka shtuar se ata që hoqën dorë nga UÇK-ja, hoqën dorë nga betimi i ushtarit, hoqën dorë nga Qeveria e luftës, madje sot hoqën dorë edhe nga flamuri me të cilën luftuan, por sipas tij kurrë nuk hoqën dorë nga SHIK-u.

    “E çarmatosen UÇK-në dhe shuajten, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën. Prandaj ishte ky rrjet spiunazhi i quajtur SHIK, pa asnjë bazë ligjore vazhdoi veprimtarinë supersive edhe pas janarit të vitit 2000, ku u shuan edhe institucionet e përkohshme me Qeverinë e dal nga lufta”, ka thënë Selimi.

    Megjithatë, sipas Selimit, populli i Kosovës e meriton të dijë se kush ishte dhe kush është kjo organizatë që e mban në presion opinionin. Ai pohoi se për këtë asnjëherë nuk është dhënë përgjigje, pra pse nuk përgjigjen.

    Selimi ka përshëndetur deputetët që kanë nënshkruar iniciativën e deputetit, Florin Krasniqi, për krijimin e një komisioni hetimor për SHIK-un, duke inkurajuar edhe të tjerët që ta nënshkruajnë.

    Deputeti Selimi ka thënë se këta njerëz të SHIK-ut, shkuan edhe më larg, guxuan të kërkojnë një gjë të tillë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por sipas tij ky guxim i doli i pa llogaritur mirë.

    “Ata morën përgjigje në vend që të përgjigjeshin, por kjo nuk i ka bërë të ndjehen mirë shumë qytetarë, të cilët presin më shumë nga ne, presin që të mos biem në provokime të tilla. Prandaj ndjej keqardhje ndaj atyre që nuk u ndjen mirë kur panë lajme të tilla. Por njëkohësisht ju kërkoj që të na kuptojnë se sa e vështirë është t’i durojmë këtë njerëz, të cilët vazhdojnë ende me provokime të tilla. Madje le të na kuptojnë se edhe në të ardhmen asnjëherë nuk do t’i durojmë”, ka theksuar Selimi.

    Ndërkaq kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi ka thënë se çështje të tilla të cilat ngrisin debat do të ndërpriten në të ardhmen.

    “Çdo fjalë në të ardhmen që do të nxis debat në këtë Kuvend, do të ndërpritet. Grupet parlamentare dhe deputetët kanë të drejtë të ngrisin shqetësimet dhe se si bëhet kërkesa për debat është e përcaktuar me rregullore. Le të kërkojnë debat dhe të zhvillohet debati, por për këtë pikë të rendit të ditës, e cila nuk parasheh as replikë, të cilat çështjet që ngrisin debat do të ndërpriten menjëherë”, ka theksuar Krasniqi.

    Në vazhdim të seancës deputetët kanë ngritur çështje të ndryshme. /kosovapress/

  2. #132
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979

    Deputetet e VV-së e prishin takimin për privatizim
    Nga Express 06 Korrik 2012 14:20

    Dy deputetet e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Albana Fetoshi dyshohet se kanë lëshuar një kimikat me aromë të keqe, duke penguar kështu mbajtjen e takimit të Komitetit Qeveritar për Privatizim ku duhej të prezantonte edhe përfaqësuesi i kompanisë që ka blerë Distribucionin e KEK-ut. Së paku ky është versioni i organizatorëve të këtij takimi.

    Me të filluar mbledhja, të pranishmit kanë filluar ta ndiejnë erën e pakënshme të krijuar në sallë, kurse dy deputetet e VV-së janë parë të dalin më herët nga takimi. Më pas në sallë janë parë sigurimi i sallës, të cilët i kanë treguar në vesh ministrit Besim Beqaj lidhur me rastin.

    Ministri i Ekonomisë Besim Beqaj e ka quajtur këtë një akt të ulët dhe një formë e keqe e protestës.

    “Femrave duhet t’iu vijë një aromë e mirë dhe jo të lëshojnë këso erëra të këqija. Kjo është një formë tejet e keqe e protestës”, tha ai me këtë rast. I pyetur nëse kanë gjetur ndonjë provë lidhur me këtë, ai nuk ka dashur të përgjigjet.

    Ky veprim vjen pas debatit të ashpër të zhvilluar dje në Kuevdin e Kosovës lidhur me privatizimin e resurseve të KEK-ut, derisa lideri i VV-së, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të bëjnë çdo gjë që të pengojnë këtë proces.




    ----------------------------------------------------

    HAHAHAHAHA
    edhe kur dhe ku me pierdh serbija e komandon VETFUNDOSJEN HAHAHAHA

  3. #133
    i/e regjistruar Maska e Antiproanti
    Anëtarësuar
    28-07-2011
    Postime
    6,033

    Thumbs up

    Citim Postuar më parë nga Lepuri i But Lexo Postimin

    ...

    Dy deputetet e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Albana Fetoshi dyshohet se kanë lëshuar një kimikat me aromë të keqe, duke penguar kështu mbajtjen e takimit të Komitetit Qeveritar për Privatizim ku duhej të prezantonte edhe përfaqësuesi i kompanisë që ka blerë Distribucionin e KEK-ut. Së paku ky është versioni i organizatorëve të këtij takimi.

