-
Flet këngëtarja e njohur e këngëve të Jugut, Romina Aliaj
INTERVISTA/Flet këngëtarja e njohur e këngëve të Jugut, Romina Aliaj
Romina e “Hajmalive” dhe e “Dollibashit””
Romina Aliaj u lidh pazgjidhshmërisht me këngën popullore që kur ishte e vogël, nuk i ka kaluar 21 vitet e jetës së saj dhe nëpërmjet këngës ka udhëtuar jo vetëm brenda kufijve të Vlorës prej nga ka vendlindjen, por edhe në Shqipëri e më gjerë. Asnjëherë nuk e ka lënë këngën ta zërë “gjumi”, por meloditë e këngëve të saj përcillen ngrohtësisht për tek adhuruesit e shumtë të këngës popullore.
Cilat janë këngët e tua më të njohura në publikun e gjerë?
Unë këngët nuk i ndaj nga njëra-tjetra. Unë kam hyrë dhe kam mbetur te secila prej tyre. Për mua janë të gjitha njësoj, të gjitha i këndoj me shpirt. Të tjerët më thonë: “Romina e hajmalive dhe e dollibashit”
Si të lindi dëshira për të kënduar?
Çdo njeri ka shumë dëshira në jetë, por jo të gjitha realizohen. Isha e vogël, vetëm 8 vjeçe. Këndoja me korin e shkollës. Në Labëri, ku kam lindur unë ka qenë dhe është traditë të kënduarit. Edhe në fëmijëri na rrëmbente kënga me vete. U dashuruam me të dhe nuk u “divorcuam” kurrë. Kënga popullore na hyri në shpirt brenda dhe na u bë pjesë e jetës.
Për kë kujdeseni më shumë, për lukun apo për zërin?
Për zërin kujdesem përherë. Nuk e vras atë kudo që të jem. Një zë i bukur të nderon. Edhe kur jam mirë edhe kur më kap ndonjë grip i lehtë, mendjen e kam tek zëri. Sikur do të këndoj në çdo moment dhe unë duhet të jem e gatshme, ja kështu kujdesem dhe e vlerësoj zërin, sepse dua që zëri të mos më “tradhtojë” asnjëherë. Këngëtari të parin ka zërin. E përsos atë teknikisht, ndërsa luku përshtatet me rrymën muzikore dhe me publikun
Ç’është për Rominën publiku në sallë?
Një këngëtar që këndon drejtpërdrejtë në sallë sapo ngjitet në skenë e kapin emocionet, sepse performon live me njerëzit, shumë pyetje të lindin vetvetiu dhe qëllimi final është që tek publiku të përcjellësh emocione gjithnjë e më të fuqishme. Publiku për mua është gjithçka. Është ai që të mat pulsin. Kur ai kënaqet nga kënga ime them se kam kënduar mirë
A ekziston tek Romina xhelozia për këngëtarët e tjerë?
Kurrsesi jo. Xhelozia për çdo gjë në jetë është e rrezikshme, krijon krisje. Unë xhelozinë do ta quaja vrastare. Jeta në kuptimin e gjerë të fjalës është sedër, përkushtim, emulacion. Kur një këngëtare shfaqet e suksesshme unë atë e pëlqej, e admiroj por edhe më hipën lakmi që të bëhem edhe unë si ajo. Këtë ndjesi e provoj edhe te këngëtaret që i kam shoqe jete e shoqe kënge. Këtë nuk e shikoj si xhelozi të brendshme dhe kurrë nuk mendoj se ajo këngëtare u bë e famshme dhe ma kaloi mua. Kemi hyrë në një garë të gjithë, në botën e bukur të këngës, dhe s’kemi pse të na vijë inat kur ndonjëra del e para në garë. Kjo s’duhet parë kurrsesi si xhelozi për ata që ecin më mirë dhe bëhen të famshëm më shpejtë. Këtë unë e shikoj si shpërthim të brendshëm në shpirt që të nxit për të ecur më përpara për të realizuar objektivat dhe projektet e mia
Keni kënduar ndonjë këngë vaji?
