Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 24
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516

    Thaçi viti 2012 do të jetë vit i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës

    Thaçi viti 2012 do të jetë vit i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës


    Qeveria me 100 projektligje

    Publikuar: E mërkure 21 Dhjetor 2011, 19:06

    Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se viti 2012 do të jetë vit i konsolidimit të shtetit dhe i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Këto komente Thaçi i bëri gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën janë një varg projektligjesh për shqyrtim. Thaçi me këtë rast ka falënderuar deputetët për mbështetjen e buxhetit për vitin 2012. “Ky buxhet është buxheti i vazhdimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, implementimit të shumë projekteve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, i rritjes së mirëqenies sociale, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorinë kosovare, i reformave demokratike dhe buxhet i Kosovës evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi. Ai ka thënë se projektligjet e miratuara bëjnë që numri total i projektligjeve të shqyrtuara dhe miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti të arrijë në 100. “Është numër rekord i projektligjeve të miratuara, prandaj, kërkohet edhe nga Kuvendi një përkushtim dhe intensifikim i punëve prej të gjithëve, në mënyrë që këto projektligje të aprovohen dhe kalojnë edhe në Kuvend”, ka thënë kryeministri. Por, ajo që është me rëndësi, sipas kryeministrit Thaçi, është standardi i lartë evropian i të gjitha këtyre projektligjeve.

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516
    Arrin në 100 numri i projektligjeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 21 dhjetor 2011

    Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 53-të, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka shqyrtuar dhe ka miratuar 14 projektligje, të cilat i janë proceduar Kuvendit të Kosovës për miratim.

    Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka falënderuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2012. Po ashtu z. Thaçi ka vlerësuar angazhimin e kabinetit qeveritar lidhur me buxhetin.

    “Ky buxhet është buxheti i vazhdimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, implementimit të shumë projekteve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, i rritjes së mirëqenies sociale, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorinë kosovare, i reformave demokratike dhe buxhet i Kosovës evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se në vitin 2012 ne do të hyjmë me zotimin e qartë, vizionin tonë të qartë, për Kosovën evropiane dhe përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.

    Kryeministri Thaçi, duke folur për Strategjinë legjislative për vitin 2011, ka thënë se Projektligjet e miratuara sot bëjnë që numri total i projektligjeve të shqyrtuara dhe miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti të arrij në 100.

    “Është numër rekord i projektligjeve të miratuara, prandaj kërkohet edhe nga Kuvendi një përkushtim dhe intensifikim i punëve prej të gjithëve në mënyrë që këto projektligje të aprovohen dhe kalojnë edhe në Kuvend” ka thënë kryeministrit Hashim Thaçi.

    Por ajo që është me rëndësi, sipas kryeministrit Thaçi, është standardi i lartë evropian i të gjitha këtyre projektligjeve.

    Në vazhdim po japim listën e projektligjeve të miratuara:

    Projektligji për Diasporën e Kosovës (ZKM)
    Projektligji për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror (MI)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-168 për Turizmin dhe Shërbimet Turistike (MTI)
    Projektligji për Teatrot (MKRS)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë (MPMS)
    Projektligji për Skemat Pensioneve të Financuara nga Shteti (MPMS)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike (MZHE)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-204 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (MF)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-161 për Tatimin në të Ardhurat Personale (MF)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-162 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave (MF)
    Shqyrtimi i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 03/L109 (MF)
    Projektligji për Fondet Pensioneve të Kosovës (MF)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat (MF)
    Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/6 për Bibliotekat (MKRS)

    Pos projektligjeve, Qeveria ka miratuar edhe një varg vendimesh tjera.

    Ministrat votuan pro Planit të Veprimit për Partneritet Evropian për vitin 2012 . Ministrja Vlora Çitaku ka thënë se Integrimi Evropian mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe Plani i Veprimit i Partneritet Evropian është dokumenti kryesor afatmesëm planifikues, i cili ka për qëllim adresimin e sfidave dhe prioriteteve kyçe afatshkurta dhe afatmesme të identifikuara nga Partneriteti Evropian nga viti 2008.

    Qeveria mori vendim për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore, Posta e Kosovës SH.A..

    Është miratuar propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për transferin e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e kapitaleve në kategorinë e transfereve dhe subvencioneve. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar transferin e mjeteve në vlerë prej 350 mijë eurove që do të bëhet nga kategoria ekonomike e kapitaleve, në kategorinë ekonomike të mallrave dhe shërbimeve në Administratën Qendrore.

    Është miratuar kërkesa e Komunës së Shtërpcës për transferimin e mjeteve financiare në projektin për ndërtimin e spitalit për shëndetësi sekondare. Po ashtu qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për shkurtimin e ndarjes buxhetore për mbulimin e minusit në Paga dhe Mëditje si dhe kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për transferimin e fondeve nga kategoritë mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfere.

