Faqja elektronike ”gjuha ime” me gabime të shumta gjuhësore!
Ministiria e Diasporës përzihet në punët e Minsitrisë së Arsimit, shkencës e kulturës
Ditë më parë në RTK u dha një lajm ”pompoz”, ku Ministria e Diasporës i paska dhënë vetes ”zahmet” për të krijuar një faqe elektronike, me qëllim që t’u mësojë gjuhën e nënës fëmijëve nëpër ngulimet shqiptare ( diasporë).
Në radhë të parë kjo nuk është punë e Ministrisë së Diasporës, por është detyrë e specialistëve të arsimit, gjegjësisht e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Kulturës.
Kësaj faqeje i mungon shumëçka.
Në radhë të parë, këtu nuk di njeriu se cilët janë ata ”specialistë” të gjuhësisë që do t’ua mësojnë gjuhën e nënës fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut, d.m.th. nuk ka një redaksi.
Faqja nuk është ende komplete, madje mund të thuhet se vetëm sa ka filluar – nëse ka filluar. Hë për hë komplet ishte një fletore pune, por me gabime. Aty nuk jepet saktë pamja e shkronjave të dorës. Mbi të gjitha, fotografitë sqaruese që janë dhënë për disa shkronja, unë nuk po e di kuptimin e tyre, lëre më fëmijët!!
E dyta, në shumicën e fjalëve, shkronja ”ë” ( ndoshta meqë teknikët nuk dinë ta nxjerrin këtë shkronjë) shkruhet vetëm ”e”.
Tjetra: shkruhet gabimisht përemri pyetës ”ç’ ”. Në vend të tij përdoret trajta ”q”, të cilën zakonisht e përdorin gabimisht shqiptarët jashtë truallit amtar…
Nëse në këtë fillim, kur ka pak shkrime, ka kaq gabime, çfarë pritet nga kjo faqe në të ardhmen!
Unë kisha një këshillë për këtë grup drejtues ( që nuk dihet kush janë ): Nëse financimin e kësaj faqeje e bën Ministria e Diasporës, përmbushjen me materiale shkencore le ta bëjnë spacialistët e gjuhësisë.
Gjithqysh të bashkëpunohet me mësuesit në ngulimet shqiptare ( diasporë), sepse ata dinë më së mirë se çka u duhet fëmijëve jashtë atdheut.
Si faqe dhe si nismë e përkrah plotësisht, por si brumë ( atë që sjell) për momentin jam kategorikisht kundër.
Faqja ka këtë adresë:
www.gjuhaime.com
Shikojeni dhe binduni edhe vetë.
Kjo faqe duhet të jetë e nivelit akademik, sepse është punë shumë e ndjeshme dhe të shumtën e herës nuk mjafton vetëm dëshira për të bërë diçka.
Krijoni Kontakt