“Maskat” dhunojnë të moshuarën, grabisin 3 mijë euro
Rishfaqen “maskat” në juglindje, dhunojnë një banesë dhe grabisin paratë që ndodheshin në të. E zonja e shtëpisë në spital e plagosur
Korçë- Një 60-vjeçare në qytetin e Korçës, e cila gjendej e vetme në shtëpi, është sulmuar nga grabitës të maskuar, të cilët të armatosur kanë ushtruar dhunë mbi gruan, duke e plagosur këtë të fundit. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë të shtunës, në lagjen 10 të qytetit juglindor, kur “maskat” pasi kanë hyrë me forcë në banesë, e kanë dhunuar gruan e moshuar dhe më pas i kanë marrë asaj rreth 3 mijë euro që ndodheshin në shtëpi. Policia tha se po heton për persona që mund ta njihnin gruan dhe që e dinin për sasinë e parave që ajo kishte në shtëpi.
Ngjarja
Gruaja Lirie Beqiraj ka rënë pre e grabitësve të armatosur dhe me maska, të cilët i kanë hyrë në banesë dhe më pas kanë kërkuar paratë që ndodheshin në të. Policia tha se rezulton nga hetimet paraprake që në shtëpinë e të dëmtuarës kanë hyrë dy persona të seksit mashkull, të cilët kanë qenë të armatosur dhe me maska në kokë. Sipas policisë, ata kanë pasur kapuçë të zinj dhe kanë ushtruar dhunë mbi gruan, duke e plagosur atë me sende të forta në kokë, në përpjekje për t’i marrë gjithçka të çmuar dhe me vlerë që ajo kishte në shtëpi. Rezulton se grabitësit kanë mundur të vjedhin një sasi të konsiderueshme lekësh, që e moshuara kishte në banesë, ndërsa e kanë lënë atë të përgjakur. Policia tha se nga të dhënat paraprake, janë grabitur rreth 3 mijë euro nga banesa e të moshuarës, ndërsa duket se grabitësit kanë qenë të informuar për sasinë e parave që kishte në shtëpi.
Hetimi
Gruaja është transportuar për në spitalin rajonal të Korçës, teksa kanë nisur dhe hetimet për të zbuluar autorësinë e vjedhjes. Në fakt vjedhjet në Korçë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, në mënyrë të veçantë vjedhjet e banesave dhe lokaleve. Por maskat duket se janë shfaqur për herë të parë gjatë këtij viti duke regjistruar një ngjarje të dhunshme. Sipas mjekëve të spitalit të Korçës, shtetësja Lirie Beqiraj ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse dëmtimet e marra në kokë janë serioze. Përsa u përket autorëve të ngjarjes, duket se gjithçka është larg identifikimit të tyre. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, për të zbuluar mandej dhe autorësinë. Dyshohet se grabitësit kanë qenë tre persona, ndërsa dy prej tyre kanë hyrë në shtëpi dhe i treti i ka pritur ata në makinë. Policia po heton persona që e njihnin dhe e kanë ditur gjendjen e të moshuarës, por edhe kohën kur mund të ishte më e lehtë për të ndërhyrë në banesë dhe kryer vjedhjen e saj.
Burimi - këtu -
Krijoni Kontakt