Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1

    Këngët Tona “militare”

    KËNGËT TONA “MILITARE”

    2012-02-06

    Ndue Dedaj


    - Një psikologji heroizuese e pakapërcyer -

    1. Mendësia dhe sjellja jonë ende nuk është çliruar nga arketipat dhe klishetë e së kaluarës. Nga mitizimi i historisë. Folklori me “barut”. Sidomos kur vemi për shfaqje artistike në diasporë, apo në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë, trimëritë e këngëve tona s’kanë të sosur. Se demek ata andej kështu e duan. Tregonte një drejtor kulture se gjatë një shfaqje në Gjilan rapsodët prej këndej po këndonin njërën pas tjetrës vetëm këngë epike, nga ato të fortat, se si kishin vrarë aq shumë... shkje e knjazë në ato mote të largëta. “E thirra mënjanë shefin e muzikës dhe i them: Mjaft i “mbytëm”, or burrë, ata krajlat, a po këndoni tash dhe ndonjë këngë tjetër, dasme, dashurie?” Por repertori ishte i mangët nga këto. E kanë nxitur këtë kulturën e atdhetarisë së zhurmshme (ndonjëherë në dukje dhe pak nacionaliste) disa amatorë mediokër, që dhe sot e kësaj dite pëlqehen në rrethe shqiptarësh të diasporës në Zvicër, Amerikë etj., edhe pse nuk janë ngjitur në asnjë skenë profesioniste këtu. Për çudi, arti patriotik i viteve ’50 prodhon pará për kënduesit folklorikë sot. Kjo është si me thënë iniciativa e lirë në këtë fushë, e lirë nga çdo kriter artistik.

    Duam apo nuk duam, në disa qasje kësodore, kemi mbetur ende robër të një psikologjie të tejkaluar. Ende u japim nxënësve të mësojnë përmendësh, që nga klasa e parë, në mos që në kopsht, vjershën e famshme “O moj Shqypni”, si të ishim njëqind vjet më parë. Po ashtu dhe disa militantë politikë, si për të thënë se Shqipërinë e ka lënë “të mjerë” kjo apo ajo qeveri? Absurde! Pashko Vasa vazhdon të keqpërdoret në vazhdimësi, njëherë nga ateizmi komunist, kur u shembën kishat e xhamitë dhe kjo poezi u lexua mbrapsht. Dhe tash për të goditur ata që e kanë qitë Shqypninë “me krye në hi”, prej korrupsionit, keqqeverisjes etj. Kur në qeveri ishin të majtët, këtë vjershë atyre ua “recitonin” militantët e djathtë dhe tash që qeverisin të djathtët, janë të majtët që ua kthejnë reston. Sikur Pashko Vasa, Migjeni, apo dhe Brehti e të tjerë të kenë shkruar për t’u ardhur në ndihmë ideologjikisht palëve politike shqiptare, edhe në shekullin 21. A thua se nuk ishte keqkuptuar dhe “Metamorfoza” e Fishtës, për atë vargun “Sot e kësaj dite s’jam ma shqiptar”. Është i pari sh’koment që mbajmë mend nga koha e shkollës 8-vjeçare për Fishtën, kur ende nuk thuhej asgjë për veprën e tij. Përflitej vetëm kjo “herezi” e tij, kinse të mosqenët shqiptar! Padashur aspak të nënvleftësojmë thesaret e traditës, aq më tepër ato të Rilindjes, shpërdorimi, përpos se banal, është edhe çedukues. Njerëzit në një shoqëri të hapur moderne duhet ta dinë se poezia nuk mund të thirret më me mision, as si “Internacionale”, as si “bombë e flamur”, as “Epope e Ballit Kombëtar”, as si rapsodi për lavdidaljen nga Traktati i Varshavës. Poezia e shekullit XX ka njohur shumë maja botërore, mes tyre dhe Tomas Eliot, Ezra Paund etj., që sa më shumë të lexohen, aq më e largët bëhet qasja rapsodizuese.

    2. Ndonjë këngë popullore e përpunuar ia kalon çdo beteje, teksa në mënyrën më hiperbolike të mundshme krenohet me luftëtarin popullor, duke thënë: “tridhjetë krena i ka pre”, si të jetë fjalë për kunguj e jo për krena njerëzish. As Akili, as Hektori, as Ajaksi nuk ishin të tillë. Ishin gjithsesi më të përmbajtur. Atdhetari Jakup Ferri, që i blatohet kjo këngë, mbase kurrë nuk do ta dëshironte gjithë këtë zulmë si kryeprerës. Por kordhëtari ynë i këngës popullore kaherë na ishte “me shtatë zemra”, ai “me shtatë plagë rri n’kambë” etj. Një tjetër këngë që gjithashtu këndohet sot e gjithë ditën, thotë: “Fjalët s’vonojnë/ pushka kurset/ na i ka vra nja shtatë a tetë...” E, pra, ky heroi, për të cilin në historinë e krahinës nga vjen nuk ka asnjë rresht, sipas këngës ka merita plot. Po cilat janë ato? Ai ka dalë kundër shtetit të vet, atij të Zogut, se ata që ai ka vrarë kanë qenë disa “xhandarë dhe një prefekt”(!)

