
Postuar më parë nga
Edvin83
SJELLJA E DYFISHTË E SHQIPTARËVE
2012-02-28
Artan Mullaj
Gazeta Shqip
1 - Infrastrukturë e butë, njerëz të ashpër
Zona ku banoj, në lindje të Tiranës, është e paasfaltuar dhe e pasistemuar nga pikëpamja urbane. Është një reliev qyteti ku durimi, si një virtyt, nuk mjafton për t’u ambientuar me pasojat që sjellin problemet me ashpërsinë e tyre. Përveç durimit nevojitet edhe shpresë. Shpresë se dhembshuria e bashkisë apo e qeverisë do ta ndriçojë këtë zonë me dritën e saj shpirtçjerëse… Netëve mungon ndriçimi në rrugët e pista, si për të kujtuar epokën e elektrifikimit të vështirë qyshkur, apo llamburitjen e bllokut në qendër, si një vegim thellë perëndimit. Mbrëmjeve digjen plehrat shumëjavore të familjeve dembele që kanë zbarkuar dhe pushtuar periferinë gjatë tranzicionit. Ato paguajnë shtrenjtë injorancën me shëndetin e fëmijëve të tyre dhe banorëve të tjerë, ndërsa tymi helmues i mbeturinave pushton me furi vullkani një nga një banesat gjatë errësirës. Mbrëmjeve, njerëzit mbyllin dyert dhe dritaret në shtëpitë e tyre, për të bërë paqe me fatin dhe fatalitetin, sepse nuk dinë dhe nuk kanë ku të ankohen për ndotjen e rrezikshme të natës. Asnjë llambë nuk ndriçon rrugën kryesore me gropa dhe plehra dhe asgjë nuk e nxjerr në dritë mallkimin e saj elektoral për politikanët që shfaqen në këtë zonë vetëm gjatë fushatave elektorale. Ata shfaqen bardhoshë, kodoshë dhe plot siguri në vetvete, njëlloj si paraardhësit e tyre. Njëlloj zbresin nga fuoristradat dhe se kanë për gjë të ecin mes pluhurit apo baltës me këpucët lustrafin dhe këmishat e bardha, sa herë që ju premtojnë fshatarëve të shndërruar me ngut kryeqytetas, asfaltim, ndriçim dhe sistemim. Njëlloj avullojnë parfum të shtrenjtë nga poret e trupit, por indi aromatik i banorëve të rinj të Tiranës çoroditet për shkak se aroma “noi-velout” e tyre që kushton 500 euro përzihet me erën e padurueshme të ujërave të zeza. Këto ujëra zbresin nga kodra në drejtim të malit të Dajtit, ku mes të tjerave, ndodhet vila kështjellore e Presidentit të Republikës. Ujërat shtohen nëpër degëzime, derisa krijojnë një përrua ujëzi që ndan zonën, si lumi i Senës - Parisin, në dy pjesë.
Realitet i ashpër me njerëz të ashpër, të ardhur në Tiranë nga zona të ashpra, që kanë vazhdimisht këpucë të ndotura me baltë dhe kanë fëmijë që luajnë në hapësirat e rrugës përgjatë përroit plot me materie fekale, që notojnë drejt lumit të Lanës, - ky mund të jetë titulli i kësaj tabloje aspak të gëzueshme.
Duke ecur si fekalet drejt qendrës, megjithatë, infrastruktura e humb gradualisht ashpërsinë dhe fillon e përmirësohet. Rrugët janë asfaltuar dhe ndriçuar njëfarësoj. Gratë veshin taka të larta, kanë fytyra burrërore, megjithëse ndihen mirë me manikyrët që përdorin dhe minifundet e shumëmoshshme (për çdo moshë). Burrat lexojnë gazetën në mëngjes ose pinë raki me fasule pllaqi, si rojtarët e pyjeve të shkatërruara të Sherës në Vithkuq. Por ndërsa duke shkuar drejt qendrës ambienti “zbutet”, të njëjtën gjë nuk mund të thuash edhe për njerëzit. Vështirë të krijosh një ide se ç’statistikë gjeografike kanë tradhtia dhe dashuritë, ndërsa treguesi lëviz mbi Tiranë. Ku dashurohet më shumë? Ku tradhtohet më shumë, në ç’zonë, në ç’komunitet, në ç’fis. Ku ka mbeturina më shumë. Ku tradhtohen burrat më shumë dhe ku, në ç’vend, në ç’kohë, dhunohen gratë më shumë. Shkurt, ka zhurmë si kudo, ka jetë, ka histori, dashuri, tradhti, dhunime, vrasje dhe vetëvrasje, të gjitha të shpërndara në mënyrë kaotike, pavarësisht infrastrukturës, ujërave të zeza apo ngjyra e pushtetit vendor. Dashuria dhe krimi nuk kanë atdhe. Dashurohen ose jo, vriten ose jo, dhunohen ose jo, njerëzit në Tiranë janë të ashpër njëlloj, pavarësisht ku jetojnë. Janë njëlloj të çuditshëm. Asfaltimi i rrugëve, dritat, reklamat, disa pemë të mbjella, grumbullimi i plehrave në kosha, pabet, trotuaret me pllakaqe si zemër dhe shumëkatëshet e reja, duket se nuk kanë ndikuar aspak në sjelljen civile të njerëzve, në kulturën e tyre.
2 - Gjallesa që shkelin veten në shpinë
Kur je i ashpër, je dhe i fortë! Je një krijesë që ka energjinë e mjaftueshme për të shpërfillur normalitetin, ligjet e jetës, ligjet e krijimit. I ashpri sfidon, shkatërron, mohon edhe vret. Këto janë veprime dhe vendime gjallesash, të cilat kanë zhvendosur normalitetin për të krijuar një normalitet të ri ku sundon paradoksi dhe mosarsyeja. Ne përfaqësohemi prej tyre. Ne vetëbombardohemi me lajme të zeza të një realiteti primitive, të cilin vetë ne e krijojmë. Kronika të kobshme dominojnë lajmet e ditës në vend. Burri vret gruan në sy të fëmijëve, për xhelozi ose edhe për para. Jo rrallë vëllai vret vëllanë, me thikë, me sëpatë, me gërshërë, për një pëllëmbë tokë ose për hiçmosgjë. Ati vret të birin, vëllai motrën, të gjitha krime brenda familjes. Në Shqipëri, këto janë aq të shpeshta dhe aq të pazakonta, sa mund të diskutohen si një rekord i rrallë për në librin “Guinnens”.
Dhe kur ndodh rëndom brenda familjes, krimi i zakonshëm në rrugë mbetet të jetë një rutinë. Të rinj me pistoleta në brez vrasin njëri-tjetrin për parakalim makinash. Për vështrime të shtrembëta. Për karshillëqe dhe “të pështyme tinëz” në rrugë. Rrugëve ndesh cuba të armatosur që me pak vëmendje i dallon kur të duash. Fryjnë gjoksin dhe kanë mësuar të shohin vëngër, a thua janë version shqiptar i Al Kapones. Të frymëzuar nga filmat, por edhe nga realiteti shqiptar, që jo rrallë konkurron Hollivudin për nga fantazia e krimit, këta janë si çarqe të ngrehur, gati për sherr, gati për luftë, gati për zjarr. Çdo natë në periferinë e Tiranës, në rrugë, në lokale, në salla bilardosh, grinden, shahen, theren, shqyhen madje edhe vriten, me një shkujdesje të frikshme.
3 – Këndes në rrugë, pula në qymez
Megjithatë, që kemi sidomos rini “të fortë” dhe “të ashpër” në të gjitha hapësirat e qyteteve tona, në rrugë, në institucione, në kinema dhe lokale, atje ku ngjan primitive, do mund të ishte edhe e dobishme. Do mund të ishte e dobishme nëse po këta njerëz gjaknxehtë, me koeficient të lartë egoizmi dhe sedër të tejme ballkanike, që hakmerren, vriten e priten për hiçmosgjë, të ishin njëlloj të ashpër edhe me padrejtësitë që iu bëhen përditë nga qeveria e tyre. Këta trima në limitet e fantazisë, që matin jetën e njeriut me "qafa pulash të therura", pësojnë metamorfozë kur është puna për të bashkuar vullnetet e tyre përballë sundimit koherent të pushtetit. Është një surprizë meditimi i epërm fakti se shqiptarët rezultojnë njerëzit më të urtë, më të butë dhe më kokulur në Ballkan. Nuk ankohen për padrejtësitë që iu bëhen dhe nuk protestojnë. Nuk e kanë sensin e kolektivitetit dhe ju është shuar instinkti i kundërshtisë civile. P.sh, ata që ngulin pa drojë thikën në mishin e motrave, vëllezërve apo bashkëqytetarëve të tyre, nuk pipëtijnë fare nëse votat e tyre vidhen apo mungon uji dhe energjia në verë. Kur siguracionet e makinave trefishohen brenda ditës, qime floku nuk lëviz në kokat e tyre nervoze. Kur Kryetarja e Parlamentit shpërdoron pa hesap paratë e shqiptarëve për të bredhur botën e tërë, ose për makina luksoze, në vend që t’ju hipë gjaku në kokë, flasin për sport ose diskutojnë Menekshenë dhe telenovelat. Kur fëmijët e tyre mësojnë në shkolla pa ngrohje, kur ilaçet mungojnë në spitale, kur karburantet shkatërrojnë makinat dhe atmosferën, kur kasat fiskale kushtojnë trefish dhe katërfish më shumë se në vendet e tjera, i lexojnë të gjitha këto në gazeta, por askush nuk ka vullnet të protestojë meqë drejtësia mungon.
Dhe janë në çdo rast, po këta njerëz, po këta qytetarë të ashpërsisë së përditshme.
Burrëria e shkuar dëm nëpër salla bilardosh mungon tërësisht përballë sundimit shtetëror. Kalorësit e rrugës me shpata dhe përkrenare shndërrohen në ca krijesa më të urta e më veshëvarura se gomarët që kullosin luadheve Devoll. Si trima legjendash që janë, e humbin sakaq aftësinë për të organizuar dhe disiplinuar egërsinë që kanë. Përballë pushtetit janë “gurë të vegjël që rrokullisen kollaj”. I vjedhin përditë, i helmosin përditë, ata vetë, prindërit dhe fëmijët e tyre, i mashtrojnë dhe i poshtërojnë përditë, nganjëherë edhe i vrasin, por kokën nuk e ngrenë.
Përse ndodh ky dyzim, ky transformim personaliteti kolektiv? Diku mund të supozohet se “të fortët” e rrugës sot janë militantët besnikë të njërës parti politike apo tjetrës dhe prandaj këta nuk reagojnë kur pala e tyre është në pushtet. Kurse të urtët në rrugë, shpatull-rënët, aq më shumë janë të urtë me qeverinë, e cila në çdo rast “e zë lepurin me qere”. Gjithsesi, asgjë nuk mund ta justifikojë sjelljen civile të njerëzve në Shqipëri. Sjellja e dyfishtë, dyzimi, ashpërsia ndaj vetes dhe ambientit nga njëra anë dhe butësia ndaj pushtetit, nga ana tjetër, në njëfarë mënyre, vërteton me sa duket atë fjalën e hershme se sado trim që të jetë, “çdo popull meriton qeverinë që ka!”.
Krijoni Kontakt