Rrëzohet Vetëvendosje!
Nga Express 05 Korrik 2012 14:56
(E plotësuar) 48 kundër, 31 për dhe 2 abstenime mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka kaluar. Edhe pse ishte i harmonizuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ai nuk ka marr shumicën e votave të deputetëve.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në bisedimet që janë zhvilluar me përfaqësuesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u dakordua që të modifikohet teksti i mocionit dhe të reduktohet nga katër pika vetëm në dy.
Ai më pas ka lexuar pikat e mocionit që parashiheshin ndërprerjen e privatizimit deri në sjelljen e informatave të procesit të privatizimit.
“Këto pika siç u morë vesh po i lexoj e pastaj le të deklarohen grupet parlamentare se çka po mendojnë për to. Pika e parë të pezullohet procesi i privatizimit të kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike derisa të dorëzohen informatat e plota në Kuvendin e Kosovës në lidhje me këtë proces dhe pika dy thotë vendimi përfundimtar për privatizimin e merr Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar Ymeri.
Pas propozimit të mocionit, kryetari i Kuvendit e hodhi në votim, ku me 48 kundër, 31 për dhe 2 abstenime nuk kaloj ky mocion.
Seanca pritet të vazhdoj me shqyrtimin e disa projektligjeve dhe më pas shqyrtimin e Kodi Penal të Kosovës.
Kurti e Thaçi “kapen” për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut
Interpelanca e të enjtes është shndërruar në një debat të ashpër mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi. Kurti i ka quajtur paçavra kryeministrin Thaçi dhe ministrin, Besim Beqaj, duke thënë me këtë lloj të privatizimit ata janë duke bërë krim dhe duhet të shkojnë në burg, ndërsa në një moment i është drejtuar kryeministrit më fjalën “mos u zgërdhini”. Ndërkaq kryeministri ka thënë se nuk do të shpreh mllef ndaj Kurtit, përhirë të babait të tij, duke i rekomanduar atij që politikat elektorale t’i shpalos në Ferizaj e Kaçanik.
Gjatë interpelancës së sotme, në lidhje me privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, pas shumë kritikave nga opozita në drejtim të Qeverisë, fjalën e ka marrë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ai nuk ka kursyer akuza për kryeministrin Thaçi dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke i quajtur paçavra. Ai ka thënë se konzorciumi ndoshta i ka punët mirë me këtë dy persona, por jo me Lëvizjen Vetëvendosje dhe popullin e Kosovës.
“Kërkojmë nga konzorciumi ‘Çalik dhe Limak’ që të mos e blejnë Distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën, duke përfituar nga kjo Qeveri e korruptuar. Ata mund të i kenë marrëdhëniet e mira me këto dy paçavra, por jo me Lëvizjen Vetëvendosje, jo me punëtorët e KEK-ut dhe jo me popullin e Kosovës. Këtë privatizim do të luftojmë pa pushim dhe përgjithmonë”, ka theksuar Kurti.
Ndërkaq ka ardhur replika e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se po dëgjohen disa klithma çoroditëse të viteve të 60-ta dhe të ekspertëve të asaj kompanie.
Shefi i Qeverisë ka thënë se këta zëra, për të mos ardhur investitorët në Kosovë, nuk janë dëgjuar kurrë nga bota.
“Për të mos ardhur investitorët në Republikën e Kosovës, klithma se ju mund të bëni marrëveshje me shtetin e Kosovës, por jo me neve katër-pesë vetëve. Është fakt që bota si ka dëgjuar kurrë këto klithma të heshtura, të izoluara dhe me ndikim zero në opinion shqiptar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.
Për më tepër ai ka shtuar se këta zëra të shterur, e klithma të çoroditura, kanë bërtitur që NATO-ja të mos vijë në Kosovë, po ashtu edhe kundër marrëveshjes në Rambuje.
Po këta zëra u deklaruan edhe kundër bombardimeve të NATO-s dhe kundër prezencës së SHBA-ve, dhe BE-së në Kosovë. Gjithashtu ai ka thënë se po këta zëra ishin edhe kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve për statusin e Kosovës, për Kosovën e pavarur.
Thaçi ka thënë se po ky zë pa ndikim dhe i shkëputur nga realiteti i Kosovës demokratike dhe evropiane, u deklarua se 17 shkurti 2008, dita kur Kosova realizoi ëndrrën historike për shtet të pavarur, është një vendim i pavlerë.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë punën e vet, ndërsa Kurtit i ka rekomanduar që politikat elektorale t’i shpalos në Ferizaj e Kaçanik.
“Po këta zëra vetëm tri ditë më herët u deklaruan me rezerva kur gjithë bota tregoi besim të palëkundur për Kosovën, kur gjithë bota në mënyrë entuziaste u deklarua për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Këta zëra e quajtën të parëndësishme. Ne do të vazhdojmë, ndërsa sa u përket politikave elektorale, shkoni në Ferizaj, në Kaçanik, atje u provuat”, ka deklaruar ai.
Pas kësaj deklarate ka ardhur replika e Kurtit, i cili ka thënë se çfarëdo konstatimi që do të thotë kurrë nuk mund të ofendojë kryeministrin, pasi që siç ka thënë ai nuk ka identitet.
Madje ai e ka akuzuar atë që vjedh edhe me tenderët për ngritjen e përmendoreve, duke e quajtur hajn klasik.
“U tha që po ju ofendoj, por nuk mund t’iu ofendoj juve, përderisa nuk keni dinjitet. Unë çfarëdo konstatimi që bëjë për juve, kurrë nuk mund t’ju ofendojë. Unë s’po ju ofendoj, por po flas çka jeni, paçavër. Ju po vjedhni në emër të kombit, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kombëtaren. Ju ia keni vënë emrin ANP-së “Adem Jashari”, e keni bërë drejtor djalin e Hamzës, për ta shitur më lirë. Ju edhe në tenderët për përmendore të dëshmorëve vjedhni, jeni hajna klasik”, ka thënë Kurti.
Përderisa ishte duke folur, Kurti, kryeministri qeshte, kjo ka bërë që lideri i Vetëvendosjes ju ka drejtuar atij me fjalën “mos u zgërdhini”.
“Për këtë ju duhet të shkoni në burg, sepse ky është krim. Të shitet për 26 milionë tërë rrjeti i energjisë elektrike, ky është krim. Prandaj mos u zgërdhini, por bëhuni serioz, nuk jeni as serioz as i sinqertë. Ju nuk mund ta përfaqësoni qytetarin e Kosovës me këtë zgërdhirje”, ka thënë Kurti.
Pas kësaj edhe njëherë ka replikuar kryeministri, Thaçi, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë mllef ndaj Kurtit dhe duke i thënë se do të kursej përhirë të prindit të tij.
“Unë nuk kam ndonjë mllef për të shfryer ndaj jush, sepse nuk kam asgjë personale, përkundrazi unë e respektoj prindin tuaj, por ju i keni dalë nga dora”, ka theksuar ai.
Gjithashtu ai ka thënë se nuk do të lejohet rikthim të mentalitetit monist, komunist dhe pretendimeve diktatoriale, “diktatorët po përfundojnë së shpejti edhe në Siri” ka thënë Thaçi./kosovapress/
Kryeministër mos u zgërdhi
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur hajn tipik kryeministrin Hashim Thaçi.
Ai këto akuza i ka bërë në seancën e Kuvendit, duke folur për privatizimin e ndërmarrjeve publike.
Albin Kurti madje i ka thënë kryeministrit Thaçi “mos u zgërdhi”, transmeton Indeksonline.
Kurse, kryeministri Thaçi e ka kursyer Albin Kurtin nga fjalët fyese, pasi që siç është shprehur ai e respekton babain e tij.
Thaçi e ka quajtur të pandërgjegjshëm Albin Kurtin dhe ka thënë se tani ka kaluar koha e komunizmit dhe se ai nuk do ta shohë më fytyrën e Hashim Thaçit, pasi nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Kamishi dhe Selimi me akuza e kundër-akuza
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar të enjten me akuza dhe kundër-akuza nga deputetët që janë përfshirë në përleshjen e 28 qershor në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Përderisa deputeti, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës për atë që ka ndodhur, ai ka thënë kjo është bërë në hakmarrje për atë që ka deklaruar rreth lidhjeve të Albin Kurtit me shërbimin serb. Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se asnjëherë nuk do të durojnë provokimet e njerëzve të SHIK-ut.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar ka kërkuar falje, për të sqaruar siç tha ai para qytetarëve incidentin që ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se në asnjë moment, me asnjë fjalë, me asnjë veprim, nuk kam qenë pjesëmarrës e as nxitës i asaj që ka ndodhur.
Haxhiu ka thënë se duke i njohur të dy deputetët, Gashin dhe Selimin, është munduar të parandalojë dhe evitojë më të keqen, duke konsideruar se ajo që ka ndodhur ka qenë turp për Kuvendin.
Por sipas tij, pas 20 minutave në një pritë të organizuar ka ndodhur sulmi fizikisht, pa paralajmërim nga 8 persona.
“Jam sulmuar pabesisht nga ish-bashkëluftëtari Rexhep Selimi, nga ai i cili 20 minuta më herët e kam shpëtuar të mos rrahet nga Latif Gashi. Jam sulmuar nga Florin Krasnqi, një bandit i nëntokave të palara të bizneseve në Kosovë, i cili prej momentit të futjes në politikë në Kosovë, ka paralajmëruar vëllavrasjen, duke kërcënuar publikisht edhe kryeministrin e vendit”, ka thënë Haxhiu.
Gjithashtu ai ka thënë se është sulmuar edhe nga Visar Ymeri, që siç e ka quajtur ai “një milingonë e politikës sekrete të Vetëvendosjes”.
Haxhiu thotë se kjo ka ardhur në shenjë hakmarrje për atë që ka deklaruar më herët për Albin Kurtin për lidhjet e tij me shërbimin sekret serb.
“Them se jam sulmuar në shenjë hakmarrje, duke mu përmendur gjatë sulmit edhe deklaratat e mija për Albin Kurtin. Nga Lëvizja Vetëvendosje kam pasur kërcënime nëpërmes letrave, por edhe forma të tjera, të cilat nuk kam dashur t’i bëjë publike, për të mos nxitur konflikt. Nuk kam dashur ta adresojë skenarin e vëllavrasjes që është duke e krijuar Vetëvendosja. E tërë kjo u bë që unë demaskova Albin Kurtin për bashkëpunimin e tij me shërbimin serb”, ka theksuar Haxhiu.
Gjithashtu ai ka thënë se e mbyll këtë çështje dhe nuk do të merret më me këtë, përhirë të interesave të vendit.
Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili ka qenë i involvuar në këtë ngjarje, ka thënë se qytetarët e Kosovës presin që të shpreh ndjenjën e keqardhjes, për gjithë atë çfarë ndodhi në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se do të bëjë, por jo pa i thënë nja dy tri fjalë paraprakisht. Sipas tij me përfundimin e luftës më 1999 gjegjësisht 2000, një grup njerëzish që përgatiteshin për politikë dhe për të përfituar edhe politikisht nga lufta që lamë pas, “duke u thirrur pikërisht në emër dhe në vlerën e kësaj lufte e dhanë UÇK-në”, tha Selimi.
Për më tepër ai ka shtuar se ata që hoqën dorë nga UÇK-ja, hoqën dorë nga betimi i ushtarit, hoqën dorë nga Qeveria e luftës, madje sot hoqën dorë edhe nga flamuri me të cilën luftuan, por sipas tij kurrë nuk hoqën dorë nga SHIK-u.
“E çarmatosen UÇK-në dhe shuajten, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën. Prandaj ishte ky rrjet spiunazhi i quajtur SHIK, pa asnjë bazë ligjore vazhdoi veprimtarinë supersive edhe pas janarit të vitit 2000, ku u shuan edhe institucionet e përkohshme me Qeverinë e dal nga lufta”, ka thënë Selimi.
Megjithatë, sipas Selimit, populli i Kosovës e meriton të dijë se kush ishte dhe kush është kjo organizatë që e mban në presion opinionin. Ai pohoi se për këtë asnjëherë nuk është dhënë përgjigje, pra pse nuk përgjigjen.
Selimi ka përshëndetur deputetët që kanë nënshkruar iniciativën e deputetit, Florin Krasniqi, për krijimin e një komisioni hetimor për SHIK-un, duke inkurajuar edhe të tjerët që ta nënshkruajnë.
Deputeti Selimi ka thënë se këta njerëz të SHIK-ut, shkuan edhe më larg, guxuan të kërkojnë një gjë të tillë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por sipas tij ky guxim i doli i pa llogaritur mirë.
“Ata morën përgjigje në vend që të përgjigjeshin, por kjo nuk i ka bërë të ndjehen mirë shumë qytetarë, të cilët presin më shumë nga ne, presin që të mos biem në provokime të tilla. Prandaj ndjej keqardhje ndaj atyre që nuk u ndjen mirë kur panë lajme të tilla. Por njëkohësisht ju kërkoj që të na kuptojnë se sa e vështirë është t’i durojmë këtë njerëz, të cilët vazhdojnë ende me provokime të tilla. Madje le të na kuptojnë se edhe në të ardhmen asnjëherë nuk do t’i durojmë”, ka theksuar Selimi.
Ndërkaq kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi ka thënë se çështje të tilla të cilat ngrisin debat do të ndërpriten në të ardhmen.
“Çdo fjalë në të ardhmen që do të nxis debat në këtë Kuvend, do të ndërpritet. Grupet parlamentare dhe deputetët kanë të drejtë të ngrisin shqetësimet dhe se si bëhet kërkesa për debat është e përcaktuar me rregullore. Le të kërkojnë debat dhe të zhvillohet debati, por për këtë pikë të rendit të ditës, e cila nuk parasheh as replikë, të cilat çështjet që ngrisin debat do të ndërpriten menjëherë”, ka theksuar Krasniqi.
Në vazhdim të seancës deputetët kanë ngritur çështje të ndryshme. /kosovapress/
Krijoni Kontakt