    ...


    Ju paskan po... "n'privatizim!"

    Lëvizja Vetëvendosje e pengoi zhvillimin e këtij takimi, nëpërmjet bombolave kundërmuese, të cilat e pamundësuan qëndrimin e mëtutjeshëm të të pranishmëve në sallën e takimit”, thuhet në një komunikatë të VV.

    Aksioni u ndërmor për shkak se “privatizimi i rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut është një prej akteve më shqetësuese që ka ndërmarrë qeveria Thaçi”, ndërsa shitja e këtij aseti të rëndësishëm publik “e dëmton rëndë ekonomikisht Kosovën, dhe secilin qytetar të saj”.
    http://www.zeri.info/artikulli/1/1/5...istribucionit/
    Ndryshuar për herë të fundit nga Antiproanti : 06-07-2012 më 09:21

  4. #134
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    E çarmatosen UÇK-në dhe e shuan, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën.
    Fjalimi i Rexhep Selimit 05.07.2012


    E di që opinioni, qytetarët dhe Kuvendi i Kosovës pret nga unë të shprehë ndjenjën e keqardhjes për gjithë atë çfarë ndodhi javën e kaluar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Do ta bëjë, por jo para se t’i them nja dy tri fjalë paraprakisht.

    Më përfundimin e luftës, në vitin 1999 gjegjësisht 2000, një grup njerëzish që po përgatiteshin për politikë dhe për të përfituar edhe politikisht nga ajo luftë që lamë pas, duke u thirrur pikërisht në emër dhe në vlerat e asaj lufte, e dhanë UÇK-në dhe luftëtaret e saj. Ata hoqën dorë lehtë nga UÇK-ja, hoqën dorë lehtë nga betimi i ushtarit, hoqën dorë edhe nga Qeveria e Luftës, por nuk hoqën dorë kurrë nga SHIK-u.

    Pra, e çarmatosen UÇK-në dhe e shuan, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën.

    Prandaj, ishte vetëm ky rrjet spiunazhi i quajtur SHIK i cili pa asnjë bazë ligjore vazhdoi veprimtarinë e tij subversive edhe pas Janarit të vitit 2000 kur edhe u shuan të gjitha institucionet e përkohshme bashkë me Qeverinë e dalë nga lufta.

    Por, megjithatë populli i Kosovës e meriton dhe ka të drejtë ta dijë se kush ishte dhe kush është kjo organizatë që po e mban nën stres dhe nën presion opinionin me qenien e saj.

    Pse nuk përgjigjen?

    Nëse jo ata, pse s’flet kuvendi, pse s’flasin të zgjedhurit e popullit, pse s’flet qeveria, pse s’përgjigjet askush?

    Së paku, pse s’flet asnjë nga deputetet e PDK-se të cilët nuk kanë të bëjnë me SHIK-un? Ata, i inkurajoj të distancohen nga ky klan brenda tyre para se ta marrin përgjegjësinë dhe të mbyllen brenda imazhit të spiunazhit qe ende besoj se jo te gjithë janë të nënshtrueshëm.

    Ne, si Grup Parlamentar i falenderojmë të gjithë deputetet të cilët e kanë përkrahur dhe nënshkruar iniciativën e deputetit Krasniqi për ta ngritur një komision hetimor parlamentar. Po ashtu presim dhe i inkurajojmë edhe te tjerët që ta nënshkruajnë dhe qytetareve t’ua kthejmë përgjigjen për të cilën ata kanë nevojë dhe kanë të drejtë ta dinë.

    Duke qenë kjo organizatë e quajtur “Shërbim”, ne duam thjeshte ta dimë se kujt i kanë shërbyer dhe kujt i shërbejnë edhe sot.

    Duke e ditur se ata e kanë pranuar qenien e vet edhe publikisht, ne duam ta dimë se kush ishte struktura.

    Duke e ditur se ata vetë e kanë pranuar që kanë vepruar si shërbim sekret, ne duam ta dimë se mbi çfarë baze ligjore kanë vepruar.

    Duke e ditur se ata s’kanë qenë vullnetarë e as humanitarë ne duam ta dimë kush i ka financuar.

    Meqë ata janë deklaruar se e kane ndërprerë aktivitetin e tyre në vitin 2008, ne duam ta dimë se ku është arkiva.


    Pra, këto përgjigje i duan qytetarët nga SHIK-u para se SHIK-u ta marrë përgjigjen nga qytetarët.

    Megjithatë, në vend që vetë ata të përgjigjen, provuan ta bëjnë të kundërtën, të heshtin. Ata shkuan edhe më larg, guxuan ta kërkojnë një gjë të tillë edhe nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

    Por ky guxim ju doli i pallogaritur mirë. Ata morën përgjigje që në vend që të përgjigjeshin, por kjo nuk i ka bërë të ndjehen mire shumë qytetarë të cilët presin më shumë nga ne, presin që të mos biem në provokime të tilla. Prandaj, ndjej keqardhje ndaj atyre qe nuk u ndien mirë kur panë lajme të tilla në media. Por, njëkohësisht kërkoj, le të na kuptojnë se sa vështirë është edhe t’i durojmë njerëz dhe provokime të tilla. Madje, le të na kuptojnë sepse edhe në të ardhmen asnjëherë nuk do t’i durojmë.

