A u përhap me të vërtetë Islami me shpatë?

Ndoshta një nga keqkuptimet më të mëdha për Islamin është se Islami u përhap me shpatë. Kjo ide është përhapur aq gjerësisht nga shtiekeqët, saqë disa njerëz e pranojnë këtë si fakt.


Për interesat e vetvetes edhe djalli mund ta citojë tekstin e shenjtë. Me fjalë të tjera, kushdo mund të nxjerrë një verset nga Bibla apo Kurani, duke e përdorur jashtë kontekstit, me qellim që ta përfaqësojë ideologjinë e tij si më bindëse.

Për shembull, Psalmi 137 thotë: Lum ai që merr foshnjet dhe i përplas shkëmbinjve”. Asnjë njeri racional nuk do të sugjeronte se ky është mesazhi i Judaizmit apo Krishterimit. Në të njëjtën mënyrë, citimi i pasaktë nga Kur'ani është shtrembërim i mesazhit të Islamit.

Indonezia ka numrin më të madh të popullsisë myslimane në botë. Në fakt, numri i myslimanëve në Indonezi është më i madh se e gjithë popullsia e të gjitha vendeve arabe vënë së bashku. Arabët përbëjnë vetëm rreth tetëmbëdhjetë për qind të të gjithë myslimanëve. Deri tani, përqendrimi më i madh i 1.3 miliard të myslimanëve të botës jetojnë në Azinë Juglindore. Islami, shekuj me radhë, është rrënjosur thellë në këto vende.

Ata që i bien daulles se Islami është përhapur me shpatë, e lënë pa e përmendur Azinë Juglindore, pasi kjo nuk përshtatet me agjendën e tyre. Asnjë ushtri myslimane nuk shkoi ndonjëherë atje. Në fakt, arritja e Islamit në këto vende është jashtëzakonisht e mrekullueshme dhe domethënëse, andaj vlen të përmendet.

Islamin në Azinë Juglindore e sollën tregtarët e jo ushtarët. Ndershmëria dhe integriteti i këtyre tregtarëve të parë, emrat e të cilëve janë dukshëm të theksuar në historinë e Indonezisë, aq shumë i impresionuan njerëzit, saqë edhe ata dëshiruan të bëhen myslimanë. Duke i mbyllur bizneset e tyre çdo ditë në kohë të namazit dhe duke i trajtuar klientët me drejtësi, këta tregtarë myslimanë tërhoqën shumë njerëz në Islam. Mesazhi dhe fama e tyre u përhap me shpejtësi derisa miliona njerëz përqafuan fenë e tyre.

Është e njohur se menjëherë pas vdekjes së Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) dhe vdekjes së Ebu Bekrit, kalifit të parë, udhëheqës i besimtarëve myslimanë u bë kalifi Omer, një nga shokët e Profetit. Kur Omeri hyri në Jerusalem në krye të ushtrisë myslimane në vitin 638, vetëm gjashtë vite pas vdekjes së Profetit, ai hyri në qytet në këmbë, si gjest përulësie ndaj këtij qyteti të shenjtë për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë. Nuk pati gjakderdhje, masakra apo konvertime te dhunshme.

Përkundrazi, ata që dëshiruan të largohen, u lejuan ta bëjnë këtë me tërë pasurinë e tyre. Kurse, ata që dëshiruan të qëndrojnë, fituan mbrojtje për jetën e tyre, pronën e tyre, dhe vendet e tyre të adhurimit. Omeri refuzoi ta falë namazin në Kishën e Varrit të Shenjtë, me qellim që myslimanët të mos përpiqen më vonë, në kujtim të tij, për ta kthyer atë në xhami. Në vend të kësaj, Omeri e pastroi të ashtuquajturin Tempullin e Shenjtë (i njohur te myslimanët si Haram Ash-Sharif) dhe ndërtoi një xhami, aty ku Kupola e Shkëmbit (e njohur si Kubetu Sakhra) qëndron sot.

E gjithë kjo është në kontrast me atë që ka ndodhur më vonë, kur ushtritë e kryqëzatave pushtuan Jerusalemin. Shtatëdhjetë mijë burra, gra dhe fëmijë u masakruan. Çdo myslimanë dhe çifutë i mbetur u dëbua. Kur Salahudini e rimori qytetin, ai e angazhoi ushtrinë myslimane që t’i shoqërojë banorët e krishterë për të siguruar mbrojtjen e tyre. Megjithatë, ata që kanë qëllime të caktuara dëshirojnë që ne të besojmë se Islami është mizor.

Kur Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) hyri në Mekë në krye të ushtrisë myslimane në vitin e 8 Hixhri, ai e bëri këtë ngaqë Mekasit e kishin shkelur traktatin e paqes me myslimanët e jo për t’i detyruar ata që të konvertohen. Profeti hyri në qytet me përulësi të madhe, duke urdhëruar që nuk duhet të ketë luftë apo gjakderdhje. Në vend të kësaj, ai i fali të gjithë ata që e kishin kundërshtuar atë dhe përhapjen e Islamit për aq shumë vite. Ata që dëshiruan të largohen u lejuan për ta bërë këtë. E tërë popullsia, jashtëzakonisht e impresionuar me burrat kundër të cilëve kishin luftuar për një kohë të gjatë, përqafoi islamin.

Një shembull tjetër madhështor që me qëllim injorohet është prania e myslimanëve në jug të Spanjës për gati tetë shekuj. Kjo ishte një kohë kur qytetërimi islam lulëzoi, andaj etiketohet si Epoka e Artë e Islamit. Spanja ishte shekuj përpara Evropës veriore në aspektin arsimor dhe të infrastrukturës, ngaqë zhvillimi i shkencës dhe artit është përkrahur maksimalisht kurse qytetet ishin të avancuara në një mënyrë të paparë nga shtetet si Gjermania, Franca ose Anglia në të njëjtën kohë.

Gjatë Epokës së Artë, të drejtat e të krishterëve dhe hebrenjve respektoheshin dhe nderoheshin, ku shumë prej tyre u vendosën në poste të larta të gjykatave. Kur e rimorën Spanjën jugore monarkët katolikë Ferdinandi dhe Izabela, banorët u detyruan të zgjedhin ndërmjet konvertimit dhe vdekjes. Xhamitë dhe sinagogat u përdhosën e u shkatërruan. Inkuizicioni i Spanjës filloi. Në anën tjetër, disa vite më parë, komuniteti hebre festoi përvjetorin e pesëqindtë të pranisë së tyre në Turqi. Këta hebrenj, kur u dëbuan nga Spanja katolike, kërkuan strehim tek Perandoria Osmane nga frika për jetën e tyre.

U themi: “A mendoni se Islami arriti në Amerikë, Danimarkë, Irlandë ose në Poloni nëpërmjet shpatës?! Jo!” Ata përsëri insistojnë: “E në Afrikën e Veriut? Si e shpjegoni rastin e ushtrisë myslimane që përfshiu të gjithë Afrikën e Veriut, duke i detyruar të gjithë që u dolën para për t'u bërë mysliman ose të vdesin?” Përgjigjemi: “Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ushtria myslimane e gjeneralit Amr ibn el-As hyri në Egjipt në vitin 642. Ai ndërtoi në Kajro xhaminë e parë në të gjithë Afrikën. Ai gjithashtu urdhëroi që myslimanët të respektojnë të drejtat e të krishterëve që jetonin në Egjipt.”

Populli i Egjiptit nuk ishin të detyruar të bëhen myslimanë. Ata përqafuan islamin gjithsej dy shekuj më pas. Sot, ka miliona të krishterë që jetojnë në Egjipt. Për katërmbëdhjetë shekuj ata jetuan në paqe me fqinjët e tyre myslimanë, një model për harmoninë ndërfetare kudo në botë. Është për keqardhje prania e disa zërave që përhapin gënjeshtra të cilat kurrë nuk do t’i thuanin në Egjipt, duke mbjell ligësi e duke shkaktuar konfuzion në lidhje me realitetin.

Sot, në disa vende shohim dhunë të shkallës masive. Shohim tragjedi në Afganistan dhe Irak ku njerëzit i përgjigjen pushtimit të vendeve të tyre nga ushtritë e huaja. Poashtu, shohim dhunën në Palestinë, ku populli palestinez i përgjigjet shtypjes dhe padrejtësisë në atdheun e tyre. Këto çështje politike janë përgjigje ndaj pushtimit.

Dihet që Islami nuk e toleron dhunën kundër njerëzve të pafajshëm. Islami po keqkuptohet shkaku i disave që përdorin dhunën. Nëse disa myslimanë paraqesin një imazh të shtrembëruar të Islamit, nuk duhet të etiketohen të gjithë myslimanët e botës si të dhunshëm. Kur dhuna e IRA-së arriti kulmin e saj në Irlandën Veriore dhe Britani në vitet 1970-ta dhe 1980-ta, askush nuk fliste për terroristë të krishterë. Fushata e bombardimeve të ETA-së në pjesën veriore të Spanjës nuk është emërtuar si katolike.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) kurrë nuk ka dhënë urdhër për të përhapur Islamin me shpatë. Profeti (paqja qoftë mbi të) la pas trashëgiminë që bazohet në adhurimin e një Zoti dhe respektimin e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, edhepse kritikuesit e tij vazhdimisht përpiqen të shtrembërojnë faktet dhe të paraqesin ngjarjet në një formë të tjetërsuar.

Ka forca të fuqishme që përfitojnë nga imazhi i dhunshëm i Islamit dhe myslimanëve. Ata arrijnë ta mashtrojnë botën duke e portretizuar vetën si viktimë nën kërcënim të terroristëve, madje duke pretenduar se ata nuk kanë partner për paqe. Atëherë, ndoshta zërat e egjiptianëve, mund të ndihmojnë për t’ia treguar pamjen e vërtetë botës që është detyruar të besojë të pavërtetën. Duke e dhënë kontributin e tij / saj sado i vogël që është, çdo egjiptian/e mund t’ia tregojë botës Islamin e vërtetë.