Njëjtësimi i VV-së me partitë tjera - fillimi i fundit të saj
Sali Bytyçi E shtune, 19 Korrik 2014 11:29
A mund të themi sot se VV-ja është e ndryshme nga partitë tjera? Me çfarë është e ndryshme nga ato? Në fakt, tani, Lëvizjes Vetëvendosje, nga ajo Lëvizje që ishte në fillim, vetëm agresiviteti i ka ngelur si veçori dalluese prej partive tjera, me çdo gjë tjetër është e njëjtë me to
Të gjitha partitë, duke filluar nga LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja etj., elektorati i ka votuar se janë ashtu siç janë, ndërsa Vetëvendosjen e ka votuar se është ndryshe prej tyre! Pra, derdhja e votave në llogari të kësaj partie, duke e konsideruar këtë sinjë alternativë të re, si diçka që nuk mund të jenë partitë e sipërpërmendura, është bërë nga ai elektorat i cili kërkon ndryshime rrënjësore në shoqërinë tonë, përndryshe, ky elektorat nuk do të derdhte kot vota për një parti të njëjtë apo të ngjashme me partitë tjera.
E kam përcjell VV-në që nga koha kur ishte lëvizje, kur protestonte në rrugë. Kur më është dhënë rasti edhe i jam bashkëngjitur, duke llogaritur se edhe mund të mbetem viktimë, si ata që mbetën të vrarë nga rumunët. Më ka entuziazmuar këmbëngulësia për të dalë në skenë si një lëvizje që kërkon ndryshime. Protestat e saj më kanë kujtuar pranverën shqiptare të vitit ’81. Edhe kur hyri në Parlament, pas një kohe të gjatë në rrugë, nuk më la ky entuziazëm, por ky filloi të më zbehej më vonë - kur Lëvizja Vetëvendosje filloi të bëhej njësoj me partitë tjera.
D.m.th. gjithë ajo lëvizje, të gjitha ato protesta, gjithë ai kundërshtim nga Vetëvendosja u bënë që të bëhet edhe kjo si partitë tjera, të njëjtësohet me to? Gjithë ajo propagandë për bashkimin kombëtar, pastaj mërdhirja e njerëzve në kufi të mos kalojnë kamionët e Serbisë, u desh të derdhet edhe gjaku i të rinjve në rrugët e Prishtinës, që kjo lëvizje të vijë në një pikë të tillë?!
Gjatë kohës së rënies së entuziazmit, për të mos thënë të zhgënjimit me këtë lëvizje, fillova të mendoj për fenomenin e njëjtësimit të të kundërtave. Për të kuptuar këtë fenomen më erdhi në ndihmë një bisedë që kam pasur me liderin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurtin, në verën e vitit 2000 në Burgun e Nishit.
Si i burgosur në fillim të majit të vitit 1998, për çfarë ndodhte jashtë, kuptoja vetëm nga fjalët e atyre që vinin pas meje në burg, prej të cilëve më kishte rënë të dëgjoja edhe atë se nga ana e disa pjesëtarëve të UÇK-së, gjatë luftës, kishte ndodhur ndonjë akt i cili i kishte tejkaluar masat e humanizmit. Se sa ishin të vërteta ato, unë nuk isha në gjendje të gjykoj, por kur i dëgjova, shpreha mospajtimin tim me to. Këtë mospajtim ia shpreha një ditë Albinit, ndërsa ai ma ktheu gjakftohtë: “Dëgjo Sali, dy ushtri, sa më gjatë që të luftojnë mesveti, shkojnë duke i ngjarë njëra-tjetrës!”. Pra, sipas tij, një gjë e tillë ishte normale.
Pikërisht në fjalët e Albinit e gjeta çelësin e njëjtësimit të VV-së me partitë tjera. Pra, lufta e gjatë që bëri kjo lëvizje kundër partive të tjera, e bëri të njëjtë me to. Shenja më e qartë e këtij njëjtësimi të kësaj partie me partitë tjera ishte akti i djeshëm i saj në Kuvendin e Kosovës dhe përpjekja e saj për t’u treguar e ndryshme nga partitë tjera kinse me abstenimin, tregonte katërçipërisht deri ku ka arritur etika e kësaj partie! Kjo shihej edhe nga pamja e nënkryetarit të Isa Mustafës, Konjufcës, nga hija e keqe që i kishte rënë fytyrës së tij. Zyrtarët e saj, edhe pse deklaronin se nuk kishin marrëveshje me koalicionin, prapë punën e tyre e bënë deri në fund në mbështetje të këtij koalicioni!!!
Por, nëse thashë në fillim të këtij opinioni se elektorati ia dha Vetëvendosjes votat sepse ishte ndryshe nga të tjerët, njëjtësimi i saj me partitë tjerë është edhe fillimi i fundit të saj!
Si përfundim, në dekadën e fundit, dy parti që dolën në skenë, sikur qëllim të vetëm kishin të ngjallin shpresën e këtij populli të pashpresë: e para, AKR-ja, lideri i së cilës ishte treguar si biznesmen i fuqishëm në botë, pra, shpresohej, me shembullin e tij do të ndikonte të rimëkëmbej ekonomia e Kosovës dhe, e dyta, Lëvizja Vetëvendosje, me kapitalin moral që posedonin themeluesit e saj, do të ndikonte në kurimin moral, pastaj edhe ekonomik të shoqërisë sonë.
AKR-ja shkoi, hapave të saj po shkon edhe Vetëvendosja, dhe me to edhe shpresat që ngjallën. Pas tyre vazhdon “normaliteti”, vazhdon rutina dhe rrëfimi “Na ishin njëherë...”.
Krijoni Kontakt