Prizren, qindra në protesta kundër projektligjit për Qendrën Historike
Qindra qytetarë kanë protestuar dje në Prizren në mbrojtje të Qendrës Historike të qytetit, kundër miratimit të një projektligji të konsideruar diskriminues. Protesta u mbajt në sheshin “Shadërvan” dhe aty kanë marrë pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria. Ata kërkonin mbrojtjen e kompleksit historik të qytetit, të njohur falë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Protestuesit kërkuan mosaprovimin e ligjit të ri nga Kuvendi, i cili e ndryshon statusin e qendrës së vjetër të qytetit. Protesta u organizua nga OJQ-të dhe qytetarët kanë qëndruar në shesh në temperatura nën zero. Qendra Historike e Prizrenit njihet për vlerat e mëdha kulturore, historike, etnografike dhe fetare. Miratimi i projektligjit konsiderohet nga protestuesit si “fatal” për historinë e shqiptarëve. Në kompleksin e qendrës historike janë të ndërthurura objektet e kultit: xhamitë, kishat dhe manastiret. Objekti më i vjetër është Xhamia e Sinan Pashës e shek. XV. Protestuesit shprehen se në bazë të projektligjit, i gjithë kompleksi do t’i kalojë në administrim Kishës serbe, e cila varet direkt nga Serbia. Kompleksi në fjalë përfshin gjithë Prizrenin e Vjetër dhe pjesën përreth lumit, ku janë trashëguar shekuj me radhë vlerat e kulturës shqiptare. Deri tani, hapur kundër këtij projektligji nga partitë opozitare ka dalë Lëvizja Vetëvendosje. Organizatorët e protestës së të dielës kanë deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për anulimin e ligjit nëse ai, siç pritet, do të miratohet. Protestuesit kanë mbajtur 15 minuta heshtje, si shenjë proteste dhe mospajtimi me projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Projektligji për Hoçën e Madhe dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit figurojnë në listën e atyre ligjeve që burojnë nga Plani i Ahtisarit, miratimi i të cilave konsiderohet i nevojshëm për rrugën e Kosovës drejt përfundimit të periudhës tranzitore të pavarësisë së mbikëqyrur.
Panorama
(J. Hallaci)
Krijoni Kontakt