Nga Express 21 Shkurt
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti vlerëson se dukuria e korrupsionit është e përhapur në shoqëri tonë në masë të madhe, duke shtuar së është i përhapur në administratë, në jetën e përditshme e deri edhe në kafene. Për këtë ai kërkon ndryshimin e Ligjit të prokurimit dhe hartimin e një ligji sipas shteteve më të zhvilluara të Evropës.
Ai në një intervistë për Kosovapress, flet për të arriturat e Kosovës gjatë katër viteve si shtet, duke vlerësuar se ka mundur të bëhet edhe më shumë gjatë këtyre katër viteve.
“Tani ajo varet kush si mund ta thotë, ka mundur apo nuk ka mundur. Ka mundur të bëhet më shumë në disa fusha do të thoja. Ka mundur të bëhet më shumë në arsimimin, ka mundur ndoshta të bëhet më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në qoftë se organet e specializuara do të ishin më shumë të angazhuara në këtë drejtim”, ka thënë Haliti.
Ai mendon që për të bërë Kosova më shumë progres nuk e ka ndaluar askush, por sipas tij të gjitha institucionet duhet t’i kryejnë obligimet, në mënyrë që të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve të vendit.
“Në qoftë se ne dëshirojmë të ndalojmë veten tonë atëherë askush nuk na ka faj në këtë drejtim. Pra obligimet e dhënë jo si detyra, por obligimet që çdo institucion i këtij vendi i ka që të i kryej detyrat e veta. Në qoftë se ne i kryejmë detyrat tona në vendin dhe pozitën që e ka secili në fund të fundit edhe secili qytetar. Se me Evropën kemi të bëjmë edhe me mentalitetin, për të qenë pjesë e Evropës duhet të ndryshojmë shumë në mentalitet, duhet të ndryshojmë gjendjen e GDP-së në Kosovë, duhet të ndryshojmë situatën në punësim që e kemi dhe të mos i përmendi të gjitha që i kemi”, ka thënë nënkryetari i kuvendit.
Fenomenin e korrupsionit në Kosovë, Haliti e sheh të ulur këmbëkryq në shoqërinë kosovare, ndërsa për të luftuar këtë dukuri ai mendon që duhet të ndryshohet ligji i prokurimit.
“Ne jetojmë në një shoqëri, në një rajon ku korrupsioni është i ulur këmbëkryq, edhe në administratë edhe në jetën e përditshme edhe në lokal edhe në kafe. Por se si mund të ndryshojë kjo, unë nuk kam formulë magjike, por ligji për prokurimin duhet ndryshuar dhe duhet perfeksionuar sipas kërkesa që ka Komisioni Evropian”, ka deklaruar ai.
Këtë vit pritet të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, por disa misione do të vazhdojnë të mbesin, kjo për Halitin nuk paraqet ndonjë problem, sepse siç thotë ai këto misione nuk mund të stagnojnë zhvillimin e Kosovës.
“Po unë nuk shoh naj dëm të madh që i bëhet Kosovës që është tani mbikëqyrja evropiane, qoftë edhe EULEX-it në këtë rast. Unë i konsiuderoj misione që e ndihmojnë Kosovën dhe jo misione që mund të stagnojnë zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Haliti.
Për më tepër ai ka shtuar se nuk mund të thotë askush që as EULEX-i, as Komisioni Evropian dhe misionet tjera që janë pranë institucioneve, qofshin ato ekonomike, policore, apo ligjore, se kanë qenë pengesë për Kosovën.
Ai thotë që për disa çështje nuk ka pajtim me këto misione, por sipas tij kosovarët duhet të sillen si evropianëve dhe jo evropianët si kosovarët. /kosovapress/
Krijoni Kontakt