    5 korrik 2012
    Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  5. #135
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466


    Nder tjerash thote Albini:
    Shqiptaria si fe e shqiptareve(Pashko Vasa) edhe ne shekullin 21 mbetet pa kishe e pa xhami te saj, mbetet fryme pa institucion. Shtetet shqiptare duhet te jene kishe e xhami per shqiptarine. Kjo fryme shqiptarie gjithsesi eshte shume e fuqishme teksa arrin te mbijetoj pa institucionet qe do ta mirembanin e do ta promovonin.
    Jo pak shqiptare , sidomos zyrtare shteteror, na pershperisin se si bashkimin kombetar duhet ta realizojme tinez e me dinakeri, mirepo asisoji ne e kriminalizojme kauzen e bashkimit kombetar. Bashkimi Kombetar duhet te jete çeshtje publike dhe shoqerore, jo pershperitje por thirrje, jo monolog por dialog.. dhe.. dialog i brendshem yni per ate qe duam ne.. në vend se dialog me shovenistet fqinj te kombit tone per ate çfare duan ata prej nesh. Pra jo negociata me Serbine, Greqine, Malin e Zi e Maqedonin per aspiratat e tyre por dialog i brendshem ku shprehemi para njeri tjetrit e me njeri tjetrin, per te ardhur ne shprehje kolektivi yne.
    Edhe shteti i Shqiperise, edhe shteti i Kosoves jane bere ne emer te kombit dhe permes kombit, prandaj ato e kane borxh t'i sherbejne kombit, perfshire ketu edhe bashkimin e shteteve tona.
    Kombi si formacion socio-historik modern duhet te forcohet sepse ai eshte perveq se vlere edhe arme e fuqishme qe na ka emancipuar.. edhe kundrejt feudalizmit edhe kundrejt religjionit.



    Florimi m'ka befasu..

    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  6. #136
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Kurti darkë me Sali Berishën



    Një darkë e shtruar nga prefekti i Tiranës Lulzim Basha ka ndërtuar mirë muhabetin mes Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti të cilët janë parë së bashku për disa orë në Tiranë. Darka vegjetariane në Pallatin e Brigadave, e shtruar të hënën vonë për pjesëmarrësit e një konference që ka diskutuar tema pan-shqiptare, ka bërë bashkë Berishën dhe Kurtin të cilët janë parë duke bërë muhabet për orë të tëra.

    Në tavolinën e tyre ka qenë edhe Teuta Arifi, zyrtare e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni. Kurti është lideri i forcës së tretë më të madhe politikë në Kosovë dhe ai hapur mbështet bashkimin me Shqipërinë ndërsa kundërshton simbolet e shtetit kosovar. Lideri i Vetëvendosjes është i popullarizuar në Shqipëri, por takimet zyrtare me Berishën në Tiranë nuk i ka pasur të shpeshta.

    Konferenca e titulluar “Fqinjësia shqiptare” është mbështetur nga “Rockfeller Brother Fund” dhe Bashkia e Tiranës kurse janë diskutuar tema si politika, zhvillimi ekonomik, infrastruktura, edukimi dhe media me panelistë nga të gjitha hapësirat shqiptare në rajon.

    Kryeministri shqiptar Berisha gjatë konferencës ka thënë se bashkëpunimi më i forcuar mes shqiptarëve është parakusht për zhvillim dhe integrim të rajonit.

    “Arritjet e shqiptarëve janë të mëdha dhe historike por ka ende për tu bërë deri në integrimin e tyre në BE. Përparimi i Kosovës, lëvizja e Maqedonisë dhe Malit të Zi drejt NATO-s janë me rëndësi, ashtu sikurse edhe lirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat ksenofobike dhe raciste kundër-shqiptare”, tha ai.

    Kurti nga ana e tij tha se unifikimi i shqiptarëve është i pashmangshëm. Ai shtoi se përveç një homogjeniteti kulturor, shqiptarëve u duhet të koncentrohen në akumulim të kapitalit njerëzor. “Pa këtë, rrezikojmë ta humbim shekullin 21”, tha ai.

    Kurti tha se për herë të parë e kishte vizituar Shqipërinë më 1991 dhe kishte biseduar me mijëra shqiptarë por asnjë nuk i ishte prezantuar si geg a tosk. “Kjo ndarje është më shumë koncept perëndimor për shqiptarët”, tha ai.

    David Philips, drejtor i programit të paqebërjes dhe të drejtave të njeriut në Universitetin Columbia të New York’ut, njëri nga organizatorët e konferencës, tha se termi “fqinjësia shqiptare” nuk duhet të shihet si kërcënim.

