Basha, vizitë në Uashington. Zyrtari i vetëm i PD-së ftohet nga SHBA
2012-01-27
Fatjona Mejdini
Prapaskenat
Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha, do të niset ditën e hënë në Uashington, për të zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti. Nisur nga ky takim i rëndësishëm, dje në zyrën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit u pa të hynte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i cili zhvilloi një takim me Bashën rreth 30 minuta. I pyetur se për çfarë kishte diskutuar në takim, Arvizu theksoi se takimi me kryebashkiakun kishte shërbyer për të koordinuar sa më mirë vizitën që Basha do të ndërmarrë në fillimin e javës tjetër në SHBA. “Takimi kishte të bënte me vizitën e ardhshme të zotit Basha në SHBA”, deklaroi Arvizu pas përfundimit të takimit, duke mos preferuar të japë më shumë komente. Por ndonëse në thelb ky takim konsiderohet si rutinë, është interesant fakti që përfaqësuesi kryesor i SHBA-së në Shqipëri, Arvizu, tregon një kujdes të veçantë për kryetarin e bashkisë. Në fakt ky kujdes u vu re edhe gjatë periudhës së zgjedhjes së kreut të Bashkisë të Tiranës në këtë pozicion, nisur edhe nga problemet e mëdha dhe debatet që shoqëruan mandatin e Bashës. Gjatë ditëve të trazuara kur mandati i Bashës qëndronte pezull mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, Basha u pa disa herë në shoqërinë e Arvizu. Edhe gjatë kohës që Basha mbante pozicionin e ministrit të Brendshëm, marrëdhëniet e tij me ambasadorin amerikan konsideroheshin si të ngrohta. Nuk dihet nëse kjo mbështetje vjen për shkaqe të mandatit të Bashës, apo nga fakti se figura e tij konsiderohet si e përshtatshme për të qenë pasardhës i Kryeministrit Sali Berisha brenda Partisë Demokratike. Prej kohësh Basha përflitet si njeriu i cili do të ishte i përshtatshëm për marrjen e pushtetit brenda PD-së, në kohën kur kryetari aktual, Sali Berisha, do të detyrohet të tërhiqet. Këto zëra u bënë më të fortë në momentin kur Basha u votua më shumë se i gjithë lidershipi i PD-së, gjatë zgjedhjeve që u bënë në këtë parti për Kryesinë e re. Lulzim Basha arriti të ishte i pari në listën me 20 emra të figurave kryesore të PD-së, duke lënë pas figura të shquara dhe tradicionale të partisë, si nënkryetarët Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, si dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Ritvan Bode. Në momentin kur zërat u shtuan se ai do të ishte një nga nënkryetarët e rinj të partisë, Basha, përmes një deklarate publike, i hodhi poshtë këto zëra. Ai theksoi se nuk do të futej në garë për asnjë nga postet në PD-së, duke i mëshuar faktit se do të ishte tërësisht i përkushtuar në punën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në mbështetje të problemeve të qytetarëve. Dukej se kjo deklaratë tregoi se ishte ende herët për Bashën marrja e përgjegjësive konkrete brenda PD-së dhe po kështu duket se planet e tij për përfaqësim në PD janë më ambicioze se kaq.
shqip
Krijoni Kontakt