BERZH projekt për rindërtimin e hekurudhave në Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka marrë përsipër të rimëkëmbë sektorin hekurudhor shqiptar. Burime nga ministria e Transporteve bëjnë me dije se BERZH ka pranuar të asistojë pranë kësaj ministrie për hartimin e dy studimeve për mënyrën se si do të ndërhyhet dhe për vënien në zbatim të variantit për dhënien me koncesion. Projekti i BERZH ka një rëndësi të vecantë për zhvillimin e transportit hekurudhor në vend. Paraprakisht BERZH ka përgatitur një raport mbi gjendjen e këtij sektori, që aktualisht është kritike si për trenat në qarkullim ashtu edhe linjat dhe sinjalistikën hekurudhore. Objekti kryesor i projektit janë rimëkëmbja e hekurudhave shqiptare, ndërsa në fokus të vecantë do të jetë rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Sipas Ministrisë së Transporteve përsa i përket kësaj linje, ku aktualisht është përqëndruar 40% e popullsisë, të vendosen kushte të reja udhëtimi dhe shpejtësia e lëvizjes. Pak kohë më parë Ministria e Transportit ka bërë një studim për linjën e trenave Tiranë-Durrës, dhe një projekt me synim vendosjen e sinjalistikës, masave të reja të sigurisë dhe lëvizjen me shpejtësi deri në 120 km/h.
Gjithsesi studimi dhe konsulenca e BERZH-it do t’i japë mundësi qeverisë të nxisë firmat private të investojnë, përmes skemës së koncesionit. Në fillim, BERZH do të orientohet drejt vlerësimit financiar dhe ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor, më pas studimi i trafikut, dhe në fund sektorët se ku mund të investohet sipas segmenteve dhe pozicionit gjeografik. Projekti nis zbatimin në shtator të 2012-s dhe do të zgjasë nëntë muaj, kurse vlera e tij është rreth 1.2 milionë euro.

ABC