    “Ky nuk është shekulli i 19-të por i 21-të dhe kufijt nuk janë më me rëndësi. Integrimi i shqiptarëve, e këtij disa i referohen me Shqipëria e Madhe, është në fakt një Shqipëri normale, ku shqiptarët janë bashkë dhe ndajnë të njëjtin vizion rreth të ardhmes së tyre dhe gjejnë rrugë praktike për të bashkëpunuar”. (standardi.info)
    __________________________________________________ __________________

    Ky takim me dhandrrin e shkive s'po m'pelqen hiq! S'ka hajr prej dhanurve t'shkive.. veq perlyhet.
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  7. #137
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466


    Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
    Kryetar i Kuvendit të Kosovës,

    Nga data 2 maj e deri me datën 10 qershor të vitit 1999 kam qenë i burgosur në burgun e Lypjanit. Në fakt, në burgun e Lypjanit, më parë se i burgosur isha rob e peng lufte, kurse vetë burgu i Lypjanit ishte më shumë kamp përqendrimi sesa burg.

    Ishim 13 shqiptarë të burgosur në një dhomë burgu ku nuk kishim as tualet e as ujë. Në hapësirën 4.15 metra gjatësi me 2.60 metra gjerësi, në katin e dytë të Pavilonit IV, kemi qëndruar 13 veta për 39 ditë.

    Në vend të tualetit kemi pasur një kovë plastike ku të burgosurit kanë vjellë pas rrahjeve e torturave të përditshme. Ushqim na kanë sjellë një ose dy herë në ditë, për 13 veta dy bukë dhe për dy veta 2 cm supë në fundin e një gote të plastikës. E megjithatë as këtë ushqim nuk arrinim ta hanim për shkak të malltretimeve. Secili nga ne i pat humbur nga 20 deri në 30 kilogramë gjatë atij muaji. Më së shumti na pihej uji, jo pse bënte vapë por për shkak të gjakderdhjes nga të rënat. Një mbrëmje, dy gardianë erdhën dhe e thirrën emrin tim. Dola duke e ditur që duan të më rrahin. Por, u gëzova kur më thanë që t’i marr dy bidonët nga dhoma. Pra, nuk do të më rrihnin dhe bidonët do t’i mbushja me ujë dhe do t’i sillja në dhomë ku 12 të burgosur ishin tharë pa të. Mirëpo, jo: porsa e mbusha ujin, filluan të më rrihnin për orë të tëra. Uji në bidonë iu shërbente atyre që të ma kthenin në fytyrë atëherë kur e humbja vetëdijen.

    Disa prej këtyre gardianëve ua mbaj mend edhe emrat: Dragisha Ristiq, Mile Iviq dhe Jugoslav Simiq në Lypjan e Prishtinë, kurse, më vonë, njësoj të tmerrshëm porsi këta: Dragan Milanoviq, Dragan Shabiq, Kosigin Joliq dhe Igori që e quanin Gara, në Zabela të Pozharevcit.

    Në burgun e Lypjanit ishte edhe një gardian që të gjithë neve, e posaçërisht mua, më ka rrahur e torturuar. E mbaj mend mirë kur na thoshte: Cili prej jush do të vdes sot meqenëse numri 13 është numër fatkeq: ti Kurti, këshilltari i Demaçit, apo ti Selim Loku, ushtari i UÇK-së nga Hani i Elezit? Emri i këtij gardiani është Zoran Koliq. Ai sot është në burg në Kosovë për krime lufte. Këtë e mësova nga letra që na ka ardhur në kuti, secilit prej neve deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga gruaja e Koliqit e cila kërkon që të lirohet Zoran Koliqi. Kushedi, ndoshta gruaja e Zoranit, nuk e njeh mirë të kaluarën e burrit të vet. Kjo letër që e keni secili prej jush është arsyeja pse po flas sot këtu.

    Janë bërë edhe protesta për lirimin e Zoran Koliqit. Është e çuditshme qysh asnjë fotografi e Zoran Koliqit nuk shihet në ato protesta. Asisoj, numri i të burgosurve shqiptarë që do ta njihnin atë do të ishte shumë i madh.
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  8. #138
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Larg duart nga KEK-u!

    Letër e hapur drejtuar kompanive “Çalik” dhe “Limak”

    Lëvizja VETËVENDOSJE! është alarmuar nga zhvillimet e fundit lidhur me privatizimin e rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut. Distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës. KEK-u është një ndërmarrje publike e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga populli i Kosovës përgjatë 50 viteve të fundit. Rrjeti i distribucionit është një monopol natyror që nuk e lejon konkurrencën, si i tillë nuk mund të vendoset në duart e interesave private. Për ndërtimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj prone publike kanë paguar tatime, kanë dhënë kontribute të drejtpërdrejta, kanë derdhur djersën dhe kanë dhënë mundin dhe sakrificën e tyre me qindra mijëra qytetarë të Kosovës. Kjo ndërmarrje duhet të mbetet publike sepse furnizimi me energji elektrike është kusht themelor për mirëqenien e qytetarit dhe të shoqërisë. Rrjedhimisht, përbën një të drejtë që secili qytetar duhet ta gëzojë dhe një mjet tepër të rëndësishëm për politikat sociale dhe zhvillimore ekonomike të shtetit. Drejtësinë dhe domosdoshmërinë nuk mundet ta përmbushë tregu, por vetëm institucionet publike shtetërore të cilat janë të popullit dhe i japin atij llogari. Kompanitë tuaja përfaqësojnë vetëm interesat tuaja private, në këtë rast monopoliste, dhe jo interesat e popullit të Kosovës. Prandaj dhe ne do bëjmë të pamundurën që ky privatizim të ndalet.

    Procesi i deritashëm i privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike është një proces krejtësisht jo legjitim dhe jo demokratike, i cili udhëhiqet nga një qeveri jo legjitime dhe të zgjedhur në një mënyrë jo demokratike. Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet duke e deformuar votën e qytetarit. Sipas raportit të ENEMO[1], 38% të votave të qytetarëve gjatë procesit të fundit zgjedhor të vitit 2010 kanë qenë të vjedhura, keqpërdorura dhe dhunuara kryesisht nga partia në pushtet. Ky fakt e bën Hashim Thaçin kryeministër të votës së vjedhur e jo të vullnetit të qytetarëve. I tërë procesi i zhvilluar deri tash për privatizimin e KKDFE-së është zhvilluar prapa shpinës së publikut, dhe nuk ka pasur asnjë legjimitet madje as formalo-institucional. Vendimi i qeverisë për privatizim i arritur në vitin 2008 është vendim që i paraprinë themelimit të kompanisë, ndërkohë që miratimi që Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën këtij privatizimi është vetëm në parim, pa u themelur kompania dhe madje pa e pasur as idenë më të vogël se çka do të shitet, e aq më pak sa do të shitet. Të dyja këto vendime janë nxjerrë në vitin 2008, pra katër vite para momentit kur ju jeni shpallur fitues të tenderit. Edhe procesi i tenderimit ngre shumë pyetje rreth legjitimitetit të prokurimit, duke qenë se realisht ky privatizim ka qenë privatizim një burimor, me kompaninë e dytë pjesëmarrëse në proces të painteresuar fare për garë.

    E drejta për qasje në energji elektrike cënohet nga ky proces privatizimi i udhëhequr nga qeveria Thaçi, në llumin e së cilës tashmë po notoni edhe ju. Privatizimi nuk ka rezultuar as me rendiment më të lartë e as më efikas për ish-ndërmarrjet publike të Kosovës të cilat janë shitur me çmime qesharake dhe ofenduese. Nga procesi i privatizimit në Kosovë kanë humbur vendet e tyre të punës mbi 70,000 punëtorë. Nga i njëjti proces, sot me mijëra punëtorë punojnë në kushte të mjerueshme të punës, me orare të stërzgjatura, me kontrata të shkurtra dhe me rroga minimale, ndërkohë që llogaritë personale të pushtetarëve që kanë drejtuar këto procese kanë ardhur duke u fryrë vazhdimisht. Me privatizimin e KEK-ut qeveria Thaçi po kryen krimin ekonomik të radhës.

    Ju bëjmë me dije se ky privatizim nuk përkrahet nga shumica e aktorëve të prekur nga ky proces. Privatizimi i distribucionit po kundërshtohet sot nga punëtorët, organizatat e shoqërisë civile, subjekte të ndryshme politike, dhe mbi të gjitha ky proces po kundërshtohet nga pronari i vetëm legjitim i kësaj prone publike: populli i Kosovës. Fakti që ju keni pranuar të bëheni pjesë e aferave të qeverisë Thaçi, ju bën ju bashkëfajtorë të këtij krimi ekonomik, për të cilin do të mbaheni përgjegjës.

    Lëvizja VETËVENDOSJE!, si forcë politike e organizuar në një aleancë të gjerë me qytetarët, do ta hetojë këtë proces, si nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana politike – me të ardhur në pushtet. Qëllimi ynë do të jetë zhbërja e këtij privatizimit, në rast se ky ndodh, por edhe e dënimit ligjor të cilësdo shkelje, padrejtësie, dëmtimi apo vjedhje që i bëhet popullit të Kosovës dhe aseteve e pasurive strategjike që publiku zotëron.

    Pas kësaj letre publike, si dhe pas reagimeve të sindikatave dhe shoqërisë civile, ju nuk mund të luani më rolin e një aktori të painformuar mbi këtë proces të padrejtë privatizimi. Ka ardhur momenti që ju të mendoheni mirë para se fatin e kapitalit tuaj ta lidhni me fatin politik të qeverisë kriminale Thaçi dhe në një projekt i cili kundërshtohet nga shumica e popullit të Kosovës.

    Prandaj, me këtë letër ju bëjmë thirrje të tërhiqeni nga ky proces. Nëse ju nuk tërhiqeni nga ky proces, dhe vendosni të vazhdoni më tej me shfrytëzimin e punëtorëve, me shpronësimin e dhunshëm të popullit dhe me cënimin e të drejtës sonë për zhvillim, ne nuk kemi për t’ju kursyer në përpjekjen tonë për shtet të së drejtës.

    16 korrik 2012, Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  9. #139
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës.

    Po e shkatërrojnë Trepçën për ta shitur.

    Minatorët prapë në grevë. Prapë në Trepçë. Dhe prapë në një moment vendimtar për Kosovën. Ajo që filloi dje në formë të protestës e që rezultoi në grevë të pastajme të 700 minatorëve të Trepçës, është reagim i arsyeshëm dhe i natyrshëm ndaj asaj që po i ndodh Kosovës dhe Trepçës, apo Trepçës dhe Kosovës. Shteti i uzurpuar dhe zaptuar, institucionet shtetërore të kidnapuara, paraja publike e keqmenaxhuar dhe e vjedhur, agjencitë shtetërore e kompanitë publike të kolonizuara e shkatërruara (për t’u privatizuar), janë të gjitha duke i ndodhur Trepçës. Ajo është kapur nga njerëz që publikisht e kanë pranuar se kanë qenë agjentë të ShIK-ut, është keqmenaxhuar duke mos i dhënë askujt llogari e madje as informatë për çfarë po ndodh në të, dhe tash po bëhet gati për likuidim e shitje nga të njëjtit persona e nga e njëjta qeveri. Fati i Trepçës është i lidhur ngushtë me fatin e Kosovës, sepse Kosova është e lidhur ngushtë me Trepçën.

    Trepçës po i kanoset copëtimi e shitja, nga e njëjta qeveri që po e copëton e shet Kosovën. Rrjedhimisht brohoritjet e minatorëve kundër privatizimit të Trepçës, dhe për mosnjohje të AKP-së jo vetëm që janë të qëlluara por edhe duhet përkrahur deri në fund. Privatizimi përkatësisht AKP-ja e shkatërrojnë Trepçën, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje nxjerrëse/eksploatuese të xeheve të Kosovës, pa kurrfarë rritje të kapaciteteve përpunuese dhe shtuese të vlerës. Kjo rezulton në përfitime marramendëse financiare për kapitalin privat, me shumë pak përfitime për Kosovën si shtet dhe popullin e Kosovës. Kjo pastaj rezulton në rritjen e armatës së punëtorëve me kualifikim të ulët, të cilët për shkak të kësaj por edhe për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, nuk do ta kenë kurrë mundësinë të organizohen kolektivisht për avancim të drejtash e kushtesh në punë. Privatizimi i një gjiganti industrial çfarë është Trepça e rrit tej mase oreksin e hienave të parasë së shpejtë në zyrat tona qeveritare, të cilët përmes korrupsionit financiar dhe korruptimit politik, vazhdojnë të krijojnë pasuri të mëdha. Trepça është ndërmarrje, punëtorë, dhe resurse me rëndësi strategjike, ekonomike, politike e shoqërore për Kosovën. Ajo duhet të jetë e paprivatizueshme.

    Emërimi i Eset Ujkanit si ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës duhet të kundërshtohet. Ky njeri nuk e ka as kredibilitetin më të vogël moral e profesional për të shërbyer në atë pozitë. E vetmja cilësi që ai ka është afërsia kriminale me partinë në pushtet dhe shërbimin e saj ShIK. Madje, Eset Ujkani më 18 maj 2007, si pjesë e një grupi prej 7 personave të PDK ka drejtuar rrahjen e aktivistëve të VETËVENDOSJE!s në një tubim publik në prani edhe të Hashim Thaçit. Emërimi i Ujkanit në këtë pozitë e vazhdon kolonizimin nga ShIK të ndërmarrjeve publike e shoqërore të Kosovës. Kolonizimi kurrë nuk është i mirë. Zaten kjo nuk është hera e parë që masat e dhunshme po i vendosen dhe imponohen Trepçës e minatorëve. Dhe nuk është hera e parë që këto masa të dhunshme, të cilat vijnë nga instanca që duan të përfitojnë nga Trepça e jo ta zhvillojnë atë, refuzohen aktivisht nga minatorët.

    Greva e minatorëve e tregon më së miri se ku e ka katandisur Kosovën kjo qeveri. Pas tërë asaj historie të përpjekjes dhe luftës për çlirim, sot jemi në një gjendje ku kundërshtohen masat e dhunshme, kundërshtohet shpërdorimi i Trepçës për përfitime të paligjshme, kundërshtohet tendenca për ta privatizuar atë (pra, që nga Trepça të përfitojë tjetërkush e jo Kosova), dhe këtë kundërshtim e bëjnë minatorët në grevë, në Trepçë. Për Trepçën duhet të angazhohemi të gjithë. Trepçën duhet ta mbrojmë të gjithë, sikur secilën pasuri tjetër të Kosovës. Sikur edhe më parë, këtë e nisën minatorët.

    Ftojmë minatorët që të mos bien pre e lajkave të qeverisë si dhe të mos lejojnë që protesta e tyre parimore t’i shërbejë interesave kriminale të zyrtarëve qeveritarë dhe njerëzve të afërt me ta.

    18 Korrik 2012 , Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  10. #140
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Mospajtimi për pajtimin - Nga Albin Kurti.

    Më 4 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky Grup që do të kryesohet nga përfaqësuesi i Zyres së Kryeministrit do të përbëhet nga gjithsej 20 veta: 7 përfaqësues që vijnë nga ministri të ndryshme, një përfaqësues nga Presidenca, një nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të luftës, një nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, një tjetër nga Komisioni për Gjuhë dhe 8 përfaqësues të shoqërisë civile. Në cilësinë e ekspertëve dhe vëzhguesve do të jenë të ftuar plot 13 veta të tjerë që vijnë nga institucione vendore e sidomos nga aso ndërkombëtare.