Deri tani jo. Kam kënduar dhjetëra këngë, por në repertorin tim mungojnë këngët e vajit. Ato nuk i suportoj dot, jam e ndjeshme dhe prekem shpejtë. Dhimbjet më trishtojnë. Po qe se do të këndoja edhe një këngë të vetme vaji, ajo do të ishte për Vitori Onjenë, mamanë e shoqes sime të ngushtë, Denisës. Ajo e meriton plotësisht, sepse iku në një moshë fare të re, ishte e dlirë në shpirt, e bukur si hirushja e përrallave. Këtë boshllëk dhe detyrim që ndiej për atë grua fisnike të Labërisë, ma plotësoi miku i mirë e këngëtari që nuk i gjendet shoku në krahë për këngë, Nazif Çela. Kur dëgjoj këngën e tij “Vito kur hyre në shkronja”, mua më rrëqethet trupi dhe qaj me dënesë.
Kur e ke ndier veten më të vlerësuar në këngë?
Kam kënduar për publikun në Shqipëri dhe kam marrë pjesë në shumë koncerte edhe jashtë vendit, si në Greqi e Turqi. Në Zvicër e në Gjermani, jam si e shtëpisë, sepse më presin e më përcjellin me përzemërsi shqiptarët e emigruar atje. Unë këndoj dhe vetëm këndoj. Kënga më është bërë pjesë e jetës time. Kur kënga ime ka vajtur tek publiku e plotë, me ndjenjë, me ritëm, me dashuri, kjo mua më lumturon. Vlerësimin përherë ta bëjnë të tjerët. Jo vetëm kur jap koncerte në sallë, por edhe kur më takojnë njerëzit e më përshëndesin, edhe kështu unë e ndjej veten të vlerësuar
Emocionet të japin nxitje për të kënduar, apo kënga të jep emocione?
Të dyja, nuk mund t’i ndaj kurrsesi. Emocionet për një këngë që përcjell mesazhe të forta e mbresëlënëse më bëjnë të ndërgjegjshme që të përcjell vlerat e rralla të këngës popullore. Me vendlindjen time, Vlorën e bukur e të dashur, nuk jam shkëputur kurrë. Edhe kur ndodhem jashtë vendit për koncerte mendjen atje e kam. E kujtoj përherë atë këngën labe që këndojnë korifenjtë e jugut: “Vlora ime e veshur, Vlora ime e mirë, vetëm t’ia dua dhe një gunë të dhirtë. A s’të japin emocione këto vargje të “florinjta”, e sidomos kur je larg vendlindjes? Padyshim që një këngë e kënduar bukur me ndjenjë të ngjall emocione pafund
A jeni e dashuruar?
Sigurisht, jam e dashuruar me këngën. Kjo dashuri është aq e fortë, saqë nuk ndahem dot prej saj. Atje ku jam unë janë këngët e mija dhe atje ku janë këngët e mija pazgjidhshmërisht brenda tyre jam unë
Meqë përmende këngët e tua, cilën do të veçoje si më të arrirë?
Të gjitha këngët popullore që unë i këndoj, i kam njësoj, të gjitha i dua fort dhe më falin shumë dashuri. Është si puna e nënës që fëmijët i do dhe i trajton të gjithë njësoj
Sa vidioklipe keni hedhur në tregun e këngës?
Kam kënduar vazhdimisht që kur isha e vogël dhe e paformuar artistikisht e gjer tani që mbusha 21 vjeçe. Kam bërë dy vidioklipe me këngë dhe së shpejti do të hedh në tregun e këngës vidioklipin e tretë. Nuk më pëlqen të jap hollësira, t’i lëmë surprizë. Tani, meqenë se intervistës po i vjen fund, kam një kusht.
Cili është kushti?
Këtë intervistë do ta shkruash pa shtuar asgjë, se e dua live, ashtu siç këndoj dhe këngët!
Intervistoi: Albert Zholi
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt