
Postuar më parë nga
PLAKU
Të përndjekurit nuk i harrojnë krimet
Aurel BYLYKBASHI
Në ditët e fundit në politikën kaotike të liderit socialist, Edi Rama në qendër të vëmendjes ka qenë një kategori shumë e ndjeshme e gjithë shoqërisë shqiptare, siç është shtresa e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.
I çorientuar totalisht, në rrugën e tij për të marrë pushtetin dhe i gjendur përballë largimit të gjithnjë e më shumë qytetarëve mbështetës të së majtës nga ai, Edi Rama nuk di se ku të kërkojë më vota dhe i është drejtuar, paturpësisht do të thoja unë, kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
E përmenda fjalën paturpësisht, sepse i tillë është qëndrimi që Rama dhe forca politike që ai drejton po mban ndaj ish-të përndjekurve politikë, duke i vrarë natën dhe i qarë ditën.
Në radhë të parë dua t'i drejtohem nga foltorja e këtij Kuvendi Kryetarit të PS, Edi Rama dhe përfaqësuesve të kësaj force politike në Kuvendin e Shqipërisë:
Si vazhdues të Partisë së Punës së Shqipërisë, a i keni kërkuar ndonjëherë ndjesë publike kësaj shtrese të shoqërisë, që në emër të partisë suaj u vra, u burgos, u internua, u la pa shkollë, pa profesion, u nëpërkëmb në punët më të rëndomta?
Fatkeqësisht përgjigjja është jo!
Kjo ndjesë publike kurrë, nuk është bërë, por ajo që është edhe më e keqja ka ndodhur e kundërta.
Mundësia për këtë ndjesë publike është edhe më e madhe tani, kur pjesë thelbësore e juaja është po familja e ish-bllokut komunist.
Po të pyes ty drejtpërdrejt zoti Rama: A ke kërkuar ndonjëherë ndjesë ti për krimet që kanë kryer pjesëtarë të familjes tënde në ato vite? Përsëri përgjigjja është jo! Nga kjo foltore po ju pyes ju, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës ideologjikë dhe gjenetikë të ish-komunistëve shqiptarë. A ka kërkuar dikush nga ju apo të afërmit tuaj falje dhe ndjesë? Dhe përsëri përgjigjja është e njëjtë. Jo dhe jo!
Rilindja e shqiptarëve nuk mund të kryhet nga ata që kanë treguar, që dinë vetëm të shkatërrojnë, jo vetëm vendin, por edhe jetën e qytetarëve të tij. Tentativa për të shfrytëzuar momentet ndonjëherë edhe të vështira personale të ish-të përndjekurve për kapital politik do të mbetet e pashpresë.
Baballarët tuaj dikur në 1945 këtyre njerëzve dhe gjithë shqiptarëve u thanë do të hani me lugë floriri dhe të gjithë e pamë se ç'ndodhi më pas. Kjo kategori ka qenë dhe do të mbetet pjesë e rëndësishme dhe thelbësore e PD, si forca e vetme politike, e cila është shprehëse e aspiratave për liri dhe demokraci, për të cilat këta njerëz u vranë, u burgosën dhe u internuan.
Unë që jam sot deputet i PD jam ish-i përndjekur politik. PD pas fitores së 22 marsit të vitit 1992, në qendër të programit të saj kishte integrimin e kësaj shtrese, më të vuajturën nga regjimi komunist shqiptar.
Punësimi, arsimimi, strehimi, integrimi dhe përfaqësimi politik i kësaj kategorie ishin ndër hapat e parë të PD në qeverisje. Sigurisht që mund dhe duhet bërë më shumë.
Dalëngadalë ish-të përndjekurit filluan t'i ktheheshin jetës normale, me shpresën se e keqja kishte marrë fund. Por nuk do të ishte kështu. Pas marrjes së pushtetit me dhunë në vitin 1997 nga ana e PS, persekutimi u rikthye përsëri. Ju nuk latë asnjë ish-të përndjekur politik pa shkarkuar nga puna, në të gjitha nivelet e administratës shqiptare, nga më të lartat e deri madje edhe tek shoferët e pastrueset.
Ju hoqët të gjitha benefitet e përcaktuara me ligj për këtë kategori si arsimi apo ndihma ndaj tyre dhe i zëvendësuat ato me benefitet për persekutorët e tyre, sepse në fund të fundit të tillë jeni.
Më thoni zotërinj të nderuar socialistë, çfarë përfaqësuesish keni ju në gjirin tuaj që ta përfaqësojë këtë shtresë? Çfarë keni bërë ju për këtë kategori të shoqërisë shqiptare, përveçse sulmit dhe diskriminimit ndaj saj?
Zoti Rama, demagogjia juaj nuk do ju çojë asgjëkundi, pasi të gjithë shqiptarët, aq më shumë ish-të përndjekurit politikë e kanë kuptuar se ëndrra juaj e vetme është pushteti për vete dhe për byroistët e rinj dhe jo interesat e qytetarëve.
Ish-të përndjekurit politikë janë paqësorë, ata nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje, por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë memorie. Ata kanë treguar se dinë të falin, por gjithashtu kanë treguar se nuk mund të harrojnë kurrë, krimet dhe persekutimin e diktaturës më të egër komuniste të gjithë Europës.
Prandaj kolegë të opozitës dhe ju zoti Rama shkoni dhe kërkoni vota diku tjetër, sepse me këtë që po bëni me ish-të përndjekurit vetëm se po trazoni shpirtrat e tyre që po përpiqen të bien në qetësi.
Të paktën lërini të qetë. Na lini të qetë. Kaq besoj se keni mundësi ta bëni, jo thjesht si politikanë, por edhe si qenie njerëzore.
Krijoni Kontakt