ATHINE - Përfundoi pas 5 orësh, takimi mes kryeministrit Papadhimos dhe krerëve politikë.

Ende nuk ka dakortësi të plotë mes palëve mbi përmbajtjen e elementeve-bazë të një marrëveshjeje me Trojkën mbi programin e ri ekonomik në Greqi, që është një parakusht për mbështetjen e re financiare të vendit.

Pavarësisht presioneve që gjithcka të mbyllej sot, njoftohet se një takim i ri do të zhvillohet nesër mes kryeministrit dhe liderëve politikë.

Pas takimit të së dielës, kreu i Demokracisë së Re, Samaras tha se “Nuk duam recesion më të madh sepse vendi nuk mund ta përballojë”. Kryetari i PASOK njoftoi mbledhjen urgjente të këshillit politik të partisë këtë mbrëmje, ashtu si edhe Demokracia e re do mbledhe kryesinë e saj, ndërsa kreu i LAOS Jorgos Karaxhaferis tha se ai “nuk do të kontribuojë në shpërthimin e revolucionit, për shkak të varfërisë, që do ta mposhtë të gjithë Evropën”.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, "në takim u ra dakord për çështjet kyçe, ndër të tjera, për reduktimin e shpenzimeve publike në vitin 2012, sigurimin e qëndrueshmërisë së fondeve të pensioneve suplementare, uljen e pagave dhe kostove të punës, rikapitalizimin e bankave, etj. Kryeministri dhe udhëheqësit politikë do të takohen përsëri nesër për të përfunduar konsultimet rreth përmbajtjes së programit."

Sonte në mbrëmje Papadhimos do presë ekipin e Trojkës për ta informuar me rezultatet e takimit.

Nga ana tjetër një ultimatum i fortë ka ardhur nga kreu i Eurogrup Jan Klod Juncker. Në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, kreu këshillit të ministrave të Eurozonës ka thënë se "Në qoftë se ministrat konsiderojnë se gjërat shkojnë keq në Greqi, nuk do të ketë një paketë të re, gjë që përfshin shpalljen e falimentimit në mars". Ai vuri theksin sidomos në vonesat tek privatizimi që ka vërejtur Brukseli.

Ndërkohë mbledhja e Eurogrup për Greqinë e planifikuar të zhvillohej nesër, u shty për të mërkurën, për shkak të skepticizmit të ministrave të Financave të Eurozonës, për atë që mund të arrinte Greqia sonte.

Pa pranimin e kërkesave të Trojkës, nuk ka miratim të programit të dytë të ndihmës prej 130 miliardë Euro dhe në këtë rast, Greqisë nuk i mbetet rrugë tjetër vec falimentimit.

Balkanweb Nga ANILA JOLE