    Poashtu, Qeveria ka miratuar Planin Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Financave për vitin 2012-2014 dhe vendimin për ndryshimin e normës tatimit të akcizës në Aneksit A të Ligjit nr. 03/L-220 për cigare.

    Shuma prej 172 mijë e 200 eurove është ndarë me rastin e festave të fundvitit për nevojat e invalidëve të luftës së UÇK-së, mjete financiare të ndara në bazë të kërkesës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro ndihmë shtetit të Tajlandës dhe 20 mijë euro tjera për Filipinet, për përballimin e gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.

    Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të ambasadave të Kosovës, ku përfshihen trajnimet dhe aftësimet profesionale, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e buxhetit prej 550 mijë euro. Poashtu edhe SOROS do të ndaj për këtë qëllim 350 mijë euro.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e që ka të bëjë me Regjistrat Kadastral.

  3. #3
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516
    Në janar vendimi për pavarësinë e mbikëqyrur

    Publikuar: E enjte 22 Dhjetor 2011, 21:41
    Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se viti 2012 do të shënojë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, dhe se në janar pritet vendimi për këtë çështje. Ai tha se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. “Viti 2012 është viti kur do të mbushen katër vjet të pavarësisë së Kosovës. Do të jetë viti i përmbushjes së obligimeve tona që kemi në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisari. Pra, do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Natyrisht, nëse ne do të kemi rezultate konkrete, por kam besim të plotë se do ta përmbyllim me sukses”, tha kryeministri Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës. Kryeministri komentoi edhe iniciativën e presidentes së Kosovës për themelimin e Këshillit Antikorrupsion, që do të përcaktojë politikat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. “Unë e falënderoj shumë presidenten për mbështetjen e saj për Qeverinë e Kosovës në përkushtimin për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E ritheksoj, vetëm duke u angazhuar të gjithë rreth përkushtimeve tona për sundim të ligjit, ne do të kemi sukses. Kështu që, kam besim në suksesin tonë të përbashkët”, tha kryeministri. Kryeministri ka folur edhe për situatën në veri. Ai tha se Kosova do të vazhdojë të jetë sa më afër qytetarëve në veri. “Ne duam të jemi sa më afër tyre, ne mesin e tyre, t’i dëgjojmë, të komunikojmë dhe t’i kuptojmë drejt shqetësimet e qytetarëve. Për fat të keq, aty janë 200 – 300 njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme tash e 12 vjet përmes kontrabandës, që mbajnë peng vullnetin e qytetarëve në veri, që kërcënojnë njerëzit, që nxjerrin fëmijë, gra dhe pleq në rrugë, por edhe barrikada, që paguajnë njerëz për të qëndruar në barrikada të ndryshme”, tha Thaçi. Duke komentuar deklaratën e presidenti serb, Boris Tadiq, se një model si ai i Irlandës së Veriut do të mund të ishte shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se në asnjë rrethanë nuk do të ketë model të tillë çfarë pretendohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty këtu, modeli gjermano-gjerman, apo modeli i Katalonisë, Tirolit, apo Irlandës.

  4. #4
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Certifikatat e para HALLALL në Maqedoni

    Oda Ekonomike e Maqedonisë në bashkëpunim me Agjencinë për certifikimin e HALLALL - kualitet në BeH, BFI e Maqedonisë dhe "Fud Konsalting" - Shkup sot do t'i ndajë certifikatat e para HALLALL në Republikën e Maqedonisë.

    Standardi HALLALL, implementimi i të cilit do t'u hap kompanive të Maqedonisë treg të madh, do të thotë prodhim të ushqimit në pajtim me rregullat Islame. Bëhet fjalë për term arab i cili do të thotë "gjithçka që është e lejuar" në islam sipas të drejtës (fetare) së sheriatit. HALLALL ka më shumë specifika, mënyra e therjes, përjashtim të alkoolit apo aditivëve të cilat përmbajnë mish derri.

    Tregu HALLALL botëror i kënaq nevojat e 1,8 miliard blerësve nga besimi mysliman dhe është me rritje më të shpejtë. Në vit bën qarkullim prej 850 miliard dollarë amerikan. Shkalla e deritanishme e rritjes është 40 për qind, ndërsa parashikohet të arrijë 50 për qind. Vetëm ekonomitë e Arabisë Saudite, Bahrejn, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Omani dhe Kuvajti peshojnë 715 miliard dollar. Tregu HALLALL këtë vit arriti 456,4 miliard euro.