    Qëllimi i këtij Grupi thuhet të jetë “ballafaqimi me shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në të kaluarën në Kosovë që përfshin luftën e fundit dhe periudhën e transicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, me qëllim që të promovohet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme, në mes tjerash, duke siguruar përgjegjshmërinë, arritjen e drejtësisë, ofrimin e kompensimit për viktimat, lehtësimin e kërkimit të së vërtetës, promovimin e shërimit, marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të rikthyer besimin në institucionet e shtetit dhe zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet e drejtësisë transicionale”. Më tutje, thuhet që Grupi Punues ka përgjegjësi dhe kompetenca që të “Zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri gjinore, për t’u ballafaquar me të kaluarën në Kosovë që përfshin luftën e fundit dhe periudhën e transicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e viktimave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, në nivel të një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale” dhe të “promovojë një proces të pajtimit në mes të të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë”.

    Dikush mund të argumentojë se me këso vëllimi e këso qëllimi ky Grup Punues vështirë të kryejë punë. Dhe se krejt ky marifet për një komision më shumë paraqet veçse një taksirat më shumë për buxhetin e Kosovës. Mirëpo, besoj që ka edhe një problem tjetër këtu, më të thellë e më të rëndë se kaq.

    Ky Grup është i formuar me idenë që merr parasysh “pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, “pikëpamjet e viktimave të të gjitha komuniteteve në Kosovë”. Në të vërtet, kjo s’është fort ide e Grupit, sa një pikëpamje shtesë. Pra, pikëpamjeve të ndryshme, të gjitha pikëpamjeve të komuniteteve, iu shtohet tash edhe pikëpamja e këtij Grupi. Kësisoj, përmes një procesi kumulativ, Grupi i këtillë i dyfishon këto pikëpamje sepse pikëpamjeve, tërësisë së atyre pikëpamjeve, vetëm sa ua shton edhe shumën e tyre. Kaq. Madje, edhe në një rrafsh tjetër kjo ngjan po kështu: Grupi merr paraSYSH pikëPAMJET… Ndodhemi pra te regjistri i shqisës së të pamurit, te syri që sheh sy të tjerë që shohin. Këta sy nuk shohin gjë përveç syve. Mirëpo, organizimi i syve është i tillë që një sy i sheh të gjithë sytë e tjerë teksa secili prej këtyre syve e sheh këtë syrin veçmas dhe jo bashkë me të tjerët. Kjo është arsyeja pse ky grup nuk është ballafaqim me të kaluarën por (përpjekje për) mungesë ballafaqimi në të tashmen. Paqe në të tashmen, rrjedhimisht pajtim për të kaluarën, dhe jo anasjelltas. Syri nuk e sheh të kaluarën dhe syri nuk sheh në të kaluarën. Kujtesa dhe mendja e bëjnë këtë. Porse ky s’është Grup i mendjes dhe i kujtesës. Ky është Grup i pamjes.

    Kur pikëpamjen e marrin në kuptimin e saj të dytë, situata nuk përmirësohet. Ky Grup tashmë paralajmëron që do të shndërrohet në infrastrukturë për proliferimin e pikëpamjeve nga më të ndryshmet, për hyrjen dhe qarkullimin e rrëfimeve të secilit, në rastin më të mirë duke iu sjellur rrotull të vërtetës, ama pikërisht që të mos arrihet ajo. Grupi Punues, sipas pikëpamjes së vet atij, bëhet vetë tregu. Rrëfimet bëhen oferta që mbase edhe blihen. Këto rrëfime paraqesin narracionet konkurruese përbrenda logjikës së tregut ku ofrohen mallrat për shitje dhe varësisht nga cilësia, çmimi e ambalazhi (sidomos ambalazhi), ato arrijnë të blihen dhe konsumohen. Në fund, siç thotë populli ynë, ‘e bajsh me shëndet’ apo edhe ‘të bëftë mirë’, sipas llojit të mallit.

    Kjo s’është e vërteta, kjo s’është procedura e së vërtetës dhe as procedura për të vërtetën. Përveçse duke thënë që po e kërkojmë të vërtetën, ne pohojmë që nuk e dimë të vërtetën dhe kësisoj vetëm sa e maskojmë atë. E vërteta s’arrihet me shumësi rrëfimesh sado të shumta e sado personale qofshin ato. E vërteta nuk është inkluzive për nga natyra e rrjedhimisht as drejtësia nuk është e tillë. E Vërteta është historike dhe politike. Kurse e vërteta është gjyqësore dhe faktike. Pajtimi i propozuar nga ky Grup ofron opinionet e palëve para fakteve të krimeve, dialog gjithëpërfshirës para drejtësisë gjyqësore. Ky Grup është zëvendësimi i shkencës me letërsinë. Ne kemi nevojë për fakticitet dhe gjyqësi. Për hetime serioze për krimet e luftës e të pasluftës dhe për një rrëfim të vetëm – për rrëfimin e gjykatave të drejta e të paanshme teksa ndajnë drejtësi. Në kushtet kur s’kemi drejtësi gjykatash, drejtësia transicionale do të jetë padrejtësi pa transicion. Sepse kur drejtësia transicionale nuk është suplement i drejtësisë tradicionale, ajo shfaqet gjithmonë si orvatje për ta zëvendësuar atë.

