-
hashim thaqi kerkon unitet per ta ndar veriun por si duket ksaj rradhe i ka has sharra ne kozhd kti faqeziu
-
-
Kur zogjtë bëjnë politikë
Ngarkimi i agjendës ditore me gjëra dytësore, si për shembull Ligji i Prizrenit apo telenovela “Kamishi sulmon përsëri” ka në fakt qëllimin e shmangies së vëmendjes nga zhvillimet e reja që po zihen në raport me veriun e Kosovës
Kjo javë ka qenë mbase njëra nga më dëshpërueset që kam përjetuar në disa vjetët e fundit. E di se këtë ndjenjë nuk ma shkaktoi ambienti polar – ende mund të lavdërohem se nuk e theva asnjë asht. Gjynah që Olimpiada e vetme që mbahet sivjet është ajo verorja në Londër, se përndryshe kisha mundur t’i bëja konkurrencë Majlindës e të kualifikohesha në atë dimëroren, meqë më ka mbetur veç edhe një lëvizje për ta përvetësuar “tullupin” e trefishtë. (Sqarim: “fëmijët” e brezit tim, kanë pasur kënaqësinë e rrallë t’i përcillnin komentimet e garave të patinazhit artistik mbi akull nga kroatja Millka Baboviq. Tullupi ka qenë termi të cilin patjetër do ta përmendte në secilën garë dhe do të përpiqej të na shpjegonte nëse ka qenë i një, dy apo i trefishtë. Rrjedh nga anglishtja “Toe loop” dhe nënkupton rrotullimin vertikal të trupit në ajër. Superpatinazhistët mund t’i bëjnë katër rrotullime në ajër – amatorët kosovarë dy, pa vesvese).
Zogu i vogël
Dëshpëruese ishte ajo çfarë dëgjova t’i ketë thënë kryeredaktorit të gazetës, shefi i ICO-s, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, përgjegjës për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, përgjegjës për mbikëqyrjen e Planit të Ahtisaarit, përgjegjës për lobim te mediumet më me ndikim në Kosovë që diçka të botohet ose të mos publikohet -- holandezi Pieter Feith: “Më ka treguar një ZOG, se Flaka ka një interes pronësor apo një pronë në qendër të Prizrenit dhe se për këtë arsye e kundërshton miratimin e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit”.
Në çastin kur e dëgjova këtë fjali nuk dita të kthjellesha se ku isha: dreqi e marrtë, thashë me vete, thuajse po jetoja në filmin e Hiçkokut – javën e kaluar ishin pinguinët ata të cilët më parafytyroheshin, si Fata Morgana. Këtë javë nuk e di nëse më vërsulej ndonjë pëllumb që bart porosi të mbështjellë si fyshtë e futur në kutizë gati sa të Kinder vesë, në mos ishte “çavka e larme”, e cila në barsoletë i merr me vete të gjitha sorrat e zeza e i heq nga Prishtina, apo mbase do të ketë qenë papagalli i Piratëve të Karaibeve (i ka ngjyrat si flamuri i Kosovës , nëse e mbani mend).
Për një njeri që mbase i ka plotësuar kushtet për pension, një komunikim i tillë do të kishte shumë logjikë dhe hije po ta bënte me ndonjë nip të vetin dy a tre vjeç – se vetëm fëmijët e asaj moshe, e që i përkasin brezit të teknologjisë së avancuar, mund ta marrin seriozisht zogun si burim të informatës. Për një njeri që merr pagë shumë të majme për ta mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, e me të edhe të gjitha institucionet e tjera që e përfshin Kadastrën, Drejtorinë e Pronave në KK të Prizrenit, Bankën Qendrore të Kosovës, Policinë e Kosovës dhe cilindo institucion tjetër publik dhe i cili ka në dispozicion internetin, telefonin mobil, telefonin fiks, atë satelitor, “mesenxherët” me kode e shifra, dhomën e shurdhër e shumëçka tjetër, fakti se zogu mund të flasë, duket të jetë realizim i një ëndrre fëmijërore.
T’jua them të drejtën, paksa edhe po e xhelozoj zotin Feith, se përderisa zogjtë e tij i bëjnë muhabet, unë krejt çka arrij të dëgjoj çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje është një krrrrakatje e pandalshme e sorrave që më sillen nëpër ballkon e dritare. Thuajse u kanë vënë ndonjë antenë, apo ndonjë aparat në gabzherr që nuk u lejon t’i artikulojnë informatat që do të duhej të m’i jepnin. Paramendoni sa gjërat do të m’i tregonin për të gjithë spektrin politik, për SHIK-at e SHMIK-at edhe për vetë Feithin... Por ja, edhe zogjtë janë bërë si politikanët tanë – i kanë hesapet me të huajt.
Para një viti e gjysmë, zoti Feith kishte ardhur në zyrën time që të më “këshillonte” sesi “KOHA Ditore” dhe Kohavisioni do të duhej ta përkrahnin shitjen e PTK-së – për shkak se “qasja në lidhje me këtë çështje ishte qëndrim ndërkombëtar i dakorduar” dhe se nga shitja e saj varej: ndërtimi i autostradës; ndihma e FMN-së në lartësi prej 80 milionëve dhe miratimi i buxhetit për vitin 2011. Proporcioni i aksioneve që propozohej atëherë ishte që dikujt të huaj t’ia shisnim 75% të aksioneve, ne të mbeteshim me 25%, e që vlera të sillej diku në 300 milionë euro. Gabimin e parë që e bëri zoti Feith është që fare i shkoi ndërmend të vinte të më tregonte se çka duhej të bëja në shtëpinë time; e dyta, ishte që kishte ardhur të më bindte për një diçka që na ofendonte inteligjencën shumë kosovarëve. Ne mund të jemi shtet i varfër me para, por nuk jemi bash i gjithë populli i varfër me mend.
Kësaj radhe nuk më kishte ftuar për të më “këshilluar” ta përkrahja Ligjin e Prizrenit. Por më kishte dërguar një porosi në stilin shqiptaro-kosovar – “E ka ajo ndonjë interes që po e kundërshton kaq shumë Ligjin e Prizrenit... eeee, qetash e çojmë zogun, e ai na tregon”. Po më vjen keq t’ju zhgënjej zoti Feith, se zogun ose e keni analfabet ose e keni anëtar të SHIK-ut. Edhe pse nuk e keni merituar sqarimin, vetëm po ju them se as nuk kam pronë në emër timin, e as nuk kam pronë në emër të tjetërkujt në Prizren. Një pjesë shumë e madhe e asaj që mëtoni ta futni në “territorin nën mbrojtje” ka qenë dikur pronë e stërgjyshes sime, të cilën nuk kam pasur fatin ta njihja. Prej gjithë asaj pasurie, kanë mbetur tri shtëpi në të cilat sot jetojnë pasardhësit e saj të brezit të tretë, me familjet e tyre të brezit të katërt dhe të pestë. Dhe arsyen se pse e kundërshtova në shtator të vjetëm dhe përse vazhdoj ta kundërshtoj ligjin, e kam përmbledhur në një paragraf, të cilin po jua rikujtoj:
Përderisa jam absolutisht në favor të ruajtjes së bërthamës së qytetit të vjetër të Prizrenit (e këtu mendoj për të gjitha shtëpitë që nisin prej Kalasë e deri te “Hoçamaale”); në favor të moslejimit të ndërtimit të shtëpive pa shije, pa formë dhe me materiale që ajo pjesë e qytetit “nuk i bân’”; se jam absolutisht kundër mbindërtimit apo të zgjerimit të shtëpive sikurse ka ndodhur në Prishtinë; dhe kundër zhurmës shurdhuese mbi decibelët ndotës, gjithashtu besoj fuqimisht se insistimi i dhënies së statusit special monumenteve që i përshkruhen Kishës Ortodokse Serbe edhe atëherë kur ato janë bizantine, si dhe autorizimeve shtesë vetë Kishës Ortodokse Serbe në procesin e vendimmarrjes, i diskriminon prizrenjanët, siç e quajnë ata veten, për shkak se ky qytet përherë u ka takuar qytetarëve të vet – dhe, sinqerisht, nuk ka pse që kjo të ndryshojë.
Ju dhe zogjtë tuaj ende nuk e kuptoni se Prizreni u takon prizrenjanëve. Jeni të shurdhër ndaj argumenteve që jua japin mbi dhjetë mijë njerëz me shkrim dhe kush e di sa mijëra njerëz me protestë në rrugë – për shkak se i keni etiketuar qytetarët, i keni barazuar me “Vetëvendosjen”, e cila gjithashtu e ka kundërshtuar ligjin. E ju, zogjtë tuaj dhe shumë të huaj të tjerë jeni bërë alergjikë në VV-në. Nëse keni probleme me “Vetëvendosjen”, zgjidhini ato në dialog me ta. Qytetin historik lëreni rehat, sepse qyteti është i qytetarëve të vet, me të cilët krenohemi ne që i kemi rrënjët nga Prizreni.
Dhe herën tjetër, nëse doni të dini diçka për mua, bëjuni pak më bashkëkohor e shmangini zogjtë – mund t’jua sjellin gripin.
Zogu i madh
E tash po e paramendoj si do të përfundojë puna e cila do të kryhet në bashkëpunim me një njeri, i cili e mbështet punën e vet në atë që i thotë një zog (apo më shumë zogj, varësisht se ku gjendet, në zyrë, në park, në aeroplan). Po e paramendoj Kushtetutën e mbushur me pupla – aty ku ka intervenime të vogla, ashtu paragrafët nisin me pupla të bardha e të vogla, të padukshme, aty ku ka ndërrime paragrafësh, pupla të gjata e të zeza – për të pasur kujdes në mos po ikën ndonjë detaj.
Tash, pas gjithë këtyre vjetësh qëndrimi kryesisht pasiv, pos te rasti i Prizrenit, përnjëherë është aktivizuar për të marrë pjesë në mbledhjet që ad-hoc i organizon kryeministri. Kinse në emër të përmbylljes së mbikëqyrjes dhe marrëveshjes për ligjet që duhet të ndryshojnë – në fakt po merr pjesë në mbledhjet ku po përflitet opsioni për të krijuar një Ekip të Unitetit për çështjen e veriut. Me gjithë njëqind deklaratat që i jep kryeministri, megjithatë duket se jemi nisur në drejtim jo të mirë, nga i cili do të dalim me pasoja jo të mira.
Indikatori i parë është insistimi i ambasadorit gjerman dhe atij francez në lidhje me përfaqësimin rajonal të Kosovës, edhe pa epitetin “republikë”. Dhe përsëri shkas është “Vetëvendosja”, e cila u akuzua si infantile nga ambasadori gjerman, i cili me këtë rast argumentoi se në takime ndërkombëtare, Gjermanisë kryesisht kurrkund nuk i shkruan “Republika Federale e Gjermanisë”. Nuk po e diskutoj fare nëse është ashtu apo jo – sepse nuk kam pse të mos i besoj ambasadorit. Por është një dallim i vockël që duhet marrë parasysh: Gjermania është e njohur nga me siguri të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, madje edhe nga ato që nuk janë anëtare të OKB-së, si Kosova për shembull. Mbledhjet rajonale për Gjermaninë janë punë e tejkaluar, sepse ajo merr pjesë në samite evropiane/amerikane; evropiane/aziatike, e të ngjashme. Kosovën nuk e njeh as Evropa, në sytë e OKB-së nuk është shtet, edhe kur të na hiqet edhe “republika” përpara, do të plotësohet dëshira e Serbisë. Kështu do të jemi “shtet i NATO-s”, kurse Serbia do ta plotësojë edhe kushtin e bashkëpunimit rajonal. Nga qëndrimi i ambasadorit duket se sinjalin që po na dërgon është se Gjermania do të lëshojë pe dhe Serbisë do t’i jepet statusi i kandidatit. Duke e lënë çështjen e veriut të hapur.
E më pas do të nisin bisedimet politike me Serbinë. E për këtë edhe urgjenca e takimeve të paparalajmëruara dhe aspak transparente, në të cilat nuk ftohet VV-ja, por në të cilat marrin pjesë miku i zogjve, Feith, dhe ambasadori amerikan. Pra, mbledhje që mbahen për qëllim të arritjes së konsensusit politik, por në të cilat nuk merr pjesë subjekti i dytë opozitar në Kuvend, që për shkak se injorohet, me siguri do të mbajë protesta, kurse, a priori, Qeveria dhe të huajt do t’i akuzojnë për infantilizëm dhe diversion.
Të kujtojmë që nisjen e muhabetit ndërmjet zonjës Tahiri dhe zotit Stefanoviq e vendosi Qeveria e Kosovës pa e pyetur opozitën, edhe madje pa e miratuar një platformë të mirëfilltë bisedimesh në Kuvend. Blamazha e bisedimeve “teknike” përfundoi siç përfundoi – dhe përfundimisht do t’i lërë keq ata që do të mbeten pa mëditje për secilin udhëtim në Bruksel. Në aspektin e konkludimeve të akorduara, lëmshi do të vazhdojë të jetë i njëjti dhe nën mëshirën e Beogradit. Tash, kërkohet përgatitja për nisjen e dialogut politik, por me përfshirjen edhe të opozitës, në kohën kur pozita “e ka kënaqë” dhe kur ekziston rreziku shumë i madh që veriu të na shndërrohet në një Republika Srpska të re.
Pra, meqë i ka hyrë kësaj pune pa e pyetur askënd nga kosovarët, mbase duhet lënë kryeministrin që me partnerët e vet të koalicionit dhe miqtë ndërkombëtarë ta vazhdojë rrugën e nisur, e t’i kryesojë negociatat me Serbinë – se edhe ashtu në kohë të negociatave në Vjenë, gjithmonë ngutej të dilte i pari të takohej me ndërmjetësit. Dhe nëse ia del ta ruajë integritetin territorial, pa status special/republikë për veriun – atëherë hak do ta kishte rizgjedhjen (me kusht që përkrahësit e tij të mos vjedhin vota, si deri më tani).
Do të presim që të spastrohet çështja nëse do të ketë Grup të Unitetit apo jo. Lehtë mund të ndodhë që këtë patate të nxehtë kryeministri t’ia hedhë në dorë kryetares, që ajo ta kryesonte GU-në si dikur Sejdiu, dhe kështu t’ia zgjaste asaj mandatin deri kur do t’i konvenonte atij. Ndërkohë, do të vazhdojë t’i qaset Kamishave dhe të ngjashmëve për ta “argëtuar” popullin.
Se rrëfimi i Kamishit nuk ka kurrfarë kuptimi, pos të shërbejë për etiketimin e shefit të partisë më të zhurmshme opozitare, e dëshmoi edhe letra e tij që “u filtrua” në opinion. E para, nuk është punë e Kamishit dhe e askujt se kush çka bën në jetën private, kush me kë rri, apo kush me kë shkon. Tjetër është muhabeti nëse për kënaqësitë private, (keq)përdoret buxheti i shtetit dhe (keq)përdoren mjetet dhe pajisjet e shtetit. E dyta, është e mjerueshme të shihet se në çfarë çështjesh e humbin kohën deputetët të cilët paguhen me tatimet tona, E treta, dhe më e keqja, është e tmerrshme të kuptohet se shënimet që i ka mbledhur Kamishi në fakt të jenë mbledhur dhe dhënë nga policia – së paku ashtu thuhet.
Nëse kjo është vërtetë, atëherë janë dy gjëra që dalin në pah: se në Polici ka agjentë aktivë të SHIK-ut që bashkëpunojnë me “agjentët e pensionuar” të SHIK-ut. Kjo do të thotë se kanë qasje në dokumente të të gjitha llojeve dhe se mund t’i përdorin ato në mënyrë selektive. Kjo gjithashtu do të thotë se munden me qenë në gjendje me i zhduk faktet po qe nevoja, ngase funksionojnë në bazë të instruksioneve të një trupi që nuk ekziston më. Që do të thotë se kanë qasje te të gjitha vendet e ndjeshme, përfshirë edhe Dhomën e dëshmive në Polici. Që do të thotë se vjedhja historike dhe e pazbuluar (për pasojë e padënuar) ka mundur të jetë realizuar nga brenda për qëllim të zhdukjes së provave të krimeve që kanë mundur t’i kryenin SHIK-at e kamotshëm, apo ndokush i afërt me SHIK-at.
Janë situatat sikur këto që të bëjnë të besosh se politikën tonë e udhëheqin njerëzit, të cilët mund të shantazhohen dhe të manipulohen ashtu siç e kërkon momenti, ashtu siç i konvenon dikujt më të fuqishëm. Dhe kot e kanë kur këta flasin për ëndrrat dhe idealet e proklamuara dhe kur i qasen patetikës për shpjeguar sakrificat që i kanë bërë në interesin e kombit e të shtetit dhe të perspektivës euroatlantike të Kosovës. Sepse nuk janë të sinqerta. Sepse në fakt synojnë shndërrimin e zogut pëshpëritës në skifter që i gllabëron të gjithë. Deri te froni i përjetshëm.
http://www.kohaditore.com/?page=1,9,87759
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt