Zori i madh i Thaçit
Arbana Xharra
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të ketë zor të madh. Dikujt edhe mund t’i vijë keq për të, sepse vetëm një shantazh i madh mund të të bjerë në pozitë të marrësh vendime që çojnë peshë një popull të tërë.
Ai ka dy palë letra në duar që duhet të zgjedhë se me cilat do të luajë;
*Vazhdon të luajë duke e degraduar të ardhmen e vendit me kusht që ta ruajë veten.
*Të japë dorëheqje për të mos marrë në dorë përgjegjësinë, e cila e fut në histori si njeriu i cili punoi dhe kontribuoi jashtëzakonisht shume në Shpavarësimin e Kosovës dhe në degradimin e këtij shteti.
Derisa, kryeministri Thaçi tenton të qetësojë opinionin se përfaqësimi i Kosovës në nisma rajonale, duke e njohur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, i hap rrugë Kosovës që të nënshkruajë marrëveshje kontraktuale me BE-në, por ja që nëse i lëshon një sy rezolutës e sheh se kryeministri ka ardhur në atë gjendje sa të fshehë çështje me rëndësi madhore për të manipuluar me opinionin publik.
Duke e ditur fare mirë se ku është futur, Thaçi është duke i përgjëruar miqtë e tij ndërkombëtarë që ta përkrahin në kompromisin që është nisur ta bëjë. Të martën u bë e ditur se kryeministri ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Hillary Clinton, ku temë kyçe e bisedës ka qenë kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në implementimin e agjendës euro-atlantike, në mënyrë që Republikës së Kosovës t'i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Një ditë më herët, Thaçi ka zhvilluar biseda telefonike edhe me personalitete të tjera të njohura, në mesin e tyre edhe me William Hague, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Carl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë, Eliot Engel dhe Gary Peters, kongresmenë amerikanë, Ivo Josipoviq, president i Kroacisë dhe Stefan Fule, komisioner evropian për zgjerim. Kjo tregon në pasigurinë e Thaçit nëse ai në fund të ditës do të shpëtojë apo do të digjet rëndë.
Sepse ai e di shumë mirë se me këtë kompromis mes tjerash lejon që të kthehen rreth 2000 forca ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Sepse kjo thuhet në pikën 4 të Rezolutës 1244 më të cilin Thaçi ka arritur marrëveshje të përfaqësohet Kosova ku sqarohet se pas tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore të Serbisë, një numër i tyre do të kthehet më pas në Kosovë për të performuar funksionet e tyre.
Derisa pika 11 e Rezolutës 1244 thotë: “Bashkësia ndërkombëtare do të ndërtojë një autonomi substanciale të vetëqeverisjes në Kosovë sipas parimeve të Rambujesë”.
Ky është kompromis i rëndë që ka bërë kryeministri, i cili vetëm në një gjendje të rëndë apo dilemë të madhe mund të arrihet nga dikush që ka përgjegjësi shtetërore.
Thaçi ka hapur shteg për dyshime të rënda ndaj tij personalisht, pse është duke e çuar Kosovën në këtë rrugë, ku është zori kaq i madh i tij.
Sepse është shumë e qartë se formula e cila pritet të zyrtarizohet në Bruksel, nuk ka kurrfarë garancie se do të pranohet edhe nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo bën me dije se mënyra se si do të paraqitet Kosova në forume rajonale nuk i rregullon edhe marrëdhëniet e BE-së me Kosovën.
BE-ja nuk ka nga t’i ikë qëndrimit të saj ndaj Kosovës që e trajton me neutralitet statusin për arsye të thjeshtë Spanja, Rumania, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia nuk e njohin Kosovën shtet.
Kompromiset në shpinë të popullit janë duke i bërë nderin më të madh Serbisë, si dhe shënimin në histori në mënyrë të palavdishme të degradimit politik e shtetëror të njeriut që para 4 vitesh pati privilegjin ta shpallë pavarësinë e më pas atë e degradoi.
http://www.zeri.info/artikulli/3/19/...madh-i-thacit/
Krijoni Kontakt