    Kishim ardhur nëpër shekuj kështu pushkëngrehur. Cili i huaj erdhi këtu e nuk e vuri re “dëshirën e shqiptarëve për të mbajtur gjithmonë armë”? Në të njëjtin vend në murin e kullës vareshin, si çiftelia e lahuta, si pushka e gjatë. Vegla me të cilën i këndohej jetës dhe vegla me të cilën ndillej vdekja. “E ban dekën si me le”, është një varg fondamental yni. Kjo kredo e këngëve tona heroike ishte e barasvlefshme me “Ja vdekje, ja liri”, si një formulë ekzistenciale për popujt e Ballkanit. Me këtë titull ka një roman edhe Sterjo Spasse shqiptar, edhe Niko Kazanzaqis grek. Problemi nuk është tek epoka që i ngjizi këto krijime, tek autenticiteti i tyre, por në kohë moderne, integrimesh të mëdha, ne vazhdojmë t’i mësojmë nxënësit me këtë lloj folku plot predha, bomba e tym lufte. Ashtu si me sajesa folklorike, që u shkonin përshtat sajesave historike-politike, të tipit: “Mal më mal këndon bilbili/ rroftë e qoftë Haxhi Qamili”. Si mund të qaset metaforikisht një shpend aq zëëmbël si bilbili me protagonistin e “Vitit të mbrapshtë”, këtë vetëm një thurës plagjiature mund ta dijë. Ndërkohë diku tjetër, në një qytet me kala e lavdi skënderbejane, befas nga turma dasmore ngrihet një “rapsod” katundi dhe këndon një këngë kushtuar një kaçaku ordiner që kishte bërë namin duke vrarë e prerë, në kohë trazirash e lufte... shokët e tij! Është e habitshme se askush nuk ngrihet t’u thotë këtyre rapsodëve të vonë të rremë se u ka ikur koha këngëve të tilla, me batare e barut...

    Kemi parë filma tanët ku vashat hidhen nga shkëmbinjtë për të mos u rënë në dorë jeniçerëve, ashtu si ndonjëri nga heronjtë para se të shkonte në litar, kërkonte krehrin për t’u krehur. Të gjitha janë trashëgimi e jona, por jo lëndë për mbarështrime të reja folklorike. Kjo psikologji me “barutin e thatë”, “gjakun deri në gju” shfaqet përditë në mjediset tona, ku tjetri “vritet si me le” për një sherr që zakonisht në kronikat e rastit quhet banal. Nuk ka më paradoks. Ama një vrasje të tillë, për kot, e bën ai që është edukuar me këngë të tilla, që i dëgjon orë e çast në kasetofonin e makinës, apo kioskën e kasetave në treg, këngë me “trima” të çartur... A nuk jemi ne që kemi shprehjen “Tu baftë pushka top!” Sigurisht kundër armikut, por herë-herë dhe kundër... mikut! Jemi në njëqindvjetorin e Pavarësisë dhe më në fund eksplozivi i këngës popullore me “tridhjetë krena i ka pre” duhet të bjerë. Ashtu si parullomania patriotike, inflacioni i leksikut të ndonjë individi apo grupimi që shullëhet në diellin e flamurit tonë kombëtar. Askush nuk ka tagër mbi ato shenja të identitetit tonë, rreth të cilave jemi njëlloj të “përbashkuar” e mund të sillemi vetëm njëlloj karshi tyre.

    Politika shpeshherë ka luajtur jo vetëm me ndjesitë, emocionet, por dhe me vetë viktimat e luftës, punës, aksidenteve, tranzicionit, kur ia ka dashur interesi politik. Herët e vonë. Nevoja për të krijuar shembuj frymëzimi për masat e ka bërë atë të shpallë heronj të popullit, heronj të punës, pse jo dhe martirë të demokracisë, të cilët sapo ka kaluar ajo faza delikate propagandistike thuajse janë harruar. Është e padenjë sot të vazhdohet të luhet me shëmbëllesa heroike, për të “frymëzuar” vota, pushtet. E meqë këtu ndër ne askush nuk kujtohet për ta “qortuar” dhe ndrequr sadopak këtë kulturë heroizuese, po i drejtohemi Umberto Eco-s, si ndër të paktët zëra të këtij rruzulli që dëgjohet gjithandej. Ai thotë se është kultura ajo që çimenton identitetin tonë europian. “Unë shpresoj që kultura dhe jo lufta do të shërbejnë për të bashkuar Europën”, shprehet ai. E që të ndodhë kjo, aq më tepër ne t’i falemi kulturës dhe jo folk-luftës...

    shqip

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Diella1
    Anëtarësuar
    07-03-2011
    Postime
    1,162
    Nuk me pelqen toni i ketij artikulli. Thote:'Politika shpeshherë ka luajtur jo vetëm me ndjesitë, emocionet, por dhe me vetë viktimat e luftës, punës, aksidenteve, tranzicionit, kur ia ka dashur interesi politik', por nuk eshte politika me, eshte vete populli, qe i deshiron vepra(kenge, poezi) te tilla. Ky analisti, duhet t'a diktoje kete si problem nga nje pozite me e perulur e respekti ndaj popullit te tij, e pastaj nga dhimbja qe ndjen, te na tregoje rrugen e ndihmen e duhur. Koha kur shijet e popullit diktoheshin nga lart ka ikur, ky autor s'ben tjeter pervec se kerkon perseri diktat te ndjenjave, e gjerat nuk zgjidhen ne kete menyre.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •