Falimenton “Malev”, kompania hungareze e fluturimeve
Ishte kompania kombëtare, por prej vitesh ishte zhytur në borxhe të mëdha.
Linja kombëtare hungareze “Malev” është dorëzuar pas një situate të stërzgjatur e shumë të vështirë financiare. Në orën 5:00 të mëngjesit të së premtes, pas thuajse 66 vite shërbimesh dhe operacionesh të vazhdueshme, “Malev” nuk do të niste më drejt qiellit avionët e tij. Ky ka qenë pak a shumë vrojtimi i bërë për këtë situatë që ka shqetësuar shumë klientë të kompanisë së fluturimit, që shquhej për çmimet relativisht të lira të biletave,.
Vendimi erdhi pasi Komisioni Europian urdhëroi që “Malev” të paguante ndihmat e shumta që ka marrë nga shteti nga viti 2007 deri më 2010-n. Bëhet fjalë për rreth 38 miliardë forinta ose 138 milionë euro, një shumë e barabartë me të ardhurat e gjithë vitit 2010. “Pavarësisht interesave më të mira që ka, pronari nuk mund të japë më burime financiare për fluturimet në prag edhe të vendimit penalizues të Bashkimit Europian”, thuhet në një deklaratë të linjës ajrore. Organizata Europiane e Konsumatorit që mbron “interesat e të gjithë konsumatorëve europianë” tha se lajmi erdhi pas kolapsit spanjoll në të njëjtën javë. “Ky zhvillim është një provë tjetër e pakundërshtueshme e legjislacionit europian për fluturimet ajrore dhe e faktit që në këtë legjislacion duhet që të inkorporohet një garanci në lidhje me të gjitha falimentimet e linjave ajrore”, thuhet në materialin e Organizatës Europiane të Konsumatorit. Kjo kompani ajrore punëson 2600 persona dhe është përgjegjëse për thuajse gjysmën e trafikut ajror në aeroportin e “Franz Liszt” të Budapestit.
“Malev” ka qenë pjesë e aleancës ajrore “Oneworld” në të cilën bëjnë pjesë “American Airlines” dhe “British Airways” dhe ka në pronësi të saj 22 avionë të mëdhenj pasagjerësh. Në vitin 2010 ajo pati një humbje të shumë të madhe prej 24.6 miliardë forintash, edhe pse në vitin pasues shifrat ishin më të mira nga sa parashikoheshin. Por kjo nuk e zgjidhi aspak situatën. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Lorant Limburger, tha se arsyeja e fundit që vendosi për kolapsin e kësaj linje ajrore ishte kërkesa e madhe dhe e menjëhershme e pagesave të prapambetura nga furnizues të ndryshëm të kompanisë ajrore. Kryeministri i vendit Orbam tha në një fjalim të mbajtur në radion kombëtare, se shumë nga avionët e “Malev” ishin jashtë vendit në fluturimet e tyre të radhës dhe se këta avionë nuk janë lejuar që të fluturojnë për në shtëpi, për shkak të borxheve të mëdha të kompanisë. Ai tha se ndoshta kompania kishte një mundësi për të rifilluar punën “nëse do të arrihej që të laheshin borxhet e mëdha dhe të akumuluara prej vitesh nga kompania”.
Të enjten, qeveria hungareze është përpjekur përmes mekanizmave të saj që të mbrojë kompaninë nga sulmet e kreditorëve. Të premten, ditën që janë ndërprerë të gjitha fluturimet e “Malev” ishin parashikuar 64 fluturime të avionëve të kësaj linje ajrore nga Budapesti.
Shqip
Krijoni Kontakt