    Gjatë këtyre 13 vjetëve të pasluftës janë organizuar pafund konferenca e seminare ndërkombëtare e vendore me viktimat e të gjitha palëve. Kemi qenë dëshmitarë se si pajtimi që synohet nuk është pajtimi midis palëve por pajtimi i të gjitha palëve me ‘faktin’ se kriminelë e viktima paska pasur nga të gjitha palët! Efekti dihet: dekurajimi i të gjithëve nga të gjitha palët për kërkim të drejtësisë.

    Lajthitja është sërish më e rëndë dhe më e thellë se kaq: pajtimi s’është çështje komunitetesh në Kosovë, sepse nuk luftuan komunitetet, por shqiptarët kundër Serbisë. Po e bllokove Serbinë nga ndërhyrjet e saj të shumanshme në Kosovë, pajtimi mandej edhe mund të bëhet çështje teknike. Meqë Serbinë e ke brenda Kosovës edhe si politikë edhe si ekonomi, nuk mund të ketë pajtim dhe s’do të ketë pajtim. Si mund të pajtohemi kur s’po pajtohemi?! Serbia dhe shqiptarët jo vetëm që mendojnë por bile edhe perceptojnë ndryshe (po sikurse dje edhe sot e kësaj dite). Në fakt, vetëm atëherë kur nuk do të pajtoheshim në një nivel tjetër, do të mund të pajtoheshim: atëherë kur ata do ta pranonin fajin politikisht dhe personalisht, do të kërkonin falje dhe do të luteshin për falje, kurse ne do t’iu thoshim që nuk janë plotësisht edhe aq shumë fajtorë pasi që prej librave të historisë e deri te propaganda e Milosheviqit kanë qenë të mësuar mbrapsht, vetëm atëherë, pra nga ky nivel i ri i mospajtimit, do të mund të krijoheshin kushtet për pajtim. Ama jo sot dhe jo kështu. Nuk është e thënë që të pajtohemi (përmbajtësisht) për t’u pajtuar (edhe formalisht). Duhet patur llojin e caktuar të mospajtimit për ta mundësuar pajtimin. Dhe, të gjithë u ballafaquan vazhdimisht me të kaluarën (si plagë) përpos asaj që me të vërtetë do të duhej të ballafaqohej me të – Serbia (si shkaktare e plagëve). Nëse Serbia s’ndjen keqardhje dhe s’është penduar, nëse nuk ndjehet fajtore dhe s’kërkon falje, cili është kuptimi i projektit të pajtimit?! Pajtimi do të duhej të bëhet pas ndryshimit rrënjësor të Serbisë dhe jo të të tjerëve, apo jo?

    Kërkesa e Qeverisë së Kosovës për pajtim me Serbinë, ose tërthorazi presupozon që (edhe) Kosova e shqiptarët kanë faj, ose ajo shpërfaq frikën se Serbia do të mund ta përsërisë krimin e saj ndaj nesh, prandaj, aman le të pajtohemi, ja po ia falim fajin Serbisë disi që ajo të mos na e përsërisë atë! Rrugë tjetër s’ka. Megjithatë, duke mos besuar që kjo e dyta njëmend është e mundshme, mbetemi me alternativën e parë: kërkesa jonë për pajtim presupozon fajin tonë sepse pajtimin nuk e kërkon viktima por xhelati. Kështu, po hedhemi në situatën ku në vend se pajtimin ta kërkojë Serbia (xhelati), atë po e kërkon Kosova (viktima), përkatësisht Qeveria e saj.

    Krimet e Serbisë në Kosovë janë të gjata në kohë dhe të mëdha në përmasa. Kush është kjo Qeveri që në emër të shekullit XIX, XX po edhe XXI dhe për të gjithë këta shekuj dëshiron të pajtohet me Serbinë në atë që po e quajnë pajtim historik? Pse ky rol dhe pse kjo nguti? Çka fitojmë me këtë pajtim e pas këtij pajtimi?

    “Duke mësuar nga përvojat e shoqërive si Afrika e Jugut, së fundi kam propozuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili do të vlerësojë aksionet e të dy palëve gjatë luftës. Ky Komision u formua më 4 qershor. Qëllimi nuk është dënimi, por pastrimi, në mënyrë që pjesëtarët e secilit komunitet etnik dhe religjioz të jenë në gjendje të lëvizin përpara drejt pajtimit”. Kështu ka shkruar Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para dy javësh për Christian Science Monitor! Ky sigurisht që ka mësuar shumë gabimisht nga përvoja e Afrikës së Jugut. Atje është vendosur njëherë e Vërteta politike dhe historike dhe vetëm pastaj kishim Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ky është gabim fatal në hapa. Ndoshta më shumë fatal sesa gabim: duket që edhe njëherë kryeministri po e jep të kaluarën e popullit tonë për të ardhmen e tij personale.

    Prishtinë, 17 korrik 2012(Levizja VV)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

Faqja 14 prej 107 FillimFillim ... 412131415162464 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •