Hyseni: Serbisë po i jepet e drejta e vetos për Kosovën
Prishtinë, 23 shkurt- Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, nuk beson se nënsekretari amerikan i Shtetit, Williams Burns, ka insistuar tek autoritetet qeveritare të pranojnë që Kosova të marrë pjesë në nisma rajonale me fusnotën ku shënohet edhe Rezoluta 1244. Thotë se qëndrimi i amerikanëve çdoherë ka qenë i qartë: nuk do të kërkojmë asnjëherë nga Kosova që të bëjë koncesione që e dëmtojnë pavarësinë e saj.
E pranimi i fusnotës në të cilën do të jepet shpjegimi se Kosova ende funksionon mbi bazën e kësaj rezolute të OKB-së, sipas tij, jo vetëm se do ta dëmtojë shtetësinë e Kosovës, por do t’i lëndojë edhe europarlamentarët e shumtë që kanë luftuar për ta hequr këtë referencë në çdo dokument dhe rezolutë që e ka nxjerrë Parlamenti Evropian për Kosovën. Hyseni, që aktualisht është anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, nuk e përjashton mundësinë që pala vendëse të ketë pasur presione të jashtme për të pranuar një formulë të tillë përfaqësimi, por thotë se ato presione është dashur të evitohen me gjuhën e argumenteve.
Në intervistën për “Kohën Ditore”, ky deputet i LDK-së, jep edhe shembuj kur zyrtarët e Kosovës kanë ditur t’i bindin “miqtë ndërkombëtarë“, se jo gjithmonë ata kanë të drejtë. Sado paradoksale që mund të tingëllojë, ai thekson se dëmi që mund t’i shkaktohet Kosovës nga përfaqësimi me fusnotë, mund të evitohet vetëm në rast se Serbia nuk pranon ta nënshkruajë marrëveshjen në Bruksel. Pavarësisht deklarimeve të përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar,se Kosova mund të hyjë shumë shpejt në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, Hyseni nuk e beson një gjë të tillë. Thotë se për të fituar diçka të kësaj natyre, është dashur me kohë të vihen kushte. Ai më shumë druan se Kosova do të përshëndetet një herë e përgjithmonë me BE-në, në rast se Serbia ia del të bëhet anëtare e kësaj bashkësie.
Në radhë të parë, figurimi i fusnotës, përkatësisht i Rezolutës 1244 në fusnotë, do të shënojë fillimin e degradimit gradual të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Do t’ju marr një shembull. Në Parlamentin Evropian, grupi i përkrahësve të Pavarësisë së Kosovës ka qenë në luftë të përhershme me grupin e kundërshtarëve të pavarësisë rreth referencave që i janë bërë Rezolutës 1244 në të gjitha rezolutat dhe dokumentet evropiane. Dhe, grupi i përkrahësve ka arritur prore që ta evitojë referencën 1244 nga të gjitha rezolutat e PE-së. Tashti, si do ta ndiejnë veten ata eurodeputet të cilat duke argumentuar fuqishëm dhe me këmbëngulje Pavarësinë e Kosovës, janë përballur me deputetët spanjollë, grekë apo sllovakë, të cilët kanë insistuar që në çdo dokument për Kosovën të figurojë Rezoluta 1244.
Me këtë koncesion që bëhet me fusnotë de facto Serbisë po i njihet e drejta e vetos mbi çdo proces të anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në rast se Republika e Serbisë, pranohet në BE, para Kosovës, me këtë formulë, me këtë fusnotë, Republika e Kosovës le të përshëndetet me anëtarësimin në BE. Nuk do të arrijë kurrë. Asnjëherë nuk të bëhet anëtare e BE-së në rast se Serbia bëhet anëtare e BE-së me të drejta të plota para Kosovës. Gjithnjë do ta kushtëzojë Kosovën. Ju e dini se pranimi i vendeve të reja në BE-së sipas kartës së BE-së bëhet me konsensus. Dhe asnjëherë Serbia nuk do të japë pajtim që Kosova të bëhet anëtare e barabartë e BE-së, duke e pasur një fusnotë të tillë (intervista e plotë sot në “Kohën Ditore”).
Krijoni Kontakt