Çfarë shkruante VV për Surroin
GazetaExpress E mërkurë, 18 Qershor 2014 21:59
Lideri i VV’së Albin Kurti sot tha se së fundi ka zhvilluar takime me Veton Surroin dhe se me të ka afri konceptuale dhe ideologjike.
“Me Surroin jemi takuar disa herë kohët e fundit. Kemi biseduar për shumë gjëra dhe kam vërejtur se me të kemi përputhje konceptuale, sepse edhe Surroi është i një linje socialdemokratet qendrës së majtë”, tha Kurti në Rubikon.
Por Lëvizja Vetëvendosje të cilën ai e drejton, nuk mendonte kështu kohë më parë.
---------------------------------------------
Lidheni Veton Surroin se ikë për në Vjenë!
22 Shkurt 2006 - e Mërkurë 9:53
Dje, nga zyra për informim e Partisë Reformiste ORA, na erdhi njoftimi që mbante titullin “Është gjetur Veton Surroi”. E falënderojmë zyrën për informim të ORA-s që i është përgjigjur thirrjes sonë për kërkim të bandës së vrasjes dhe plaçkitjes së Kosovës, duke na dhënë informacion për njërin prej anëtarëve të bandës – Veton Surroin.
Veton Surroi ende qëndron prapa nënshkrimit që ka vënë në Rambuje. Ai atje e ka pranuar shtetin e urryer të Jugosllavisë, të cilës i printe Milosheviqi. Zaten, aspak e çuditshme. Veton Surroi më 15 maj 1998, vetë i gjashti, është takuar me Milosheviqin në Beograd. Ky takim famëkeq e dëmtoi shumë Kosovën dhe i bëri shërbim të shkëlqyeshëm Serbisë. Me atë takim, Veton Surroi dhe pesë të tjerët u distancuan nga lufta çlirimtare. Milosheviqi i ndau shqiptarët në terroristë (siç i cilësonte ai çlirimtarët) dhe në të moderuar me të cilët duhet biseduar. Ai takim u bë dritë e gjelbër për intensifikimin e ofensivave militariste kundër UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Veton Surroi tash 16 vjet merr donacione në emër të Kosovës. Ai është pasuruar pa masë edhe gjatë okupimit të egër të Serbisë edhe tash me UNMIK-un. Përderisa populli torturohej dhe zhytej në varfëri e mjerim, ai pasurohej! Mirëpo, këtë investim që u bë në të ai duhet t’ua shpaguajë tash qarqeve të caktuara. Prandaj ai është i dëgjueshëm politikisht. Prandaj ai prin në pranimin e negociatave me Serbinë. Prandaj ai ishte dakord me pavarësinë e kushtëzuar ende pa filluar negociatat. Prandaj ai i amortizon shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe i përjashton ata nga proceset duke i afirmuar ata vetëm nëpër konferenca shtypi. Etj., etj.
Zyra për informim e ORA-s pasi që e paska gjetur Veton Surroin le ta lidh atë, ngase ai shumë lehtë mund të ikë për në Vjenë.
Jo vetëm që brengat e Lëvizjes sonë janë publike, por ne kurrsesi nuk mund t’ia shprehim ato Veton Surroit ngase vetë qenia e tij politike është brenga jonë.
Dhe një pyetje për fund zyrës së informimit të ORA-s: kjo rruga në Dragodan ku thoni se ndodhet Veton Surroi, është ajo e varrezave të qytetit, apo jo?
Lëvizja VETËVENDOSJE!
“Lidheni Veton Surroin se ikë për në Vjenë!”, ishte titulli i një shkrimi të VV’së të publikuar më 22 Shkurt 2006.
Krijoni Kontakt