    Vendosja e HALLALL-it është praktikë shumëvjeçare e kompanive të mëdha botërore "Mek Donallds", "Nestle" , "KFC". Në rrethimin tonë firmat që kanë vendosur HALLALL janë "Krash", "Vindija" dhe "Podravka". Kualiteti HALLALL, përveç në ushqim, përfshihet edhe prodhimet farmaceutike, kozmetike, sende për përdorim të përgjithshëm dhe shërbime (financa, bankieri, tregti, hotelieri).(bota sot)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  5. #5
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516
    halla mine

    qka ka te bej me temen ky postim i yti lum hallokja tregona

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Diella1
    Anëtarësuar
    07-03-2011
    Postime
    1,162
    Citim Postuar më parë nga Pika-Kufi.1-31 Lexo Postimin
    Thaçi viti 2012 do të jetë vit i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës

    Lajm shume i bukur ky.........

  7. #7
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516
    Kosova është e zonja të vetëqeverisë mirë – thekson kryeministri Thaçi

    http://www.kryeministri-ks.net/repos....2011_-_KM.jpg

    Prishtinë, 23 Dhjetor 2011

    Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Kosova e filloi vitin me një proces zgjedhor të stërzgjatur dhe me një situatë të vështirë të krijuar pas raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty. Viti po përmbyllet me veriun e trazuar e të bllokuar. Gjykuar nga zhvillimet ishte një vit i gjatë. A ishte i tillë edhe për ju?

    Hashim Thaçi: Realisht, Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë. Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha sferat e jetës institucionale por edhe qytetare. Duke filluar nga vështirësitë dhe procesi i tej zgjatur elektoral, që u reflektua në vonesën për ndërtimin e institucioneve, ne veçanti për zgjedhjen e presidentit. Por, në të njëjtën kohë, Kosova dëshmoi se ka rend demokratik, se ka kulturë politike, se po e dëshmon veten në kuptimin e demokracisë, se ka krijuar traditën edhe elektorale, edhe të ndërtimit të institucioneve edhe të konsensusit politik për interesa shtetërore mbi ato partiake. Për të vazhduar pastaj me përkushtimet tjera në të gjitha sferat e punëve për të cilat edhe e kishim kërkuar besimin e qytetarëve. Natyrisht, Kosova për fat të keq, u ballafaqua edhe me sulme jo te lehta nga ata që pretendonin të ndryshojnë dhe ndërrojnë historinë e Kosovës, për të vënë balancën në mes Kosovës dhe Serbisë, balancë në kuptimin moral. Por, ato përpjekje të motivuara politike do të dështojnë plotësisht duke u besuar ne institucioneve të drejtësisë dhe vetëm të së vërtetës. Kështu që, sot Kosova është vend i konsoliduar, po fuqizohet çdo ditë, Kemi fituar njohje nga 85 shtete, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe FMN, përmbyllja e këtij vitit solli edhe agjendën konkrete, evropiane, unike për Republikën e Kosovës, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në dhe anëtarësimin e shpejtë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Pra, vitit 2011 ishte viti i konsolidimit të shtetit, ishte viti i Kosovës evropiane.

    Zëri i Amerikës: Zhvillimet në veriun e Kosovës u pasqyruan edhe në aspiratat e Beogradit kundrejt proceseve integruese në Bashkimin Evropian. A ka shenja se Beogradi do të ndryshojë qasjen ndaj veriut?

    Hashim Thaçi: Më 25 korrik, kur ne dërguam njësitet speciale për të marrë nën kontroll pikën 1 dhe 31 me vendimin tonë të drejtë kushtetues dhe ligjor, kemi thyer tabunë e mos hapjes së temës së veriut për 12 vite të tëra, kemi ndalur kontrabandën dhe krimin e organizuar. Tani, pika 1 dhe 31 është e menaxhuar prej doganierëve dhe policëve kosovar por edhe atyre të EULEX-it dhe me krijimin e ambientit të sigurisë dhe mbrojtjes nga NATO-ja. Ballafaqohemi ende me vështirësi të strukturave ilegale dhe kriminale, me mungesë të lëvizjes së lirë. Është i vetmi vend që ende nuk ka organizim të zgjedhjeve të lira, pra e vetmja pjesë e Kosovës por edhe në gjithë Evropën. Pas 25 korrikut, e gjithë bota demokratike është e fokusuar në zgjidhjen e problemit të asaj situate të krijuar për 12 vite të tëra të jo ligjshmërisë dhe tani të gjithë janë të fokusuar për rend dhe ligj, për demokraci, për zgjedhje të lira, për lëvizje të lirë, pra që të shtrihet autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kosovës në përputhshmëri me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjendja e mëparshme nuk do të rikthehet. Do të ketë lëvizje përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm në përkushtimet tona koordinuese edhe me autoritete e EULEX-it edhe të NATO-s, të SHBA-së dhe BE-së.

    Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, presidenti serb Boris Tadiç tha se një model si ai i Irlandës, apo Tirolit jugor e madje edhe i dy Gjermanive të pasluftës së dytë botërore mund të ishte shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa janë të mundshme këto modele?

    Hashim Thaçi: Kosova është vend i pavarur e sovran me integritetin e saj territorial të njohur dhe të garantuar ndërkombëtarisht. Ndryshimi i kufijve është i pamundur që të ndodhë. Ne punojmë si Kosovë për një rajon me kufi të hapur, të evropianizuar. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë model të tillë çfarë pretendohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty këtu, modeli gjermano-gjerman, apo modeli Katalonisë, Tirolit apo Irlandës. Kosova është rast specifik definitivisht, është vend sovran i njohur prej shumicës së vendeve të botës, vendeve më të fuqishme. 25 korriku e ka shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e Beogradit dhe projektin e Beogradit për ndryshimin e kufijve të Kosovës për ndarjen e Kosovës. Ne do të jemi afër qytetarëve në veri, ata janë qytetarët tanë, Kosova është shtëpia jonë. Do ta ndërtojmë bashkërisht, por gjithmonë duke respektuar në kuptimin më afirmativ të drejtat e komuniteteve.

    Ata që mbjellin frikë, që kërcënojnë qytetarët do të ballafaqohen me drejtësinë, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës, institucionet e Kosovës do t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnik. Ne duam të investojmë edhe në atë pjesë të Kosovës dhe qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime. Ata kanë nevojë më tepër për shkolla të reja, ambulanca, kanalizim, ujësjellës, për një jetë të re, sesa për politikën e vazhdueshme mashtruese të Beogradit.

    Zëri i Amerikës: Pas takimit me ju, kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi që siç tha edhe Kosova të jap më shumë në zgjidhjen e situatës në veri. Cilat ishin saktësisht kërkesat e saj zoti Kryeministër?

    Hashim Thaçi: Definitivisht, vizita e kancelares Merkel ka qenë mesazhi më i qartë për përkushtimin jo vetëm të Gjermanisë, por përkushtimin e BE-së për evropianizimin e rajonit. Mesazhi ishte shumë i qartë se nuk do të ketë struktura ilegale dhe paralele, se Kosova është sovrane dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm, se për të lëvizur drejt BE-së, secili shtet e ka obligim normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Dhe e ardhmja e Serbisë për në BE kalon përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore më Kosovën, siç varet edhe e ardhmja jonë evropiane dhe e vendeve të tjera, sepse fqinjësia e mirë është parakusht për të ardhme evropiane të të gjitha vendeve në rajon. Kështu që ,ne do të respektojmë në përpikëri dokumentin më të avancuar për komunitete që e ka ndonjë vend evropian e ai është dokumenti i presidentit Ahtisaari.

    Zëri i Amerikës: S’kishte ndonjë kërkesë më të posaçme se çfarë mund të bëjë më shumë Kosova?

    Hashim Thaçi: Kosova do të vazhdojë të jetë sa më afër qytetarëve në veri. Ne duam të jemi sa më afër tyre, ne mesin e tyre, t’i dëgjojmë, të komunikojmë dhe t’i kuptojmë drejt shqetësimet e qytetarëve. Për fat të keq, aty janë 200 – 300 njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme tash e 12 vite përmes kontrabandës, që mbajnë peng vullnetin e qytetarëve në veri, që kërcënojnë njerëzit, që nxjerrin fëmijë, gra dhe pleq në rrugë por edhe barrikada, që paguajnë njerëz për të qëndruar në barrikada të ndryshme. Prandaj, zgjidhja e vetme është lëvizja e lirë dhe krijimi i hapësirës dhe kushteve demokratike për jetë të re integruese në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Shembulli më i mirë është pjesa tjetër e Kosovës ku janë formuar komuna të reja, ku më herët ka pasur barrikada dhe struktura paralele. Me heqjen e barrikadave kemi lëvizje të lirë. Me largimin e strukturave ilegale, kemi institucione legjitime. Bashkëpunimi në mes qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale është i shkëlqyeshëm. Ne investojmë atje dhe shembulli më i mirë është Shtërpca ku për 12 vite të tëra ishin bllokuar investimet në qendrën e skijimit në Brezovicë.

    Tash procesi i privatizimit ka filluar. Do të investohen mbi 100 milion euro. Ato investime shkojnë më së tepërmi në interesin e vet komunitetit lokal. Prandaj ne duam që edhe në veri të kemi rend demokratik, të kemi sundim të ligjit, demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim dhe të vazhdojmë me investime socio-ekonomike. Kjo është zgjidhja e vetme dhe është shumë afirmative por edhe obligim i yni kushtetues dhe ligjor.

    Zëri i Amerikës: Për fillimin e vitit të ardhshme është paralajmëruar vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Kritikët tuaj thonë se me bisedimet me Serbinë nuk kanë sjellë asnjë rezultat për Kosovën ndërsa ju kanë kritikuar edhe për moszbatim të vendimit të Parlamentit për masa të ndërsjella me Serbinë. Si ju përgjigjeni?

    Hashim Thaçi: Nuk dëshiroj të merrem sonte në këtë intervistë festive me deklarimet injorante dhe mund të them lirisht jo realiste të atyre njerëzve që deklaronin ashtu siç deklaronin nga mungesa e informacioneve apo nga prizmi njëpartiak, elektoral. Unë kam obligim të ndërtojë shtetin dhe jam i besuari i qytetarëve që të udhëheqë këtë proces. Dhe mbi të gjitha për mua është interesi shtetëror sesa deklarimet ditore politike. Dialogu nuk është që ne duhet të shprehim vetëm vullnetin tonë. Është opsioni i vetëm për të lëvizur përpara. Dialogu ndërshtetëror. Ne kemi punuar bashkërisht si shtet i Kosovës edhe me Maqedoninë në procesin e demarkacionit, me Shqipërinë, me Malin e Zi gjithashtu. Ndërsa dialogu ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe obligim i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tani kemi arritur gjashtë konkluzione të përbashkëta. Kosova ka arritur që të tregojë fleksibilitetin e duhur, të tregojë përgjegjësinë më të lartë shtetërore. Për Kosovën, në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për fuqizimin si shtet kemi perpektivën e qartë evropiane, ndërsa ju e dini dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë botës e dinë qëndrimin e BE-së për Serbinë, që ishte një refuzim total dhe unik i Brukselit për sjelljen, mund të them anti evropiane të Serbisë në raport me Kosovën. Pra për Kosovën u hap perspektiva konkrete evropiane para pak ditësh nga Brukseli, ndërsa për Serbinë ishte një qëndrim refuzues, kategorik, unik gjithë evropian. Prandaj, thjeshtë zërat injorantë, dështuan.

    Zëri i Amerikës: Në hapjen e kësaj perspektive, e keni përmendur edhe çështjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Por, edhe ju vet e keni thënë se ka disa sfida siç janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova këtë vit doli në një pozitë aspak të mirë me shkallën e korrupsionit. Cili është shpjegimi nga pikëpamja juaj, zoti Kryeministër?

    Hashim Thaçi: Perspektiva evropiane për Kosovën është arritur pikërisht nga qeverisja e mirë, nga zotimi ynë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është arritur kjo perspektivë në bazë të qeverisjes efektive dhe efikase, punës konkretë që është bërë në listën për implementimin e agjendës evropiane. Unë më herët kisha premtuar hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave për 15 muaj, kjo ndodhi për 9 muaj. Por, kjo nuk duhet të na kënaqë. Ne kemi një listë të tërë që duhet ta implementojmë edhe në të ardhmen, në mënyrë që definitivisht të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Evropë. Ajo listë do të implementohet dhe është një punë e madhe ekipore që po ndodhë. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojë të mbetet një nga sfidat kryesore si fenomen edhe rajonal. Por, institucionet e Kosovës, qeveria e saj janë zotuar që të vazhdojnë. Natyrisht, në këtë drejtim kërkohet mbështetje e të gjithëve, koordinim nga të gjithë edhe qeverisë, edhe parlamentit edhe presidencës edhe shoqërisë civile edhe medieve dhe të gjitha autoriteteve tjera. Por, gjithmonë duhet kuptuar edhe atë se pushtetet janë të ndara. Gjithçka që do të varet nga ekzekutivi kosovar, ne do ta kryejmë. Kërkohet këmbëngulësi dhe efikasitet edhe më i madh nga autoritetet e drejtësisë, për çka kam besim se do të ketë lëvizje edhe më efektive edhe prej tyre. Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete më tepër për sistemin e drejtësisë

    Zëri i Amerikës: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga paralajmëroi themelimin e Këshillit Antikorrupsion, që do të përcaktojë politikat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Si e shihni këtë nismë dhe a do ta mbështesni?

    Hashim Thaçi: Unë e falënderoj shumë presidenten për mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës në përkushtimin për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E ritheksoj, vetëm duke u angazhuar të gjithë rreth përkushtimeve tona për sundim të ligjit, ne do të kemi sukses. Prandaj, është një mbështetje jashtëzakonisht inkurajuese nga presidentja për filozofinë qeverisëse tonën, për vizionin tonë shtetndërtues, një koordinim i këtyre angazhimeve të përbashkëta, do të sjellë rezultate edhe më të mëdha. Kështu që, kam besim në suksesin tonë të përbashkët.

    Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Kosova po hyn në vitin e katërtë të pavarësisë së saj të mbikëqyrur. Është paralajmëruar se kjo mbikëqyrje një ditë duhet të përfundojë. Kur e prisni një proces të tillë?

    Hashim Thaçi: Viti 2012 është viti kur do të mbushen katër vjet të pavarësisë së Kosovës. Do të jetë viti i përmbushjes së obligimeve tona që kemi në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari. Pra, do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Natyrisht, nëse ne do të kemi rezultate konkrete, por kam besim të plotë se do ta përmbyllim me sukses.

    Zëri i Amerikës: Çka e ndan Kosovën nga kjo pikë, nga ky moment?

    Hashim Thaçi: Kosova ka lëvizur shumë përpara. Është duke u fuqizuar çdo ditë, është duke vërë reforma të thella demokratike në të gjitha sferat. Ne duhet t’i kryejmë obligimet që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari në tërësi. Mbi 90 për qind të këtij dokumenti veç e kemi implementuar dhe do të vazhdojmë me dinamikën e njëjtë edhe vitin e ardhshëm. Grupi Drejtues Ndërkombëtarë do të mblidhet në Vjenë në fund të janarit. Do të vlerësojë të arriturat e Kosovës dhe do të marr vendim për të ardhmen e këtij procesi. Por, unë kam besim se progresin që do ta prezantojë në Vjenë në fund të janarit, do të jetë bindës për të gjitha shtetet e Grupit ndërkombëtarë për pavarësinë e Kosovës dhe do të jetë një vendim unik që të intensifikohet gjithë agjenda e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur për Republikën e Kosovës. Kosova është e zonja të vetëqeverisë mirë.

    Zëri i Amerikës: Kosova është në një periudhë ndryshimesh kushtetuese që në radhë të parë nënkuptojnë përcaktimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit. A jeni ju pjesë e këtyre ndryshimeve dhe mbase një pyetje më personale a do të jeni pjesë e konkurrencës për postin e presidentit?

    Hashim Thaçi: Janë duke ndodhur reforma të gjithanshme. Nuk është reformë vetëm për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Janë duke ndodhur edhe reformat për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe ky është një shembull shumë i mirë i politikës kosovare që punojmë bashkërisht pozitë dhe opozitë për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme pas dy vitesh, për sistemin zgjedhor. Por, në të njëjtën kohë kërkohen edhe ndryshime kushtetuese për rolin, mandatin dhe fuqinë e presidentit, kur të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa sa i përket pyetjes suaj konkrete, unë ndjehem tepër mirë në krye të ekzekutivit kosovar. Jemi duke implementuar projektet më të fuqishme në historinë e Kosovës. Kam agjendën dhe vizionin tim të prezantuar para qytetarëve për çka edhe kam fituar besimin e tyre që të udhëheqë ekzekutivin. Ky është mandati i dytë dhe kontrata ime me qytetarë është e shenjtë, do ta respektoj në përpikëri dhe nuk e thyej vullnetin dhe besimin e qytetarit me asnjë çmim dhe asnjë post. Do të vazhdoj të kryej obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore duke respektuar gjithmonë legjitimitetin qytetar që të jem në shërbim të së mirës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Antiproanti
    Anëtarësuar
    28-07-2011
    Postime
    6,033
    Thaçi viti 2012 do të jetë vit i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës
    Do te jete vit i perfundimit edhe te asaj pak pavaresie apo veteqeverisje administrative te gjymtuar qe ka, do te ishte me realistike.

    Sido qe te jete, e rendesishme eshte qe populli i Kosoves, apo ata pak kosovare qe kane mbetur ne Kosove dhe qe do te jene edhe me pak, posa te mundesohet udhetimi pa viza ne BE, ti percjellin me kujdes te mjaftueshem veprimet dhe vendimet e kuislingve me tendenca te qarta autoritar ne krye me kryekuislingun Thaci. Perndryshe, do te perfundojne ne nje sistem jodemokratik, kolonialo-kuislingo-katunar, i cili esencialisht do te jete identik me ate te administrimit te provincave dhe republikave ne Federaten aktuale te Rusise.
    Shembulli me konkret, me i kuptueshem dhe i krahasueshem me ate cfare mund ti ndodhe Kosoves eshte menyra e administrimit ne "Republiken" e Qeqenise. Eshte e vetekuptueshme se sistemet nuk do ti perngjajne ne cdo strukture dhe hollesi njera tjetres, sepse nje gje e tille eshte e pamundur. Por, per rastin e Kosoves mjafton te krijohen struktura sistemike, pushtetore, shteterore dhe ligjore, te cilat mund te keqperdoren per instalimin hap pas hapi te shtetit dhe pushtetit autoritar, deri te De facto-Führeri apo Lideri me pushtet absolut, qe do te sigurohej ne mase te madhe nga faktori i jashtem, miqet dhe armiqet e popullit shqiptar te Kosoves dhe me gjere. Hapat e pare, te cilet mund te shpiejn ne nje drejtim te tille vetem jane duke u ndermarre, me ose pa vetedijen e nje pjese te mire te atyre qe po angazhohen dhe po punojne ne keter drejtim. Ndryshimt kushtetuese per zgjedhjen e Presidentit dhe nje pjese e mire e kodit penal etj. mund te keqperdore, dhe nese do te egzistoje nje mundesi e tille, me siguri do te keqperdoren, per zgjatjen e jetes se pushtetit deri ne perjetesi te kuislingve perzgjedhur per vetqeverisje adminstrative ne "absurdistanin" e quajtur Kosove...

  9. #9
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    17-09-2011
    Postime
    516
    ICO ikën, mbesin EULEX-i & ambasadat

    Artan M. Haraqija | 25-12-2011 00:36 CET

    (E plotësuar) Në Kosovë, ekzistojnë disa lloje pushtetesh, vendore e ndërkombëtare, të cilat nuk udhëhiqen nga i njëjti trup vendimmarrës. Përpos pushtetarëve vendorë, në vendin tonë, të drejta ekzekutive kanë edhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe ata që ndërhyjnë në punët e brendshme përmes zarfeve të nxjerra nga xhepi, apo siç quhen zyrtarisht ambasadat.

    Duke u mbështetur në këtë realitet, mbyllja e ICO-s automatikisht nuk duhet kuptuar si “përfundim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë”. Të paktën kështu mendon një nga udhëheqësit e organizatës “Çohu”, Avni Zogiani, i cili vlerëson se “shteti që nuk e ka gjyqësinë e policinë në duar të veta, nuk është shtet i pavarur”.

    Sidoqoftë, zyra që udhëhiqet nga diplomati holandez Pieter Feith, beson që “fundi i pavarësisë së mbikëqyrur mund të arrihet në vitin 2012, nëse të gjithë akterët e përfshirë punojnë së bashku”.

    Kur e thotë këtë, zëdhënësi i Feith, Christian Palme, siç duket e harron praninë edhe të misioneve tjera ndërkombëtare dhe fuqive ekzekutive që kanë ato. Palme vlerëson se “misionet tjera vetëm do e përkrahin Kosovën, por pa fuqitë që tani i gëzon ICO”.

    Në fakt, të drejtat ekzekutive që i ka Feith, nuk i ka përdorur asnjëherë me arsyetimin se “nuk dëshiron që t’ua kujtojë kosovarëve kohën e UNMIK-ut”.

    Krahasimin me UNMIK-un e bën edhe Avni Zogiani, pasi ky i fundit mendon që fjalët për mbylljen e ICO-së dhe me këtë edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare janë një manipulim i ngjashëm sikur me reduktimin e misionit të OKB-së në Kosovë.

    “ICO edhe ashtu ka qenë një lloj pushteti paralel me EULEX-in, i cili ka fuqi ekzekutive dhe përmes së cilit edhe BE edhe SHBA-të do të vazhdojnë që substancialisht të ndikojnë në vendimmarrjen kosovare”, vlerëson Zogiani.

    Misioni që quhet i BE-së për sundim të ligjit, por që ka edhe staf jo evropian në të, zyrtarisht ka të drejta ekskluzive nga pushteti kosovar në tri fusha, dogana, drejtësi dhe siguri. Gjyqtarët e EULEX-it mund të hetojnë çdo zyrtar kosovar ndërsa ata, ndër të tjera, i kanë përgjegjësi dosjet e krimeve të luftës dhe korrupsionin në nivele të larta.

    Përpos kësaj, për Avni Zogianin, edhe pas mbylljes së ICO-së, EULEX-i mund të ndërhyjë në mënyrë indirekte edhe në ekonomi dhe të gjitha fushat potencialisht.

    “Strukturat që në mënyrë organike janë të përfshira në vendimmarrje janë ICO dhe EULEX-i. Kjo e fundit do të vazhdojë të jetë një lloj ndikuesi në të gjitha fushat, sidomos kur e kemi parasysh që politika në Kosovë është substancialisht e korruptuar, ndërsa gjithmonë do ketë nevojë për një adresë siç është EULEX-i”, vlerëson më tutje Zogiani. Drejtori i “Çohu-t” thotë se mbyllja e ICO-së nuk do të ndihet fare pasi edhe tani që është “e gjallë” prania e saj është gati zero.

    Për zyrën e Pieter Feith-it, suksesi i tyre është pothuajse para fundit duke përmendur obligimet që i ka në bazë të Pakos së Ahtisaarit, e të cilat kur i përmend të krijohet përshtypja që kjo zyrë është krijuar vetëm për minoritetet e Kosovës.

    Sipas Christian Palme, projektet me prioritet për ICO janë programi i decentralizimit duke e përfshirë edhe veriun, fuqizimi i komunave të reja me shumicë serbe në tërë Kosovën, transferimi i kompetencave në pajtim me Pakon e Ahtisaarit, zbatimi i kornizës së plotë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe provizionet ligjore për të drejtat e komuniteteve.

    Kemi plan edhe për kompetencat e EULEX-it

    Qeveria kosovare deklarohet se është e përgatitur për të marrë jo të gjitha, por shumicën e kompetencave të ndërkombëtarëve deri në fund të vitit 2012.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë “Zërit” se kompetencat e ICO dhe EULEX-it janë tashmë duke u diskutuar paralelisht.

    “Ne kemi bërë dy projekte që i kemi dorëzuar në Bruksel. I pari ka të bëjë me transferimin e kompetencave nga EULEX-i dhe projekti i dytë, që besoj se do të dërgohet në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, të datës 22 janar, i cili ka të bëjë me përfundimin e misionit të ICO-së”, vlerëson Kuçi.

    Sipas tij, më afër është fundi i ICO-së pasi kompetencat e EULEX-it do të kërkohet të dorëzohen në mënyrë të përshkallëzuar.

    “Ndoshta viti 2012 do të jetë përfundimi i kompetencave ekzekutive. Mund të jetë që rastet për krime lufte dhe korrupsioni në nivele të larta të vazhdojnë të jenë në duar të tyre, por të tjera si p.sh., niveli i gjykatave të qarkut të kalojnë në tërësi në Qeverinë e Kosovës”, thotë më tutje Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është dhe ministër i Drejtësisë.

    Ai tregon që qeveria kosovare i ka nisur diskutimet për kompetencat e EULEX-it më 11 tetor të këtij viti kur ia ka dërguar projektin e tij Departamentit për Misione Civile në BE. Nga ajo datë e deri në dhjetor janë mbajtur takime edhe në Prishtinë dhe Bruksel, takime ku janë përfshirë edhe kryeministri dhe ministra të tjerë.

    Zëvendëskryeministri thotë që deri më tash, 80 % e projektit të tij është përkrahur nga ambasadorët e BE-së, përfshirë edhe ata të Greqisë e Spanjës.

    “Mbrëmjen e 20 dhjetorit, kam pasur një darkë pune me ambasadorët e BE-së, që janë përfaqësues të Komitetit të Politikave të Sigurisë së BE-së, ku mund të them që mbi 80 % e planit është përkrahur. Tani besoj që nga fundi i janarit të 2012-ës, Kosova do ketë një plan të përbashkët me BE-së për këtë çështje”, thotë Kuçi.

    Çështja ICO-s, sipas Kuçit, është shumë më e thjeshtë pasi kjo zyrë tashmë e ka përfunduar rolin e saj.

    “ICO pas ndërtimit të komunave të reja është parë që nuk ka më mandat. Mandati i tyre në fakt është dashur të vazhdojë me ndërtimin e komunës veriore, por është parë që nuk ka pasur sukses atje, as ICO e as dikush tjetër”, vlerëson zëvendëskryeministri Kuçi. Për këtë të fundit, e gjithë “lufta” tani e tutje do jetë që të bartet agjenda nga ICO e EULEX-i, në tërësi në duart e Komisionit Evropian.

    Pushteti i ambasadave

    Kur flitet për ambasadat, padyshim që pikë së pari mendja shkon te Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, ndikimi i së cilës gjatë vitit 2011, edhe me pamje filmike e fotografi është verifikuar.

    Jo vetëm zgjedhja e kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, si president, pas presioneve me “sms” nga ambasadori Chris Dell, por dhe vizitat e shpeshta të zyrtarëve amerikanë në Kuvendin e Kosovës, sidomos kur deputetët duhet të votojnë për ligje të ndjeshme e kanë verifikuar përfundimisht atë që deri vonë është folur vetëm koluareve.

    Për analistin Avni Zogiani, pushteti i tillë i ambasadave ndodh vetëm te shqiptarët pasi atë e lejon vetë pushteti.

    “Historikisht ambasadat kanë pasur ndikim në vende që janë ndjerë inferiore ndaj tyre, e në këtë grup bëjnë pjesë sidomos Kosova dhe Shqipëria”, thotë Zogiani, porse me këtë nuk pajtohet ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

    “Nëse e marrim në kuptimin figurativ, edhe Franca ka ambasada që kanë ndikim”, vlerëson Kuçi, i cili në pyetjen që niveli i ndikimit nuk është si në Francë, përgjigjet: “Por, edhe ne nuk jemi si Franca, ne e dimë atë. Raportet tona e interesin tonë nacional ne gjithmonë do ta mbrojmë përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe fuqisë sonë. Por, në interesin final tonin është që të ruajmë dhe të zhvillojmë partneritetin me ta”.

  10. #10
    JUDO Maska e Gogi
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,669
    Padyshim qe eshte sukses i popullit dhe qeverise se Kosoves mbarimi i mandatit te EULEX-it ne Kosove.
    “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •